Ka shumë debat këto ditë në lidhje me vendimin e BBC për të ndërprerë shërbimin në pesë gjuhë të huaja. Gjiganti britanik ka bërë të ditur se një hap i tillë merret për shkak të një politike të re kursimesh. Mes shërbimeve që nuk do ofrohet më do jetë dhe ai në gjuhën shqipe. Drejtuesit e BBC kanë bërë të ditur se kjo masë nuk ka të bëjë me cilësinë e punës që është bërë nga këto shërbime.
Kritikat ndaj këtij veprimi kanë qenë të shumta. Disa analistë dhe politikanë argumentojnë se është e nevojshme që të vijojë ky shërbim për shkak se bëhet fjalë për shtete me probleme sa i përket lirisë së medias. Përkrahësit e këtij veprimi thonë se tashmë media ka lulëzuar dhe nuk është më problem marrja e informacionit.
Por sa është e vërtetë një gjë e tillë?
Lindja e radios dhe më pas e televizionit ka ndikuar ndjeshëm që bota të bëhet më demokratike dhe më e zhvilluar. Për këtë gjë ka pak dyshime. Mediat ndërkombëtare kanë pasur një rol të rëndësishëm në rrëzimin e shumë regjimeve diktatoriale në mbarë botë.
Duke hedhur shikimin pas, shumë analistë janë të bindur se para dy dekadash, roli i medias perëndimore ishte shumë i rëndësishëm në demokratizimin e shoqërive. Me kalimin e kohës ky rol është zbehur. Për shkak të nevojës për kursime dhe pamundësisë për të mbuluar çdo rajon e çdo shtet, këto media janë tërhequr. Përqendrimi i madh në disa rajone ka bërë që të harrohen të tjera. Herë pas herë është bërë thirrje që mediat e huaja të kthejnë sytë e tyre nga zona që po ziejnë e mund të shpërthejnë.
Ajo që ka ndodhur më 28 janar në Tiranë është një lajm i mirë për të gjithë. Si rrallë herë është parë një numër shumë i madh mediesh të huaja që raportonin direkt nga Tirana. Pas demonstratës tragjike të 21 janarit, vëmendja ndërkombëtare u kthye nga Shqipëria. Logjika gazetareske të thotë se ata erdhën në Tiranë për të raportuar një përshkallëzim të mëtejshëm. Nuk ka ndodhur asgjë për të qenë headline në mediat kryesore. Por opozita me një gur ka vrarë dy zogj.
Së pari i ka vënë mediat ndërkombëtare përpara një kontrasti të fortë. Fillimisht ato kanë qenë të pranishme në një konferencë për shtyp ku kryeministri, që kujdeset aq shumë për imazhin e vendit të tij, u ka folur për armatim të sofistikuar, për pistoleta- stilolaps e për çadra- pistoletë, për thika me helm e për kampe stërvitore. Më pas kanë dalë në shesh për të parë “një lukuni” kriminelësh që do terrorizonin çdo të huaj që mendon të vijë në Tiranë. Në vend të saj kanë parë vetëm qytetari. Qindra e mijëra hallexhinj, të papunë, gra, vajza, pleq, të rinj e intelektualë që marshonin me një qetësi që ka tronditur mediat e huaja. Dhe në këtë kontrast, është e lehtë të bësh diferencën. Dhe në fund na kanë bërë një nder të madh. Nuk kanë raportuar asgjë nga çmenduritë e kryeministrit, që do terrorizonin të huajt, por vetëm pjesën qytetare të shqiptare. Ndaj një falënderim shkon për to.
Së dyti, të mbërritur në vendin tonë për të raportuar, instikti gazetaresk ka bërë që të zbulojnë Shqipërinë e vërtetë. Po të shfletosh mediat e huaja online e sheh që vëmendja e tyre është fokusuar tek problemet ekonomike e sociale të vendit, tek papunësia dhe varfëria në rritje. Shqipëria e NATO-s dhe e lëvizjes pa viza ka qenë aty, gati për tu zbuluar, veçse mediat e huaja rrallë kanë pasur “kohë” si tani për të prekur realitetin.
Tashmë e kanë përfshirë vendin tonë në hartën e revolucioneve që kanë përfshirë globin kundër drejtuesve autoritare e të korruptuar. Prej kësaj harte nuk dilet sado të bësh lobing pranë politikanëve perëndimorë. Mediat e huaja ishin këtu. Panë që kjo qeveri është në pakicë e po ia thonë tekstualisht këtë gjë botës perëndimore. Tani e vërteta është në dorën e tyre e jo në dorë të Berishës, Metës e medias qesharake shqiptare. Është koha për t’i falënderuar e për t’u thënë mirëseerdhët.
Comments are closed.
Mirseardhet sigurisht u themi , por faleminderit do tua themi kur te kene bere punen e tyre ne perputhje me realitetin shqiptar dhe per pasoje ndikimin e tyre tek politikanet perendimore qe ne vendet e tyre gozhdohen politikisht nese luajne me standartet e demokracise. Ateher vertet u themi mireseardhet dhe faleminderit per punen tuaj.