Flamuri në sherr me gratë dhe fëmijët e policëve

27 Janar 2011, 20:24Antena TEMA

Flamuri kishte 24 orë që merrej me organizimin e takimit të Doktorit me gratë dhe fëmijët e policëve të gjallë. Me gratë dhe fëmijët e policëve të vdekur, zakonisht takohet gruaja e Doktorit që u jep dhurata. Duke qenë se ishte hera e parë që takoheshin gratë dhe fëmijët e policëve të gjallë në detyrë, Flamuri ishte i paqartë dhe për fjalimin që do tu mbante Doktori apo surprizat që do tu bënte. Gjithçka shkoi mirë deri sa filloi takimi. Doktori hyri brenda duke shtrënguar dhëmbët dhe duke turfulluar.

– Bushtra, kuçka, plehra, ka për të parë ç’do t’i bëj, do t’ia bëj faqen të zezë si këpuca, bushtra, shtriga…

Flamuri u tremb nga fjalori dhe ju afrua me takt duke i thënë se mikrofoni ishte ndezur. Ai nuk ja hodhi sytë fare.

– Tani u kam thirrur këtu tu them dy fjalë për prindërit dhe burrat tuaj, e filloi fjalimin Doktori. Tani dihet që burrat tuaj, d.m.th dhe prindërit tuaj të dashur fëmijë janë heronjtë e këtij vendi pasi ata kanë bërë një nga gjestet me heroike në historinë e e popullit shqiptar. Po u them unë juve, se qëkurse është krijuar ky komb, asnjëherë policia e këtij vendi nuk ka bërë një qëndresë heroike dhe të pashembullt si ajo që ka ndodhur më 21 janar. Po pse do thoni ju? Ua them unë zotëri pse… më falni, zonja dhe fëmijë të dashur. Se mos harroni një gjë. Ai që zhvesh gratë e tij lakuriq, po lakuriq po u them në sy të botës, donte të zhvishej lakuriq para kryeministrisë, por burrat dhe baballarët tuaj e ndalën. Ai përbindësh që nuk ngopet me gjak njeriu të dashur fëmijë, është një nga kriminelët më të mëdhenj të këtij kombi, që e pret plumbi në lule të ballit. Fal prindërve tuaj të dashur fëmijë, ky kriminel sadist, ky njeri që zhvesh gra lakuriq siç i ka bërë nëna, me një tufë rrugeçërish, prostitutash dhe të droguarish u mblodhën para zyrës sime dhe kërkonin karrigen time, pushtetin tim, që është dhe pushteti juaj. Fal prindërve tuaj, të dashur fëmijë ata nuk ma morën dot karrigen. Se shiko, tu them unë juve. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë, por as në historinë e botës, një tufë të droguarish, kurvash, horrash, prostitutash, fundërrinash, plehrash perversësh, përdhunuesish të mblidhen dhe t’i kërkojnë dorëheqjen një kryeministri dhe të kërcënojnë Sali Berishën. Nuk ka ndodhur kurrë kjo në Shqipëri, në Ballkan, në Evropë, në botë, askund… Tani të dashur fëmijë dhe motra që jeni këtu, kjo është situata. Prindërit tuaj, burrat tuaj, janë përleshur me këta perversë, me këto prostituta, me këta horra, me këta drogaxhinj… Ju duhet të jeni krenarë për ta. Ata do ta bëjnë prapë nesër, prapë herën tjetër, sa herë që këta horra të kërkojnë karrigen time… Ngriti kokën të shikonte sallën që nuk po pipëtinte. Fëmijët ishin strukur poshtë karrigeve, kurse gratë e policëve kishin mbetur gojëhapur. Flamuri po bënte shenjë me duar që të duartrokisnin, por asnjë s’po lëvizte. Vetë Doktori u hutua pak nga pamja, por vazhdoi.

– E shikoni si u tulatët ju? E shikoni se si preken njerëzit e thjeshtë vetëm nga përshkrimi i asaj bande. Po burrat tuaj moj zonja që i kishin përballë ato prostituta, po baballarët tuaj fëmijë të dashur që i kishin përballë ata përdhunues dhe drogaxhinj… Ndaj them që ata janë heronj. Ndaj them që ata do shkruhen me emra të artë në historinë e popullit tonë. Ata kanë zmbrapsur një nga sulmet më të ndyra kundër një qeverie të ligjshme si kjo e imja. Shiko, tu them unë një gjë. Kam sulmue dhe unë kryeministrinë. Por kam qenë i ndershëm. U kam thënë njerëzve, merrni armët, kanë mbushë arkivolin me armë, kanë shku para kryeministrisë, kanë heqë kapakun dhe kanë nisë sulmin. Unë nuk jam hipokrit. Kam hapë zjarr me armë automatike, me kundërtank, me tank, me granata, me gjithçka. Dhe e kam marrë. E kam marrë… Është fakt kjo, e kam marrë. Jo zotërinj, më falni zonja dhe fëmijë, unë jam i hapur me ju. Kryeministria nuk merret me djallëzi, me çadra dhe gra prostituta që shajnë dhe sulmojnë policët. Jo, merret me armë. Po t’ia mbajë, të vijë me armë. Me lule dhe çadra nuk dua njeri para zyrave. Ndryshe do tu qëndrojmë deri në fund….

Ngriti prapë kokën. Salla nuk pipëtinte.

– Ju duhet të jeni krenarë zonja për burrat tuaj dhe ju për baballarët tuaj.

Askush nuk fliste prapë. Doktori tundi kokën në formë përshëndetje dhe ju afrua një fëmije që rrinte në rresht të parë. Ai afrohej dhe fëmija tërhiqej derisa në çastin e fundit fëmija u rrëzua dhe u fut poshtë karriges. E ëma e tij e qetësoi se ky xhaxhi nuk është Edi Rama, po Sali Berisha, po fëmija nuk dilte poshtë karriges. Flamuri u detyrua, hoqi karrigen ta ngrinte fëmijën në dorë, por ai në sekondën e fundit i kafshoi dorën dhe iku me vrap. Pas tij vrapuan dhe të tjerët dhe takimi u mbyll. Doktori u kthye nga Flamuri i pezmatuar.

– E shikon Flamur, tha. Nuk na kuptojnë as njerëzit tanë, aq mizor është Edi Rama. Aq shumë i ka tmerruar gratë dhe fëmijët.

1 komente në “Flamuri në sherr me gratë dhe fëmijët e policëve”

  1. dino chicago says:

    Te lumte pena o “antena”Kryeveper;Sala po na tmerron edhe neve te medhenjeve duke e pare ne televizor pa le kalamanjte qe e paten aq afer orgjinalin

Comments are closed.

Lini një Përgjigje