Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me qëllim që t’i joshë partitë tjera për të hyrë në koalicion, ka vendosur që të shtojë dukshëm numrin e posteve qeveritare, pa llogaritur këtu koston e tyre financiare dhe duke i shpërfillur rekomandimet ndërkombëtare për zvogëlimin e numrit të të punësuarve në administratën shtetërore.
Kryeministri në dorëheqje përpos që do ta rrisë numrin e ministrive nga 18 sa janë aktualisht në 21, pra duke i shtuar edhe tre të tjera, ai pritet që t’i shtojë edhe një ose edhe dy zëvendëskryeministra, varësisht nga ajo se sa parti shqiptare do të jenë në qeverinë e ardhshme.
“Nëse në qeveri me PDK-në do të jetë vetëm një parti shqiptare dhe minoritetet, atëherë kabineti qeveritar do t’i ketë tre zëvendëskryeministra. Mirëpo, në rast se në qeveri do të përfshihen dy parti shqiptare dhe minoritetet, atëherë kabineti qeveritar do t’i ketë katër zëvendëskryeministra”, ka thënë një burim i gazetës, i afërt me procesin e krijimit të qeverisë së re.
Për analistët politikë dhe për ata ekonomikë si dhe për shumicën e partive opozitare një veprim i tillë i kryeministrit në dorëheqje është bërë kryekëput për t’i shpërblyer njerëzit dhe partitë që pritet të jenë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar.
Ekspertët e ekonomisë madje paralajmërojnë probleme financiare për vendin, duke pasur parasysh se administrata shtetërore çdo ditë e më shumë është duke u ngarkuar.
Numri i ministrive pa portofol mund të shkojë në pesë
Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë Memli Krasniqi, ka mohuar që do të ketë rritje të dikastereve në kabinetin e ardhshëm qeveritar. Sipas tij, çështja e dikastereve qeveritare do të përcaktohet me Ligjin për Qeverinë, që nuk është miratuar ende.
“Rritje të dikastereve s’ka, nuk kemi çka të flasim për diçka që nuk ka. Janë 18 dikastere, këto do të jenë edhe në qeverinë e ardhshme”, ka thënë Krasniqi.
Ai thotë se, Ligji për Qeverinë është ai i cili sipas tij, do t’i parashohë në mënyrë më konkrete, por jo për t’i përcaktuar cilat janë, e cilat nuk janë, sepse ato janë çështje të marrëveshjeve politike dhe të programeve politike.
“Dikasteret pa portofol nuk janë dikastere, janë ministra pa portofol, edhe ato janë të parapara ligjin, i cili nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës, derisa nuk miratohet ligji nuk besoj se do të ketë ministra pa portofol. Projektligji e parasheh që mund të ketë deri në pesë ministra pa portofol, ajo është çështje që krijohet me ligj, por tani për tani nuk ka një ligj i cili e siguron një çështje të tillë”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa PDK-ja pretendon që përmes shtimit të numrin të ministrive t’i “detyrojë” partitë tjera që të hyjnë në koalicion me të, si AAK dhe AKR, këto dy fundit thonë se një hap i tillë është në kundërshtim me konceptin e tyre politik. AAK-ja e Ramush Haradinajt thotë se pavarësisht nëse i rrit apo jo dikasteret qeveritare PDK-ja, ata janë këmbëngulës se nuk do të hyjnë në qeveri.
Nga ana tjetër, Aleanca e Behgjet Pacollit nuk e mohon mundësinë që të hyjë në koalicion, pavarësisht se në programin e saj politik parashihet zvogëlimi i ministrive në 15, nga 18 sa janë aktualisht.
Nënkryetarja e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, thotë se AKR-ja pretendon që në qeverinë e ardhshme të ketë së paku tri dikastere më pak. Sipas saj, për të pasur efikasitet është e obligueshme që Ministria e Ekonomisë dhe Financave duhet të ndahet në njërën anë në Ministri të Financave dhe në anën tjetër në atë të Ekonomisë, Tregtisë e Industrisë dhe Energjetikës.
Ajo nuk është e sigurt nëse AKR-ja do të bëjë koalicion me një parti që synon t’i rrisë dikasteret, por thekson se rritja e “vendeve të lira” në qeveri ka për qëllim “furnizimin” me pushtet për të gjitha partitë e koalicionit qeverisës.
“Qeveria si agjenci punësimi”
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi thotë se rritja e numrit të ministrive bëhet me qëllimin e vetëm që të shpërblehen njerëzit e caktuar dhe partitë të cilat do të hyjnë në koalicion.
