Krerët e institucioneve kulturore dhe stafi i Ministrisë së Kulturës, i Rinisë dhe i Sporteve duket të kenë udhëtuar kot në Shqipëri në maj të vitit të kaluar për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore. Nëntë muaj pasi ish-ministri i Kulturës i Kosovës, Lutfi Haziri dhe homologu i tij shqiptar, Ferdinand Xhaferi, kanë vënë nënshkrimin në memorandum, nuk është realizuar asnjë aktivitetet i përbashkët, ani pse kryefjalë e dokumentit të nënshkruar është intensifikimi i aktiviteteve nga fusha e kulturës. Udhëheqësit e institucioneve kulturore në Kosovë janë të zhgënjyer me këtë përderisa thonë se memorandumi ka mbetur vetëm në letër.
Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, thotë se memorandumi nuk ka ndryshuar asgjë në bashkëpunimin në mes të dy institucioneve më të larta të muzikës serioze të të dyja vendeve. Zakonisht në koncertet që organizon ky institucion, ai thotë se i duhen “përforcime” me instrumentistë nga Shqipëria.
“Këtë lloj bashkëpunimi ne e kemi pasur edhe pa e nënshkruar atë memorandum. Kam qenë në Tiranë dhe atje jam takuar me homologun Zhani Ciko, e kemi diskutuar dhe në njëfarë mënyre vetëm sa është konfirmuar vazhdimi i bashkëpunimit”, ka thënë Jashari.
Por Filarmonia – Opera e Kosovës, sipas Jasharit, e ka pasur të pamundur të organizojë bashkëpunim në nivele tjera, me institucionin simotër andej kufirit.
“Realizimi i bashkëpuniminit, në kuptimin e ardhjes së trupës së operës shqiptare në Kosovë do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm. E në të njëjtën kohë ne nuk kemi një sallë e cila do të ishte e përshtatshme për organizime të tilla. Ne e bëmë një operetë dhe mezi na zuri të gjithëve”, ka numëruar mangësitë Jashari.
Ahmet Brahimaj, drejtor i Trupës së Baletit të Kosovës, ani pse nuk kishte mundur të jetë në Tiranë, në kohën kur kolegët e tij kishin shkuar atje, thotë se bashkëpunimi me Shqipërinë duhet të jetë i natyrshëm. Por një gjë e tillë varet edhe nga njerëzit që udhëheqin politikën kulturore.
“Për bashkëpunime duhet pasur buxhet”, shprehet ai, teksa shton se as për TBK-në memorandumi i nënshkruar nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë.
Hiç më mirë nuk i ka punët as Teatri Kombëtar i Kosovës. Bashkëpunimi me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, sipas drejtoreshës së TKK-së, Burbuqe Berisha, ka mbetur në nivel të bisedës. Megjithatë Berisha thotë se kanë bërë një hap më përpara kur në dhjetor të vitit të kaluar ka biseduar me udhëheqësinë e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, që shfaqjet që prodhohen nga këto dy institucione të jepen premiera në të dy kryeqendrat.
“Por kjo ende është vetëm ide e cila ende nuk është vendosur në letër”, ka treguar Berisha.
Në letër, teatrot e të dy vendeve mbajnë edhe një tjetër memorandum që e kanë nënshkruar në dhjetor të 2008-s, që për qëllim kishte realizimin e komunikimit dhe shkëmbimit të vlerave kulturore midis dy vendeve, si dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve. Ky memorandum, parashihte edhe koordinimin e punëve dhe aktiviteteve të përbashkëta që këto dy institucione do të merrnin përsipër për të realizuar.
Sidoqoftë, një tjetër teatër shqiptar, “Migjeni” i Shkodrës, këtë muaj do të jetë mysafir në Prishtinë, në këtë fillimvit. Të hënën e 24 janarit, në TKK do të shfaqet “Birrë, gozhdë dhe sapun” e dramaturgut dhe regjisorit Stefan Çapaliku.
Memorandumi nuk ka pasur efekt as për institucionet më të larta të artit pamor. I pari i Galerisë së Arteve të Kosovës, Fahredin Spahija, ka thënë se homologu i tij shqiptar, Rubens Shima, ka vazhduar avazin e vjetër, atë të injorimit ndaj artit pamor të Kosovës.
“Nuk ka gatishmëri të palës shqiptare për bashkëpunim. Drejtori i Galerisë Nacionale të Shqipërisë po mban qëndrim injorues karshi krijuesve kosovarë”, ka thënë Spahija. Për këtë, ai thotë të jetë vërtetuar edhe me ekspozitën e fundit tradicionale, më të madhen e asaj galerie, “Onufri”.
“I kanë marrë tre artistë nga Kosova, vetëm pasi kam reaguar unë, dhe ata jo që kanë bërë ndonjë përzgjedhje, por i kanë marrë vetëm sa për sy e faqe”, ka thënë Spahija, teksa ka shtuar se pas kësaj ka qenë i ftuar që të jetë anëtar i jurisë i kësaj ekspozite gjë të cilën e ka refuzuar.
Me nënshkrimin e memorandumit, Spahija thotë se politika e ka bërë të vetën, ndërsa ajo që duhet bërë është zbatimi i saj. Për këtë gjë, ai thotë të jetë përpjekur disa herë, ndërsa me garën që do të mbahet me 26 janar, “Çmimi Muslim Mulliqi”, edhe njëherë do të dëshmohet se GAK nuk është refuzues ndaj artistëve nga Shqipëria.
“Por nuk është mirë kur një politikë e shtetit varet prej dëshirës së një individi. Definitivisht Ministria e Kulturës në Shqipëri duhet të ndërmarrë diçka, sepse ai po pengon një bashkëpunim që kish qenë dashur të jetë shumë i natyrshëm”, ka thënë Spahija.
Memorandumi i nënshkruar në maj të vitit 2010 ka qenë i pari i këtij niveli dhe ka për qëllim që t’u japë hov shkëmbimeve kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës, brenda periudhës 2010-2012. Të dy ministrat e kishin quajtur sukses një gjë të tillë.
“Marrëveshja vjen si një veprim institucional, që u bën nder dhe respekt gjithë përpjekjeve për vite të tëra të intelektualëve dhe institucioneve respektive, që kanë mbajtur gjallë shkëmbimin kulturor”, kishte deklaruar Xhaferri, me të nënshkruar memorandumin, ndërsa Haziri kishte thënë se “marrëveshja ka marrë formën e trajtimit dhe kujdesit të veçantë në shërbim të kulturës kombëtare dhe në zbatimin e objektivave në vitet e ardhshme”.
“KD”