Flamuri në pozitë të vështirë me Gjeneral Imamin

25 Janar 2011, 21:04Antena TEMA
Flamuri në pozitë të vështirë me Gjeneral Imamin

Dje për Flamurin ishte dita më e sikletshme e jetës së tij. Ai burri e mori në telefon në mëngjes dhe e ftoi në zyrë.

–  Dua të flas nga afër, i tha.

Sapo hyri në zyrë, Flamuri nuk mund të mos shihte plagën në buzën e poshtme të saj.

“Prapë i është shfaqur, tha me vete. I ka plasur buza. Kështu i plasi dhe më ’97, kur i doli Arben Imami me tanke në Jug, kështu i plasi më 14 Shtator të 98, kështu kur e arrestoi Ilir Meta, kështu kur humbi zgjedhjet më 2001, kështu gjithmonë. Prapë ja plasën buzën këta pisa të Edi Ramës,” tha Flamuri me vete duke u rehatuar në kolltukun e tij.

– Dëgjo Flamur, e zgjoi ai nga meditimi. Do takohemi me gjeneralët sot. I thashë Arben Imamit të më mbledh gjithë gjeneralët dhe do shkojmë t’i përgëzojmë…

– Gjeneralët…, i ngriu fjala në buzë Flamurit. Pse do bëjmë dhe Ben Imamin gjeneral?

– Jo Flamur, shiko, të them një gjë unë ty, çfarë ka ky Ben Imami, ky or zotëri, jo ta them unë ty, jo, jo, prit një minutë, shiko, dëgjo, ta them unë ty, shiko, Arben Imami o zotëri ka një gjë. Të del o në krah, o përballë, nuk fshihet nga lufta. Po të mos e kishim në qeveri tani, të siguroj unë ty që e kishe me falangat e Edi Ramës në bulevard. Jo, ashtu është. Jo, atë e ka dhe duhet t’ia pranojmë. Mirë, keq, e ka. U vetëshpall gjeneral më ’97, rrëmbeu tanket, ja ku është sot, në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Jo atë që e ka, e ka.

– Dakord, d.m.th nuk do ta bëjmë dhe atë gjeneral apo jo?

– Jo Flamur. Ai do mbledh gjeneralët. Shiko, këta gjeneralë kanë një gjë të jashtëzakonshme që s’e kam parë askund. Janë modestë. Shiko Flamur, gjeneralët në botë janë shumë fodullë dhe unë të them të drejtën ty që nuk i due. Jo, nuk i due. Këta janë ndryshe. Kanë një përulësi dhe modesti të admirueshme. Janë njerëzorë. I lavdëron dhe u bëhet qejfi. U jep një detyrë dhe e bëjnë. Shiko, të tregoj unë ty për Gjeneral Gevreni, Greveni, si e ka ai Kosta. I thashë duhet të merresh me marrëveshjen e ujërave me Greqinë. Dakord, më tha, çfarë duhet të bëj? Se ç’kërkojnë ca ujëra ata, i thashë, shiko mos na hap telashe e jepua se na duhen për zgjedhjet, do vijë kryeministri grek këtu dhe na mbështet. Mirë, tha. Asnjë llaf nuk e bëri dysh. Çdo gjë që i kërkova e bëri. Doli ky pastaj ky paranojaku, ky drogaxhiu Edi Rama dhe e çoi në Gjykatë Kushtetuese, u bë ajo që u bë, po ama Gjenerali e bëri të vetën. Në fakt nuk ishte gjeneral atëherë, por unë e admirova shumë dhe u thashë bëjeni gjeneral. Po sa ka si ai mo Flamur? Njëri më i bindur se tjetri. Jo si ata plehrat që gjetëm ne më 2005-ën. Më thoshtë im bir vazhdimisht: “Babi, si ja bën me këta gjeneralë. Po pse, i thosha, çfarë problemi ka? Po ja, thoshte, unë me Delijorgjin po prishim ca ndërtesa me firmën e Fahriut në Gërdec, këta gjeneralët na kërkojnë letra. Ore, unë u them jam djali i Sali Berishës, ata bëjnë sikur nuk më njohin dhe bëjnë letra. Të papërgjegjshëm d.m.th, fodullë. Donin që t’u bëja unë letër dhe t’u thosha unë leni djalin rehat. I fshiva ata. Rrugëve si qen pa papunë janë. Këta janë ndryshe Flamur. Jo, duhet me i respektu.

– D.m.th duhet t’i përgatisim se mos na sulmojnë prapë?

– Jo Flamur, shiko. Ta sqaroj unë ty. Tani ti e di jo se janë për luftë ata, por duhet me trembë palën tjetër. Ushtria duhet të jetë në kazerma, se bëjnë fjalë këta të NATO. Ne na duhen vetëm gjeneralët të trembin Ramën. Shiko, ka shumë rëndësi kjo gjë. Duhet trembur ai. E ke parë o zotëri që i them dil tek e tek. Jo, dua ta tremb. Ma ka thënë Sandri mua që ai trembet po i the dil tek e tek. Jo, ma ka thënë këtë. Dhe Ben Imami ma ka thënë se e njeh ai. Tani na duhet kjo me gjeneralët sot.

– Po mirë, po vij dhe unë, tha Flamuri. Po si ishte puna e atij që ka gjetur një flamur kombëtar në tokë… që do ta dekorojmë.

– Ah, po Flamur. Shiko, nuk ta thashë. Është një djalë trim. Shiko ç’ka bërë. Flamur, jam prekur shumë. Ka pa një socialist nga Vlora me flamur të kuq në dorë që ecte mes gazit lotsjellës. Policët e shkretë ishin strukur të gjithë nga gazi lotsjellës, kurse ai ecte vetëm me flamur në dorë. U ka thënë shokëve, unë do iki do t’ia marr flamurin. A e di ç’ka bërë mor Flamur? I është vërtitë si shqiponjë sipër, e ka qëlluar me shkop gome, e ka gjakosë dhe ja ka marrë pisit flamurin nga dora. E mori dhe e hodhi aty tek trotuari i Rogner-it. Kur mbaroi e gjitha, ma solli Ndrea në zyrë Flamurin. Ja ç’kanë bërë, tha, kanë hedhë poshtë flamurin. Kthyem kamerat dhe e pamë gjithë skenën. Ma gjej këtë djalë, i thashë, se ky më duhet. Ma gjetën Flamur. Do ta dekorojmë atë. Jo, do ta dekorojmë patjetër.

– Shumë mirë, tha Flamuri, dakord jam. Kush duhet të jetë nga civilët në takim?

– Flamur, shiko. Dua në krah të majtë Arben Imamin, në krah të djathtë Ekrem Spahinë. Jo, këta të dy dua. Janë të vetmit që njohin grushtin e shtetit në Shqipëri. Të tjerët janë kot. Eja dhe ti, po mos dil në kamera.

2 komente në “Flamuri në pozitë të vështirë me Gjeneral Imamin”

  1. ben says:

    Po shihja tek Tv Qeveria,i ftuar ne emisionin Opinion,Ben Imamin.Ishte shume i peshtire,nuk dinte se cfare fliste,genjente pa pike turpi,mohonteato qe tha ne nje interviste me dt21.I pa skrupullt fare.

  2. odi says:

    Per sa i perket Sandrit nuk e di sa e njeh Edi Ramen , por Ben Imamit duhet me i besu se e shoqja e ka pas shok te ngushte … … Cte besh jane buuuurra shteti qe kane informacin keto , s’eshte shaka … …

Comments are closed.

Lini një Përgjigje