Në emër të sportdashësve vlonjatë, por besoj mbi të gjitha, të mbarë futbolldashësve shqiptarë,
kërkoj të përcjell këtë mesazh dhe njëherësh të kërkoj vendosmërisht ndërhyrjen e organizmit të drejtimit të futbollit shqiptar për të mos e vrarë këtë garë, për ta ruajtur këtë futboll, për të mos e varrosur këtë sport, që po jepte sinjalet e kthimit të besimit, të paktën deri në mesditën e së premtes.
Zotërinj të nderuar!
Ajo që ndodhi ditën e premte në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, është pikërisht tregues i një metastaze shumë të keqe që po e shkatërron futbollin shqiptar. Ajo që ngjau, ishte një tragji-komedi me tre akte, me shumë aktorë, e dirigjuar enkas për të vrarë tragjikisht shpirtin e futbollit, garën e ndershme sportive. E kërkoj këtë jo sepse Vlora është në krye dhe synon titullin, jo sepse Vlora është favorite dhe është ndershmërisht në krye të kësaj gare të ashpër, jo sepse Flamurtari kthehet pas kaq kohësh në luftën për të marrë trofeun më të rëndësishëm kombëtar. Jo! Metastaza e së premtes në “Qemal Stafa” kishte për synim uljen në minimumet e mundshme të besimit të atyre njerëzve që ne, të gjithë bashkë, si komunitet, iu përcollëm si mesazh të kthehen dhe të ndjekin edhe futbollin tonë, futbollin shqiptar. Ajo që vret tifozerinë vlonjate, por edhe cilindo sportdashës shqiptar, është pikërisht kjo metastazë e frikshme që ka shtrirë tentakulat e saj dhe çdo javë e çdo ditë sëmur e vret.
Jam mëse i bindur që edhe vetë tifozët korçarë nuk e duan kurrë fitoren e gatuar kështu. Jam mëse i bindur që Korça nuk e kërkon kurrë suksesin kështu, në këtë mënyrë, në këtë maskaradë aspak serioze dhe tërësisht karagjoze, në mes të Tiranës, kundër një emri si Dinamo. Komuniteti i futbollit në Shqipëri kishte nisur më në fund të besonte që diçka po rikthehej në ndjesinë e tifozerisë shqiptare për një garë, garë të vërtetë. Dhe këtë besim e ushqyem të gjithë bashkë. Por, sërish hija e fazës së tretë të kampionatit të kaluar, rishfaqet për herë të dytë dhe sërish me të njëjtët protagonistë e në të njëjtën sfidë mes dy skuadrave, njëra prej të cilave vazhdon të zgjedhë formatin më të pahijshëm për të luajtur futbollin dhe të për të arritur për veten një objektiv të përkohshëm.
Zoti President i Federatës!
Komuniteti i futbollit besoi dhe vazhdon të besojë te garancia e organizatorit të garës, beson dhe vazhdon të ruajë besimin te politikat e FSHF-së për t’i dhënë një tjetër impakt garës së futbollit shqiptar. Por, nga ana tjetër, unë personalisht, e gjithë Vlora dhe, me shumë bindje, mbarë komuniteti futbolldashës në Shqipëri, përfshirë (e rithem me besim) edhe vetë tifozët korçarë, nuk e duan kurrsesi këtë “çorbë” me vlerën e tre pikëve, por me një kosto morale të papranueshme dhe një imazh të patolerueshëm. Me cilësinë time si kryetar i Bashkisë së Vlorës, që mbështet skuadrën fuqishëm prej vitesh, si dhe në emrin e qindra-mijëra sportdashësve të futbollit, në çdo cep ku ai luhet e ndiqet, Ju kërkoj të ndërhyni me autoritetin TUAJ, për të mos lejuar shfaqje të tilla vrastare, të një futbolli, që vetëm i tillë nuk është.
Zotërinj të Komitetit Ekzekutiv të F.Sh.F-së!
Me tagrin që ju ka besuar Asambleja e Futbollit, do të kërkoja të ishit sa më sensibël për fatet e kësaj gare, duke evidentuar e dënuar pikërisht të tilla shfaqje komike nën siglën e Kategorisë Superiore. Kërkoj ndërhyrjen TUAJ, së bashku me Presidentin Duka, që të distancohemi nga të tilla gara josportive, që janë thjesht akte që ngjallin keqardhje te ata që shohin, te ata që ende besojnë se ka kampionat kombëtar të futbollit edhe në Shqipëri.
Zotërinj të nderuar të medias!
Duke respektuar pozicionin dhe impenjimin tuaj, duke i njohur vështirësitë në punën që ju bëni, kërkoj që këtë produkt të futbollit shqiptar ta ruajmë bashkarisht. Me mundësitë që kemi dhe në rrethanat që na krijohen, besoj se këtë gjë e arrijmë duke mos u pajtuar aspak, kurrë, në asnjë mënyrë, me atë shfaqje të së premtes, që nuk solli asgjë tjetër, veçse trishtim e mjerim për futbollin. “We care about football!”- është ky slogani që organizmi europian mban si ikonë të këtij sporti. Të përpiqemi bashkarisht ta ruajmë këtë garë dhe të kthejmë besimin tek të gjithë që edhe futbolli shqiptar dhuron, por nuk vret e nuk mund të vrasë ndjesi.
Në mbyllje të kësaj letre të hapur, garantoj që Klubi i Futbollit “Flamurtari”, besoj edhe shumë klube të tjerë, kanë vullnetin për të respektuar garën deri në fund, në maksimumet e mundshme, duke ruajtur të gjitha standardet e garës, duke dashur të besojmë se ajo do të jetë “fair”, për të kontribuuar kështu në cilësinë e këtij futbolli shqiptar. I cili, për fatin e keq jo thjesht të vlonjatëve, por të të gjithë tifozerisë shqiptare, shoqërisë civile e më gjerë, të premten u bë objekt batutash për shkak të imoralitetit në të cilin u zhyt, në një ndeshje-estradë 90 minutëshe, me vlerë tre pikëshe, por me koston e hendekut prej një mijë vjetësh larg garës europiane.
“Flamurtari” pret reagimin e menjëhershëm të Presidentit Duka dhe të Komitetit Ekzekutiv, së pari, për ta denoncuar këtë shfaqje, pastaj edhe për të reaguar fort dhe shpejt karshi një fenomeni të tillë. Në të kundërt, pasiviteti tendencioz jo vetëm ju bën edhe Juve palë e aktorë të kësaj shfaqje dekadente e të turpshme, por do të provokojë fort ndjesinë e të gjithë ambientit sportiv vlonjat e njëherazi edhe do të na imponojë, si të vetmen mundësi për të ruajtur moralin e kësaj gare, marrjen e masës më ekstreme, atë të largimit nga kampionati, duke njoftuar e sensibilizuar të gjitha organizmat ndërkombëtare të futbollit(UEFA e FIFA). Dhe kjo jo si bojkotim, por si reagim karshi mosreagimit ndaj estradave që vrasin garën dhe rikthejnë anamnezën e trukimit të pisët në këtë futboll.
Ju njoftojmë se duke respektuar sensibilitetin e tifozëve vlonjatë, në shenjë proteste për çfarë ka ngjarë, si dhe në pritje të reagimit Tuaj, klubi ka vendosur ta nisë ndeshjen e radhës dhjetë minuta me vonesë!
Përsa parashtrova në këtë komunikim të hapur, në emër të Klubit të Futbollit “Flamurtari”, kërkojmë një takim urgjent me Ju, z. Duka!