Hoze Murinjo tashmë ka bërë listën e lojtarëve që nuk i dëshiron më në ekip. Dy jamë emrat kryesorë të listës prej tetët lojtarësh që portugezi kërkon të largojë nga Reali: braziliani Kaka dhe francezi Karim Benzema. Këta të fundit nuk e kanë bindur Murinjon dhe ky i fundit tashmë ka vendosur që t’i largojë. Mes lojtarëve që pritet të largohen janë edhe mesfushorët Fernando Gago, Lasana Diara, Pedro Leon, Kanalis, mbrojtësi Garaji dhe portieri i dytë Jerzi Dudek. Për këtë arsye, Reali pritet që të kthehet në një “supermarket” për klubet që kërkojnë të përforcohen. Kështu, në portën e Realit, për brazilianin Kaka pritet që të trokasë Milani dhe Interi, por edhe Çelsi dhe Mançester. Hapat e parë janë hedhur nga vetë Kaka, i cili pak ditë më parë kishte dërguar të jatin në Milano, ku është takuar me Adriano Galianin. Tashmë flitet për një rikthim të mundshëm të brazilianit tek Reali, edhe pse kjo do të jetë paksa e vështirë. Reali ka paguar një shumë goxha të madhe për Kaka dhe nuk ka ndërmend që ta japë falas atë. Milani nga ana tjetër nuk ka shumë para për të shpenzuar dhe nuk ka ndërmend që të bëjë sforcime ekonomike. Për më tepër që gjatë kësaj vere duhet të fillojë të paguajë për blerjen e Ibrahimoviçit dhe Robinjos. Duke qenë kështu, rikthimi i Kakasë tek Milani duket shumë i vështirë. Interi ka shprehur një interesim të fortë për brazilianin, por, duke parë dashurinë e madhe për ngjyrat kuqezi, vështirë se Kaka do të pranonte të bënte një tjetër “tradhti”, pas asaj të Leonardos. Por, futbolli na ka mësuar me çudira dhe nuk ka pse mos të ndodhë edhe këtë radhë kjo gjë. Gjithsesi, më i mundshëm është një kalim i Kakasë tek Çelsi. Por, kjo mbetet për t’u parë, pasi nëse Karlo Ançeloti largohet në fund të sezonit nga londinezët, atëherë transferimi i Kakasë tek Çelsi do të ishte shumë i vështirë. Edhe francezi Karim Benzema ka shumë admirues, mbi të gjitha në Angli, ku Arsenali dhe Mançester Junaited do ta prisnin me krahë hapur. Për sulmuesin francez deri pak javë më parë interesoheshin edhe italianët e Interit dhe Juventusit, po tashmë interesi i tyre është zbehur. Megjithatë, për të ndaluar tek bardhezinjtë e Juventusit, këta të fundit mund të përfitojnë nga largimet e Realit për të marrë një prej Fernando Gaga dhe Lasana Diara, për të cilët ka shfaqur interesim prej kohësh.