Ironikisht Slavoj Zizek merrte ngasje teorike nga “filozofi” i madh amerikan Donald Rumsfeld. Ky i fundit, kur shpjegonte arsyet e ndërhyrjes amerikane në Irak, bazohej në raportin trekëndor midis rrezikut dhe dijes për të. Prandaj thoshte se rreth Irakut, për ne (amerikanët) janë të njohurat që i dimë (pra dimë ç’rrezik konkret vjen prej Irakut), të panjohurat që i dimë (pra dimë se ç’mund të fshehin) dhe më të rrezikshmet akoma të panjohurat që nuk i dimë (pra gjëra që as na shkon në mendje tash për tash). Zizeku vëren se Rumsfeld-i harron alternativën e katërt, atë që shpjegon më së shumti sundimin e ideologjisë, pra të njohurat që nuk i dimë, ato që pothuajse të gjithë i marrim me mend pa qenë të ndërgjegjshëm në përditësi që ekzistojnë, pasi ngrehina ideologjike e shtyn skutave të pavëmendjes atë çka përndryshe do të ishte aty. Ato të vërteta që megjithëse empirikisht i kemi përpara syve, zor se i vëmë re në kuptimin tërësor, por thjesht i marrim si bezdi lehtësisht të shpërfillshme, çka na e mundëson interpretimi rehatues ideologjik se ato janë eksternalitete, ca të këqia të vogla, të pashmangshme, por gjithsesi të durueshme.
E kështu, në një prej fotove më tronditëse të 21 janarit, një djalë i varfër përfaqëson të njohurat që ne nuk i dimë. Po ta shohësh me kujdes…ai është i varfër, është i ri, nuk rri nga blloku, nuk ka facebook, është i veshur me rroba që shkëlqejnë mjerim, por mbi të gjitha ka urrejtje…Ka mllef, por jo krenari. Ka zërin e çjerrë, lotët e rrahjes si taksën që duhet të paguajë për të mbetur gjallë. Çdo pore e tij klith dëshpërimin e veçimit shoqëror, përjashtimit ekonomik, racizmit krahinor, tëhuajsimit politik. Ky është “barbari”, ama një lloj i ri barbari: Jo një i huaj që na kërcënon nga jashtë. Ai është brenda për sa i përket sundimit e shfrytëzimit, por i huaj rreth përfitimeve. E atë ditë u bë barbari që intelektokratët me bezdi e neveri e quajnë përgjegjës se u prishi rendin publik, qetësinë e llomotitjes së status quo-së, barbari që zonjëzave të kolme u zuri rrugën atë pasdite ndërsa çonin pinjollët e tyre në kursin e tenisit; është ai që dyqanxhiun e shqetësoi aq fort sa propozoi që prej asaj dite revolta të mos derdhej më në rrugë, por të izolohet në ndonjë stadium ku si kafshë kopshti zoologjik ai e të tjerët si ai të çirren pa bezdisur veshët apo qepenat e askujt. Ai është terroristi që shteti i frigohet se mos ndonjë ditë me ulërimën e tij prish rendin. Ai është martiri i demokracisë për aristokracinë opozitare që me shpresë do ta ndihë për të ndryshuar aq pak sa të pamundësojë ndryshimin në vetvete. Pra të ndërrojë duart e zaptuesve pa i bërë zap këta të fundit si kategori sunduese e jo thjesht si individë.
Po hap kllapat teorike për një çast e po citoj ‘Kritikën e dhunës’ së Walter Benjaminit, i cili dhunën hyjnore të ndryshimit radikal ia kundërvë dhunës mitike të stabilitetit: “Nëse dhuna mitike është ligjvënëse, dhuna hyjnore është ligjshkatërruese; nëse e para vendos kufij, e dyta pakufishëm i shkatërron ata; nëse dhuna mitike sjell me vete fajin dhe shpagimin, pushteti hyjnor vetëm shëlben…” Nën këtë dritë, demonstruesi është ai që sa herë me dhunën e tij hyjnore të ripërkufizojë kufijtë e tolerancës elitare do të riprovojë në kurriz dhunën mitike të gjendjes së pandryshueshme; është ai që kur nesër zaptuesit të ndërrojnë vendet, mbase nuk do të vritet, por me të do të krenohen në statistikat e luftës ndaj kriminalitetit. Do t’u thonë botës: ejani se imazhi ynë u rregullua. Ja, bërdungllat i rimbuluam me pudrën e dhunës mitike, e shtymë mjerimin në skajin e vet, jo për ta pakësuar, por për ta ribërë të pazë. I përjashtuari mbeti jashtë, ose aq brenda (në burg) sa më jashtë nuk bëhet.
