Miku i Hekuran Dedës: “Unë ia kam borxh Hekuranit që ta çoj drejtësinë në vend”

18 Shkurt 2011, 20:09Politika TEMA
Miku i Hekuran Dedës: “Unë ia kam borxh Hekuranit që ta

Familjarët e viktimave të 21 Janarit gjatë protestës së 18 shkurtit

Fjalimet prekëse të demonstratës së djeshme. Ndryshe nga demonstratat e tjera, përveç kryetarit të PS, në tribunë janë parë qytetarë të zakonshëm e protestues të 21 janarit, që kanë mbajtur fjalimet e tyre përpara mijëra njerëzve.

Fjala në demonstratë e Hysni Peposhit, shoku i Hekuran Dedës

Në 21 janar isha vetëm pak metra që këtu, atje ku janë vendosur tani ato përkujtimore për të vrarët e 21 janarit. Në 21 janar, atje ku shihni sot ato përkujtimore unë dhe shumë të tjerë si unë humbëm njerëzit tanë më të afërt. Atje u vra Hekurani, aty u vra Ziveri Veizi ndërsa atje, vetëm pak metra larg njëri tjetrit humbën jetën Aleksi Nikaj dhe Faik Myrtaj. Që të gjithë prindër që kanë lënë familje e fëmijë pas. Unë isha aty atë ditë bashkë me mijëra të tjerë. Bashkë me shumë nga ju. E pashë Hekuranin kur e vranë. E pashë kur u rrëzua në tokë. Isha aty kur ai dha shpirt, kur shoku im dha shpirt dhe nuk mund t’i harroj kurrë ato momente. Sa të jem gjallë do më mbetet në mendje ajo skenë.

Akoma sot nuk e besoj dot atë që ndodhi në 21 janar. Dhe njësoj si unë nuk e besojnë dot as familjet e Aleksit, Ziverit, Faikut dhe Hekuranit. Përse duhet të vriteshin ata? Ishim pa armë, nuk ishim as të droguar, as banditë, as të paguar e as po sulmonim kryeministrinë e Sali Berishën.

Çfarë kishte bërë Hekurani, Faiku, Aleksi apo Ziveri?

Unë dhe Hekurani do niseshim për Greqi vetëm pak ditë pas demonstratës. Sepse atje kemi vite që punojmë me shpresën për të mbajtur familjet. Dhe prandaj ishim këtu atë ditë. Sepse kemi një jetë të tërë që rropatemi rrugëve të botës për një kafshatë bukë. Sepse kemi familje që presin prej nesh dhe që na vjen turp t’ju themi se s’kemi gjetur punë. Prandaj ishim këtu atë ditë, jo për të bërë grushte shteti e për të sulmuar Sali Berishën.

Kur u nisëm atë ditë për të ardhur në demonstratë nuk e kishim menduar kurrë që do të ndodhte ajo tragjedi. Nuk e kishim çuar ndërmend që Sali Berisha mund të jepte urdhër që të na vrisnin. Sepse jemi shqiptarë ne, e shqiptarë është dhe ai.

Unë ia kam borxh Hekuranit që ta çoj drejtësinë në vend. Ia kam borxh që të bëj gjithë çfarë të mundem që ata që e vranë të përgjigjen përpara ligjit. Prandaj i them Sali Berishës që të mos e vrasë asnjë nga dëshmorët e 21 janarit për së dyti duke i quajtur kokëpalarë e drogaxhinj. Të mos i vrasë për të dyti duke i quajtur heronj ata që i vranë e duke i mbrojtur nga drejtësia. Herët a vonë drejtësia do të vihet në vend sepse këtë nuk e kërkoj vetëm unë apo vetëm familjet e atyre 4 njerëzve të pafajshëm që u vranë këtu në 21 janar. Këtë e kerkoni të gjithë ju dhe të gjithë shqiptarët. Dhe s’ka qeveri e s’ka Sali Berishë në botë që të mund të fshihet përgjithmonë nga ne të gjithë.

Fjala në demonstratë e Artes Dybelit, studenti i plagosur me dy plumba në fyt

Quhem Artes dhe jam 23 vjec. Kam pak emocione të jem sot këtu. Katër javë më parë, isha përsëri këtu, në mesin tuaj atëherë, së bashku me dhjetëra mijëra të tjerë që kishin dalë në demostratë kundër një blloku të zi që po na nxin të ardhmen të gjithëve.

