Flamuri analizon seancën dhe merr masa për demonstratën

19 Janar 2011, 20:22Antena TEMA

Flamuri ishte i tronditur dje nga seanca e së hënës. Fjalimi i Doktorit dhe heshtja e ministrave e kishin bërë shumë nervoz. Por mbi të gjitha i kishte ikur truri me të sharat e deputetëve socialistë, që i kishte dëgjuar vetëm Doktori dhe ministrat dhe askush nga populli.

U nxeh dhe me Kopanin e RTVSh. Ai e ka për detyrë të regjistrojë ç’thonë deputetët në sallë, kurse ai nga servilizmi i kishte fshirë gjithë të sharat e socialistëve. E mori Petrit Becin në telefon dhe s’i la gjë pa thënë, por gjithë zbrazja e inatit mbi të i shkoi dëm. Pasi e kishte dëgjuar, Beci e kishte pyetur gjithë sinqeritet.

–  Shefo, s’kishim ça me bo se batutat e Majlindës nuk i japim dot, batutat e Taulantit për gocën e Doktorit s’i japim dot. Ene i fshimë fare…

Nervoz siç ishte, i bëri një telefon Zenit dhe lanë takim me Komandantin e Gardës. Ai i kishte dëgjuar nga afër të sharat e socialistëve dhe mund të fliste më qartë. Po ashtu duhej siguruar dhe një plan për demonstratën.

– Kemi dy pika nevralgjike për të premten,  i tha Komandanti. Duhet të bllokojmë rrugët që të çojnë në Bllok dhe RTVSH.

– Po jo, ç’punë kanë ata të sulmojnë Bllokun, tha Flamuri. Bllokun e sulmojmë ne, se ata janë bllokmenë.

– Jo, i tha komandanti. Ilir Meta për dreq ka bërë një pallat tre kate pa leje në mes të Bllokut dhe jeton aty. Ndaj duhen marrë masa që rrugët që të çojnë tek shtëpia e tij, të bllokohen.

– Po nga RTVSH ç’duan, tha Flamuri. Pse, ti kujton se do marrin RTVSh siç e morëm ne më ’98-ën?

– Jo, i tha Komandanti. Po aty është zona ku ka pallatet ai burri dhe mund të ketë dashakeq që kalojnë dhe hedhin gurë. Duhet t’i bllokojmë ato rrugë.

– Qentë e bllokut dhëmbë nuk kanë, lehin po nuk të hanë, tha Flamuri.

– E di, e di, tha komandanti i Gardës, po ne të jemi brenda se nuk dihet kush futet mes radhëve të tyre.

– Po tjetër, tjetër çfarë të mbrojmë, tha Flamuri.

– I kemi marrë masat, i tha komandanti. Më ka dhënë Zeni listën e gjithë shtëpive që ka në Dajt dhe Farkë dhe do t’i ruajmë.

– Po këto objektet shtetërore do t’i ruani, tha Flamuri.

– Nuk kemi sinjale që prekin institucionet e shtetit, tha Komandanti, e kanë me këto shtëpitë pa leje më shumë.

– Të fusim ndonjë provokator tonin në mes, tha Flamuri, dhe të qëllojnë mbi kryeministri. Se ti e di që qentë e bllokut lehin, po nuk të hanë…

– Jo se nuk i dihet si precipiton situata, tha Komandanti. Mund të merret seriozisht dhe s’dihet ku përfundon.

– Nuk ka çfarë të ndodhë, tha Flamuri. Janë frikacakë. Ja i lamë ne në Kuvend vetëm përballë Doktorit dhe nuk ja mbajti të gjuante asnjërit. Vetëm shanin.

– I pashë, tha Komandanti. Po shyqyr që nuk i kanë dëgjuar njerëzit se shanin shumë ndyrë. Doktorin e shanë nga vajza. Dhe asnjë nga ata legenat ministra nuk lëvizi nga vendi. Bile ai Pollo dukej sikur kënaqej.

– E pashë, tha Flamuri. Ai Kuqoja fluturonte nga gëzimi. Kur shante ai Fatos Gjurra Doktorin nga vajza, vetëm Lul Basha u skuq. Të tjerët nuk e rruanin fare. Janë shumë të pacipë. Le Jozi që nuk dëgjonte fare dhe ja këpuste të qeshurës.

– E pashë, tha Komandanti. Po është shumë e rëndë. Do Zoti nuk bie në dorë të atij Çakallit ajo video, se do na bëjnë gaz i botës. S’kanë lënë gjë pa sharë atë burrin. Nuk kish faj që i iku truri fare.

– Unë u bëra gati të ndërhyja, tha Flamuri, po më thanë nuk është nevoja.

– Nuk ishte nevoja, tha Komandanti, se unë kisha forcat gati. Po sjellja e ministrave më la shije të hidhur. Ai Ridvani dilte për qejf të vet e pinte cigare jashtë, Pollo qeshte e shkruante mesazhe. I pashë një sms ja niste një gazetari dhe thoshte “Abiu ka rrjedhur”. Abiu i thënkërka Doktorit. Është shumë i poshtër.

– As Genc Ruli nuk reagonte, tha Flamuri. Se janë hajduta ata dhe kanë frik se u përmendin hajdutllëqet. Po do ta shikojnë ata ç’do tu bëj unë. Sa të kalojnë këto zgjedhje se do bëhem vetë Ministër.

– Ah mor shef kur do vijë ajo ditë, i tha Komandanti. S’e ke idenë çfarë plehra janë këta ministrat. Unë që i dëgjoj dhe muhabetet që bëjnë me njëri-tjetrin. Po e urrejnë mo shef, e urrejnë për Zotin, janë shumë të poshtër. Çfarë nuk thonë për Zenin dhe Familjen. U kanë ngjit të gjithëve nga një nofkë. Ah mor shef ç’bëhet.

– E di, e di. Bëj kujdes sa të kalojë e premtja se do merrem vetë me ta. E di që janë shumë plehra, po dje treguan fytyrën e tyre. Deshën të ruajnë fytyrën e tyre dhe të tregojnë se ai burri ka rrjedhur dhe ata s’kanë ç’të bëjnë. Nuk e dinë që po i vuri populli para, të gjithë do ta hanë. Ja iku ai i Tunizisë, por po e ha dhëndri, familja, njerëzit e afërt. Nuk e dinë këta që të parët që do ta pësojnë ata janë. Mendojnë se do t’ia hedhin duke u tallur me atë burrin. Gabim i madh që censurojmë këto lajmet për Tunizinë. Duhen dhënë ta shikojnë dhe këta legenat tanë se ku do shkojnë po plasi. Ta shikoj “Abiun” pastaj ai Kuqoja që tallet me Doktorin.

– Po jo vetëm ministrat mo shef. Ne s’kemi as gazeta. Edhe ai Fahriu që mbahet si radikal, si nuk thotë një fjalë për atë Dritan Priftin mo shef…?

– Le, le se ashtu është një punë, ka një hall dhe ai, po flasim herë tjetër. Është xhindosur ai burri me të, se ashtu është një punë. Nuk ta shpjegoj dot, po nuk e shan dot Dritan Priftin. Lere atë punë tani. Hajt bëjmë ndonjë gjë vetëm unë e ti, se këta të tjerët janë të gjithë në tavë.

Lini një Përgjigje