Tashmë të gjithë në Itali janë duke “qarë” për situatën e futbollit të tyre dhe po presin për një mrekulli, e cila nuk dihet se kur do të vijë. Ndeshjet e fundit të Ligës së Kampioneve treguan se në çfarë situate kritike është katandisur futbolli italian, ku të trija ekipet që marrin pjesë në këtë kompeticion, pësuan humbje të rëndë. Madje, humbjet i pësuan që të trijë në fushat e tyre.
Kur u hodh shorti pak muaj më parë për Ligën e Kampioneve, të gjithë në Itali fërkuan duart, pasi ekipet italiane mundën që të shmangnin ekipe si Barcelona, Reali, Çelsi, Mançester etj, duke peshkuar ekipe më pak të frikshme. Në fakt, ndoshta do të ishte më mirë që të peshkonin ekipet e mësipërme. Sepse të humbasësh me Totenhemin dhe Shaktarin në fushën tëndë, është shumë më e rëndë se sa të humbasësh me Barcelonën apo Çelsin.
Nëse do të bëhen krahasime mes lojtarëve të Interit, Milanit dhe Romës do të krahasoheshin me ata të Bajernit, Totenhemit dhe Shaktarit, do të shihej se ka dallime të madh, në favor të ekipeve italiane. Por, ajo që i dallon ekipet italiane nga Barcelona, Mançester, Bajerni etj, është se këto të fundit jo vetëm që janë të pasura, por janë më të strukturuara dhe të organizuara.
Aktualisht, në Itali ka ende lojtarë cilësorë si Eto dhe Ibrahimoviç, por kur këta të fundit nuk janë në formë dhe nuk shënojnë, mjerrë ekipet italiane, sepse askush tjetër në ekipet e tyre nuk është në gjendje që të marrë ekipin përsipër. Mrekullitë mund të ndodhin dhe për këtë, do të mjaftonin të paktën katër gola, në mënyrë që ekipet italiane të kualifikoheshin në apo të gjuanin penalltitë. Do të mjaftonte një gol i Interit, një i Milanit dhe dy të Romës. Në teori, duke parë edhe lojtarët që këto ekipe kanë në përbërjet e tyre, katër gola nuk janë shumë, madje, golat e shënuar mund edhe të jenë më tepër. Por, ajo që i frikëson më shumë italianët, është fakti se si është katandisur futbolli i tyre, ku çdo ekip mesatar mund të luajë me klubet elitare të Italisë dhe të fitojë. Një gjë që nuk ndodhte prej dekadash të tëra, pasi të paktat kanë qenë ato ndeshje kur Milani dhe Interi kanë humbur ndeshje në fushën e tyre.
Ka ardhur koha që ekipet italiane të bëjnë një ndryshim rrënjësor, duke filluar që nga ekipet e të rinjve, stafet mjekësore, stadiumet etj. Kjo, pasi ekipet italiane kanë stadiumet më të vjetra dhe më të këqija, në krahësim me Anglinë, Spanjën, Gjermaninë, Francën apo dhe disa vende të tjera perëndimore. Kjo pastaj shkakton pastaj edhe atë që ekipet italiane të kenë dëmtimet më të shumta në të gjithë europën. Është e pakuptueshme dhe e papranueshme, që ekipe si Milani, Interi dhe Juventusi, të kenë më shumë se 15 dëmtime gjatë një sezoni, pjesa më e madhe e të cilave zgjasin për muaj të tërë.