Për herë të parë TV Klan ka hequr lajmet nga bota si prioritet kur ka trazira në Shqipëri. Kujdes i madh po tregohet sidomos për lajmin se ish presidenti i Tunizisë Ben Ali ka rënë në gjendje kome nga zemra dhe po ashtu ish presidenti Mubarak do kurohet urgjent nga rëndimi i zemrës. Në redaksinë e lajmeve, e cila ka krijuar traditë për të hapur lajmet edhe me ngjarje nga bota kur nuk ka ndonjë koment kundër opozitës, nuk ishte e qartë nëse duheshin dhënë apo jo këto lajme. Redaktorja mori Sandrin në telefon për ta pyetur me takt.
– Mos i jep ato idiotësi, i tha Sandri. Mos mendo se kam hall se bëjnë paralele me Shqipërinë se s’ka asnjë kuptim. Ky burri ynë është vet doktor zemre, nuk çan kokë fare nga zemra. Po thjesht nuk më duket interesante.
Kaq duhej dhe lajmet u hoqën. Po Sandri nuk u qetësua. Donte doemos të kuptonte nëse pushimi i zemrës kishte ndonjë lidhje me ikjen nga pushteti. I vetmi që mund t’i jepte shpjegim për këtë, ishte po ai burri. I shkoi në zyrë ta pyeste me takt. E nisi bisedën me spotet e lëvizjes Zgjohu, për të cilat iu desh t’i thoshte se ishin shumë të mira, por nuk ishin realizuar mirë.
– Po pse, mirë mu dukën, i tha Doktori.
– Jo Doktor. Të kam thënë që ajo studio nuk merr vesh. Me 2 milionë dollarë që janë harxhuar, unë kisha bërë mrekulli. Nuk e kam për vete se mua më mirë më bie kështu se kam marr 100 mirë në një javë vetëm nga transmetimi, por ka rënë në sy tek njerëzit. Duket dora jonë, se e bëjmë me zemër.
– Sandër, mirë, ke të drejtë d.m.th, po mua mirë më duken. Dakord, duhet t’i bëje ti, ja merr pak më shumë në transmetim dhe aq. Tani dhe atyre djemve u kemi borxh se i kemi në çdo fushatë.
– Jo, s’e kam për ata Doktor, po kanë hapë llaf që Doktori nuk punon më me Sandrin se ka rënë në sy për keq. Janë djem të këqij…
– Sandër, s’ka problem, le të thonë ç’të duan. Unë ato dy milionë euro ua kam dhënë atyre nga qeveria, ka firmos bordi i OJQ, do t’i faturohen lëvizjes Zgjohu, u kam thënë atyre të tatimeve të bëjnë kujdes t’ua bëjnë letrat në rregull se s’dihet ua kontrollojnë nesër dhe i gjobisin. Vetëm kaq. Ata s’kanë pa lek me sy. Lekët ju i keni marrë.
– Jo, s’ka problem Doktor. Unë të thashë s’e kam për vete. Lere këtë muhabet. Desha të të pyes për diçka, se kjo sëmundje e zemrës është bërë si gripi. Ka pasë raste në Shqipëri kur ndonjë politikan pasi ikën nga pushteti vdes nga zemra…
– Ka pasë Sandër. Dëgjo, të tregoj unë një rast. Fiqerete Shehu, gruaja e Mehmetit. Ka vdekë nga zemra. Jo, nuk është e vërtetë që e kanë torturu, që e kanë masakru. Ka vdekë nga zemra. Po ta them ty, mos ja thuaj njeriut, kam qenë unë ekspert ligjor. E kam pa, kishte njolla të zeza në fytyrë, fryrje, i kishin rënë dhëmbët, kishte shenja të zeza në trup… gunga të fryra, tipike nga zemra. Dukej sikur e kish rrahur apo torturuar njeri, po në fakt ishte nga zemra. Jo, nga zemra ishte, e di mirë. E kam shkrue me dorën time. Ka vdekë nga zemra.
– Ashtu ë? D.m.th nuk është se e kanë helmuar këta të Sigurimit siç thonë…?
– Jo Sandër. Shiko, po ta them ty, s’ia kam thënë njeriut, ka vdekë nga zemra. Vetëm se iku nga pushteti. Shiko, ishte grua e kryeministrit më të fortë në Shqipëri. Fare papritur i humbet të gjitha. Nga zemra, s’ke nga s’e vdes në këto raste.
– Çudi e madhe, tha Sandri. Unë s’i besoja këto lajmet për Ben Alinë e Tunizisë, si e ka ai, po dhe ai nga zemra po vdes…
– Nga zemra Sandër. Shiko, ta them unë pse vdes nga zemra ai. Ai nuk kishte pushtet Sandër. Presidente ishte gruaja. Ajo ishte presidente reale. Iku nga pushteti, vdiq ai nga zemra. Këtu ishte Mehmeti, iku, vdiq gruaja. Atje ishte realisht gruaja, iku, po vdes burri. S’ka, është ligjësi ajo.
– Po dhe Mubaraku Doktor, dhe ai s’është mirë…
– Nuk ka qenë mirë Sandër. E kam taku më 2007. S’mu duk mirë. E pyeta: si je me shëndet. Më tha: Sali, kam shqetësime nga zemra. Më shpjegoi. Kishte strese të mëdha me djalin, me njërin djalë. Donte të bëhej pasardhës i tij dhe ishte bërë miliarder. Nuk di si do më vejë fati i djalit, tha. Po më pushon zemra. Ka bërë aq shumë pare, sa nuk e kuptoj pse do të merret me politikë. Ishte interesant Sandër. Nuk donte të bëhej pasardhës djali.
– Ashtu ë, jo ore? Qenka interesant. Po këtu Doktor si do vejë puna. Këtë Metën e kanë vënë keq fare përpara. E pe tek Çim Peka, dhe emisionin ja sabotuan…
– Jo Sandër, e pashë. Për hir të së vërtetës e pashë dhe mu duk normale. Jo, videoja që tregojnë nuk është origjinale. Shiko, unë nuk është se kam shumë respekt për atë Pekën, por nuk e bëri atë që thonë. Lëvizi pak dhe teshtiu, dhe Meta bëri gabim që i tha “na pordhe emisionin”. E kishte figurative. Jo, s’ka bërë gjë. Kena bë ekspertizën e videos së emisionit dhe nuk dëgjohet gjë. Ka një frusho të lehtë që nuk kuptohet nga vjen, por nuk ka gjë. Jo, të jemi serioz.
– E mo mirë se s’u bë qameti, po më erdhi inat se ndodhi kur ai po sulmonte Ramën. Unë dhe këto lajmet me sëmundje zemre i kam heqë Doktor, se janë pak tendencioze. Por u duhet thënë dhe këtyre të tjerëve t’i heqin.
– Sandër, shiko. Jepi po deshe. Nuk ashtë gja. Shiko, ata po vdesin se ua kanë pasë pushtetin garëtë dhe fëmijët. Jo, unë e kam vetë. Jo, mos dëgjo ata që thonë e ka gruaja dhe fëmijët. E kam vetë. Jo, mos ki merak, e kam zemrën top. Jo, s’ka asnjë paralele. Të siguroj unë ty.