Vrasjet e 21 janarit, krim dhe ndëshkim

18 Shkurt 2011, 12:01Politika TEMA

Një vështrim mbi të gjitha mundësitë praktike që ka hetimi i vrasjeve tragjike të katër demonstruesve të opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. MAPO konsultoi një grup juristësh dhe gjithë legjislacionin që ka në dispozicion prokuroria, për të gjetur të vërtetën mbi krimin që ndodhi përpara kamerave. Një “lojë e përgjakshme shahu” që nuk mund të ketë përfundim tjetër, është një krim që do të ndëshkohet, është një krim që nuk mund të amnistohet… as politikisht.

Nga Lorenc Vangjeli

Mjeti që përdori Hamleti, Princi i Danimarkës, për të zbuluar vrasësin e atit të tij, është përdorur shpesh si krahasim në politikën e ditës në Tiranë. Princi mesjetar, me shfaqjen teatrore që mbajti në Oborrin e tij – grackës që u shkreh mbi mbretin-burrë të së ëmës – i ka dhënë politikës moderne shqiptare, mundësinë që të përmendet shpesh. Edhe në këto ditë të nxehta të këtij dimri dramatik në Shqipëri. Kësaj radhe, jo me shfaqje teatrore, por me një lexim të ftohtë të ligjeve në fuqi, të cilat shpjegojnë dhe identifikojnë çfarë ka ndodhur edhe në 21 janar, çfarë ndodhi sidomos dhe para së gjithash, me vrasjen e katër qytetarëve shqiptarë, me rolin e policisë së shtetit, gardës së republikës dhe institucioneve të tjera, për gjithçka bënë apo nuk bënë. Dhe gjithashtu, për çfarë ato bënë keq në ato orë të tensionuara dhe të përgjakura në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Çfarë ndodhi në 21 janar?

Në rrafshin politik, dy partitë kryesore ndajnë opinion krejt të kundërt. Partia Demokratike pretendon se në 21 janar ka ndodhur një puç shteti, një ide nga e cila ka hequr dorë këtë javë sidomos për shkak të presionit ndërkombëtar. Për këtë arsye, ka ngritur dhe një komision hetimor parlamentar që pretendon se do të hetojë sesi kanë funksionuar institucionet e shtetit atë ditë. Mbi të gjitha, duke përfshirë si pjestarë në puç edhe Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme dhe drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, e natyrisht, kreun e opozitës Edi Rama.

Në të kundërt, Partia Socialiste, pretendon se shteti, nëpërmjet segmenteve të gardës së republikës dhe policisë së shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit. Ka akuzuar si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e brendshëm. E gjithë qeveria është gjithashtu nën akuzë për korrupsion të jashtëzakonshëm në nivelet më të larta dhe kërkohet largimi i saj.

Në mes të këtij zjarri të kryqëzuar ndodhet Prokuroria e Përgjithshme, organi i akuzës që po heton mbi këtë ngjarje. “Mjetet e saj të punës” në këtë rast janë Kushtetuta e Republikës, ligji për Prokurorinë, Kodi Penal, Ligji për Policinë e Shtetit, Ligji për Tubimet, Ligji për gardën e Republikës e të tjerë.

Mjetet e hetimit nga prokuroria

I vetmi fakt i pamohueshëm që pranohet nga të gjithë – në Shqipërinë politike edhe një frazë e tillë duhet të nënvizohet – është se në 21 janar janë vrarë 3 qytetarë, një i katërt ka humbur jetën ditë më pas për shkak të plagëve dhe të paktën dhjetë qytetarë të tjerë janë plagosur me armë zjarri, jetën e cilëve e “ka shpëtuar Perëndia”. Kjo është dhe pika kryesore e hetimit të nisur nga prokuroria, gjithë të tjerat, gati-gati shndërrohen në detaje që nuk kanë fuqi të fshehin ndonjë “djall apo puç” brenda tyre.

Hetimi nis nga një frazë e Kushtetutës së Repubklikës së Shqipërisë. Ajo përcakton në nenin 21 të saj se: “Jeta e personit mbrohet me ligj”. Që këtej rrjedh gjithë arsyetimi tjetër detyrues edhe për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, në nenin 79 të tij, gërma dh, përcakton se “Vrasja me dashje e kryer… kundër dy ose më shumë personave dhe gërma ë, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm”. Një numër në progresion e sipër gardistësh janë arrestuar nën këtë akuzë, vrasjen e qytetarëve, sepse ky është një fakt i njohur publikisht dhe i pakundërshtueshëm.

