Flamuri dje ishte i gëzuar. Grushti i shtetit ishte shtypur, por ky nuk ishte lajmi më i madh për Flamurin. Lajmi më i madh ishte ikja e Lulit. Me këtë që ndodhi me vrasjet, kish thënë Jozi, me një gur kena vra dy zogj. Edhe atë të gjatin e kemi futë në telashe, dhe këtë Lulin e kena nisë për birucë ose refugjat. Por duke qenë se situata është akoma delikate, Flamuri i rri afër Lulit që të mos hetohet gëzimi i tij dhe Jozit.
Dje i shkoi në shtëpi, pasi dolën gjashtë urdhër- arrestet për gardistët që qëlluan.
– Lul, kam një propozim, tha. Nuk i dihet si shkojnë punët. Ata mund të nxjerrin urdhër papritur dhe për ty dhe do të duhet të bëhesh gati. Unë them të të ndihmoj t’i paketosh një herë plaçkat dhe t’i nisësh jashtë. T’i ketë gruaja dhe vajza që rrinë në Holandë.
Luli e shikonte në sy i hutuar.
– Di gjë ti apo thua kot, e pyeti?
– Jo mo, kot, por të jemi brenda. Kemi përvojë për arrestimet ne. S’e kemi për herë të parë. Më thuaj mua me se të të ndihmoj?
– Kam vetëm serviset merak, i tha Luli. Kam servisin e lugëve dhe pirunëve që janë shumë të shtrenjtë…
– Hajt mo burrë se nga ata të gjej unë pa lek sa të duash dhe po t’i morën, po shiko ndonjë gjë të shtrenjtë.
– Po jo mo burrë se i kam të shtrenjtë. Bile Fevziu që më erdhi një herë në shtëpi më tha se në Shqipëri nuk ka askush të tillë. Ka pasë vetëm një gjysh i tij, por ia ka marrë një vajzë që e ka pasë me gruan e dytë të sjellë me vete.
– Po çfarë janë ato or ti që kushtokan kaq shumë? A më shumë se dhjetë mijë lek copa a?
– Janë një set Flamur, e kupton çfarë dua të them, janë bashkë lugë, pirunë, thika, pjata marka Christofle, kushtojnë 18 mijë dollarë mo burë. I kam deklaruar dhe në deklaratë të pasurisë 12 mijë euro.
– Ore, qenke k… ti! Po pse mo, 18 mijë euro lugë e pirunë blen? Po me aq blen një garsoniere në Tiranë.
– Nejse Flamur, ishte fillimi dhe kisha lek, ndaj i bleva. Puna është se i kam shumë merak dhe nuk di ku t’i çoj. Dhe po më ndodhi gjë do flas me Drejtorin e Burgjeve të m’i lejojnë në burg, se nuk ha dot pa to.
– Ore mos vafsh në burg, se nuk do t’ia dijë njeri për ato serviset. I marrin t’i thyejnë në kokë. Po gjë tjetër çfarë mund të të ndihmoj…?
– Asgjë Flamur. Vetëm më thuaj një gjë, çdo bëhet nga partia?
– Lere Lul se është bërë rrëmujë. Kanë marr vesh që ti do shkosh në burg dhe janë lëshu të gjithë. Ben Imami do t’i zërë vendin Ridvanit dhe bën si radikal, flet për rebelim të armatosur, Ridvani e pikasi dhe doli foli dhe ai sot për grusht shteti. Kol Oldashi do t’i zërë vendin Jozefinës dhe po të mbron ty. Jozi është tërbuar se ka dalë dhe Majlinda Bregu dhe nuk e di se ç’plan luhet dhe doli dhe ajo. Ka plasë një gallatë e madhe. Dëgjo Mulin, do jetë gallatë.
– Po njerëzit, çfarë thonë nejrëzit?
– Njerëzit i kemi me vete. Në situata të tilla jemi mirë se shtrëngohen radhët. Ndaj ai burri do të bëj anti-miting të mërkurën. Do nxjerrim njerëzit nga administrata në shesh. Do tu fusim frikën, ose në shesh, ose vjen Edi Rama. Do dalin, ke për të parë. Ishalla je deri të mërkurën jashtë se do të presin si hero.
– Ashtu ë? Po ke dëgjuar gjë ti apo e ke nga vetja…?
– Jo mo, nga vetja se jam mësuar në opozitë kur na arrestonin kot. Por sidoqoftë ti bëhu gati. Dhe këta pirunjtë i paske shumë të shtrenjtë, a s’ke më të lirë a?
– Flamur, unë nuk ha dot me tjetër servis. Atë përdor vetëm në shtëpi, Të thashë që ma ka pëlqyer dhe Fevziu. S’di si do vejë halli, po më mbaj në lidhje po mësove gjë…
– Pa merak. Dhe dëgjo, mos i arresto këta gardistët se u kanë pre urdhër arresti ata shkërdhatat. Zhvishi, mbaji civilë në makinë tënde, s’kanë ku t’i kapin. Se po i lëshuam ata, degjeneron puna. Na tregojnë që kemi pasë civil brenda për të shpëtuar bythën e tyre dhe bëhet nami.
– Pa merak, pa merak, po shiko, po dëgjove gjë për mua, më thuaj.
– Patjetër, i tha Flamuri, dhe u ngrit i kënaqur. Iku dhe ky, tha me vete. Me të vrarë e nisi karrierën duke spiunuar për Diki Martin, me të vrarë po e mbyll. Spiunë leshi, tha me vete dhe mori Jozin në telefon.