MESAZH I PRESIDENTIT TOPI LIDHUR ME SITUATËN MË TË FUNDIT POLITIKE NË SHQIPËRI

31 Janar 2011, 13:28Politika TEMA

Të dashur qytetarë të Shqipërisë, Të dashur shqiptarë kudo ku ndodheni,

Dëshiroj të ndaj me ju mendimet, ndjenjat, por sidomos shqetësimin e brengën e madhe mbi të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë të dashur!

Jam shumë i bindur se të gjithë e duam Shqipërinë më të mirë, më të bukur, më të qetë dhe më të begatë: si një atdhe ku dashurohet e tashmja dhe besohet në të ardhmen, si një familje ku respekti dhe nderi mishërojnë themelet e saj, si një tokë ku historia ka brezuar trimërinë dhe krenarinë e kombit, si një shoqëri ku kodet e vlerës, moralit dhe ndershmërisë kthehen në mit, si një demokraci ku çdo njeri është i lirë dhe ku liria është e shenjtë, si një shtet ku qytetarët dhe shtetarët janë të barabartë përpara drejtësisë dhe ligjit.

Por jam më shumë i bindur se kjo Shqipëri bëhet ashtu si ne e duam, vetëm po të qëndrojmë të bashkuar në këtë qëllim, vetëm po të dëgjojmë me urtësi e mençuri njëri-tjetrin, vetëm po të pranojmë e respektojmë dallimet tona dhe mbi të gjitha vetëm në se politika vihet në shërbim të qytetarëve. Në të kundërtën do të rrëzohemi, do të mbetemi mbrapa dhe Shqipëria demokratike, e lirë dhe evropiane do të vazhdojë të mbetet një ëndërr e paralizuar për qytetarët ndërsa një kalë-beteje i pashtershëm për politikanët.

Të dashur qytetarë,

21 janari nuk duhet të ndodhte në Shqipërinë e shekullit të XXI. Më 21 janar nuk duhet të derdhej gjak shqiptari. Më 21 janar nuk duhet të kishte viktima, as edhe të plagosur dhe të dhunuar! Më 21 janar nuk duhej të kishte lotë të nënave, grave, fëmijëve dhe fytyra pa shpresë për të ardhmen! Më 21 janar nuk duhej të kishte sulme ndaj institucioneve e as dhunim të ruajtësve të tyre! Më 21 janar nuk duhej të shkelej ligji! Më 21 janar u shkel rëndë ligji.

Në një vend demokratik shkelja e ligjit dënohet dhe shkelësit e tij, cilëtdo qofshin ata, ndëshkohen. 21 janari errësoi shoqërinë dhe demokracinë shqiptare, prandaj kërkesa për ta zbardhur dhe nevoja për transparencë ligjore të saj është përparësi e shtetit, drejtësisë, shërbimeve të inteligjencës dhe organeve të rendit e ruajtjes së tij. Por transparenca e shpejtë kërkon një bashkëpunim dhe respekt reciprok të të gjitha këtyre hallkave, qartësisht të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë. Nje vend quhet demokratik jo sepse ka dhe ka zgjedhur apo ka krijuar Prokurorinë, Gjykatat, Shërbimet Inteligjente dhe Policinë e Shtetit, por sepse në praktikën e tyre, të sanksionuar me ligj, janë sa të pavarura aq edhe të ndërvarura, në punën e tyre për të siguruar rendin dhe qetësinë e qytetarëve janë sa të lira aq edhe të detyruara t’i shërbejnë njëri-tjetrit, janë sa përgjegjëse aq edhe të barabarta përpara ligjit dhe shtetit ligjor. Një shtet ligjor, mbetet i tillë kur transparenca dhe bashkëpunimi i këtyre hallkave nuk pengohet, cilatdo qofshin motivet e saj, dhe drejtësia vendoset.

Në emër të qytetarëve të Shqipërisë kërkoj angazhimin, përkushtimin e Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës për zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje! Në emër të Kushtetutës dhe të ligjit kërkoj bashkëpunimin e menjëhershëm, të pakushtëzuar e profesional të këtyre strukturave për të bërë transparencën dhe lehtësuar gjykimin e pavarur të shkaqeve dhe pasojave të kësaj dite të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët! Të mos harrojmë se padrejtësia diku, është kërcënim për drejtësinë gjithëkund!