Kisha dalë në demonstratën e 21 Janarit si një student që kërkon më shumë mundësi për të shkollimin e tij, për të ardhmen e tij. Kisha dalë për të kërkuar të qeverisem drejtësisht e pa blloqe ku cdo rresht vendos se sa fitojnë ca, por njëkohësisht u heq mundësitë qindra të tjerëve si unë për të patur një të ardhme më të mirë. Kisha dalë të kërkoja punë për vete e prindërit e mi, siguri, drejtësi e një shtet që të punojë për të gjithë ne.

Në datën 21 Janar, pak metra nga këtu ku jam duke folur, unë u qëllova me dy plumba! Isha në mes të turmës. Nuk kisha gur në dorë, nuk isha i armatosur e as kisha qëllim të hyja në ndonjë ndërtesë apo të lëndoja ndonjë polic. Megjithatë, u godita me dy plumba. Njëri më goditi në qafë, duke mos prekur për disa milimetra arterien kryesore. Tjetri në shpatull.

Nuk e pashë kurrë se kush qëlloi. Nuk do ta kisha menduar kurrë se do të qëlloheshim me plumba në mes të sheshit kryesor të vendit, në vitin 2012, vetëm e vetëm se guxuam të kërkojmë që të drejtat tona të mos grabiteshin bashkë me gjithcka tjetër. E megjithatë ajo ndodhi.

Unë isha me fat që nuk isha një nga këta katër njerëz, prindër, qytetarë, të cilët u vranë sepse kërkonin një jetë më të mirë. Ndryshimi mes jetës e vdekjes për mua ishin vetëm disa milimetra.

Sot jam këtu për herë të parë pas ditës kur u godita nga dy plumba. Në ditët pas 21 Janarit kam menduar shpesh se cfarë mund të kishte ndodhur ndryshe, cfarë duhet të kishte qenë ndryshe. Sot para ju të gjithëve e shoh mirë se cfarë ËSHTË NDRYSHE! Ne kemi refuzuar të fshihemi përpara frikës, e kemi mundur atë, e nuk mund të ndalemi derisa drejtësia të vendoset për katër dëshmorët e 21 Janarit, e për të gjitha ato arsye që i shtynë ata dhe mua të ishim bashkë këtu, atë ditë. Drejtësinë mund ta vendosë vetëm një shtet i të drejtës, jo shteti i vrasësve!

Fjala në demonstratë e Ina Yzellarit, vajza 20 vjeçare

20 vjet më parë kur në Shqipëri ra komunizmi unë nuk isha lindur akoma. Nuk e njoha komunizmin, nuk i mbaj mend protestat e studentëve e mezi më kujtohet edhe 1997 sepse isha thjesht fëmijë kur ndodhën të gjitha këto. 20 vjet më parë kur në Shqipëri ra komunizmi dhe erdhi në pushtet Sali Berisha unë nuk kisha lindur akoma, kurse prindërit e mi ishin vetëm pak më të vjetër se ç’jam unë sot.

Historitë e demonstratave për demokraci, historitë me përleshje me policinë për mua ishin gjëra që i lexoja në libra, i shihja në dokumentarë ose mi tregonin prindërit. Nuk e kisha menduar kurrë që edhe mua do më duhej një ditë të ngrihesha e të protestoja në emër të po asaj kauze që nxorri në rrugë shqiptarët 20 vjet më parë. Dhe nuk e kisha menduar kurrë se unë dhe bashkëmoshatarët do të rriheshim, do të sulmoheshim me gaz lotsjellës e do të masakroheshim nëpër rajone policie siç ndodhi në 21 janar. Çfarë demokracie është kjo? Këto gjëra ndodhin vetëm në Egjip, Tunizi e Iran, po më thoni një vend të Europës ku policia mund të rrahë e torturojë njerëzit në këtë mënyrë.

Na thonë se sot jetojmë në demokraci, po çfarë demokracie është kjo ku na nxjerrin me detyrim në mitingjet e Sali Berishës? Na thonë se jetojmë në demokraci po çfarë demokracie është kjo ku policia rreh dhe vret demonstruesit njësoj si 20 vjet më parë?

Na thonë pastaj se do integrohemi në Europë, se po jetojmë mirë, se kujdesen për ne. Por kanë kaluar 20 vjet dhe unë ende nuk i kam mundësitë e shanset që kanë të rinjtë në Europë. Nuk kam madje as të njëjtat mundësi e shanse me bashkëmoshatarët e mi ne vendet fqinje. Kanë kaluar 20 vjet e shkolla ku unë shkoj ende nuk mund të krahasohet me shkollën më të humbur në Europë.

