Edhe veç e veç, këto histori të kujtuara nga MAPO, do të ngjallnin trishtim. Kjo është një listë kronologjike e dashurive dhe urrejtjeve të mëdha politike që janë prodhuar në këto 20 vjet në një vend me kostum evropian, me “antiplumb” euroaltantik, por me thelb tërësisht komunist, otoman dhe bizantin. Kryeministri Berisha dhe gjithë të tjerët, çfarë shkon keq në Shqipëri në segmentin e pamoralshëm dashuri-urrejtje politike dhe anasjelltas
Në jetën e një individi, 20 vjet janë shumë. Në jetën e një shoqërie ato janë një hapjembyllje sysh në histori. Dhe në një vend tipik ballkanik si Shqipëria – sipas përcaktimit të vjetër të Gadishullit problematik – është prodhuar kaq shumë histori politike sa dendësia e ngjarjeve, ripërsëritja e tyre nga dramë në tragjedi dhe sërish në të njëjtën valë e linjë, dramë – tragjedi, e ka kthyer historinë e pluralizmit shqiptar në një histori të trishtuar. Detajet e saj janë ato që ndodhin ditë mbas dite dhe stinë mbas stine; të tëra së bashku, ato japin të njëjtën tablo të hidhur e të pamerituar për qytetarin.
Mjafton të shihen protagonistët politikë të këtyre 20 vjetëve dhe marrëdhëniet mes tyre.
Mjafton të shihet diagrama miqësi – urrejtje mes tyre për të kuptuar një të vërtetë të thjeshtë: politika shqiptare është tërësisht pa moral, mjafton për të kuptuar se ajo i ngjan derës së një shtëpie me drita të kuqe, brenda të cilës sherri mes “banorëve” thjesht shqyhet këmbësh, jo për hir të moralit, por për hatër të interesit të pushtetit.
MAPO ka listuar listën e protagonistëve më të rëndësishëm politikë të këtyre viteve dhe drejtuesve të institucioneve gjithashtu më të rëndësishëm kushtetues duke vrojtuar dinamikën e marrëdhënieve mes tyre. Në këtë listë përfshihen Presidentët e Republikës, Kryeministrat, Kryeprokurorët, Shefat e Shërbimit Sekret dhe madje, edhe Ambasadorët amerikanë të akredituar në Tiranë.
Të parë në tërësi, ato japin një tablo të asaj çfarë ka ndodhur duke lënë që gjithkush të tërheqë vetë konkluzionin se pse kjo tablo ka ngjyra të zymta.
Përballë gjithë kësaj liste qëndron një njeri i vetëm, kryeministri i vendit zoti Sali Berisha. Absolutisht njeriu më i rëndësishëm politik i vendit, si atëherë kur ishte drejtues i opozitës së parë në vend, si atëherë kur ishte President, si atëherë kur ishte drejtues i opozitës dhe si tani kur është dy herë rresht kryeministër. Në këtë listë shënohet zoti Berisha përballë gjithë të tjerëve që kanë ardhur dhe kanë ikur nga shkallët e epërme të pushtetit. Mund të ishte dhe ndryshe. Zgjidhet të vihet zoti Berisha në krye të kësaj liste edhe pse nuk mund të jetë ndryshe. Lihen jashtë një pafundësi me emra ministrash apo politikanësh të katit përdhes të politikës, kryetarë partish dhe deputetë, për arsyen e thjeshtë sepse pakkush ua mban mend emrin për ditët kur ata i ranë në qafë politikës si profesion që mendohet se mund të bëhet nga kushdo. E nëse politika është një lumë që rrjedh, këta banorë të katit përdhes, janë shkarpat që kanë dalë prej kohësh në bregun e harresës.
Kjo listë nuk ka nevojë për koment sepse komenti qëndron brenda. Kryeneç dhe i pamëshirshëm.
Berisha përballë Presidentëve
Dke nisur me Ramiz Alinë, Presidentin e fundit komunist të vendit mbas shpalljes së pluralizmit në vend, në Shqipëri këtë post e ka mbajtur vetë zoti Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.