Problemi i parë i Prokurorisë është të analizojë se në çfarë kapitulli të Kodit Penal për krimet kundër jetës, ta klasifikojë vrasjen e katër qytetarëve shqiptarë. Nëse kanë marrë urdhër për të qëlluar apo jo, gardistët e arrestuar, ky është sërish një detaj. Duke njohur “traditën” më të keqe të ndërhyrjes së politikës në punën e drejtësisë, mund të parathuhet se fillimisht gardistët – siç edhe ka ndodhur gjatë caktimit të masave të tyre të sigurisë në gjykatë – të pretendojnë se nuk kanë pasur urdhër për të qëlluar dhe se të shtënat nuk kanë qenë direkte me qëllim për të vrarë qytetarët. Por hetimi është një makinë që ecën ngadalë. Ditët në qeli, kalimi i shokut të parë psikologjik, vetëndërgjegjësimi i çdo individi se vrasja është një krim që nuk amnistohet dhe se rrezikohet burgu për jetë, mund të sjellin ndryshimin e kësaj mënyre mbrojtjeje. Por edhe ky është detaj.

Ligji për gardën e republikës i majit 2003, përcakton se “Punonjësit e Gardës i nënshtrohen juridiksionit penal të zakonshëm”, se “Punonjësi i Gardës së Republikës, në shërbim ose për shkak të shërbimit, është i paprekshëm. Fyerjet, kundërshtimet dhe çdo veprim i dhunshëm ndaj tij dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal”; përcakton se “Punonjësi i Gardës, gjatë kryerjes së detyrës, përdor edhe forcën fizike ose mjete teknike të posaçme për të neutralizuar ose për të shmangur persona të veçantë ose grup personash, që nuk u binden kërkesave të tij e që përbëjnë rrezik ose pengojnë kryerjen e shërbimit për ruajtjen e personaliteteve a të objekteve që parashikohen në këtë ligj”. Mbi të gjitha, neni 25 përcakton se “Punonjësi i Gardës përdor armën në rastet e përcaktuara në ligjin nr.8290, datë 24.2.1998 “Për përdorimin e armëve të zjarrit”, si dhe në rastet kur sulmohen: personalitetet e larta shtetërore të vendit dhe të huaja; rojet dhe objektet në ruajtje”.

Një analizë e këtyre neneve dhe mbi bazën e asaj që është e njohur botërisht se ngjau në 21 janar, japin disa përfundime. Gjatë demonstrimit gardistët janë fyer dhe kundërshtuar dhe se autorët e tyre duhet të përgjigjen sipas dispozitës së Kodit Penal, ndëshkim që nis me gjobë. Eshtë vërtetuar se kanë përdorur forcën e mjeteve të posaçme – armët e zjarrit – për të kryer shërbimin e tyre. Por dhe këto janë detaje. Në hierarkinë e veprave penale, këto vijnë më pas, në krye të tyre qëndron momenti i përdorimit të armëve të zjarrit. Si janë përdorur dhe pse janë përdorur?

Ligji për përdorimin e armëve të zjarrit

Eshtë një ligj që përcakton se “Arma e zjarrit përdoret si mjet ekstrem për të frenuar ose paralizuar veprimet e kundërligjshme të personit ose personave të përcaktuar në këtë ligj, kur mjetet e tjera nuk kanë dhënë rezultat ose kur duket qartë se përdorimi i tyre nuk do të ketë sukses”. Neni 2 i këtij ligji thotë se:  “Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, policitë e tjera të armatosura të krijuara me ligj… kanë të drejtë të përdorin armët e zjarrit për të mbrojtur jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tyre ose të një tjetri nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit, me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit (në kushtet e mbrojtjes së nevojshme), si dhe kur u kërkohet për të përballuar një rrezik real dhe të çastit, që kërcënon atë ose një person tjetër apo pasurinë e tyre nga një dëmtim i rëndë, me kusht që të mos jetë i provokuar prej tij dhe dëmi i shkaktuar të mos jetë më i madh se dëmi i zmbrapsur (në kushtet e nevojës ekstreme)”.

Pyetjet që duhet të marrin përgjigje në këtë rast janë të thjeshta. Këtë kërkon të bëjë edhe hetimi i prokurorisë. Sipas nenin 2 të ligjit, garda ka pasur të drejtë të përdorë armë zjarri në 21 janar, por duhet të zbulohet nëse një gjë e tillë është bërë sipas kërkesave rigorozë dhe kushteve që vendos i njëjti nen. Pra, dëmi i shkaktuar, ka qenë më i madh se dëmi i sprapsur? Thënë më thjeshtë, demonstruesit e goditur për vdekje, afronin “një rrezik real dhe të çastit” për gardistët? A ka qenë hapja e zjarrit në “proporcion me rrezikshmërinë e sulmit”?

