Mustafaj: Berisha i ka bërë dëm shumë të madh PD-së (MEMORANDUMI MUSTAFAJ)

8 Shkurt 2011, 20:38Politika TEMA

Pak ditë më parë PD mblodhi këshillin kombëtar për të diskutuar përgatitjet për zgjedhje. Anëtari i këtij këshilli Besnik Mustafaj paraqiti në takim një memorandum, për reformimin dhe modernizimin e partisë demokratike. Zoti Mustafaj i tha një intervistë Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj sipas jush, si është gjendja sot në Partinë Demokratike?

Besnik Mustafaj: Fakti që unë kasha një shqetësim aq të madh sa të detyrohesha si anëtar i këtij Këshilli të shkruaja një memorandum për të kërkuar një reformë të thellë do të thotë që brenda Partisë Demokratike nga pikëpamja organizative ka probleme shumë të mëdha që cënojnë cilësinë e ekzistencës dhe të funksionimit të saj si parti. Këtu gjërat janë shumë të qarta për mua dhe për një masë të madhe shqiptarësh dhe sidomos ne demokratët jemi shumë të shqetësuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, memorandum që ju paraqitët siguroi një mbështetje shumë të vogël brenda partisë, mori vetëm dy vota. Si e shpjegoni ju një gjë të tillë?

Besnik Mustafaj: Ai nuk ishte një dokument që duhej hedhur në vote për mendimin tim, për dy arsye: e para sepse aty nuk ishte një mocion mosbesimi që të hidhej në votë dhe së dyti unë nuk doja që kolegët e Këshillit Kombëtar t’i vija në detyrimin për të zgjedhur mes meje dhe kryetarit të partisë çka nuk ishte synimi im sepse mënyra e paraqitjes nga unë e problematikës nuk synonte të vendoste një duel midis meje dhe kryetarit të partisë. Në këtë kuptim, dy veta, apo më shumë apo më pak, nuk është kjo kryesorja. Për mua një fitore e rëndësishme u arrit në Partinë Demokratike ditën e diel me memorandumin tim, se për herë të pare në historinë e kësaj partie paraqitet një mendim ndryshe dhe ishte një nga katër pikat e memorandumit tim, që të legjitimohet, t’i hapet hapësira e nevojshme mendimit ndryshe dhe ky mendim ndryshe u shfaq dhe nuk u reagua me nervozizëm nga kryetari i partisë çka hapi perspektivën. Për mua është shumë e rëndësishme që të hapet perspektiva e reformimit të thellë të partisë dhe reformimi i thellë i partisë nuk bëhet dot pa debat brenda partisë.

Zëri i Amerikës: Ju u shprehët se mekanizmat brenda Partisë Demokratike nuk funksionojnë. Pse është kjo sipas jush, pse nuk kanë funksionuar ato për një kohë kaq të gjatë?

Besnik Mustafaj: Për mua nuk kanë funksionuar për arsyen e thjeshtë se ka një nënvleftësim të partisë nga kryetari i partisë, çka e thosha në një mënyrë të qartë në memorandumin tim kur flisja për distancën e krijuar mes kryetarit të partisë dhe partisë nëpërmjet asgjësimit të strukturave të rëndësishme politike siç është Këshilli Kombëtar që është forumi më i rëndësishëm i partisë midis dy kongreseve, të kryesisë, të sekretariatit, të nënkryetarit të partisë, pra mbajtja në këmbë e personaliteteve apo e strukturave të paligjshme nga pikëpamja statutore ka bërë asgjësimin e strukturave të ligjshme. Në këtë kuptim kjo ka qenë një thjeshtësi ndoshta në pamjen e pare për kryetarin e partisë për ta qeverisur vendin se nuk i është nënshtruar gjykimit të partisë por nga ana tjetër i ka bërë një dëm të madh shumë Partisë Demokratike, por unë e them edhe një herë se u ndjeva i inkurajuar në nismën time politike duke pasur parasysh se u caktua një lloj kalendari për reformimin e thellë të partisë dhe ky kalendar fillon me zgjedhjet e 8 majit.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, unë dua të sjell në këtë debat edhe ligjin e zgjedhjeve që është miratuar në Shqipëri me konsensusin e të dyja partive kryesore politike, një ligj që sipas shumë analistëve u ka dhënë autoritet të madh kryetarëve të partive për të zgjedhur kandidatët e partisë për deputetë. A mendoni se të paktën kjo pikë e ligjit zgjedhor që ka të bëjë me këtë çështje duhet ndryshuar, pasi mendimi i analistëve është se kjo e dëmton demokratizimin e partive dhe u jep shumë pushtet kryetarëve të partive?