Kanë kaluar 20 vjet po as unë, e as pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve të mi nuk i kemi mundësitë që ka dhe i riu më i fundit, nga familja më e varfër në Europë. Por kjo që është e vërtetë për mua dhe për pjesën më të madhe të shqiptarëve nuk ka fare lidhje me realitetin që jetojnë këta njerëz që sot na quajnë banditë, drogaxhinj e kokëpalarë. Fëmijët e tyre nuk kanë problemet që kam unë.

Fëmijët e tyre nuk duhet të vrasin mendjen se ç’punë do të bëjnë nesër në këtë vend ku për një të re si unë është e pamundur të gjesh një vend pune. Për këtë mendon babi ministër ose mami deputete. E çfarë ndryshimi ka kjo nga komunizmi?

Fëmijët e tyre nuk duhet të shqetësohen se mos babai apo nëna e tyre ngelet pa punë, nuk duhet të shqetësohen se në ç’shkollë do të shkojnë. Për këtë mendon babi ose mami në pushtet.

E çfarë ka ndryshuar atëherë? Që e quajmë veten demokraci? Që flasim për Europën por në shtëpitë tona s’kemi punë, shkollë dhe mezi shtyjmë muajin? 20 vjet më parë ishin prindërit e mi që u ngritën kundër regjimit komunist. Sot prindërit e mi po i afrohen dalngadalë pensionit. Shqipëria që ata donin nuk ekziston. Në vend të saj ka korrupsion, vjedhje, vrasje. Në vend të saj kemi Sali Berishën. Ka ca të barabartë e ca më të barabartë se të tjerët. Prandaj jam dhe unë sot këtu. Sepse nuk dua që pas 20 vjetësh, vajza apo djali im të dali në një protestë si kjo dhe të mbajë këtë fjalimin tim. Prandaj jemi të gjithë këtu, sepse nëse ne nuk ngremë zërin dhe nuk protestojmë në këtë vend nuk ka për të ndryshuar kurrë asgjë.

Fjala në demonstratë e Miranda Gjashtës

Jam kaq vjece e në jetën time kam parë shumë gjëra. Po nuk ma merrte mendja asnjëherë se do të shikoja atë që më panë sytë në 21 Janar. A s’më thoni, hymë në NATO e liberalizuam vizat që në mes të ditës, në mes të Tiranës, në mes të Europës ca bij nënash të qëllonin me plumba të tjerë bij nënësh vetëm e vetëm se këta kërkonin të drejtat e tyre?

Si ka mundësi ti hiqet jeta dikujt vetëm sepse ai kërkon atë cka është e tij? Si mund të goditen me plumba, shkopinj gome e bomba tymi disa bijtë tanë vetëm se nuk duan të heshtin sic bënë po këta burra, që fshiheshin edhe atë pas atyre dritareve, për vite e vite me rradhë, duke iu lëpirë kujtdo që kishte pushtet. Sot këta bëjnë të njëjtën gjë me të huajt, po si ata edhe këta harrojnë të shikojnë nga njerëzit.

Sot ne jemi më të varfër, me cmimet që rriten përditë e për të cilët nuk përgjigjet askush. Sot nuk shërohemi dot nga sëmundjet që kemi, se cdo ilac kushton më shumë se c’marrim për një jetë të tërë plot sakrifica. Sot nuk ngremë dot zërin të ankohemi dot askund përvecse te Zoti, se të gjithë të tjerët duan një grusht para për të bërë atë punë që kanë. Po na vjedhin në mesin e ditës, qeveria e kush të mundë, se nuk ka shtet që të na mbrojë e të punojë për ne.

I pamë arsyet pse nuk punojnë. Për të ndarë ato që janë të të gjithëve, që ti gëzojnë vetëm nja dy a tre nga këta. I pamë që numërojnë paratë pa teklif, bakshishet që u jepen që të na vjedhin. I pamë e dëgjuam sesi nuk pyesin për ne.

Po pse të qëllojnë bijtë tanë se nuk duan ulin kokën? Pse të qëllojnë me plumba e shkopinj gome cilindo që nuk e pranon vjedhjen e tyre? Na i kanë marrë të gjitha, e po ndajnë edhe c’ka mbetur. Po me bijtë tanë c’patën?

