Fitorja në ndeshjen e prapambetur të Premier Ligës ndaj Stoke Sitit, ka bërë që Arsenali tashmë të ndodhet vetëm një pikë larg vendit të parë, që mbahet nga Mançester Junaited. Për këtë arsye, “topçintë” tashmë kanë të gjithë të drejtën për të besuar tek fitimi i titullit kampion. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ana e trajnerit francez, Arsen Venger, i cili thotë se tashmë ekipi është maturuar dhe mund të luftojë për fitimin e titujve. “Një apo dy vit më parë, do të kishim humbur goxha pikë gjatë rrugës. Fakti që po vazhdojmë të mbajmë hapin e Junaited dhe jemi vetëm një pikë larg tyre, tregon që jemi maturuar. Këto lloj fitoresh, si ajo ndaj Stokes, tregon që ekipi është i etur për fitore”, ka thënë Venger. Ekipin e tij e pret një sfidë e vështirë javën e ardhshme në Ligën e Kampioneve ndaj Barcelonës. Arsenali fitoi ndeshjen e parë 2-1, falë golave të shënuar nga Van Persi dhe Andrei Arshavin.