BBC mbyll shërbimin në shqip

26 Janar 2011, 10:07Politika TEMA

Shërbimi Botëror i BBC-së ka njoftuar se do të mbyllë shërbimet në pesë gjuhë – maqedonisht, portugalisht për Afrikën, serbisht, dhe shqip; si edhe shërbimin në anglisht për rajonin e Karaibeve.

Kjo është pjesë e reagimit të tij ndaj shkurtimit në financimin e tij në formë Granti nga Ministria e Jashtme (Foreign & Commonwealth Office) e Mbretërisë së Bashkuar.

Ky shkurtim është pjesë e një ristrukturimi të Shërbimit Botëror të BBC-së për të plotësuar objektivin prej 16 përqind në kursime që u njoftua gjatë Rishikimit të Shpenzimeve nga qeveria më 20 tetor të vitit të shkuar.

Drejtori i Lajmeve Globale të BBC-së Peter Horrocks tha: “Këto mbyllje nuk janë pasqyrim i punës së shërbimeve apo programeve individuale. Ato janë jashtëzakonisht shumë të rëndësishme për audiencat e tyre dhe për BBC-në.

“Kjo ndodh thjesht sepse duhet të bëhen kursime për shkak të shkallës së shkurtimeve në financimin nga Granti për Shërbimin Botëror të BBC-së nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar dhe ne duhet të përqendrojmë përpjekjet tona në gjuhët ku ekziston nevoja më e madhe dhe ku ne kemi ndikimin më të madh.”

Të mërkurën Shërbimi Botëror pritet të njoftojë se rreth 650 punonjës të tij – një e katërta e stafit – do të humbasë vendet e punës, shumica në vitin e parë, pjesa tjetër në vitet pasardhëse.

1 komente në “BBC mbyll shërbimin në shqip”

  1. bbb says:

    Pritni kur te dale Berisha e te akuzoje opoziten per mbylljen e BBC shqip

Comments are closed.

Lini një Përgjigje