Kur Shefki Kuqi u aktivizua për Newcastlen, të shtunën e kaluar, ai bëri debutimin për skuadrën e tij të 13-të si senior. Ai është shembulli më i mirë për një sulmues “shtegtar”. Por, udhëtimi i tij është më i veçantë se i shumicës. Udhëtimi i tij nisi në vitin 1989, kur ai ishte 12 vjeç, shkruan “Koha Ditore”.
Kuqi ka lindur në Vushtrri, ku dy të tretat e popullatës ishin shqiptarë. Ai u rrit në një fshat jashtë Vushtrrisë, ku shumica ishin shqiptarë. Madje ishin vetëm dhjetë shtëpi serbe.
“Shqiptarë e serbë shkonim në të njëjtën shkollë, por në klasa të ndara. Nga mosha 10-vjeçare, fëmijët kosovarë priteshin të mësonin gjuhën serbe. Ndoshta një apo dy herë në javë e lëshonim shkollën një orë më herët për të luajtur një ndeshje futbolli – kosovarët kundër serbëve, ndeshje që gjithmonë mblidhte tifozëri të madhe. Fëmijët ishin në dijeni të dallimeve, por ndeshjet ishin miqësore. Nëse një skuadër mbeste me më pak lojtarë, atëherë një kosovar shkonte të luante për skuadrën serbe dhe anasjelltas”, ka thënë Kuqi. “Njerëzit shkonin mirë mes vete. Nëse kishte një festë në një shtëpi serbe, atëherë kosovarët shkonin t’i dërgonin një tortë. Por, me kalimin e kohës marrëdhëniet vetëm sa u bënë më të tensionuara. Babai im kishte një shok të mirë që jetonte në anën tjetër të rrugës dhe në një kohë bashkëshortja e shokut të tij erdhi të na paralajmëronte se gjërat nuk janë duke shkuar mirë. Vëreheshin ndryshimet. Babai im kishte ndihmuar disa serbë që të ndërtonin shtëpitë e tyre dhe ata sa herë e shihnin e përshëndesnin me buzëqeshje në fytyrë. Mirëpo, këtë filluan të mos e bënin më”.
U largua hatri i vëllait që kishte kohën e shërbimit ushtarak
Në fund të vitit 1988, raportohej se kosovarët po sulmoheshin, shtëpitë e tyre po digjeshin dhe po ashtu po vriteshin njerëzit.
“Njerëzit filluan të humbnin punën dhe Slobodan Milosheviqi, nisi të ngrejë zërin duke thënë se dëshiron që i gjithi të jetë një shtet ku flitet një gjuhë”, ka thënë Kuqi.
Familja e Kuqit vendosi të lëvizte kur vëllai i tij ishte 16-vjeçar dhe ishte pranë shërbimit ushtarak.
“Kishte mjaft frikë në mesin e kosovarëve, mirëpo kur vëllai im ishte 16 vjeç dhe i erdhi koha për të bërë shërbimin ushtarak, familja vendosi të largohej. Unë e dija se diçka nuk ishte në rregull. Unë e dija se gjërat ishin serioze kur daja im Qerkin Osmani, u largua. Babai im iu bashkua, mirëpo pasi askush tjetër në fshat nuk ishte larguar në atë periudhë, ende nuk e kuptoja me saktësi se çfarë po ndodhte. Më pas babai im tha se dëshironte që pjesa e tjetër e familjes t’i bashkohej. Ne patëm një javë kohë për të organizuar gjërat dhe për t’u bërë gati. Atë javë e gjithë familja vinte në shtëpi te ne, ishte sikur dikush do të vdiste. Mora vesh se do të shkonim në Finlandë, që nuk kisha dëgjuar asnjëherë për këtë vend. Më dukej vend në planetin tjetër”.
Ditën e largimit, Shefkiu nuk e harron dot.
“Ne e lëshuam shtëpinë në ora 9 të mbrëmjes. Ishte e enjte. Ishte ftohtë. Kishte rënë borë gjithë ditën. Oborri ynë ishte mbushur me borë. Prindërit e nënës sime jetonin në afërsi të stacionit dhe ne shkuam e qëndruam atje atë natë. Të gjithë qanin dhe ishin të prekur, dukej sikur ishim në varrim. Unë nuk e dija se çfarë po ndodhte. Gjithçka që dija ishte se m’u kërkua të largohesha nga shtëpia. Babai im ishte në Finlandë tashmë dhe mundohej t’i rregullonte gjërat për ne”, tregon Kuqi. “Në ditën tjetër në mëngjes ne u larguam në orën gjashtë – nëna ime, unë, dy vëllezërit dhe motra ime. Po ashtu erdhën edhe axha im Beqiri dhe daja Rrustemi. Nuk mund të merrnim shumë gjëra me vete. Ne patëm vetëm rrobat që kishim veshur dhe një çantë, pasi nuk dëshironim të vëreheshim. Ishte e vështirë të besoja se po linim të gjitha gjërat; shtëpitë tona dhe gjithë pasurinë. Ne kishim qarë disa ditë dhe nuk dinim kujt t’i thoshim lamtumirë më. Ishim sikur të mpirë. Sytë na ishin bërë si vezë. Ne mundoheshim të flinim, por nuk bënim më shumë gjumë se disa orë. Ndoshta e kishim nga emocioni se po udhëtonim dhe po nisnim diçka të re, mirëpo më shumë e kishin nga zhgënjimi që po largoheshim. Më pas e gjithë procedura u desh të përsëritej edhe me familjen e nënës sime. Edhe tash kur më kujtohen ato kohë bëhem emocional”.