Cdo herë shikoj ato pamjet, më sëmbon në zemër, për ata bij e për ato nëna. E nuk mund të rri në vend edhe unë që nuk vras dot një mizë, nuk mund të hesht. U duhet thënë të ikin, nga sytë këmbët, me Sali e me qeveri. Se sot jo që nuk i shërbejnë më askujt, po po vrasin për të na mbyllur gojën. E ne si nëna nuk heshtim dot kur i shohim tek qëllojnë mbi bijtë tanë. Ikni o të mjerë, se për ju në cdo zemër nëne ka vec mallkime, e nuk ka më keq se kur tju kapi mallkimi i nënave!

Fjala në demonstratë e Ilir Muho, ish-votuesi i PD

Unë jam një nga ata që në vitin 2005 besova premtimin e Saliut se do të luftonte korrupsionin. Prandaj votova Partinë Demokratike me shpresën se do të kishim një qeveri të duarve të pastra. Por nuk kaloi shumë kohë që, ashtu si të gjithë shqiptarët edhe unë të kuptoja se kjo nuk mund të ishte një qeveri që lufton korrupsion, por një regjim që vjedh qytetarët e vet.

Pamja e shëmtuar e zëvendëskryeministrit, që me bllok në dorë bënte pazar me pushtetin sikur të ishte në mall të babait të vet ishte dëshmia e fundit, por më e qarta, e mënyrës se si po grabitet pasuria e këtij vendi, se si po grabitemi ne të gjithë. Tashmë të gjithë janë të bindur se për sa kohë të jetë kryeministër Saliu, korrupsioni në këtë vend vetëm do të shtohet, sepse në krye të të gjitha aferave korruptive janë fëmijët e tij dhe sekserët e tyre. Prandaj në 21 janar vendosa të dal në protestë. Jo sepse jam opozitar, as sepse kam ndonjë interes se kush do ta marrë pushtetin, por sepse nuk mund të hesht më, ndërsa gjithë ministrat me familjet e tyre vazhdojnë të marrin e të japin tendera dhe koncesione sikur të ishin bakshishet që lënë nëpër kafene. Dola për të shprehur protestën time paqësore ndaj kësaj qeverie që po na zhyt gjithnjë e më shumë në varfëri.

Por qytetarisë sime qeveria ju përgjigj me gaz lotsjellës dhe plumba, sikur të kishte përballë terroristë dhe jo qytetarë të pafajshëm. Unë jam sot sërish këtu me ju dhe do të vazhdoj të jem, për sa kohë të kem frymë gjallë. Për të protestuar deri në fund kundër këtij regjimi, që tani nuk është më vetëm një regjim hajdutësh por edhe vrasësish. Do të protestoj deri në fund jo vetëm kundër korrupsionit e kusarisë, por edhe për gjakun e atyre katër shqiptarëve të pafajshëm që lau këtë bulevard në 21 janar.

Fjala në demonstratë e Arben Kaçorrit, mësues në Tepelenë

Regjimit të kusarisë i ka ardhur fundi. Sali Berisha si kryeministri i fundit komunist në gjithë Evropën e ka ndier më mirë se kushdo tjetër se dielli i tij ka perënduar. Prandaj ai po përdor armët kundër qytetarëve të pafajshëm të këtij vendi, me shpresën se do t’i trembë ata dhe do të mund të zgjasë jetën e qeverisë së tij të kalbur nga korrupsioni. Por zgjatja e jetës së kësaj qeverie kriminale do të thotë zgjatje e lëngimit të këtij vendi që sot është zhytur në një varfëri të thellë.

Gjithë jetën time kam punuar si mësues. Qeveria më hodhi në rrugë sepse kisha bindje të majta dhe nuk mund të bëhesha shërbëtor i saj duke mbyllur sytë përpara padrejtësive e duke i përdorur fëmijët për mitingjet e Saliut. Por nuk jam penduar për zgjedhjen që kam bërë. Megjithëse i papunë ndërgjegjen e kam të qetë dhe sot mund ta ngre me forcë zërin tim kundër kësaj qeverie që nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët e ndershëm.

Unë jam i bindur se të gjithë bashkë do të bëjmë të mundur që kjo qeveri horrash dhe ky kryeministër vrasës të largohen një orë e më parë, për t’i hapur udhë lirisë dhe demokracisë së vërtetë në Shqipëri, për t’i hapur rrugën zhvillimit ekonomik të këtij vendi, që zoti e ka bekuar me shumë pasuri, e që qeveritarët me familjet e tyre po duan t’i grabisin të gjitha.