Besnik Mustafaj : Ka dy gjëra këtu: e para që unë kam lehtësinë të them “po ky ishte një ligj i keq, ishte një ndryshim kushtetues i dëmshëm për demokracinë e vendit”, sepse kam votuar kundër. Asokohe unë isha deputet dhe kam votuar me ndërgjegje kundër pasi kam pasur disa seanca debate brenda grupit parlamentar me kryetarin e partisë dhe me kolegë të tjerë ku unë mbrojta pikëpamjen time, por nga ana tjetër nuk është se ky ligj në vetvete i favorizon kryetarët, sepse përveç ligjit çdo parti dhe në rastin konkret Partia Demokratike ka statutin e vet dhe statuti kërkon që kandidatët për deputetë të miratohen në mënyrë të detyrueshme brenda këshillit kombëtar ku edhe ekziston mundësia të ndryshohen. Pra në këtë kuptim kjo fuqi e kryetarëve dhe kjo ishte një marrëveshje që nuk i bën nder të madh në asnjë kuptim as Berishës, as Ramës, kjo ishte një marrëveshje mes Berishës dhe Ramës për të arritur në këtë formë ligji. Por unë mendoj se cënimi i demokracisë, nuk vjen thjesht për shkak të ligjit, vjen për disa avantazhe që u jep ligji, por kryesorja vjen për dëmin që i shkakton demokracisë permes cënimit të demokracisë të vetë partive politike. Unë e kam thënë edhe në memorandumin tim se një parti e angazhuar të vendosë shtetin ligjor duhet të dëshmojë se vetë brenda familjes së saj politike respekton ligjin. Nuk respektohet ligji në këtë nivel, atëherë pra statuti i partisë, i cili është kushtetuta e partisë.

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe siç e kemi dëgjuar edhe gjithë këto ditë, edhe sot OSBE-ja u bëri thirrje partive në Shqipëri që të paraqesin kandidatët për komisionet zonale, të paraqesin gjithë dokumentacionin për këto zgjedhje pasi nuk ka më shumë kohë. A jeni I shqetësuar se kjo situatë mund të krijojë probleme të reja që mund të lindin me zgjedhjet vendore, në një kohë kur ende nuk janë zgjidhur problemet me zgjedhjet e kaluara të përgjithshme në Shqipëri?

Besnik Mustafaj: Në rastin e mbledhjes së Këshillit të Partisë Demokratike, unë thashë se zgjedhjet e 8 majit janë një test për Partinë Demokratike, për vullnetin e saj politik për t’i fituar por test edhe i kapaciteteve të saj për t’i organizuar në mënyrë që të jenë të lira dhe të ndershme. Në këtë kuptim unë si demokrat dhe si qytetar i këtij vendi ndjehem dyfish i shqetësuar për ritmet me të cilat po ecet për përgatitjen e zgjedhjeve. Dhe unë sigurisht që jam i shqetësuar, sigurisht që ende besoj se janë të gjitha mundësitë që të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme por ende vazhdoj të jem i shqetësuar sepse nuk shoh që angazhim të plotë të forcave politike që do të mund t’i përgjigjeshin nevojave të ligjit.

Memorandum-Këshilli Kombëtar i PD-së, 6 shkurt 2011- Besnik Mustafaj

Duke patur parasysh situatën veçanërisht problematike që kalon vendi pas ngjarjeve shumë të dhunshme përpara selisë së Kryeministrisë me 21 janar 2011:

Duke patur parasysh përgjegjësinë  historike që ka në këto momente Partia Demokratike jo vetëm si forca kryesore politike në qeverisje, por edhe si forca politike më e madhe në vend;

Duke patur parasysh se kemi përballë një opozitë, e cila prej më shumë se një vit e gjysmë e ka nxjerrë luftën e saj politike nga institucionet e natyrshme demokratike për ta zhvilluar në rrugë, në dëm të  përparimit ekonomik të vendit dhe po aq në dëm të forcimit të institucioneve të shtetit të së drejtës,

Duke marrë parasysh rëndësinë specifike që kanë zgjedhjet e 8 majit të ardhshëm për pushtetin vendor si test për vullnetin dhe  për kapacitetin e mazhorancës sonë qeverisëse për të zhvilluar zgjedhjet të lira e të drejta;

Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e fitores së Partisë Demokratike në këto zgjedhje si alternativa më e mirë programore, por edhe si ekipi më i aftë për të drejtuar e më i lidhur me interesat  e komunitetit si edhe të mbarë shoqërisë, me cilësinë time si antar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i drejtoj këtij Këshilli Memorandumin si vijon:

Këshilli Kombëtar që mblidhet sot për herë të pare,  ka dalë nga Kuvendi Kombëtar i zhvilluar me 14 dhjetor 2009. Kanë kaluar, pra,  katërmbëdhjetë muaj pa u konstituuar e rrjedhimisht pa e filluar veprimtarinë e tij Këshilli Kombëtar, i cili, ashtu siç përcaktohet në statutin e Partisë Demokratike, është organi më i lartë i kësaj partie midis dy kuvendeve kombëtare. Ky fakt nxjerr qartë në pah se Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë kolegjial i analizës politike, i hartimit të politikave programore dhe i marrjes së vendimeve politike të Partisë Demokratike ka qënë krejtësisht jashtë funksionit të tij qysh nga fillimi i mandatit  tonë të dytë qeverisës.  Jam i bindur se ky asgjesim i rolit të natyrshëm politik të Këshillit tonë Kombëtar ka qënë  me pasoja të dukshme negative në përmbushjen e misionit politik që ka Partia Demokratike ndaj kombit.

Unë propozoj që t’i japim kësaj mbledhjeje të parë rëndësinë e duhur, duke e shndërruar në një moment refleksioni të thellë vetëkorrigjues, jo vetëm për t’u prerë rrugën praktikave të tilla në të ardhmen, por edhe për t’i dhënë krah një fryme të re brenda partisë, ku çdo antar i Partisë, që nga seksioni e deri te kryetari i Partisë, të ndjehet plotësisht pjestar i një familjeje politike të shëndetshme, ku bashkimi është vërtet me vullnet të lirë dhe ku respektohet e vlerësohet kontributi dhe individualiteti i gjithësecili demokrat.

Qysh nga Kuvendi ynë i fundit Kombëtar para katërmbëdhjetë muajsh e deri sot, ne si parti, në përputhje me statutin tonë, kemi të ligjshëm vetëm Kryetarin e partisë, i cili është zgjedhur nga kuvendi në fjalë dhe nënkryetarin e partisë, Zotin Patozi, i cili me statut, duke qënë kryetar i grupit tonë parlamentar, është ex oficio edhe nënkryetari i partisë. Nuk kemi patur, pra, de juro e as de facto as kryesi të partisë, as sekretar të përgjithshëm, as nënkryetar të dytë, as sekretariat e as gjykatë të partisë. Kjo tablo flet vetë. Distanca institucionale e krijuar gjatë kësaj periudhe midis kryetarit të partisë dhe vetë partisë është jashtëzakonisht e madhe e për pasojë edhe me dëm të madh për demokracinë brenda partisë. Statuti është kushtetuta e partisë. Qysh në themelimin e saj njëzet vjet më parë, Partia Demokratike u angazhua përpara kombit  të ndërtonte në Shqipëri shtetin ligjor. Me shkelje të tilla të rënda të kushtetutës së partisë, ne japim detyrimisht përpara shoqërisë shqiptare  një dëshmi shumë të keqe të vullnetit tonë politik për të ndërtuar një sistem ku prevalon ligji.

Unë propozoj që ne sot, me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë, të zgjedhim organet drejtuese të partisë dhe të kërkojmë prej tyre t’i përvishen punës për të rivendosur në parti frymën e munguar të kolegjialitetit demokratik.  Me ndjenjë të lartë përgjegjësie nga secili antar i Këshillit Kombëtar unë kuptoj vendosjen e kritereve parimore, jashtë çdo klientelizmi në përzgjedhjen e personaliteteve që do të zënë vend në organet tona drejtuese. Ju bëj thirrje të gjithë kolegëve antarë të Këshillit Kombëtar të kenë parasysh interesat e Partisë Demokratike dhe jo parapëlqimet subjektive nga njerëzit tanë me pushtet në ekzekutiv.

Në praktikën e ushtrimit të pushtetit vërej se Partia Demokratike ka një largim gradual por  të vazhdueshëm nga identiteti i saj si parti e qëndrës së djathtë. Janë inicuar dhe vazhdojnë të iniciohen njëherash politika të mirëfillta liberale, politika po ashtu të mirëfillta konservatore, dhe po aq shpesh qëndrime ndaj pronës apo politika sociale me përmbajtje të pastër të majtë. Këto luhajtje nga njëri ekstrem në tjetrin shpjegohen, sipas mendimit tim, me një frymëzim të tepruar populist të udhëheqjes së partisë, që e kemi në ekzekutiv. E keqja e një praktike të tillë pa fizionomi dhe pa identitet politik në ushtrimin e pushtetit shfaqet në modelin inkoherent  të shtetit që na takon të ndërtojmë. Dhe jo vetëm kaq. Ky eklektizëm identitar ka dobësuar ndjeshëm lidhjet e partisë tonë me shtresat shoqërore, të cilat për arsye parimore duhet të jenë mbështetja jonë kryesore. Ndër to do të veçoja ish-të përndjekurit politikë, ish-pronarët  dhe biznesin e madh. Më e pakta që mund të thuhet për këto dy shtresa është se ato kanë  humbur entusiazmin në mbështetjen tonë.

