Humbja 2-0 ndaj Leçes tashmë ka vënë në diskutim serioz vendin në pankinën e Juventusit të Luixhi Del Nerit. Në fakt, deri në fund të sezonit, ai pritet që të jetë në krye të bardhezinjve, për shkak të mbështetjes së presidentit Andrea Anjeli. Por, në verë gjërat pritet të ndryshojnë. Sidomos nëse nuk arrihet objektivi i kualifikimit në Ligën e Kampioneve. Gjë që nuk do të jetë e lehtë, duke parë se Juventusi është plot 7 pikë nga vendi i katërt, i cili të çon në Ligën e Kampioneve. Del Neri në fakt, që në fillim ka lënë vend për dyshime, sidomos me deklaratat e tij, kur tha se “nuk jemi një ekip i madh”. Fjalë që shkaktuan reagim të madh. Dhe Del Neri, sipas shumë specialistëve, nuk po sillet vërtet si i “madh”. Në ndeshjen me Leçen, pas daljes me karton të kuq të Bufonit, Del Neri bëri një gabim që ndoshta shumë pak trajnerë do ta bënin. Hoqi mesfushorin Krasiç, një lojtar mjaft i shpejtë dhe i përshtatshëm për një ndeshje me një lojtar mangët, pasi me kundrësulme është shumë efikas dhe mbajti në lojë Tonin, një sulmues as teknik dhe as i shpejtë, i cili veçse ngadalësonte lojën e Juventusit. Për këtë arsye, drejtuesit e Juventusit po mendojnë seriozisht për largimin e tij në verë. Dhe tashmë duket se kanë gjetur edhe emrin e zëvendësuesit të tij. Bëhet fjalë për trajnerin e Zenitit, Luçiano Spaleti, për të cilin edhe më parë është folur për një kalim të mundshëm tek Juventusi. Megjithatë, ndeshjet e radhës do të tregojnë se kush do të jetë e ardhmja e Del Nerit.