SHBA, Kauntrimen: Vendimi për të protestuar të premten, i gabuar

26 Janar 2011, 10:05Politika TEMA
SHBA, Kauntrimen: Vendimi për të protestuar të premten, i gabuar

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Tom Kantrimen u bën thirrje dy palëve në Shqipëri të qetësojnë situatën. Zoti Kantrimen e quan të gabuar vendimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për organizimin e protestës të premten. Shtetet e Bashkuara, thotë ai, do ta ndihmojnë Shqipërinë me hetimet e ngjarjeve të 21 janarit. Udhëheqësit politikë, shton zyrtari i lartë amerikan, duhet të mos përzihen, por të bashkëpunojnë me prokurorinë për hetimet. Me zotin Kantrimen bisedoi shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.

Zoti Kantrimen, që nga intervista e fundit që kemi zhvilluar para dy javësh, situata në Shqipëri është përkeqësuar. Cili është mendimi i qeverisë amerikane për situatën e tanishme. Sa shqetësuese është ajo?

E premtja, 21 janari, ishte një ditë e trishtueshme për gjithë shqiptarët, veçanërisht për shkak të humbjes së jetës së tre personave gjatë dhunës politike. Në një situatë të tillë nuk ka fitues. Ka vetëm humbës mes udhëheqësve politikë, humbet populli dhe imazhi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, aty ku ajo synon të anëtarësohet.  Vazhdimi i përpjekjeve për të kthyer këtë gjendje humbjeje në një gjendje fitoreje, rrezikon të sjellë dhunë të mëtejshme. Shtetet e Bashkuara, si një mik i mirë i Shqipërisë, ndajnë thellësisht shqetësimet që ekzistojnë sot për dhunë dhe për përsëritjen e dhunës. Prandaj ambasadori Arvizu me mbështetjen e fortë të Departamentit të Shtetit,  po punon intensivisht me Bashkimin Evropian, me OSBE-në, t’u japë palëve një mundësi të  ndalen për një moment, të marrin frymë thellë, të rivlerësojnë dhe qetësojnë situatën.  Lidhur me gjendjen e sotme, dua të ritheksoj atë që tha ambasadori Arvizu, se pas kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë teknike. Hetimet do të drejtohen nga pala shqiptare, me ndihmën teknike nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë, në mënyrë që përgjegjësia për dhunën, për vrasjet e së premtes, të përcaktohet në mënyrë ligjore, në një formë që përmbush standardet evropiane. Kjo do t’u jepte të dy palëve mundësinë të thonin se shqetësimet e tyre për dhunën po zgjidhen në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për situatën e sotme politike, por edhe për zhvillimin e institucioneve të Shqipërisë.  Është jetike që një institucion i pavarur si Prokuroria të jetë në gjendje të bëjë punën, të jetë në gjendje të bëjë një hetim të besueshëm të asaj të ndodhi të premten. Së dyti, dua të them se ne mirëpritëm vendimin e Kryeministrit për të anuluar manifestimin që partia Demokratike kishte planifikuar për të shtunën. Pas bisedave që pati me ambasadorin Arvizu dhe ndihmës sekretarin e shtetit Phil Gordon, ai arriti një vendim, që unë besoj është në përputhje ne nevojën e sotme për të qetësuar situatën dhe shmangur një rritje të temperaturave.  Ne e mirëpresim këtë vendim. Kryetari i Partisë Socialiste, ka bërë të ditur se ai synon të zhvillojë një demonstratë paqësore të premten. Unë kam respekt të plotë për zotin Rama, por duhet të them se sinqerisht, ky është një gabim. Gjendja sot në Shqipëri është tejet e mbingarkuar. Edhe me synimet më të mira, edhe me synimin e mirë javën e kaluar për të zhvilluar një protestë paqësore, pati dhunë.  Është e vështirë për çdo politikan të premtojë se do të ketë protestë paqësore, kur ajo planifikohet në një atmosferë kaq të nxehtë. E di se demonstrata bëhet në kujtim të tre viktimave, por unë jam i shqetësuar, se në se demonstrata zhvillohet, në se kalohet në dhunë, në vend që të nderoheshin viktimat, do të krijohej efekti i kundërt.