Unë propozoj që kjo mbledhje e vonuar e Këshillit tonë të ri Kombëtar të ndërmarrë çeljen  e një debate të gjerë brenda partisë për identitetin e saj. Ky debat, me pikësynim fokusimin e qartë identitar në programin tonë do të shërbente  si rast për të tërhequr  e gjallëruar  edhe kapacitetet e grupeve  shoqërore dhe të grupeve të interesit jashtë strukturave të partisë , por që presin nga ne si forcë politike  të mishërojmë idealet e tyre për shtetin, për drejtësinë shoqërore, për lirinë e tregut dhe për pronën.

Me mënyrën e saj të funksionimit ose të mosfunksionimit gjatë kësaj periudhe të gjatë, Partia Demokratike është larguar dukshëm nga modeli i partive të djathta europiane.  Partia Demokratike është prej disa vitesh antare –vëzhguese  në Partinë Popullore Europiane. Kjo është një fitore e rëndësishme dhe e merituar  e partisë tonë, sigurisht, por është gjithashtu një kontribut i saj i çmuar edhe në procesin e përafrimit  të vendit tonë me Bashkimin Europian. Antarësia në Partinë Popullore Europiane kërkon nga secili antar i partisë tonë e veçanërisht nga ne, që jemi në drejtimin e saj, të mbajmë vazhdimisht lart vlerat e shenjta, mbi të cilat mbështetet e djathta politike europiane. Këto vlera brenda Partisë Popullore Europiane, do të thotë brenda secilës nga partitë e djathat që e përbëjnë atë, sanksionohen si frymë lirie, por edhe si normë detyruese për të respektuar demokracinë e brendshme, ku përfshihet edhe mendimi ndryshe si pjesë e kulturës politike të djathtë.

Unë propozoj sot që kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar të përcaktojë si objektiv madhor  ndërmarrjen urgjente të reformave brenda partisë për ta modernizuar dhe demokratizuar atë,  që të jemi në lartësine e partive popullore europiane.  Vetëm duke e modernizuar dhe demokratizuar partinë, ne të vjetrit e partisë do të ndjehemi të rinj me përvojën tonë dhe vetë partia  do të bëhet thelbësisht atraktive për masën e madhe të rinisë shqiptare. Nuk duhet hequr nga mendja një fakt: janë 50 mijë të rinj të cilët çdo vit arrijnë moshën e vetëdijes dhe po ashtu moshën e të së drejtës për t’u marrë me politikë jo vetëm si votues, por edhe si aktivistë. Përtëritjen e shoqërisë Partia Demokratike  duhet ta paraprijë  duke u përtërirë dhe vetë  në mënyrën e saj të funksionimit.

Si përfundim, unë jam i bindur se janë të gjitha mundësitë për ta shndërruar këtë mbledhje të parë të Këshillit të ri Kombëtar në një gjenerator transformues për krejt partinë. Nuk shoh rrugë tjetër më të mirë për t’i dhënë  asaj besueshmërinë e nevojshme për t’i fituar me 8 maj zgjedhjet lokale në Tiranë dhe në mbarë vendin. Vetëm duke ndjekur me guxim rrugën e reformimit të shpejtë e të thellë të partisë do të zbulojmë te vetja rezerva të reja për të përfunduar me nder mandatin e besuar nga populli për të qeverisur deri në vitin 2013 dhe do të jemi të përgatitur  për të kërkuar një mandat të tretë. Ne duhet të provojmë para shqiptarëve  se jemi në pushtet jo pse kemi përballë  një opozitë të keqe e pa alternativë, por sepse Partia Demokratike në vetvete, jashtë krahasimit me kundërshtarin, është forca politike më e denjë, më vitale, më modern për ta qeverisur vendin.

1 komente në “Mustafaj: Berisha i ka bërë dëm shumë të madh PD-së (MEMORANDUMI MUSTAFAJ)”

  1. pasi ka blere me hektare toke ne komunen e dajtit,te pakten ato qe shifen,duke qene nje poet medioker.me miqesi me sokol hoxhen e kompani,demokrat shume i devotshem, hedh teza te reja ,qe te shtoje perfitimet , materiale dhe funksionale , e genjen mendja te shkretin,koha e tij ka mbaruar,me voten e shefit te tije

Comments are closed.

Lini një Përgjigje