Në një vend demokratik shteti përbëhet nga një grup institucionesh legjitime që mbajnë rendin dhe i shërbejnë qëndrueshmërisë e të ardhmes së shoqërisë, sanksionuar qartë në Kushtetutën e tij pluraliste. Nga kjo pikëpamje Kushtetuta jonë ndan qartësisht pushtetet, zgjedhjen dhe kompetencat e tyre duke respektuar pavarësinë dhe fushën e funksionimit të tyre. Sot më shumë se asnjëherë tjetër, në procesin e zbardhjes dhe të analizës së 21 janarit, pushtetet në Shqipëri, duke respektuar pavarësinë, detyrimet dhe kompetencat e tyre ligjore, janë të mirëpritur të japin vlerësimet dhe kontributin e tyre. Pesha dhe presioni i pushteteve ndaj njëri-tjetrit e vonon dhe kompromenton pavarësinë e analizës, mendimit dhe gjykimit të pavarur të ngjarjes dhe aktorëve të saj. Kjo është mënyra e vetme për të lehtësuar zbardhjen e pavarur, gjithëpërfshirëse dhe profesionale dhe për të nxjerrë përgjegjësitë politike dhe ligjore që shkaktuan viktima, të plagosur, dhunë, cënim të rendit kushtetues, shkatërrim të pronës publike e private dhe shkelje të të drejtave të njeriut më datën 21 të muajit janar.

Por kjo ngjarje ka nevojë sidomos për një analizë dhe transparencë politike. Ajo do të na ndihmojë të kthjellojmë mendjet, të qartësojmë interesat dhe të bashkërendojmë veprimet që Shqipëria të dalë nga ky qerthull vicioz politik, në të cilin ndodhet.

Askush nuk mund të mohojë sot që Shqipëria po përjeton një nga krizat politike më të vështira të tranzicionit tonë demokratik. Që në fillimin e kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë ka funksionuar në të shumtën e rasteve gjysmë-plot apo gjysmë-bosh, duke cënuar mekanizmin e funksionimit pluralist të një tribune ku sytë, mendjet dhe interesat e qytetarëve presin të gjejnë zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre.

Ka po aq kohë që debati parlamentar pluralist është spostuar në rrugë, në tribuna, në foltore partish, në studio televizive, gazeta të varura apo të pavarura, duke harruar detyrimin politik dhe përgjegjësinë qytetare që partiakët apo politikanët bëhen deputetë apo ligjëvenës nëpërmjet zgjedhjeve, për t’u shërbyer atyre në procesin e ligjëbërjes sa më të mirë për shoqërinë dhe jo për t’u ofruar atyre arena betejash dhe skena politike të padenja dhe të pavlera për një vend dhe shoqëri të civilizuar. Kjo mungesë e theksuar e përgjegjshmërisë politike dhe legjislative ka vonuar reformat e rëndësishme që ne duhet të kryejmë, ka shkaktuar pengesa në plotësimin dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ka ndikuar negativisht në procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Ka fatkeqësisht po aq kohë që opozita politike dhe mazhoranca në Shqipëri qëndrojnë aq larg në pozicionet e tyre politike sa bashkëpunimi, ndërveprimi dhe dialogu në interes të vendit duket shumë i largët, edhe sot mbas 21 janarit. Jam shumë i shqetësuar mbi mungesën e deritanishme të komunikimit dhe të dialogut politik mes dy forcave kryesore politike. Mendoj dhe shpresoj se ngjarja tragjike dhe pasojat e saj negative për fatet e vendit dhe të demokracisë do të ndërgjegjësojnë, përgjegjësojnë mendjet e nxehura të politikës mbi domosdoshmërinë e qetësimit të situatës, gjetjes së kompromisit dhe zgjidhjes së konfliktit politik që po e mban pezull integrimin e vendit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij.

Unë bëj thirrje edhe një herë sot për gjetjen sa më parë të kompromisit politik si rruga e vetme e domosdoshme për të nxjerrë vendin nga situata e vështirë dhe perspektiva e munguar në të cilën ndodhet! Koha nuk pret! Ajo kërkon që interesat e qytetarëve, të cilët me të drejtë presin një jetë më të mirë, të vendosen mbi interesat e pushtetit dhe të karrierës politike të gjithësecilit. Historia do ta provojë këtë. Gjuha e urrejtjes dhe përshkallëzimi i saj si ndaj kundërshtarëve politikë ashtu edhe ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, nuk tregon as përgjegjësi për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, as vullnet politik për të hedhur hapin e arsyeshëm që kërkohet sot nga interesat kombëtare e as dëshirë për të hetuar e zbardhur në mënyrë të pavarur ngjarjen tragjike të 21 janarit. “Mos urreni, – ka thënë Martin Luter King, – ajo është një barrë tepër e rëndë për t’u mbajtur!”

