Udineze, Barcelona e vogël italiane

28 Shkurt 2011, 12:14Sport TEMA

22 shtator 2010: Udineze ishte e fundit në klasifikimin e kampionatit italian, me zero pikë, dy gola të shënuar dhe nëntë të pësuar. Mes pokerit të humbjeve, ishte edhe ai 0-4 ndaj Juventusit. Askush, në atë moment, nuk do ta besonte që Udineze do të ishte pas pesë muajsh në zonën evropiane, me vetëm një pikë larg vendit të katërt, që të çon në Ligën e Kampioneve, por mbi të gjitha, me fitoret e njëpasnjëshme dhe goleadat, si ajo e së dielës me Palermon, 0-7. Drejtuesit e Udinezes u treguan të durueshëm dhe tashmë janë duke shijuar frutet e punës së Guidolinit, ndërsa Udineze ka filluar të shihet si një Barcelonë e vogël italiane.

Të shumta janë analogjitë mes dy ekipeve: gjatë vitit 2011, Udineze ka mundur që të arrijë 7 fitore dhe 3 barazime, duke shënuar 29 gola(2.9 për ndeshje) dhe duke pësuar vetëm 9 dhe duke arritur katër fitore radhazi jashtë fushës së vet(me Palermon, Çezenën, Juventusin dhe Xhenoan, ndërsa e pesta, ajo ndaj Milanit në “San Siro” i shpëtoi vetëm në minutën e 93), me kryegolashënues Antonio Di Natalen, i cili ka realizuar 21 gola në 26 ndeshje, të cilit i bashkëngjitet talenti kilian, Aleksis Sançez me 11 gola, ndërsa 17 golat e mbetur janë shënuar nga pjesa tjetër e ekipit. Në total, Udineze ka shënuar 49 gola, duke pasur kështu sulmin më të mirë në kampionatin italian, së bashku me kampionen në fuqi, Inter, e cila u mposht pak javë më parë nga Udinezja 3-1.

Këta janë të dhëna të statistikave dhe rezultateve. Pastaj janë të dhënat e fushës, të cilat flasin për lojtarë që nuk janë shumë të mëdhenj dhe të fuqishëm fizikisht, por shumë, shumë të zotët me topin në këmbë. Është e vështirë, në mos e pamundur, që të shohësh një lojtar bardhezi(të Udinezes), që ta gjuajë topin në rrëmujë, madje edhe nga mbrojtësit. Topi është për të luajtur dhe për këtë arsye duhet mbajtur gjithmonë në këmbë, ashtu siç bëjnë edhe lojtarët e Udinezes, të cilët përdorin edhe vertikalizimet e gjata, duke shfrytëzuar dy sulmuesit e shpejtë, por edhe teknikë, Di Natale dhe Sançez, ose lojën e krahëve, me Islën dhe Armeron. Çfarë ju kujton e gjitha kjo? Së bashku me shumë të përbashkëta të tjera me Barcelonën, si mosha e re e lojtarëve(tek Udineze, vetëm Domizi dhe Di Natale janë mbi 30 vjeç), është edhe fakti që italianët i risin talentet vetë. Duhet thënë se në këtë ka një diferencë, pasi Barcelona përgatit talentet që nxjerr nga të rinjtë e klubit, ndërsa Udineze më së shumti merr lojtarë të rinj nga ekipet e tjera dhe pastaj i përgatit vetë. Por, e përbashkëta e tyre është se u mësojnë lojtarëve teknikën dhe filozofinë e lojës.

Megjithatë, këto janë veçse krahasime. Di Natale sigurisht që nuk është David Vija, Sançez nuk është Mesi, Guidolin nuk është Guardiola dhe Udineze nuk është dhe nuk do të jetë kurrë Barcelona. Por është duke provuar dhe mbi të gjitha, është treguar një vitalitet dhe një shpresë për futbollin italian, që tashmë është zhytur në një krizë të thellë, aq sa duke nisur nga sezoni 2012-2013, në Ligën e Kampioneve do të marrin pjesë vetëm tre ekipe italiane, si pasojë e rezultateve negative të njëpasnjshme të ekipeve italiane gjatë këtyre viteve të fundit në kompeticionet evropiane. Mbi të gjitha, në një vend si Italia, ku tifozët janë të paktë, Udineze, me lojën e saj të bukur, ka mundur që t’i tërheqë ata në stadium dhe ky është një rezultat shumë i madh. Nëse pastaj do të vijnë edhe rezultatet, siç ka ndodhur deri më tani, përveç lojës së bukur, aq më mirë për Udinezen, që, ndryshe nga të gjitha ekipet e tjera italiane, duke përjashtuar Palermon, aplikon një lojë zbavitëse.

Lini një Përgjigje