“Ne si AAK në programin tonë edhe pse nuk e kemi të precizuar numrin e saktë të ministrive që duhet t’i ketë kabineti qeveritar, por e kemi paraparë që të zvogëlohet numri i ministrive”, tha ai. I pyetur se a është bërë kjo rritje e numrit të ministrive vetëm e vetëm që të joshet AAK-ja për të hyrë në qeveri, Arifi ka thënë se partia e tij në koalicion nuk ka hyrë për shkak të konceptit politik, e jo për shkak të numrit të posteve.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se partia e tij në programin e saj elektoral ka paraparë zvogëlimin e numrit të ministrive. “16 ministri që aktualisht i ka Qeveria e Kosovës, janë shumë, e lërë më asaj t’i shtohen edhe tri të tjera plus një apo dy zëvendëskryeministra të tjerë”, ka thënë Gashi. Sipas tij, PDK-ja po e sheh qeverinë si një agjenci punësimi dhe si një joshje e partive të tjera që të hyjnë në koalicion me të.
Ekspertët paralajmërojnë qeverinë
Ekspertët si dhe partitë opozitare vlerësojnë se një veprim i tillë vetëm sa do ta thellojë krizën financiare të Kosovës.
Analisti politik Krenar Gashi thotë se numri i ministrive ne Qeverinë e Kosovës, edhe ashtu ka qenë shumë më i madh sesa që duhet t’i ketë një vend i përmasave të Kosovës, ndërsa shtimi i ministrive të reja sipas tij, është tendencë për t’i joshur partitë tjera për të hyrë ne koalicion qeverisës. “Një praktikë e këtillë e dëmton shtetin pikë së pari sa i përket numrit të punonjësve në sektorin qeveritar, gjë për të cilin jemi kritikuar vazhdimisht nga FMN-ja, por e dëmton gjithashtu edhe efikasitetin e qeverisjes në përgjithësi”, thotë Gashi.
Musa Limani, ekspert i ekonomisë, thotë se shtimi i numrit të ministrive do ta stërngarkojë edhe më shumë administratën. “Edhe kështu administrata publike është e stërngarkuar, e mbipunësuar, ndoshta një e treta është e tepërt aty, ose edhe më shumë, prandaj nëse edhe më tutje e ngarkojmë administratën, atëherë me të vërtetë mjetet buxhetore do të ngarkohen shumë”, thotë ai, duke shtuar se në këtë vit Kosova do të përballet me probleme financiare.
Ndërkaq, Avni Arifi i AAK-së, thotë se, një veprim i tillë përpos që do ta ngarkojë buxhetin e vendit, do ta fragmentizojë edhe më shumë buxhetin e ministrive, do të rrisë numrin e shërbyesve civilë si dhe do ta ulë edhe më shumë efektivitetin e punës së qeverisë.
“Unë mendoj se secila parti që pretendon të ketë një efikasitet më të lartë të punës dhe dëshiron të ketë një buxhet më stabil nuk synon ngritjen e dikastereve, nëse dikush e ka këtë ide, atëherë definitivisht duhet të shqyrtohet ajo shumë seriozisht”, thotë ndërkaq, e dyta e AKR-së, Mimoza Kuasri Lila.
Buxheti ngarkohet mbi 10 milionë euro
Sipas një përllogaritje që i ka bërë “Zëri” buxhetit të 17 ministrive (përjashtuar Ministrinë e Integrimeve, për shkak se është themeluar më vonë), duke u bazuar në tabelën e buxhetit për vitin 2010, del se përgjatë një viti këto ministri vetëm në paga dhe mëditje shpenzojnë mbi 100 milionë euro.
Derisa mesatarja e një ministri që shpenzon për paga dhe mëditje brenda një viti është rreth 6 milionë euro. E nëse kjo mesatare do të llogaritej edhe për tri ministritë e reja që do të formohen, atëherë i bie që buxheti i Kosovës do të ngarkohet edhe me 18 milionë euro, pa llogaritur këtu dy zëvendëskryeministrat e ardhshëm dhe stafin tyre.
Prijmë me numrin e ministrive në rajon dhe më gjerë
Kosova krahasuar edhe me vendet e rajonit prin sa i përket numrit të ministrive. Derisa Shqipëria, e cila ka mbi 3.5 milionë banorë dhe ka vetëm 15 ministri, vendi ynë me 2 milionë banorë ka 6 ministri më shumë.
Qeveria e Kosovës do të ketë më shumë ministri edhe sesa vendet e rajonit, si Maqedonia, e cila ka 19 ministri, Mali i Zi 16. Kosova madje qëndron shumë më lartë edhe sa i përket vendeve të Bashkimit Evropian. Gjermania si shteti kryesor i BE-së ka vetëm 14 dikastere./zëri/