Prandaj dua t’u bëj thirrje të gjithëve që të mos tërhiqemi nga rruga jonë e protestës. Të mos largohemi nga ky shesh deri sa njeriu që ka pushtuar godinën e kryeministrisë të largohet. Është detyra jonë qytetare t’i tregojmë regjimit të kusarisë se nuk mund ta tërheqë zvarrë të ardhmen e këtij vendi, të ardhmen e fëmijëve tanë.

Fjala në demonstratë e Fiqiri Xibrit

Motra dhe vëllezër,

Unë që po ju flas u shpalla dikur Pishtar i Demokracisë nga Sali Berisha bashkë me shumë e shumë miq të tjerë që gjenden sot këtu.

Kur u rrëzua diktatura komuniste ne minatorët ishim në pararojë të demonstratave e protestave. U rrahëm e u keqtrajtuam që në Shqipëri të vendosej demokracia. Por sot më duhet t’ju kërkoj falja për një gjë: sepse ne ndihmuam që në pushtet të vinte Sali Berisha.

Kur u ngritëm në protesta në 1991 e dinim se kishim përballë një diktaturë të egër. E dinim që kishim përballë një regjim që donte të na shtypte, të na rrihte, dhunonte që të mbyllnim gojën e të mos kërkonim të drejtat tona.

Por motra dhe vëllezër ai regjim vazhdon të ekzistojë dhe në majë të tij qëndron sot jo Enveri, por Saliu dhe oborri i tij i kusarëve e matrapazëve.

Sot ne vazhdojmë të sundohemi nga një regjim i egër e autoritar, që s’ka asgjë të përbashkët as me Europën e as me NATOn. Më thoni ju, në cilin vend të Europës keni dëgjuar që të vriten demonstrues të pafajshëm sepse guxojnë të ngrenë zërin kundër matrapazllëqeve dhe kusarive të qeverisë së tyre? Vetëm në Shqipërinë e sunduar nga Sali Berisha.

Në cilin vend të Europës vriten e dhunohen qytetarët që protestojnë kundër një qeverie që vjedh me bllok në dorë? Vetëm në Shqipërinë e Sali Berishës. Askund tjetër.

Në 21 janar në këtë bulevard isha dhe unë mes të rrahurve e të dhunuarve të policisë së Sali Berishës. Saliut nuk i mjaftoi që vrau katër shqiptarë të pafajshëm, që sot i nderon një popull i tërë si dëshmorë të demokracisë. Si diktator që është nuk iu ndejt pa e urdhëruar atë dordolecin që ka vënë drejtor policie që të rrihte, arrestonte e dhunonte qytetarë të pafajshëm.

Më rrahën dhe mua. I kam akoma plagët që mora atë ditë. Por a e dini pse më rrahën? Sepse po përpiqesha të ndaloja policët e Saliut që të mos rrihnin një grua të moshuar. Një grua si ju që jeni sot këtu. Si nënat e shumë prej jush këtu. Për këtë krim më goditën, për këtë krim më çuan në komisariat, për këtë krim më goditën në furgon, në rajon e madje edhe në spital ku trimat e Saliut nuk patën njerëzillëkun të më hiqnin as prangat kur dergjesha në spital pa ndjenja.

Dhe a e dini se ç’armë kisha në dorë atë ditë? Një çadër. Jo nga ato çadrat pistoletë që ka frikë Saliu, e as ndonjë thikë me helm, po thjesht një çadër. E pra një regjim që ka frikë nga çadrat e popullit, është një regjim që i ka hyrë lepuri në bark.

Motra dhe vëllezër, unë jam minator. Ne minatorët jemi njerëz të fortë, jemi mësuar me vështirësi dhe fatkeqësisht jemi mësuar dhe me dhunë gjatë këtyre 20 vjetëve. Jemi mashtruar shpesh nga Saliu, më duhet ta pranoj. Na ka premtuar shumë e pasi na ka marrë votat na ka harruar e madje na ka sulmuar si të ishim kriminelë. Por si minatorët ka sot shumë të tjerë. Ka bujq e punëtorë, arsimtarë, mjek e ushtarakë që ndjehen të mashtruar e të nëpërkëmbur nga ky regjim kusarësh e matrapazësh që sundon pa votat tona. Por  çdo gjë e ka një kufi dhe edhe Sali Berisha sot e ka mbushur kupën.