Malli për Kosovën e kaploi posa mbërriti në Beograd
Dhe, në trenin e parë për Mitrovicë, Kuqi me familjarët hipën për të marrë më pas rrugën e kurbetit.
“Treni ishte plot me njerëz që shkonin në punë. Ne mbanim kokat poshtë, pasi vërehej qartë se kishim qarë dhe nuk dëshironim që të na shihte dikush. Ne u ndalëm në Mitrovicë ku jetonte një vëlla tjetër i babait tim, Imeri. Familja e tij erdhi të na shihte në stacion. Fëmijët e tij ishin më të vjetër se unë. Aty u përshëndetëm me persona të tjerë të familjes. Ne ndërruam trenin aty për të shkuar në Beograd, ndërsa menjëherë nisi të na merrte malli për vendin. Ne ishim shumë të emocionuar dhe nuk e dinim edhe sa larg do të shkonim. Ishte po ashtu frika se ne nuk do të arrinim te destinacioni që kishin, se do të zbuloheshim dhe do të na kthenin në Kosovë”, vazhdon Kuqi.
Ai rrëfen edhe për atë se çfarë i kishte sugjeruar babai kur të mbërrinin në Beograd. Ata duhej të tregoheshin të kujdesshëm, të mos vëreheshin “fare”.
“Babai na tha që kur të shkonim në Beograd të mos flisnim fare pasi do të vëreheshim nga jemi. Këtë na e nguliti në kokë dhe ne ishim të tmerruar të lëshonim edhe një zë. Daja gjatë gjithë rrugës mundohej të na mbante atmosferën. Na tregonte storie për hekurudha, mundohej të na shpjegonte se si funksiononin gjërat. Na fliste për të na larguar mendjen nga udhëtimi. Ne ishim në tren për pesë apo gjashtë orë, duke u bërë më nervozë sa më shumë që i afroheshim Beogradit. Nuk mund të mendonim për asgjë tjetër, veç familjes dhe shokëve që i kishim lënë”. “Babai na tregonte për vendin e ri dhe për jetën që do të kishim dhe sa të sigurt do të ishim. Por, në atë moshë nuk e kuptonim politikën. Unë e dija se këtë po e bënim për vëllanë tim, e kuptoja pak se po e mbronim. E kuptoja se prindërit po na mbronin, por prapë isha i pikëlluar. Ne ndërruam trenin në Beograd dhe kishim qarë aq shumë sa dukej se kurrë nuk kishte pasur jetë para lotëve. Stacioni në Beograd ishte i frikshëm. Nuk kisha qenë kurrë në një qytet kaq të madh. Edhe po të mos kishte serbë, prapë një numër aq i madh i njerëzve do të më frikësonin. Ne ecnim së bashku me koka poshtë duke u munduar të mos tërhiqnim vëmendje. Nuk dëshironim që njerëzit të shihnin se sa të zhgënjyer ishim dhe po ashtu e dinim se dukeshim ndryshe. Veçanërisht kishim frikë se çfarë do të ndodhte nëse do të kuptonin se vëllai im po ikte nga shërbimi ushtarak. Ne e gjetëm një vend në skaj dhe u ulëm, nuk flisnim. Prisnim derisa të vinte treni ynë për në Gdanjsk të Polonisë. Rruga e ardhshme jona për në veri, dukej se nuk do të merrte fund kurrë. Por, ishte një lehtësim kur u larguam nga Beogradi dhe arritëm në kufi me Kroacinë. Ishte sikur kaluam pengesën më të madhe. Ne donim të festonim, por ende ishim në Jugosllavi dhe e dinim se nuk ishim të sigurt. Sa herë që kalonim ndonjë kufi inspektorët vinin të na kontrollonin biletat dhe neve sërish frika na kaplonte. Ne duhej të paguanim dikë që na aranzhoi këtë gjë për të marrë vizat. Flisnim pak në tren, por ishim të lodhur në kohën kur arritëm në Gdanjsk. Ne e dinim se aty ishte vendi ku do t’i thoshim lamtumirë dajës dhe axhës tonë. E dinim se do të ishte një moment i madh për nënën tonë, pasi ajo kurrë nuk kishte bërë një rrugë kaq të gjatë, e veçanërisht më e vështirë ishte se do ta vazhdonte vetë. Ne morëm një taksi për të shkuar në portin e qytetit. I thosha vetes se nëse kështu është jeta ime, atëherë më shumë më pëlqen si ishte më herët. Gjithë rrugës axha dhe daja im kishin qëndruar të qetë, por në port ata nuk u përmbajtën dhe filluan të qanin kur u përshëndetëm. Ata nuk kishin mundur të tregonin emocionet më herët pasi kishin për detyrë që të kujdeseshin për ne. Të dy erdhën më vonë të jetonin në Finlandë dhe na thanë se u ishte dukur si varrim. Ishin ndier sikur nuk do të na shihnin më kurrë”, tregon Kuqi.