Le të ndalemi për një moment tek hetimi i ngjarjeve. Ka shumë teori se si arriti Shqipëria deri këtu, por sot është arritur në këtë pikë, dhe hetimet janë ndër më të rëndësishmet. Të dyja palët i referohen institucionit të prokurorisë. Por a mendoni se ekzistojnë kushtet për hetime të paanshme.

Ne jemi të kënaqur që Prokurorja e Përgjithshme na kërkoi ndihmë dhe ne jemi në gjendje t’i përgjigjemi pozitivisht kërkesës, megjithëse besoj më kuptoni, se hollësitë nga ndihma konkrete që mund të japim, ende nuk janë finalizuar. Kryeministri e mirëpriti përgjigjen tonë pozitive, po ashtu edhe udhëheqësi i opozitës e mirëpriti përgjigjen tonë. Besoj se të gjitha partitë, gjithë lojtarët e rëndësishëm në Shqipëri e kuptojnë se një hetim i paanshëm, me ndihmë teknike nga jashtë është një prej elementëve kyçë për të zgjidhur dilemën e tanishme politike. Dhe për sa kohë palët i përmbahen këtij qëndrimi dhe e lejojnë prokurorinë të bëjë punën, besoj se kjo do të ndihmojë në qetësimin e gjendjes dhe do të sjellë dialogun dhe kompromisin e duhur.

A mendoni se në këtë situatë të mbingarkuar, pas sulmeve të ndërsjella midis Ramës dhe Berishës që janë bërë personale, këta dy udhëheqës mund të ulen dhe të negociojnë me njeri tjetrin?   A është e mundur kjo?

Do të thoja që në politikë gjithçka është e mundur. Besoj se ndaj me shumicën e shqiptarëve zhgënjimin që politika është personalizuar dhe është bërë e pamoralshme. Ajo nuk është më rreth ideve, rreth konkurrencës midis dy forcave, që e thonë qartë se çfarë qëndrimesh mbrojnë,  por që sulmojnë e kundërsulmojnë, gjë që nuk pasqyron atë shtet evropian siç dëshiron të jetë Shqipëria. Nga ana tjetër, kam parë armiq me një të kaluar më të tmerrshme se sa këto dy parti, që janë ulur në tryezë dhe kanë arritur kompromis për të mirën e popullit të tyre.  Kjo është ajo që duam të shikojmë në Shqipëri tani. Por më e rëndësishme se ç’duam ne amerikanët, ose evropianët për Shqipërinë, më e rëndësishme është ajo që do populli shqiptar. Dhe unë jam i bindur se populli nuk dëshiron më dhunë,  nuk do të shikojë më fyerje, ai do të shohë udhëheqës që kanë forcën e duhur për të biseduar e arritur kompromise.

Opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. A mendoi se ato janë një alternativë për zgjidhjen e problemeve?

Si mendoni se ndikon tek imazhi i Shqipërisë fakti që një vend i NATO-s, një vend që aspiron të hyjë në BE, nuk është në gjendje të kryejë hetime të tilla të thjeshta, si një videokasetë korrupsioni, apo një protestë?

Dy çështje këtu. Së pari nuk është mirë për imazhin e Shqipërisë. Prandaj e thashë në fillim se ka vetëm të humbur, nuk ka fitues dhe se synimi nga njëra palë ose tjetra, për të gjetur fitore në një humbje të përgjithshme, të tërheq edhe më poshtë. Përsa i përket aftësisë së institucioneve, unë besoj se institucionet e pavarura në Shqipëri janë të afta të bëjnë hetime të besueshme. Por ajo që duhet është që udhëheqësit politikë të heqin dorë dhe të mos i përdorin përpjekjet e prokurorëve si një mjet politik. Kjo është një çështje ligjore, kjo ka të bëjë me atë se çfarë shteti dëshiron të jetë Shqipëria. Ky nuk është një mjet që një palë të godasë tjetrën. Partitë duhet të mos përzihen, duhet të bashkëpunojnë me prokurorinë dhe të lejojnë hetimet të vazhdojnë.

Zëri i Amerikës: Cilin shikoni si hapin tjetër që do të hidhet në Shqipëri tani?

