Juventus, gati rikthimi i Lipit dhe Moxhit

28 Shkurt 2011, 10:23Sport TEMA

Të fitojë me Milanin, pastaj me Çezenën, Breshian dhe Romën. Vetëm kështu, Luixhi Del Neri mund të shpresojë që të vazhdojë të qëndrojë në krye të drejtimit të Juventusit deri në përfundim të sezonit. Përndryshe, kujdes, pasi mund të mbërrijë Marçelo Lipi si trajneri deri në fund të sezonit dhe më pas të emërohet në postin e drejtorit të përgjithshëm, ndërsa trajner pritet që të vendoset një mes antonio kontes dhe Gasperinit, me të parin favorit. Rikthehet ndërkohë edhe hija e Luçiano Moxhit. Por, së fundi është folur edhe mbi mundësinë e emërimit të Pavel Nedved si trajner i përkohshëm i Juventusit deri në fund të sezonit, gjë që mbështetet fuqishëm edhe nga ana e tifozëve bardhezinj, të cilët e kujtojnë me nostalgji çekun dhe kërkojnë ta shohin sërish në fushë, këtë radhë jo si lojtar, por trajner. Dëshira e tifozëve për Nedvedin trajner është konfirmuar edhe nga një sondazh i gazetës sportive pranë Juventusit, “Tuttosport”.

Ajo që tashmë është e sigurtë, është fakti se dyshja Del Neri-Marota janë në rrezik serioz për t’u shkarkuar, pasi kanë bërë që sezonin i Juventusit, të paktën deri më tani, të jetë një nga më të dështuarit në të gjithë historinë e bardhezinjve. De Neri, pas ndeshjes me Bolonjën ka thënë se nuk ka ndërmend që të dorëzohet. Por, ndeshja e radhës ndaj Milanit është tepër e vështirë dhe në rast të ndonjë rezultati negativ, mund të vijë menjëherë shkarkimi. Kjo, pasi do të ishte e pafalshme, duke parë edhe dy humbjet e fundit, me dy nga ekipet më modeste të Serisë A, Leçe dhe Bolonja, të cilat luftojnë për të mbijetuar. Por, Del Neri, në rast shkarkimi, pritet që të marrë me vete edhe drejtorin aktual të Juventusit, Bebe Marota. Ishte ky i fundit që këmbënguli për të sjellë në Torino Del Nerin dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Por, Marota nuk është përgjegjës vetëm për Del Nerin, por edhe për merkaton e kryer, e cila është kritikuar pothuajse nga të gjithë njerëzit e futbollit. Blerjet e shumta në numër, por jo në cilësi, janë pikërisht ato që kanë shkaktuar dështimin e bardhezinjve. Tashmë tifozët nuk kanë më durim dhe për këtë arsye kërkojnë që të rikthejnë figurat e vjetra, të cilat simbolizojnë fitoret e shumta të bardhezinjve. Mbi të gjitha dy janë figurat: Marçelo Lipi dhe Luçiano Moxhi. Nga këta të fundit pritet ndryshimi dhe rikthimi i Juventusit atje ku ata e lanë, në majën e futbollit italian dhe atij botëror.

Lini një Përgjigje