Në mars 1997, kryetarja e komisionit të ligjeve Jozefina Topalli, pranon si të ligjshëm bashkimin mes ministrisë së brendshme dhe ish-SHIK-ut të të ndjerit Gazidede. Një nga shumë veprimet që i hapën rrugën anarkisë dhe tragjedisë në vend: u zgjodh të përdorej forca në vend të zgjidhjes së urtë politike. Të enjten, një tjetër seancë në Kuvend, demonstroi se sidomos maxhoranca, është shumë larg të pranuarit të nevojës për zgjidhje politike. Kësaj rradhe, zonja Topalli drejtonte seancën si kryetare e Kuvendit. MAPO boton procesverbalin e seancës së 2 marsit 1997, një ditë më pas, zoti Sali Berisha u rizgjodh President i Republikës
Ka ndodhur fiks 14 vjet më parë. Ka ndodhur në datën 2 mars 1997 në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e Partisë Demokratike, me shumicë votash, me votën e dalë nga zgjedhjet tërësisht të manipuluara të 26 majit 1996, miratojnë një ligj “Për bashkimin e SHIK-ut me Ministrinë e Brendshme”. Ishte një ligj i “çuditshëm”, me vetëm dy nene, nga të cilët njëri tregonte hyrjen e menjëhershme të tij në fuqi dhe tjetri, që shkruante: “Shërbimi Informativ Kombëtar bashkohet me Ministrinë e Brendshme”. Në të njëjtën ditë, i ndjeri Bashkim Gazidede, ish-shef i SHIK-ut, emërohet si gjeneral dhe komandant i gjendjes së jashtëzakonshme. Një ditë më pas, Sali Berisha, rizgjidhet President i Republikës në një nga seancat më të trishtuara të Kuvendit të Shqipërisë. Breshëri të pafundme automatikësh përshëndetën rizgjedhjen e tij në krye të shtetit, por kjo festë ishte prologu i një historie dramatike të filluar më herët dhe që do të vazhdonte edhe më pas.
Ishin manipuluar zgjedhjet e 26 majit 1996, ishte rrahur dhe masakruar publikisht opozita që demonstroi dy ditë pas zgjedhjeve në sheshin Skënderbej, ishin fituar një palë zgjedhje lokale në tetor të të njëjtit vit dhe kishte filluar procesi i rrëzimit të piramidave financiare, bosët qesharakë të të cilave, kishin financuar dy fushatat elektorale të PD-së.
Janari dhe shkurti i 14 vjetëve më parë shënoi intesifikimin e protestave të qytetarëve të zemëruar për humbjen e kursimeve të tyre, kryesisht në jug të vendit. Ata fajësonin direkt ish-presidentin Berisha si njeriun që kishte lejuar dhe shfrytëzuar politikisht ngritjen e tyre duke e paraqitur aktivitetin e tyre kriminal si shenjë të mrekullisë ekonomike shqiptare. Në vend të zgjidhjes politike, në ato muaj të tensionuar dimri, zoti Berisha zgjodhi përdorimin e forcës për shtypjen e demonstrimeve, por dështoi. Opozita e vendit, e dërmuar nga humbja e zgjedhjeve të 26 majit, me një pakicë deputetësh në një Kuvend të cilin nuk e njihte, mundi të vihet në drejtim të demonstrimeve me anë të Forumit për Demokraci. Dorëheqja e kryeministrit antikomunist të kohës, Aleksandër Meksi, ishte një akt politik, i cili nuk u pasua, me dorëheqjen e të gjithë krerëve të institucioneve, siç ishte menduar. Ndër ta, ishte parashikuar edhe largimi i vetë zotit Berisha nga politika, që konsiderohej shkaktari kryesor i krizës. Kjo gjë nuk ndodhi. Hilja e zotit Berisha, ishte akti vendimtar që e mbajti atë në politikë, ndërkohë që ishte përgatitur me detaje deri edhe largimi i tij nga vendi.
Tre ditë mbas rizgjedhjes së Presidentit, vendi u vu nën gjendjen e jashtëzakonshme dhe tre ditë të tjera më pas, ish-presidenti u detyrua të kërkojë një zgjidhje politike. Që do të thoshte, krijimi i një qeverie të Pajtimit Kombëtar me kryeministër socialist, me poste të ndara simetrikisht mes PD-së dhe PS-së dhe me mbështetje të deklaruar nga shumica dërmuese e djathtë në Kuvend. Detyra e kësaj qeverie ishte të rivendoste rregullin dhe rendin kushtetues dhe të përgatiste zgjedhjet e parakohshme që ishin parashikuar në qershor të të njëjtit vit. Por kjo zgjidhje politike, shumë e lëvduar dhe kritikuar që atëherë dhe më pas, kishte ardhur shumë vonë. Djajtë kishin dalë nga shishja dhe politika që rendte pas tyre, kishte bërë gafën e rradhës. Tashmë ajo, me konfliktualitetin e saj ekstrem, nuk kishte mundur t´u paraprinte ngjarjeve, nuk kishte bërë asgjë për t´i parandaluar ato, por thjesht i ndiqte nga pas. Tragjedia e marsit të zi, bilanci tragjik i viktimave që nisi t´i ngjante një bilanci lufte, me shpërthimin e depove të armëve nga jugu në veri, është një nga anët më të errëta të politikës shqiptare në pluralizëm. Ajo tragjedi e shënjon me gisht klasën politike të kohës si një krijesë të paaftë, të inkriminuar dhe tërësisht të mposhtur nga instikti për pushtet.
Të gjitha tentativat për të dënuar penalisht, por edhe politikisht autorët e kësaj tragjedie kanë dështuar. Dështoi hetimi penal, dështoi dhe një hetim parlamentar për këtë ngjarje. Fatkeqësisht, edhe mbas fitores së socialistëve në qershor 1997, defektet serioze të qeverisjes dhe lufta tejet e ashpër politike në vend, nuk dhanë mundësi jo vetëm për shërimin e plagëve të hapura, por krijuan dhe plagë të reja. Një vit më pas, në një tentativë të pastër për grusht shteti në 14 shtator 1998, Shqipëria ishte më e ndarë se kurrë dhe më e rrezikuar se kurrë nga anarkia. Vetëm ndërhyrja ndërkombëtare – në mars 97´ edhe me mision ushtarak paqeruajtës – mundi të mbajë çfarë mundej nga ai thërrmim i pashoq i shtetit, dy herë në më pak se dy vjet.
Eshtë e vështirë të ngrihen paralele të qarta mes situatës së sotme në vend dhe asaj të 14 vjetëve më parë. Në këto 14 vend, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ka krijuar mirë apo keq institucionet e saj të pavarura kushtetuese, ka rritur standartin e jetesës, por sërish ka një klasë politike nën standartin minimal evropian. Dhe ky është elementi më ogurzi për të ardhmen. Eshtë e njëjta gjuhë urrejtje, e njëjta miopi për të parë përtej interesit të çastit politik dhe mbi të gjitha, i njëjti instikt për pushtet dhe e njëjta urrejtje për zgjidhje politike.
Në 21 janar 2011, një demontratë e opozitës, me elementë sporadikë të dhunshëm brenda saj, u shoqërua me vrasjen gjakftohtë të katër qytetarëve të pafajshëm. Demonstrimi i forcës së armëve të shtetit mbi demonstratë, qoftë kjo edhe e dhunshme, nuk paralajmëron asgjë të mirë sa kohë nuk do të dalë e qartë përgjegjësia penale dhe mbi të gjitha, përgjegjësia politike.
Në jetën e një shoqërie, si në mjekësi, politikë apo dhe në luftë duhet parashikuar më e keqja dhe duhet të shmanget më e keqja duke u përgatitur për më të keqen.
Zgjedhjet e 28 qershorit 2009, të helmuara nga dyshimi për deformim të rezultatit, refuzimi i maxhorancës për të hetuar mbi to dhe për të garantuar transparencë, janë pika e fillimit. Helmi i korrupsionit të gjithëpërhapur qeveritar dhe mungesa e ndëshkimit të tij penal dhe politik, janë rrënja tjetër që mund të rikthejë sërish marsin e zi mes shqiptarëve. Jo në atë formë, por me të njëjtën përmbajtje. Çka do të ishte një hap tërësisht prapa dhe tërësisht negativ jo vetëm për Republikën e Shqipërisë, por për të gjithë faktorin shqiptar në rajon. Kjo duket se do të jetë pika që do të ndajë, në qeveri apo në opozitë shqiptarët e mirë nga shqiptarët e këqinj. Në kuptimin direkt të kësaj fjale. Dhe kjo vlen edhe për ata shqiptarë që e ngrejnë si ndërtim la leje çatinë prej horrash të patriotizmit dhe në të vërtetë, i shërbejnë gjithçkaje, përveç Shqipërisë. Sot, për hir të një ironie të fatit, një nga çelësat e zgjidhjes së krizës e ka në dorë i njëjti individ që nuk e përdori si duhet dhe kur duhet në vitin 1997. Dhe ky është Sali Berisha. Çelësi tjetër është në dorë të opozitës dhe për më shumë, është në duart e qytetarëve të zemëruar me këtë qeverisje. Në mes është vetëm shpresa se të gjithë bashkë, të gjithë aktorët me zë në historinë moderne shqiptare, do të kërkojnë të mos përsërisin kokëfortësinë për ta mbajtur mbyllur derën e zgjidhjes politike.
Si ka ndodhur keq dhe cili është skenari i zi dihet, se çfarë do të ndodhë është vetëm pronë e parashikimeve. MAPO ka zgjedhur të botojë procesverbalin e një seance në Kuvendin e Shqipërisë, në 2 mars 1997, kur miratohet ligji që bashkon ministrinë e brendshme me SHIK-un, për të kujtuar së paku, se çfarë nuk duhet bërë. Seanca e të enjtes në Kuvend për kufizimin e imunitetit të deputetëve, gjuha e përdorur aty, edhe pse tërësisht e ndryshme, është një gur më shumë në themelin e të keqes që nuk po i ndahet këtij vendi. Për një tjetër “koincidencë” politike, dy njerëz janë të pranishëm në të dy këto seanca. Në të parën Berisha si frymëzues i saj dhe Topalli si kryetare e komisionit të ligjeve dhe në të dytën, Berisha si drejtues real i saj dhe Topalli si kryetare e Kuvendit.
MAPO boton procesverbalin e kësaj seance, kurse çfarë po ndodh sot, është ende e freskët. Mbi të gjitha, është e paharrueshme mënyra sesi u kërkua të stiset një grusht shteti, një “puç” ku “pronari” i qeverisjes përfshiu të gjithë institucionet e shtetit. Që nga Presidenti i Republikës e deri tek Prokurori i Përgjithshëm. Të kujtosh është dhunti, të harrosh është mëkat. Dhe harresa është një nga mëkatet fillestare të kësaj qeverisjeje mëkatare që flet edhe në vitin 2011 njëlloj si në vitin 1997.
Procesverbali i seancës, 2 mars 1997
Pjetër Arbnori – …Pika e tretë, projektligji ”Për bashkimin e SHIK-ut me Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Projektligji ka një nen me këtë përmbajtje: “Shërbimi Informativ Kombëtar bashkohet me Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Neni tjetër: “Ky vendim hyn në fuqi në datën 2.3.1997, në orën 17.40”.
Agron Musaraj – Zoti Pjetër, çdo të thotë “bashkohet me Ministrinë e Brendshme”? Ka ndonjë specialist këtu që të na e shpjegojë? Sepse inkuadrimi është gjë tjetër dhe bashkimi është tjetër.
Pjetër Arbnori – Janë në një ministri
Agron Musaraj – Si bëhen në një ministri? Kemi ndonjë specialist këtu që të na i shpjegojë? I bashkuar nuk quhet me pushtetin lokal, sepse ngaqë u bashkua me Ministrinë e Rendit me pushtetin lokal, u përfitua Ministria e Brendshme. Çfarë do të thotë tani “bashkohet”? Bëhet drejtori?
Pjetër Arbnori – SHIK-u inkuadrohet me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Agron Musaraj – Në ç’shkallë të piramidës së Ministrisë së Punëve të Brendshme do të qëndrojë SHIK-u?
Pjetër Abnori – Zoti Shamata.
Halit Shamata – Ideja është që, forcat e SHIK-ut, inkuadrohen në repartet antiterror të Ministrisë së Brendshme.
Alfred Serreqi – Më kujtohet që ky parlament ka miratuar një ligj që përcakton strukturën e SHIK-ut, prandaj në këtë rast duhet të shprehet komisioni i Ligjeve se çfarë papërputhshmërie ka propozimi që bëhet për një bashkim të tillë, i cili nuk është definicion juridik. Ç’do me thënë “bashkohet”? Ne kemi një ligj për SHIK-un.
Azem Hajdari – Zoti kryetar, kjo që po diskutojmë është gjëja më e thjeshtë në konceptin e legjislacionit në Shqipëri. Pse? E para, kjo bëhet me një urdhër të përbashkët, domethënë kryetari i SHIK-ut plus Ministri i Brendshëm, me një urdhër të përbashkët, kryejnë një problem të tillë. E dyta, kompetencën ekskluzive të kësaj e ka Këshilli i Mbrojtjes, ku Ministri i Brendshëm dhe kryetari i SHIK-ut janë anëtarë të këshillit të Mbrojtjes dhe, përderisa atyre u dhamë këto kompetenca që parashikohen në ligjin për Këshillin e Mbrojtjes, kanë edhe kompetencën për të bashkuar në detyra të caktuara funksionale një kompetencë të tillë legjislative. E treta, funksionet e tyre atakohen në Kushtetutë dhe kjo ishte arsyeja që unë fola më përpara. Pse? Kryetari i SHIK-ut caktohet me propozim të Këshillit të Ministrave dhe është në kompetencë të Parlamentit. Prandaj, që të mos biem në konfrontim të funksionit, por që të realizohen detyrat operative që kërkon ministri i Brendshëm dhe sidomos bashkimi i degës Kriminale me kundërzbulimin, se kjo kërkohet në detyrat antiterror në Shqipëri, duhet një urdhër i përbashkët i zotit Gazidede me zotin Shamata dhe që në këtë moment, me miratimin e Komandantit të Përgjithshëm, ajo është e realizueshme…
Agron Musaraj – Azemi mesa duket nuk më ka dëgjuar mirë, se unë nuk thashë për ndryshimin e emrit, por e kisha fjalën që SHIK-u mbulon shtatë figura krimi me ligj. Në atë drejtori, ku mendohet të inkuadrohet ai, nuk ka mundësi t’i mbulojë ato 7 figura krimi që ka.
Ali Spahia – Pa hyrë në vërejtjet që bënë zotërinjtë parafolës, unë mendoj se është koha që edhe ne të mbajmë përgjegjësitë tona, secili, dhe të mos ia lëmë vetëm Këshillit të Mbrojtjes, të mos ia lëmë vetëm Ministrit të Rendit ose kryetarit të SHIK-ut. Të marrim edhe ne përgjegjësitë tona dhe i ftoj zotërinjtë deputetë të miratojnë ligjin ashtu si na ka ardhur.
Bashkim Kopliku – Të nderuar kolegë, ju ftoj që edhe në këto momente kaq të vështira për vendin, të jemi pak gjakftohtë dhe të respektojmë ligjet. Kur i kemi ndarë, unë kam qenë Ministri i Rendit i asaj kohe dhe kemi pasur disa motive shumë të mira. Tani problemi është se ne nuk kemi këtu një ligj të shkruar.
Nuk merret vesh: është një bashkim i përkohshëm, vetëm për gjendjen e jashtëzakonshme, apo i përhershëm? Dua t’ju kujtoj që, kryetari i SHIK-ut, kur thuhet se ai emërohet kështu, kështu e kështu, formalisht është pjesë e ligjit tonë kushtetues, pra ne po atakojmë edhe ligjin kushtetues.
Nga ana tjetër, në qoftë se e kemi hallin për anën operative, ka një dokument, së paku në kohën time ka pasur, për bashkëpunimin, për shkëmbim informacioni në mes dy organeve. Aq më tepër, në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, bashkëpunimi i tyre forcohet.
Pjetër Arbnori – Zotërinj, ky bashkim do të jetë për sa kohë që të vazhdojë gjendja e jashtëzakonshme.
Jozefina Topalli – Zoti kryetar, në emër të Komisionit të Ligjeve, ju kërkoj pak kohë për të diskutuar këtë vendim. (Mbas 15 minutave pushim, sërish flet zonja Topalli).
Jozefina Topalli – Komisioni i Ligjeve, së bashku me Komisionin e Mbrojtjes dhe të SHIK-ut, është dakord për kalimin e vendimit, në të cilin theksohet: “Forcat e armatosura të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të SHIK-ut, ngarkohen nga parlamenti për shtypjen e kryengritjes së armatosur gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe për vendosjen e rendit kushtetues e publik. Këto forca që do të angazhohen për kryerjen e detyrës së mësipërme, do të komandohen nga gjeneral Gazidede”.
Kryhet votimi dhe miratohet projektligji.
Pjetër Arbnori – Zotërinj deputetë, propozohet që Kuvendi Popullor të ngarkojë Këshillin e Mbrojtjes të caktojë një emisar të këshillit të Mbrojtjes për çdo rreth, lidhur me detyrën për shtypjen e bandave terroriste. Mbyllet votimi. Miratohet me 106 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim. Zotërinj deputetë, ju lutemi, kemi patur një gabim teknik. Te vendimi i Kuvendit Popullor që ngarkon forcat e armatosura të Ministrisë së Brendshme dhe të SHIK-ut, duhet thënë”…për shtypjen e bandave të armatosura terroriste dhe për vendosjen e rendit kushtetues dhe publik”.
Aleksandër Meksi – Një minutë, se mbase nuk e kemi shprehur mirë. Fjala është këtu: Vetëm në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme ka të drejtë Komandanti i Përgjithshëm të përdorë edhe reparte të caktuara me urdhërin e tij dhe me vendim të Këshillit të Mbrojtjes për ruajtjen e rendit. Pra, këtë të drejtë e ka. Por kjo nuk është që përjashton Forcat e Armatosura të Ministrisë së Brendshme, të parën dhe të SHIK-ut, të dytën, që do të ngarkohen me këtë punë i komandon ….
Pjetër Arbnori – Tani zotërinj kemi vendimin e fundit: “Kuvendi Popullor i kërkon Këshillit të Mbrojtjes të bëjë mobilizim të pjesshëm të popullsisë dhe ta vërë në dispozicion të forcave të Rendit dhe të SHIK-ut”.
Azem Hajdari – Zoti kryetar, mendoj që këtu përsëri duhet theksuar një fakt, që mobilizimi i pjesshëm bëhet edhe në këto raste. Prandaj mendoj se do t’u duhej juristëve, ose komisionit dy-tri minuta për ta formuluar këtë vendim, se është një vendim i rëndësishëm…
Pjetër Arbnori – Do të njoftohet popullata me anë të masmedias për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Comments are closed.
-Aman mos na e kujto 97 ku opozita deshtoi te fuste ne burge dhe ta varte ket lloj kafshe—QE NUK LARGOHET PA GJAK SHQIPTARI…..Kjo eshte 100%e vertete, sala largohet vetem me lufte sepse eshte ARMIK..dhe historia e nje vendi nuk behet me fjale….ato jane vetem per poezi ne histori…………..
Si eshte e mundur qe njerzit qe kane aq aftesi intelektuale sa te miratojne nje ligj te formuluar ne ate menyre te drejtojne sot Shqiperine??? Ky nuk eshte thjesht shtet i deshtuar, eshte vete populli i deshtuar.
Nuk ka popull te deshtuar por ka politika te deshtuara per hire te interesave te futbollit me dy porta,njehere djalli njehere mostra.Kjo eshte panorama e politikave ne Shqiperi qe leshojne lot krokodili vetem per te mashtruar popullin per te shqyer prene e rradhes.Nese do te kishte rrespektuar shtetin ligjor PS-ja me garnityre,nuk do te ishte kjo panorame qe eshte sot.Injorimi i shteti ligjor vertetoje nje thenje te hershme polullore qe thote si”bir selmani i nenes ke te qaj me pare njerin ekam burre e tjetrin e kam djale”apo “bej baba qe te ngjaje” mbeten politikat e dites ne Shqiperi.Ti thuash popull i deshtuar shqiptareve pa iu referuar kohes eshte miopi,shqiptaret jan nje popull qe ne zgjedhjet e 2005 i futen dridhmat politikes shqiptare te cilat me mbeshtetjen e njera tjetres ligjeruan nje ligj zgjedhore per ti dhene fuqi diktatori liderve te tyre duke i bere te gjithepushtetshem ne perzgjedhjen ekandidateve ne zgjedhje,e kete e dim te gjithe dhe nuk protestuam,vetem protestat paqesore e te pandalshme shkulin te keqen e politikes shqiptare qe ka gllaberiuar te kater pushtetet dhe ky eshte Sali Berisha,Fatos nano,Ilir Meta me shoke,pa harruar Edvin Ramen me shoke qe vazdojne skenaret e rradhes se buces komuniste per te ruajtur poltionet e botes se krimit e korrupsionit.Protesto vetem protesta vendos pikat mbi I-ne.Beso e bindu
Lorenc,te lumte.Ate procesverbalin e seances 2 mars 1997 duhet ta percjellesh per te botuar ne cdo medie te shkruar me shtyp apo elektronikisht per tu kujtuar shqiptareve,por dhe te gjithe trupit diplomatik te huaj ne shqiperi per te gjetur ndonje dallim midis qeverisjes Berishjane dhe asaj Gadafjane.
…….C,menduri ,ne demokraci parlamenti nxjer dhe aprovon ligj :… mobilizim te pjesshem te popullsise dhe venje ne dispozicion te forcave te Rendit dhe te SHIK-ut.