Prandaj si kreu i Sindikatës së Minatorëve unë ju bën sot një premtim: do të jemi këtu në bulevard, në çdo shesh e rrugë, në çdo qytet e fshat të Shqipërisë duke protestuar deri sa ta largojmë këtë diktator që guxon të vrasë shqiptarë të pafajshëm sepse protestojnë. Sali Berisha nuk na tremb dot as mua, e aq më pak ju. Prandaj bën mirë të na dëgjojë e ta kuptojë se i ka ardhur fundi. Largohu Sali Berisha se populli nuk të do më. Largohu se nuk mbahet pushteti duke rrahur e duke vrarë. S’e kanë mbajtur dot burra më të fortë se ty, e jo më ti qe ke frikë dhe nga çadrat.

2 komente në “Miku i Hekuran Dedës: “Unë ia kam borxh Hekuranit që ta çoj drejtësinë në vend””

  1. rrapi says:

    sala nuk shqitet nga pushteti o e ben shqiprin si gjithe evropa o ska..

  2. raimondi says:

    Mos i hidhni guret e cmuar ne kembet e derrave —thuhet diku ne Bible
    Edhe keto fjalime kaq prekese nuk kane vlere kur mendon se do prekesh zemren e nje kafshe pa zemer ,si Sala
    –Te gjithe kane folur shume bukur plot ndjenje dhe pasion, por Fjalimi i asaj vazjzes se re 20 vjecare Ina, eshte i jashtezakonshem
    Ajo i ka bere nje radiografi te perkryer 20 vjeteve te kesaj Demo-krature ne Shqiperi
    Tamam vajze Inteligjente ———–Ja si ajo Ina te jene te rinjte qe merren me politike –Te dijne te bejne nje Analize te ketij fenomeni Politik qe po kalon Shqiperia , sic e beri Ina ,me shembuj konkrete
    Megjithate kjo Proteste nuk e prek zemren e nje karieristi te perbinshem si SALA

    Sala e quan opoziten armike or vella, ndaj me te eshte e kote te protestosh ne menyre paqesore –Ai edukaten dhe mjetet paqesore ti merr per dobesi ,Sepse Sala ka nje histori 20 vjecare qe eshte ne lufte agresive kunder kunderhstareve te tij politike ,lufte e cila e coi Shqiperine ne lufte civile , dhe e gjithe ajo lufte u be se SALA nuk e linte dot karrigen
    Saliu nuk eshte dmeokrat — Ai eshte nje Karierist i felliqur qe per karigen e tij ai po shet gjysmen e Shqiperise —Ai eshte gati te shesi dhe guran e tij ,vetme karigen mos ta leshoje
    Ndaj opozita e ka gabim me keto protesta paqesore
    Dhe nga ana tjeter Opozita ben shume gabim qe nuk remben edhe flamurin e patriotizmit dhe ne ket menyre Sales i largohen shume elektorat dhe nen siglen e patriotizmit Salen e shkateron fare , dhe njerezit nen kete fyrme energjizohenh edhe me shume –Pastaj kur te vije ne pushtet Edi e zbut frymen e patriotizmit
    Por tani ne opozite ai duhet ta perdori patjeter patriotizmin,ndryshe ai nuk di te punoje ne opozite
    Do ishte mire te krijonte nje shtab drejtimi te protestave qe te udhehiqej nga Ngjela
    Se SALA kundrejt Ngjeles nuk flet dot dhe aq shume, dhe Ngjela eshte shume karizmatik ne te folur sepse flet me force dhe ulerin per patrotizmin dhe padrejtesite njekohesisht –Kjo ben qe njerezit te galvanizohen reth opozites

    –Ore se tani e mora vesh une –Po ata qelbesirat e Sales e paskan goditur kete cunin me dy plumba ne Gryke
    –Kjo ehste skandal or vella –Ata kane dashur ta vrasin……………..Ndersa opozita ben protesta paqesore me Kriminelet …!!!!?????
    Jeni ne vete
    Sala do i vjedhi prape votat ne zgjedhjet lokale–Ai do mundohet te vjedhi votat ne Tirane , AI do beje te pamunduren qe ti vjedhi votat e Tiranes
    Ndaj me mire te mos futeni fare ne zgjedhje pa u zgjidhur problemi i vjedhjes se votave te kaluara

    Fjalimi iEdit ishte i Perkryer ,por Sala nuk don tja dije — Ai eshte Barbar ….

Comments are closed.

Lini një Përgjigje