Me Alinë, zoti Berisha ka pasur një marrëdhënie kontradiktore. Njiheshin në distancë, por janë takuar së pari në Paris në vitin 1979, në një klinikë mjekësore. Politikisht, zoti Berisha ka qenë i zgjedhuri i Alisë për të negociuar me studentët në dhjetor 1990. Shumë shpejt më pas, ata janë rreshtuar në kampe të kundërt. I pari, pavarësisht të kaluarës si komunist dogmatik, u bë drejtues i Partisë Demokratike, i dyti në fillim President dhe pastaj i burgosur nën akuzën e genocidit, një akuzë e frymëzuar direkt nga zoti Berisha në fillim të viteve 90´, si një akt që në dukje synonte dekomunistizimin e vendit. Edhe sot janë në armiqësi të thellë në distancë.
Me Meidanin nuk ka pasur kurrë marrëdhënie të mira. Presidenti i zgjedhur nga socialistët në 1997, konsiderohej nga zoti Berisha si produkt i parlamentit të kallashnikovëve. Vazhdojnë të urrehen.
Me Moisiun ka pasur një natyrë tjetër marrëdhëniesh. Në vitin 2002, zoti Berisha i dha votat e partisë së tij për të plotësuar numrin e nevojshëm 84 dhe për gati dy vjet kishin marrëdhënie korrekte. Këto marrëdhënie u krisën për herë të parë publikisht në tetor 2005, kur Moisiu nuk pranoi të shkarkojë kreun e SHISH-it nga detyra me kërkesën e të saporiardhurit në pushtet. Ato u tendosën deri në armiqësi të plotë në rastin e konfliktit për Prokurorin e Përgjithshëm në vitet 2006 – 2007. Mandati i Moisiut përfundoi në armiqësi të plotë me zotin Berisha, armiqësi që vazhdon e thellë edhe sot.
Me Topin zoti Berisha u përqafua dhe u puth sipas stilit të përqafimit sovjetik në korrik 2007. Ishte momenti i zgjedhjes së nënkryetarit të PD-së në postin e Presidentit. Askush nuk mund të thotë me saktësi se kur filluan realisht konfliktet mes tyre, por sot, Presidenti i Republikës është në anën tjetër të një lumi urrejtjeje politike me kryeministrin. I akuzuar si pjestar i puçit, ai është gjithashtu në armiqësi të plotë, të thellë e gjithëpërfshirëse me zotin Berisha.
Berisha përballë kryeministrave
Aleksandër Meksi ishte i pari kryeministër jo komunist i vendit në këto 20 vjet pluralizëm. I zgjedhur në këtë post në prill 1992, më shumë se bashkëpunëtor me ish-Presidentin Berisha, ai ka qenë absolutisht një nga njerëzit më të fuqishëm në PD, drejtues i një linje tjetër në këtë parti dhe rival politik me të. Të paktën në mandatin e tij të parë deri në vitin 1996, nuk janë raportuar publikisht konflikte mes tyre, të cilat megjithatë ishin të shumta. U armiqësuan në vitin 1997 dhe sot vazhdojnë të jenë armiq.
Me Finon, në pesë muajt që ai qëndroi si kryeministër pati një marrëdhënie dashuri-urrejtjeje. Ndoshta duke quajtur dashuri qëndrimin e “butë” të Finos ndaj tij, krahasuar me urrejtjen që mbizotëronte të majtën politike në vitin e trazuar 1997.
Me Nanon ka një histori edhe më të komplikuar. Zoti Berisha ishte frymëzuesi direkt i burgosjes së drejtuesit të opozitës së djeshme socialiste nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në favor të të tretëve. Armiqësia e tyre arriti një kulm historik në 14 shtator vitin 1998, kur njerëzit e Doktor Berishës kërkonin kokën e tij në kuptimin fizik të fjalës. Më pak se dhjetë vjet më pas, në janar 2007, dy politikanët problematikë shqiptarë i dhanë udhë një dashurie të frymëzuar nga urrejtja e përbashkët kundër Edi Ramës. Edhe sot, pavarësisht se në distancë, e njëjta urrejtje i bën t´i shkelin me dashuri në distancë syrin njëri-tjetrit.