Pamjet filmike që tronditën vendin tregojnë të paktën dy demonstrues që as nuk po qëllonin me gurë e mjete të tjera – armë zjarri jo e jo – dhe mbi të gjitha, ishin larg nga rrethimi i godinës së kryeministrisë. E njëjta situatë ka qenë dhe për dy viktimat e tjera. Dhe gjithashtu, jo e fundit nga rëndësia, ligji shtrëngon: “Armët e zjarrit nuk lejohen të përdoren: “…në vende publike, ku ka mbledhje e grumbullime njerëzish dhe vihet në rrezik jeta e të tjerëve”. Në fakt, të shtënat kanë ndodhur në një vend tërësisht publik, ku ka pasur grumbullime njerëzish dhe është vënë në rrezik jeta e të tjerëve”.

Eshtë detaj, por kësaj here jo pak i rëndësishëm, fakti që ligjvënësi, në të njëjtin ligj, ka përcaktuar se: “Me ndërprerjen, pushimin, përfundimin e sulmit ose dorëzimin e sulmuesit, duhet të ndërpritet edhe përdorimi i armëve të zjarrit”. Në orën kur kanë ndodhur katër goditjet fatale, demonstrimi i opozitës ishte në përfundim e sipër. Këtë të vërtetë e vërtetojnë të gjitha kamerat që transmetonin direkt nga Bulevardi.

Dhe për më shumë: “Para përdorimit të armëve të zjarrit, personat, ndaj të cilëve ato do të përdoren, duhet të paralajmërohen me zë të lartë e të qartë. Kur personi nuk i bindet urdhrit, por përpiqet të largohet ose të reagojë qëllohet pa paralajmërim duke synuar në pjesët e poshtme të trupit. Kur rrethanat nuk lejojnë në asnjë mënyrë zbatimin e rregullave të mësipërme, armët e zjarrit përdoren pa paralajmërim”. Një plumb në kokën e një demonstruesi dhe një tjetër plumb fatal në gjoksin e demonstruesit tjetër të vrarë, janë një shenjë shumë e keqe për ata që ndodheshin matanë gardhit të kryeministrisë.

Ishte i ligjshëm demonstrimi i opozitës

Kushtetuta thotë “Po”! Neni 47 i saj përcakton se “Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar dhe se “Tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj”. Dhe kjo nuk ndryshon. Opozita, sipas ligjit për tubimet është e detyruar të njoftojë policinë e shtetit dhe kaq. Ky ligj përcakton se “Në rast tubimi në sheshe ose vendkalime publike, organizatori dhe drejtuesi janë të detyruar të njoftojnë me shkrim shefin e komisariatit të policisë jo më vonë se tri ditë para datës së zhvillimit të tubimit”. Dokumentat shkresore vërtetojnë se opozita e ka kryer këtë akt. Po kështu, me gjithë akuzat se demonstruesit ishin të armatosur, asnjë armë nuk është demonstruar se ndodhej në duart e tyre. Historitë me makina me eksploziv, kamionë me kallashnikovë janë thjesht fjalë ere. Që për më shumë, vënë nën akuzë vetë policinë e shtetit që nuk ishte në gjendje t’i kapte ato, mbasi i kishte identifikuar se ekzistonin. Historitë e tjera me çadra automatik dhe thika me helm, mbajnë një erë tjetër që mezi e merr era.

Gjithë deklarimet e tjera, nuk kanë pothuaj asnjë vlerë. Aq më tepër, deklarime politike të llojit: “Opozita i çoi që të vriten demonstruesit në Bulevard”, një shprehje, që logjikisht do të duhej të pasohej direkt me shprehjen e tmerrshme: “…dhe pastaj “Ne” i vramë…”.

Lufta mediatike

Në jurisprudencë, kur ndodh një krim, pyetja e parë që bëhet është: kush është i interesuar që ky krim të ndodhë? Varësisht nga përgjigja që merr kjo pyetje, ngushtohet rrethi i personave apo institucioneve të dyshuar. Në Shqipëri, sipas traditës, po kryhet dhe një krim tjetër që mund të quhet dhe pengimi për zbardhjen e të vërtetës. Një gjë e tillë realizohet në shumë mënyra, duke nisur që me fshehjen e provave të krimit apo me manipulimin e tyre. Nuk është thjesht dhe vetëm për aktin e rëndë që një urdhër ndalimi i firmosur nga prokuroria u trajtua si leckë dhe nuk u zbatua nga policia e shtetit. Bëhet fjalë për cënimin e vetë hetimit… duke i hequr atij besueshmërinë. Nëse në fillim u ftua dhe u kërkua asistencë amerikanë në hetim – pikërisht për të garantuar besueshmëri të procesit – në ditët në vijim procesi po sulmohet në të gjitha mënyrat e mundshme. Një nga to, është akuza që i bëhet prokurorisë për nxjerrje të sekretit hetimor.