Së fundmi, 21 janari kërkon edhe një shpjegim ndaj partnerëve dhe miqve tanë e strukturave ku ne jemi anëtarë apo dëshirojmë të integrohemi.

Kjo ngjarje befasoi me pasojat e saj tragjike pothuajse të gjithë komunitetin ndërkombëtar, i cili shprehu edhe një herë gatishmërinë për të ndihmuar. Me vullnetin e mirë, por edhe me përgjegjësinë maksimale ndaj rrezikut të degradimit të situatës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, OSBE-ja, ofruan këshillat dhe nënvizuan faktin se Shqipëria është vend sovran dhe anëtar i NATO-s. Ata theksuan rëndësinë e jashtëzakonshme të funksionimit të shtetit ligjor, të pavarësisë së institucioneve dhe të investimit dhe angazhimit disavjecar të tyre në ndërtimin e këtyre institucioneve të pavarura kushtetuese, por sidomos domosdoshmërinë e rivendosjes së dialogut politik.

Paaftësia për të gjeneruar një sistem politik funksionues në Shqipëri është zhgënjyes për NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Vajtje-ardhjet politike Bruksel-Tiranë, Strasburg-Tiranë dhe anasjelltas, tryezat dhe darkat e bujshme, por të dështuara, me qëllimin e vetëm për të zgjidhur krizën e gjatë dhe rraskapitëse të politikës shqiptare, ngrenë pikëpyetjen e madhe të partnerëve dhe miqve tanë mbi pjekurinë dhe aftësinë e shoqërisë shqiptare për të ecur më tej në rrugën e saj integruese. Kjo është përgjegjësi historike e politikës shqiptare. Ajo që i mungon politikës sonë nuk është pasioni, por refleksioni. Në këto çaste kërkohet një përgjigje, kërkohet një sqarim, por më shumë kërkohen veprime konkrete, të guximshme dhe të shpejta duke dëgjuar këshillat dhe vepruar së bashku për të lënë mbrapa këtë çast të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kjo nuk është një ëndërr. Ky është një realitet plotësisht i realizueshëm dhe mjaftueshmërisht i besueshëm në respekt të qëllimeve dhe interesave të kombit e të popullit tonë, të ëndrrave të fëmijëve tanë dhe të mirëbesimit dhe mbështetjes së miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë.

Falemnderit!

9 komente në “MESAZH I PRESIDENTIT TOPI LIDHUR ME SITUATËN MË TË FUNDIT POLITIKE NË SHQIPËRI”

  1. ...question says:

    …Presidenti jep mesazhe si “i jashtem” harron se eshte akuzuar direkt si pjestar i puç-it. Perseri teater !!
    Na lodhen me fjale qe nuk qetesojne askend, por tregojne vetem oratori personale, leto letrat publike duket sikur jane copy-paste( nga i kopjojne xhanem), e kane bere kete Martin Luther King cope duke e cituar por kurre nuk veprojne si ai.
    Presidenti lindi nga nje akt korruptiv Berisha-Nano, dhe sigurisht qe do ta vejllin ate qe bene vjet me pare.
    Bamirin President e tremb dhe e shantazhon Fahri Balliu pa pike problemi, llogaritni se çfare mund ti beje shefi i tij Berisha, dhe se sa shpejt mund ia mbyll gojen. Sistematikisht Berisha e ka nenshtruar dhe poshtruar disa here Bamirin President, qe tani me ironi i thote shkelqesia e tij!!!!! Teater!.
    Prandaj ky eshte nje teater i turpshem sa nuk durohet do me!

  2. mendertafuti says:

    B.Topi i paska kaperdire ofendimet rrugaçe qe Berisha i beri publikisht duke e quajtur deri “Horr” dhe ky bukafiku vazhdon me civilizma e predikime kristiane.
    Bamiri e ka te humbur Presidencen II,por me sa duket ben llogari mbasardhesin e Berishes,prandaj dhe duron dhe duron duke ecur keshtu ne rrugen e gabuar per te privatisht. Se po qe per Shqiperine dhe qetesine e saj,Berisha duhet te zhduket nga politika nje ore e me pare qe ky vend te gjeje karar.Ky monster eshte katalizatori dhe prodhuesi i te gjitha antagonizmave polike dhe shoqerore te deritanishme.Pa thyer qafen ai,nuk ka qetesi Shqiperia.

  3. Elza says:

    Pikerisht, eshte dhe paaftesia jote ne jeten politike shqiptare qe si president i Shqiperise nuk je as mish e as peshk.Ruan kolltukun tend presidencial a thua se do ta mbash ate per gjithe jeten edhe pse te kane akuzuar edhe ty.NQS,te dhimbset ky popull e nqs.te ka mbetur ndopak burreri beje detyren tende si president, shperndaje parlamentin qe te ike kjo qeveri e ndyre.Vetem keshtu mund te fitosh ndopak respekt ndaj popullit.

  4. ffrash says:

    Nuk di profesionin e lire te Z.President, por pasi e lexova dhe rilexova ate qe shkruan me siper mendoj se do te beje karriere ne histori, pasi te dorezoje presidencen.
    Harroje ate zanat perkohesisht Z. President, historine e ben populli dhe per ta shkruar ka kohe, ke shansin te vendosesh gure ne themelet e nje historie te ndritur per Atdheun tone ose , ne te kundert kjo histori do te rezervoje per JU nje vend si ate te Haxhi Qamilit.

  5. arsen says:

    I dashur President!
    Me Kushtetute ti je garant,
    Ti duhet te mbrosh (edhe me gjakune tend, spse mbi te je betuar) popullin tend nga shkelje marramendese qe regjimi berishist i ka bere keto 5 vjet.
    Zotrote thua “u shkel Ligji”…. po… nga kush?
    Populli i urte e di fare mire qe nuk duhet te hyje me force ne institucione apo zyra te cdolloji,
    PO ZYRTARET E DINE QE NUK DUHET TE SHKELIN TE DREJTAT E POPULLIT PER TE PROTESTUAR?
    Po zyrtaret e dine qe nuk duhet te vjedhin taksat e popullit, ashtu sic ka bere Ilir Meta and company deri sefundmi?
    Po zotrote a e njeh DOREHEQJEN?
    Mosvalle duhet ta japesh seshpejti?
    Tashme ti nuk vlen as per PD-ne dhe as per PS-ne!
    Aq me keq per fukarane qe as ke dashur tja dish me kohe….