Vetëm se atë të premte diçka ndodhi. Djalli doli nga fundi i dheut…Ngriti krye Satani miltonian, u mëkëmb Demoni i Lermontovit për të klithur përjashtimin shoqëror, për të gjetur vesh e sy, për të marrë fatin e tij në dorë. Ajo çka na shqetësoi ne nuk është se ai theu apo dogji, as se u rrah apo u vra. Ajo që na kalli tmerr është se për një ditë në 20 vite ai prishi qetësinë tonë të të njohurave që nuk i dimë, pasi i shndërroi ato në pak orë në të njohurat që dimë. Pas asaj dite ne e dimë se ku jetojmë, e shohim se ai nuk është më vetëm shitësi i cigareve që si instrument i heshtur na shërben për pak sekonda e as “katundari” që na ngjall qesëndi. Ai tashmë ngjalli tmerr, realen traumatike. Ai shpërbëri mjegullën ideologjike të rendit publik e kushtetues të themeluar mbi përjashtimin. Për të shteti, si gjendje e institucionalizuar e mbajtjes së rendit të themeluar mbi dhunën mitike përjashtuese, nuk ka arsye të ekzistojë. Ai na detyroi të zgjedhim përmes rrafshit të ri të fatit të përbashkët: ose shtet si gjendje politike e përjashtimit të përjashtimit ose shtet për askënd. Ose zhvillimi i secilit si kusht i zhvillimit të të gjithëve ose tym e flakë për gjithkënd. Në fund të fundit, ç’ka për të humbur ai veç prangave?!
Comments are closed.
Valle kur do te behet e bere Shqiperia qe Luli i vocerr si ky djale i fotografise te mos ekzistoje dhe politika shqiptare ta kete objektivin kryesor eleminimin e varferise e cila prodhon te gjitha te keqijat.
Idealizem!?!?!?
A na con kjo tek ideja e komunizmit, tek shkaterimi i “botes se vjeter”. Ne qofte se eshte keshtu une e rrefuzoj megjithse para ’90- tes kam qene antar i PPSH.
Cfare refuzon ti mor Dym? Qe shteti te jete me social,qe varferia te mos arrije skajet?
Po me zgerdalla si ti ishte mbushur PPSH qe mori tatepjeten gjithe sistemi i ngritur prej saj
Nuk e di po kam qe dije qe e shoh kete foto,dhe me dhemb shpirti,sa here qe e shoh.Nuk e di kush ka qene ai ose ajo qe ka bere kete foto,por kjo foto i thote te gjitha.Do desha per kete djalin qe ti buzeqeshi fati dhe te jetoje dhe ai si njeri.Nuk kam cfare te shkruaj tjeter pervec se te perseris dhe une titullin origjinal ” U ngrit ” djalli ” nga fundi i dheut” ishte nje nga ata pucistet e “rrezikshem” qe kercenonin institucionet sipas Sales .Dhe dicka nese eshte e vertete sic thone qe protestuesit jane paguar 200.000leke per te marre pjese ne demostrate[sic thote banda ne pushtet]do desha te ishte e vertete sepse ky djali vertete do i benin pune ato leke.Por prape mendoje se edhe ne qofte se nuk jepeshin leke ai djali do merrte pjese ne demostrate kunder kesaj varferie apo tiranie qe po mbyt shumicen e vendit tone.
Fotoja e ketije djale me krijon nje trishtim te madh ne shpirt. Por ndoshta ky djale ishte duke bizeqeshur nje dite para pucit per grusht shteti. I them ketije djalit dite me te mira te presin perpara sepse sic kan thene te mencurit; Shqiperia do te behet per inat te shqipetareve dhe djallit(serbo-grek).
Me gjithe forcen e zemres i uroj fat ketije djali. Eshte foto ikonike. nuk kam rreshtur se pari kte foto.
Zoti na ndihmofte. Ne kemi nevoje per bashkim, bashkim dhe jo per percarje.
Te marrim shembull nga ish te persekuruarit shqipetare nga rregjimi diktatorial i Hoxhes me “makinen” e tije shtypese, nga ish te burgosurit politike,, dhe nga familjet e te pushkatuareve pa gjyq nga klika komuniste. Ato per 20 vjet kurre nuk u hakmorren.Kjo klase, nuk eshte hakmarre sepse u dhimbset Shqiperia dhe se duan qe Shqiperia te “Behet”.