Me Majkon ishte pak a shumë e njëjta histori. Në dhjetor 1998, Majko u ul për herë të parë në tryezë me zotin Berisha, një akt i frymëzuar edhe nga parashikimi për luftën e Kosovës që pritej të shpërthente muaj më pas, edhe nga përdorimi i zotit Berisha si një mjet në luftën mes llojit me zotin Nano. Sipas koniukturës, Majko ka qenë i preferuari i Berishës në postin e kryetarit të PS-së përballë Nanos dhe madje edhe Ramës. Sot janë armiq publikë.
Me Metën i ndajnë stinë dashurie dhe urrejtjeje që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën. Në vitet 1992-1996, ata i ka ndarë një heqje imuniteti për Metën për shkak të akuzave të vetë Berishës, për t´u shndërruar në të preferuarin e tij për drejtimin e PS-së përballë linjës së kryetarit atëherë të burgosur Nano. Në vitin 2000, Berisha shoqërohet në drejtorinë e policisë në Tiranë në një operacion policie që padiskutim kishte autorizimin e kryeministrit të atëhershëm Meta. Në ndeshjen mes Metës dhe Nanos, Berisha zgjodhi të jetë palë me shprehjen e tij proverbiale: “I kam porositur të mijtë, ne edhe me djallin do të bëhemi kundër Ilir Metës”. U bë aleat i Nanon në fushatën e katarsisit në vjeshtën e vitit 2001. Në qershor 2009, të paktën publikisht, Meta ishte përfaqësues i pjesës më radikale të të majtës shqiptare kundër zotit Berisha. Në korrik të të njëjtit vit, ai u zgjodh nga zoti Berisha si zëvendës i tij në kabinet në këmbim të votave të LSI-së që mundësuan formimin e qeverisë. Sot vazhdojnë të jenë aleatë edhe publikisht, edhe në një marrëdhënie korrekte.
Berisha përballë kryeprokurorëve
Janë pesë shefa të zyrës kryesore të organit të akuzës të votuar nga Kuvendi që në vitin 1992.
I pari, Maks Haxhia. I zgjedhur nga vetë Berisha si jurist i aftë. Konflikti mes tyre nisi brenda pak muajsh dhe “dashuria” protokollare mes tyre, u shndërrua në urrejtje që parapriu shkarkimin e tij nga Kuvendi në një seancë të vetme.
I dyti, Alush Dragoshi. I zgjedhur sërish nga zoti Berisha, sipas komenteve të shtypit të kohës, si një nga të vetmit juristë që mund të formulonte një akuzë penale për Fatos Nanon. Sot, i tërhequr në jetën e tij private, nuk dihet se çfarë marrëdhëniesh ka me kryeministrin.
I treti, Arben Rakipi. I zgjedhur me votat e socialistëve në 1997, por i shkarkuar në vitin 2002 me një bashkim spektakolar votash të Berishës dhe të përkrahësve të Metës në Kuvend. Nuk janë dashur kurrë, janë urryer gjithmonë. Rakipi ishte në krye të organit të akuzës, kur prokuroria kishte kërkuar heqjen e imunitetit të zotit Berisha për ngjarjet e 14 shtatorit 1998 dhe madje, edhe një arrest të mundshëm të tij.
I katërti, Dhori Sollaku. I zgjedhur me bashkimin e votave të së majtës dhe të vetë zotit Berisha. Fillimisht, ish-këshilltari juridik i ish-Presidentit ishte në marrëdhënie mëse normale me zotin Berisha, për t´i dhënë fill një urrejtjeje patologjike në janar 2007, kur kryeministri nisi një kryqëzatë vreri kundër tij pikërisht nga dera e Katedrales Katolike në Tiranë.
E pesta, Ina Rama. E përzgjedhur nga vetë Berisha, e zgjedhur me votat e partisë së tij, zonja Rama ka kapërcyer nga të qënit Silvia Konti në vitin 2008, në pjestare të “puçit të shtetit” dhe “shoqe bulevardi” në janarin e vitit 2011. Ndoshta, zoti Berisha nuk urren askënd tjetër sa zonjën e hirshme të Prokurorisë, për të cilën thotë se beson se përdoret nga kundërshtarët e tij politikë për të hetuar punët e qeverisë.