  6. Patrioti says:

    Zoti President!
    E lexova me vëmendje mesayzhin tuaj, dhe nga gjithë sa Thoni nxora dy fraza, për të cilat dua të debatoj me Ju, ku Ju thoni:
    1- ”… shkatërrim të pronës publike e private dhe shkelje të të drejtave të njeriut më datën 21 të muajit janar.”
    2- “Mos urreni, – ka thënë Martin Luter King, – ajo është një barrë tepër e rëndë për t’u mbajtur!”
    **********************************************************************************************************************************
    Për të parënën: Kam bindjen e plotë se shkatërimi i pronës publike dhe asaj private, ka filluar që kur në pushtet erdhi regjimi diktatorial komunist, dhe, me (vet!) rrëzimin e tij, tek ne pronarët lindi shpresa se më në fund pas 45 vjet ne do bëheshim përsëri zotër të pronave tona të trashëguara nga të parët (prindërit) tanë, por ne pamë dhe dolëm plotësisht të zhgënjyer se ”demokracia” hibride e instaluar po nga ish hibridët komunistë, të (pa) reformuar akoma edhe sot e kësaj dite në demokratë, realizuan atë qe vetë diktatori po të ish gjallë, do tua kish zilinë, dhe patjetër që do ti kish shpërblyer me çmimin më të lartë, ndoshta korifej të marksizëm-leninizmit, dhe duke Ju thënë qartë, këtë meritë nuk e ka vetëm ish Presidenti Berisha, sot kryeministër dy herë, do thoshja as vetëm Ramizi, Fatosi, Meta e gjithë Paria e gjithë kompania, që sot quhet Parlament, por do thoshja se shkakëtarë të këtij ”kanceri!”, janë po thuaj e gjithë ajo pjesë e popullit shqiptar, që kanë pranuar paturpësisht, e pacipësisht të grabisin pronën e trashëguar të tjetërit, kam bindjen e plotë se kjo që po ndodh në këtë vend që ne e quajmë Shqipëri, e Bota na quan Albani, nuk ka ndodhur e nuk mund që të ndodhë në asnjë vend të Botës, që shqiptari ”mikpritës, i dashur, trim”, nuk di ç’të them më shumë, të arijë të grabitë me ”ligje” e pa ligje shqiptarin tjetër!!!! Pra, unë kuptoj se e keqia nuk qëndron tek vota, kur ne po na grabitet toka, e as tek kriza që gjoja ka përfshirë Parlamentin kur ai ka 21 vjet që po e stimulon vetë dhe qëllimisht krizën, dhe faji më i madh këtu i bie pikërisht Partisë ku Ju bënit pjesë e ishit dhe Z/Kryetar! Pra për këtë gjendje përsëri kam bindjen e plotë, se fajin nuk na e ka njeri, as fqinjët e as më të largëtit, ku shikoj se shumë debatuesa në komente të ndryshme fajësojnë Evropën por edhe Amerikën që është po aq larg sa ”është” edhe Kina, por fajtor nuk është vetëm Berisha, por të gjithë ata që ja kanë kipur mbrapsht KALIT ”TOKË”, duke menduar se po vrapojnë drejt Evropës dhe Amerikës, kur dihet se ai ”kalë”, duket hapur se po na çon në Tunizi, Libi, Egjypt, e ndoshta akoma më keq, poshtë në një ”GROPË…”!
    Për të dytën: Që të mos urresh tjetërin të gjithë e dinë, se dhe tjetëri nuk duhet të të urrejë!!!! Por, zoti President: A ka urrejtje më të madhe nga urrejtja që ka ky pushtet i vetquajtur ”demokratik”, që ”dashuron” pronarin e ”RI”, (natyrisht, sa të rregullojë punët e tij, pastaj ai ua tregon si ua tregoi nivicjotëve, vunjotasve, dukatasve, hamalliotëve, etj., ashtu si ua tregoi me ”Reformën Agrare” vetë diktatori, që u dha tokën sot dhe ua morri nesër???!!!!), dhe shqelmon më keq nga vetë diktatori pronarin e vjetër!!!! Mendoj dhe nuk e luan asgjë, se alfa e gjithë kësaj gjëme vjen si shkak i qëndrimit ndaj tokës, se nuk mund sot në shekullin e XXI-të, të krijosh një trashëgimi të re kur kish e ka një trashëgimi të vjetër!!!! Është pikërisht qëndrimi jo i mbrapshtë, por i çmendur që mbahet ndaj tokës, dhe për këtë qëllim pushteti ynë artificial e hibrid mban krizën e statukuonë!!!!

  7. huri says:

    Sot ka ardhur dita jote zoti president.Nese iken kjo dite,ti jo vetem do te harrohesh nga hisgtoria,por mudet qe tju themi:Ku ishe ti zoti president kur populli i vobeket shqiptar kishte vevoje per ndihmen tuaj?Por atehere mund te jete teper vone…Atehere ti mund te jesh harruar ashtu sic edhe jane harruar shume drejtues ,te cilet nuk bene ate qe duhej ne kohen e duhur.Mos na merr ne qafe,kesaj here na ka vajt thika deri ne kocke,nuk mba me shqiptari i varfer…

  8. pronat i ka mare te gjitha ,ne san remo ka shkuar, ne kapri te italise, rrogen e mer me shtese,eshte pjestar i klanit P.D., zgjedhur me vota te blera, inkopetent per te zgjidhur situatan,floket te ndara ne mes si zdrafko colic vitet 80, llafollogji e mesuar permendesh, pra si mungon performanca, cuditemi si spo zgjidh asgje.

  9. nicolla disha says:

    Kopetencat e presidentit po i merr berisha. A jeni president apo nje paradhome e berishes?? Ne keto momente kur shqpria po perjeton rregjimin e berishes presidenti del me deklarata boshe. Ne qofse e cuani vedin si president bashkohuni me hallet e nje populli qe kerkon zgjidhje me zgjedhje te parakoshme. Vetem keshtu mbrohet uniteti kombetare, dhe jo duke u bere frikacaku i berishe, dhe jo duke u bere paradhoma e klanit berishjan. Thank you!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje