Duket se tashmë drejtuesit e Realit kanë vendosur largimin e brazilianit Kaka dhe janë duke pritur ofertat e mundshme. Prej kohësh është folur për një interesim të Çelsit dhe Mançester Sitit për mesfushorin brazilian. Por, interesimi i këtyre të fundit ka mbetur vetëm nëpër gazeta dhe ende nuk ka pasur asgjë konkrete. Por, siç bëjnë me dije mediat italiane, ekipi rus, Rubin Kazan, ka shfaqur një interesim të fortë për Kaka. Madje, mësohet se rusët janë të gatshëm që të ofrojnë një shifër prej 45 milionë eurosh për brazilianin. Megjithatë, vështirë se Kaka do të pranonte një transferim të tillë, pasi do të ishte një hap negativ në karrierën e tij. Por, orët e fundit është folur edhe për një rikthim të mundshëm tek Milani. Kjo hipotezë është forcuar së tepërmi pas pranisë së babait të Kakasë, që është njëkohësisht edhe menaxheri i tij, në Milano. Ai ka qenë i pranishëm në ndeshjen mes Milanit dhe Napolit dhe besohet se ka folur me drejtuesit e klubit kuqezi për një rikthim të Kakasë. Megjithatë, kjo do të jetë pak e vështirë, duke parë që Reali pagoi një shifër shumë të lartë për brazilianin dhe nuk ka ndërmend që ta japë falas. Milani nga ana tjetër, nuk ka shumë para për të shpenzuar. Gjithsesi, ajo që mendohet si një gjë e sigurtë, është se Kaka do të lëvizë në merkaton e verës, pasi Murinjo nuk e sheh si të domosdoshëm në ekip.