Tom Kantrimen: Ajo që është e nevojshme tani është qetësimi i atmosferës. Nuk duhet të ketë më demonstrata, duhet të ketë më pak retorikë. Në të njejtën kohë, një hap tjetër i rëndësishëm është që të lejohet prokuroria të bëjë punën për të gjetur faktet.  Përtej kësaj, ekziston nevoja që të dy palët të tregojnë angazhim për një fushatë të pastër, të ndershme e transparente për zgjedhjet lokale të majit. Dhe kjo nuk varet vetëm nga të dyja partitë. Varet edhe nga partitë e tjera politike si dhe nga qytetarët në Shqipëri. Në se njerëzit kërkojnë që zgjedhjet t’u përkasin atyre dhe jo dy partive, dhe në se ata i vëzhgojnë zgjedhjet, që ato të jenë të lira e të drejta, ky do të ishte një hap i madh drejt zgjidhjes së krizës politike dhe do të tregonte atë që unë e besoj, se Shqipëria është plotësisht e aftë të jetë një vend modern, anëtar i Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Njerëzit në Shqipëri e hedhin vështrimin nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për zgjidhjen e problemeve të tyre. Çfarë mund të bëjnë më shumë Shtetet e Bashkuara në këtë situatë?

Tom Kantrimen: Në një vështrim afatgjatë, gjëja më e rëndësishme që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara, është të bindin shqiptarët, që të mos shikojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja për zgjidhjen e problemeve të tyre. Këto janë çështje që një shtet evropian, demokratik, një anëtar i NATO-s, duhet të jetë në gjendje t’i zgjidhë përmes sistemit të vet politik. Është po ashtu jetike, që  populli i Shqipërisë t’i kërkojë udhëheqjes së vendit zgjidhje paqësore, kompromisi. Këtu nuk arrihet menjëherë. Është për të ardhur keq, por është e vërtetë,  që në stadin e tanishëm të zhvillimit të saj politik, Shqipëria mbështetet shumë tek Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur probleme, që vendi duhet të gjejë rrugën t’i zgjidhë vetë. Në të ardhmen e afërt, ne do të ndihmojmë me hetimet, do të vazhdojmë të flasim me të dy partitë, për të ulur temperaturat, dhe ne do të punojmë me gjithë partitë, me gjithë shoqërinë civile dhe organizatat jo-qeveritare dhe me OSBE-në, për të ndihmuar që zgjedhjet e majit për pushtetin vendor të jenë të pastra, transparente dhe që ato t’u përkasin qytetarëve të Shqipërisë.

10 komente në “SHBA, Kauntrimen: Vendimi për të protestuar të premten, i gabuar”

  1. LORA says:

    Ende rrezik politik perben per Ameriken zbulimi i te vertetes se vrasjes makabre te Presidentit amerikan JOHN.F.KENEDDY???????? Jo vetem sot por edhe ne ate kohe Ai ishte i dashur per shqiptaret.Po me pergjigje per kete pyetje ky Countryman-i do nis ta marr seriozisht.

  2. xenilirise says:

    Ky burokrat qe emri ne shqip i tingellon diku si “FSHATARI”, i di te gjitha keto qe themi ne, por di edhe dicka qe ne nuk e dime:
    Vendi i tij e mori Shqiperine me “breke neper kembe” dhe e beri anetare te NATO, duke dhene garancite perkatese, e duke bere presione te jashtezakoneshme mbi vendet qe ishin kunder apo skeptike, se ky vend nuk i permbush standartet e aleances, e tani haracin e paguajme ne. Nese ata do te thone sot se ky vend nuk ka bere zgjedhje, eshte ndyre nga korrupsioni dhe ushtron TERROR SHTETEROR mbi opoziten atehere Kavalieri, dashnor i Lirise, duhet te largohet, nese mbajne anen e tij, OPOZITA duhet te veteasgjesohet e ne kete menyre ti hapin rrugen projektit putinian ne Shqiperi!
    Jepuni nje mendje si te bejne, se jane hallakatur krejt!

    1. Claus says:

      O xen, jo fshatar jo, por burre fshati. Edhe te qethmen e ka bo si fermer kuajsh nga Texas. Ka qene ne Army, ai o xen. I ka per ngazellim kur te verviten plumbat mbi koke. I kujtohet koha e Army-t atij. Rri o xen rehat se ka per te leshu ndonje missili me satelit. Se ka mor vesh akoma qe ka hik ajo mode e qethmes. Eh c`bera ja kujtova S.B. satelitin tani. Ka per te thene qe plumbat i ka leshu Edi Rama me ane te ndonje sateliti se ka lidhje me mafian ruse.