Ndarja me familjarët dhe kthimi i buzëqeshjes
Pas përshëndetjes me axhën dhe dajën, familja Kuqi do të vazhdonte udhëtimin me anije, derisa axha dhe daja do të ktheheshin në Kosovë edhe për pak vite.
“Ne shkuam në kabinë të anijes për të vendosur gjërat tona dhe u ngjitëm lart. Shikonim nga anija axhallarët që na përshëndesnin. Binte shi. Më pas tentuam të flinim, por ishte e pamundur të bënim gjumë, pasi gjithë mendjen e kishim se nëse do të shihnim sërish familjen. Po ashtu edhe mendonim se ku do të shkonim. Nëna ime nuk fjeti fare, ishte e brengosur. Në kohën kur po afroheshim në Finlandë, nisëm të mendonim për babanë tonë, që do ta shohim sërish pas tri javëve. Ishte hera e parë që kishte kaluar një kohë kaq e gjatë pa e parë. Por, e dinim se mund të na kthenin prapa, posa të arrinim në breg. Ishim të frikësuar duke menduar se çfarë do të ndodhte. Kishim emocione të përziera. Gjatë udhëtimit ne qëndruam lart në anije dhe shihnim gjithë atë ujë. Ishte pak e çuditshme për dikë që ishte rritur në male. Po ashtu kurrë nuk kishim hipur në anije. Ne arritëm në mbrëmje. Shihnim vetëm dritat e qytetit. Zbritëm nga anija dhe prisnim për kontroll të pasaportave. Pritëm të fundit dhe bëheshim nervozë. Ata na flisnin finlandisht dhe anglisht, por nuk ishim në gjendje të komunikonim. Na ulën në korridor në karrige të forta të plastikës. Mendoj se ishim migrantët e parë që shkonim në Finlandë. U desh të prisnim dy deri në tri orë derisa erdhi një përkthyes. Ne kishim frikë se do të na kthenim, pasi kishim dëgjuar se kishin kthyer njerëzit nga Suedia. Përkthyesi ishte kosovar që punonte atje. Ne i shpjeguam atij për vëllanë tim dhe se po kërkonim azil. Qëndruam aty për disa orë. Në orën 10 të mbrëmjes ata na lëshuan në port dhe na dërguan në një bujtinë me një veturë zyrtare. Dhoma ishte podrum me një dritare të vogël. Nuk e dinim se nëse do të na mbanin këtu. Ata na sollën bukë me marmelatë e djathë. Ishte hera e parë që pamë bukë të zezë dhe ishte e fortë. Kështu që nuk mund të besonim se ajo hahej. Mëngjesin tjetër na dërguan në një stacion të policisë. Avokati i babait tonë na u bashkua dhe ne shpjeguam se dëshironim të qëndronim dhe pse. Ne nuk e dinim ku e kishim babanë, kështu që na dërguan në një kamp në afërsi të Helsinkit. Ne kishim dhomat tona atje dhe ishte më komod se në bujtinë ku qëndruam. Por, ne nuk e dinim nëse do ta shihnim sërish babanë. Pas një jave dëgjuam se ai ishte në kamp në Mikkeli dhe kërkuam të transferoheshim atje. Ata u pajtuan dhe ky ishte lehtësim i madh. Kur shkuam atje ishte më mirë se që kishim mundur të besonim. Ishte një kamp me shtëpi të vogla dhe me fusha të mëdha. Kur shkuam atje babai ishte duke na pritur jashtë. Ishte një ndjenjë fantastike dhe vetëm atëherë na u kthye buzëqeshja. Ishim sërish të gjithë së bashku”, thotë Kuqi.
Familjes Kuqi pas një kohe iu pranua kërkesa për azil dhe Shefkiu, ndërtoi fizikun e tij duke skijuar nëpër Mikkeli. Ai iu bashkua grupmoshave të reja të një skuadre lokale të futbollit të quajtur Ka-Pa51. Ai më pas luajti për skuadrën Jokerit nga Helsinki dhe atë HJK. Në janar të vitit 2001 u transferua në Stockport County në Angli. Në Angli ka luajtur edhe për skuadra si Sheffield Wednesday, Ipswich Town, Blackburn Rovers, Crystal Palace, Fulham, Swansea City, Derby County. Nga vera e vitit 2009 deri në janar të vitit 2010 luajti edhe për skuadrën TuS Koblenz në Gjermani. Po ashtu luajti edhe për Përfaqësuesen e Finlandës.
Transferimi në Newcastle në moshën 34-vjeçare është një rast i madh për një finale të madhe. Por, pjesa më e vështirë e rrugës së tij gjithmonë do të mbetet ajo e para. KD