Berisha përballë shefave të shërbimit
Në vitet 1992-1997, drejtues i pasardhësit direkt të Sigurimit të Shtetit, SHIK-ut, ishte një matematikan, i ndjeri Bashkim Gazidede. Strukturat e SHIK-ut ishin direkt nën komandën e zotit Berisha si president dhe vetë zoti Gazidede, në një marrëdhënie të thellë “dashurie” me zotin Berisha, u “gradua” në komandantin e gjendjes së jashtëzakonshme në mars 1997. Në një akt të çmendur juridik zgjidhet gjeneral dhe Shërbimi Informativ Kombëtar bashkohet me Ministrinë e Punëve të Brendshme nën komandën e tij.
Me humbjen e pushtetit nga PD, Gazidede largohet nga Shqipëria duke fituar mërinë e pafundme të Berishës që e konsideroi si një nga njerëzit që e tradhtuan. E rehabiliton në zemrën e tij kur u rikthye në Tiranë në 2006 dhe morri një post të dorës së dytë në hierarkinë e shtetit, nëndrejtor i hipotekës, detyrë që e mbajti deri sa ndërroi jetë.
Fatos Klosi erdhi në krye të shërbimit në vitin 1997. Që në fillim ai u urrye ashpër nga zoti Berisha, i cili shihte tek fizikanti – “kryespiun”, njëriun që kërkonte eliminimin e tij politik dhe jo vetëm. Në fakt e eliminoi ai vetë në një nga stinët e shkurtëra dhe të befta të dashurisë me mikarmikun e tij të madh Fatos Nano.
Dy drejtues të përkohshëm të SHISH-it, të ndjerët Petrit Myftari dhe Kujtim Hyseni, qëndruan fare pak në këtë post.
Ata u pasuan nga një jurist i ri dhe “enigmatik”, Bahri Shaqiri. Drejtuesi aktual i SHISH-it ka pasur të paktën tre beteja publike me zotin Berisha. Të parën në tetor 2005 kur zoti Berisha, kryeministër kërkoi shkarkimin e tij, por u refuzua nga ish-Presidenti Moisiu, të dytën në mars 2010, kur as nuk arriti ta çojë në Kuvend kërkesën për reduktimin e mandatit të tij dhe të tretën në korrik 2010, kur humbi të njëjtin shans për shkak të humbjes së kontrollit mbi votat e LSI-së dhe të disa deputetëve të partisë së tij. Në janar 2010 e konsideroi për “shkak të mosveprimeve” të tij, si pjestar të “puçit” të Edi Ramës.
Berisha përballë ambasadorëve amerikanë
Nga viti 1991, kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleati i madh dhe natyral i Shqipërisë ka dërguar këta ambasadorë në Tiranë: William E. Ryerson, Joseph E. Lake, Marisa R. Lino, Robert Frowick, Joseph Limprecht, James F. Jeffrey, Marcie B. Ries, John L. Withers II dhe Alexandër A. Arvizu. Me përjashtim të ambasadorit Ryerson, ku më shumë dhe ku më pak, me gjithë ambasadorët e tjerë, zoti Berisha ka pasur marrëdhënie të tendosura. Sidomos në rastin e ambasadorit Withers, konflikti mes tyre ka qenë i hapur, publik dhe i tendosur edhe në linjën Tiranë – Uashington.
Të gjithë kundër të gjithëve
Aleancat dhe armiqësitë në politikën shqiptare, dashuritë e mëdha dhe urrejtjet edhe më të mëdha shtrihen në çdo qelizë të politikës shqiptare. Kjo është një listë e pafundme nëse në to do të përfshiheshin edhe aktorë të tjerë, brenda secilës force politike apo ata që kanë kapërcyer nga njëra forcë politike tek tjetra.
Minimalisht mund të thuhet me siguri një gjë: politika shqiptare është tërësisht e paqëndrueshme. Eshtë shprehja tipike e një marrëdhënie të deformuar mes aktorëve të saj që nuk ka në bazë moral, por vetëm interesin e çastit. Aktorët puthen fort dhe vrasin njëri-tjetrin po aq fort. Në krye të kësaj piramide qëndron njeriu më i fuqishëm politikisht në këto 20 vjet, zoti Sali Berisha. Qëndron në majë edhe pse ka dëshmuar se di të dashurojë dhe të urrejë më fort se kushdo tjetër në këtë vend me kostum evropian, me “antiplumb” euroaltantik, por me thelb tërësisht komunist, otoman dhe bizantin.