    2. Flamurtari says:

      “Katnarit” (keshtu perkthehet emri i tij) dikush duhet t’ia shpjegoje se tubimi i se premtes do te jete nje manifestim paqeje, nje lutje publike, nje shprese se ata tre martire do te jene deshmoret e fundit te lirise e te te drejtave njerezore ne Shqiperi!

  3. pelasgian3 says:

    Shtetet e Bashkuara dhe shume shtet te tjera Europiane na thone si qendron situata ne Shqiperi sikur ne nuk e dime. Keta e kuptojne me mire se ne sec duhet bere. Po ik ore “beni shurren” ne ndonje cep. Dhe ne e dime, kjo vjen si pasoje e ngercit politik ku institucionet e shtetit dhe funksionet e tyre injorohen dhe ne i ngrejme syte nga qielli. Shtetet e Bashkuara nuk ka zbardhur akoma ngjarjen e 9/11. Nuk jane zbardhur akoma detajet e pushtimit ne Irak ku prova per te shkaterrimit ne mase nuk u gjeten nga ekspertet e UN. Ceshtja Kennedy, per vellain president dhe per vellain prokuror (John dhe Robert) dhe me dhjetra raste te tjera. Ky shtet “Masonesh te lire” (Freemasons) na tregon ne drejtesine?????

  4. ...question says:

    …ky shefi, mire e ka me te veten, por nuk e di flet per shqiperine apo ka ngarerruar adresen….
    Mr. Cantryman, po sikur te vrisnin protestues perpara gardhit te shtepise se bardhe ne washington, do ti sugejroje amerikaneve te mos protestonin për kete gje !!!! tell me mr. cantryman ? do të guxoje ta bëje vallë? kujtoni Martin Luter King! mr. cantryman!

  5. ben says:

    Pse qenka cmendur Usa?

  6. Epirioti says:

    Qenka cmend bota! Shqiptaret nuk paskan te drejte te protestojne?! Do protestojme sa te na doje qejfi, do rrezojme Gjënë se eshte i paligjshem, arsyes se popullit shqiptar nuk ka diplomat driteshkurter ti dale perpara. Nuk po diskutojme me do protestojme apo jo, se nuk i marrim leje kerkujt, por po tregohemi te serte me RAMEN tashme qe te pergatise nje ekip me figura dhe intelektual e te qeroje ata zhulsa politikane qe ka ne PS, qe jane te gjithe te lidhur me ortakerira bisnesesh me Gjënë dhe deputetet e PD-se. Ky eshte rreziku i te nesermes, se sa per Gjënë ai eshte kontigjent i policise dhe prokurorise tashme.

  7. libertas says:

    O Amerikono po ditlindjen me a ta festoj une?? se e kom me dat 30. POR TY TE PASKA HIK CERJA FARE MER SI BERISHA MOS JE TI GIMI QE PERMENDET KE VIDJO METES???????

  8. MEMEDHETARI says:

    O z.katundar,pa me degjo njehere:
    Ne protestuam per vjedhjen qe u beri zgjedhjeve Berisha dhe ai u tall me protesten tone…
    Deri dhe greven e urise e quajti “greve orgjish”,or Z.Kantrimen…
    Ne kemi nje vit e gjysem qe i kerkojme te dialogoje dhe ai shan e fyen,or mik qe na do te miren.
    Pe cfare kompromisi e keni fjalen,akoma mendoni se do rrijme te degjojme pordhet e Sales???
    Mbase nuk e ke njohur akoma Berishen,por ky nuk eshte faji jone…
    Shiko vetem filmimin e nje seance nga Parlamenti i Shqiperise dhe ,,,do flasesh ndryshe!
    Sinqerisht,me habit pergjigja juaj kunder zgjedhjeve te parakoheshme.Ju,megjithemend kujtoni se Berisha qe ka vjedhur votat ne cdo zgjedhje,kete here do te beje votime te ndershme??!!!!
    Ju,megjithemend doni qe ky vrases i 3 protestuesve paqesore te vazhdoje te qendroje ne krye te Qeverise shqiptare qe nuk po na qeveris por po na plackit e po na grabit cdo dite e me teper??!!
    Z.Kantrimen,ne mendojme se krimineli duhet te ndeshkohet sa me pare,edhe nga ju!!!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje