Mançester Junaited ka blerë mesfushorin 16-vjeçar me origjinë kosovare, Adnand Jonuzaj, i cili nga mediat britanike është cilësuar si Bekami i ri. Jonuzaj luante për të rinjtë e Anderlehtit dhe kërkohej nga një sërë klubesh të tjera, si Lila, Totenhem dhe Aston Vila. Por, Ferguson është treguar më i shpejtë dhe më këmbëngulës, duke paguar 600 mijë euro për të marrë talentin kosovar. Ndërkohë, Jonuzaj do të përfitojë 150 mijë euro në vit, një shifër goxha e lartë kjo për një 16-vjeçar. Sipas mediave britanike, Jonuzaj është një mesfushor i shpejtë, driblon dhe ka një teknikë për t’u admiruar. Për këtë aryse, ai është krahasuar edhe me legjendën e Mançesterit, Dejvid Bekam. Jonuzaj ka pasaportë belge, duke qenë se jeton që kur ka qenë fëmijë aty. Ndoshta vëzhguesit e kombëtares shqiptare do të bënin mirë që t’i hidhnin sytë nga kosovari dhe të përpiqeshin që ta afronin në ekip, sepse jo të gjithë lojtarët krahasohen me Dejvid Bekam. Dhe kur një gjë të tillë e bëjnë mediat britanike, do të thotë se Jonuzaj mund të bëhet seriozisht një lojtar i niveleve të anglezit të famshëm.