Madje, Aldo Bumçi, ish-ministër i drejtësisë paralajmëroi të premten se do të padiste kryeprokuroren Ina Rama për një shkak të tillë. Eshtë e vërtetë që sekrete hetimore kanë parë dritën e publikimit. Por po aq e vërtetë është që organi më i interesuar që ta ruajë këtë sekret – ndodhet në morsën e interesave të dy partive politike – është vetë prokuroria. Në këtë rast, media që ka botuar informacione për vijueshmërinë e hetimit, mund të garantojë ruajtjen e anonimitetit të burimit të informacionit. Madje, nuk e thotë këtë edhe në rastin e një vendimi hipotetik gjyqi që do të pasonte një hetim të llojit: kush ka treguar? Logjika e kërkon tjetër kund, në fakt, këtë burim informacioni. Që nuk del nga dyert e prokurorisë, por që mund të jetë, një informacion i lëshuar në mënyrë të kontrolluar, si ujitje me pika në bujqësi. Ndoshta diku tjetër në zinxhirin e hetimit. Në një rast, për shembull, u përdor në media fjala “rikoshetë” për një nga plumbat që vranë dhe menjëherë këtë fjalë, e futi në fjalor vetë kryeministri. Kjo lloj “ujitje” e medias me informacione, është ujë i helmët për vetë hetimin. Deri në atë masë, sa megjithatë, nuk ka mundësi t´i heqë atij, linjën kryesore: hetimin e vrasjeve.

Një hetim politik

Në të gjitha rrethanat, ngjan se kuadri kryesor i përfundimeve të nesërme është i kryer. Leximi i ligjeve të sipërcituar propozon një të vërtetë të dhimbshme: ata katër qytetarë dhe dhjetë të tjerë të plagosur janë qëlluar kriminalisht. Për një shkak të tillë, Partia Socialiste mori atë që nuk e ka dashur kurrë. Tani edhe ajo ka 2 prillin e saj. Ka 2 prillin e vitit të largët 1991, kur mëma e të gjitha partive të sotme politike në vend, Partia e Punës fitoi bindshëm në zgjedhjet e 31 marsit, por nuk mundi ta administrojë atë pushtet më shumë se një vit.

Në largësinë e plot 20 vjetëve pluralizëm, me një 14 shtator 1998 në mes, politika shqiptare ende ka treguar se nuk di të shkojë më tej se politika e bërë me gjak dhe mbi llogari gjaku. Ajo është dëshmuar gati gjithmonë tragjike, si tragjedia e famshme e Shekspirit. Me një ndryshim: teatri i përgjakshëm ku u vra “sovrani” – katër votues që protestonin – u luajt përpara kamerave të ndezura. Një grackë, siç thotë Hamleti, që është e aftë të zerë edhe një mbret në kurth.

4 komente në “Vrasjet e 21 janarit, krim dhe ndëshkim”

  1. Ilirian Bogonica says:

    Pergezime Zoti Lorenc Vangjeli, c’do fjale eshte e sakte ne kete analize kaq prefekte…

  2. bbb says:

    Zoti Lorenc. Analiza jote vlen shume, e cmoj, por per realitetin tone eshte thjesht konstatim qe mbetet i tille. Si nje njeri qe ka punuar ne ushtri po te them se GARDA nuk ka detyre qe qelloje jashte territorit qe mbron, qellon ne paralajmrim nga mesi e poshte kur ka shkelje terrori. Ky eshte krim ushtarak para se te jete krimi kodit civil. Gardesitet qe qelluan i pret gjygji ushtarak. Pra duhet ndeshkim shume i rrepte. Por…Qe te kete ndeshkim duhet te kemi sistem te pavarur dhe te denje gjygjesor. Gjykatat tona jane ne meshire te fatit, jane organe super te korruptuara, te diktuara nga politika dhe mafije e pushtetit, organe qe nuk japin drejtsi por japin padrejtesi. Shikoni ceshtijen GERDECI dhe besoj te jeni dakord. Nje vend qe nuk ka drejtesi gjykatash, nuk ka mundesi te beje shtet.

  3. Petrit Kola says:

    Ajo dore qe tunde dybekun
    Di ta mbushe edhe dyfekun
    Ne se diten cane ugare
    Edhe naten thure litare
    Thure litare e kalit grushtin
    Edhe e vare nga kembet pushtin

    Ali Asllani

    7 Prille 1939

  4. beso says:

    Shume e sakte.Jam i bindur qe gardistet,kur ta shikojne se behet fjale per burgim te perjetshem,dhe ligji s’te fal,do nxjerrin ne shesh dhe urdher dhenesit.Saliu po ben te relaksuarin,por duket sheshit qe i ka hyre lepuri ne bark.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje