Free Press
Ngritja e çmimeve të ushqimeve dhe karburantit, është kthyer në shqetësimin kryesor të qytetarëve gjatë muajve të fundit. Situata tashmë është bërë shqetësuese. Për më tepër, ekspertët e ekonomisë thonë se kjo rritje do të vazhdojë edhe më tej. Për këtë arsye, shqiptarët duhet të përgatiten për një vit të vështirë.
Kurba e çmimeve
Duke nisur që nga dhjetori, kjo kurbë ka qenë vetëm duke u ngjitur dhe pritet që edhe në muajt në vijim të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Tashmë nuk ka mbetur produkt ushqimor pa u prekur nga rritja e çmimit. Rritjen më të ndjeshme e kanë pësuar ato që quhen ushqime të shportës, të cilat janë dhe më të domosdoshmet për shqiptarët. Rritja nis që nga 10 lekë të reja për produkt, deri në 30-40 lekë. Por edhe frutat dhe perimet kanë pësuar pothuajse të njëjtën rritje. Qytetarët shqiptarë, të ardhurat e të cilëve nuk janë rritur gjatë këtyre muajve, tashmë kanë filluar që ta ndjejnë ndjeshëm rritjen e çmimeve për produktet ushqimore, por edhe karburantet, që gjithashtu kanë pësuar rritje. Nëse merret një mesatare prej 20 lekë për rritjen e çdo produkti, një qytetar shqiptar duhet të shpenzojë 200 lekë më tepër në ditë vetëm për ushqimet. Në një muaj, qytetari duhet që të shpenzojë 6 mijë lekë më shumë vetëm për ushqimet. Nëse do të përfshijmë edhe karburantet, atëherë kjo shifër dyfishohet.
Të dhënat
Si për çdo gjë në Shqipëri, të dhënat për rritjen e çmimeve janë kontradiktore. INSTAT, institucioni përgjegjës për monitorimin e të dhënave për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, pohon se rritja nuk është e ndjeshme. Madje, të dhënat e INSTAT, tregojnë se kjo rritje është pak e shumë e njëjta me një vit më parë. Por, nëse do të pyesësh nëpër supermarkete dhe tregje të ndryshme ushqimorë dhe fruta-perimesh, do të shohësh se çmimet janë rritur shumë më tepër. Sipas INSTAT, gjatë muajit janar, vaji është rritur me vetëm 4.6%, në një kohë që, nga 210 lekë, tashmë ai ka shkuar në 250 lekë. Nëse do t’i marrim me radhë të dhënat për të gjitha produktet, do të shohim se kontradiktat janë të njëjta. INSTAT thotë se frutat janë rritur vetëm me 0.4%, zarzavatet vetëm me 4.0%, mishi me 0.3%, buka me 1.6%, ndërsa tregjet thonë krejt të kundërtën, pasi rritja është shumë më e madhe.
Shkaqet e rritjes
Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve nuk ka prekur vetëm Shqipërinë. Pothuajse e gjithë bota është prekur nga këto rritje. Madje, në disa vende, tashmë kanë nisur edhe protestat për rritjen e çmimeve, pasi situata është bërë e papërballueshme. Rritja e çmimeve në botë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në Shqipëri. Kjo, duke qenë se pjesa më e madhe e produkteve ushqimore vjen nga jashtë. Por, edhe shumë fruta, për të mos përmendur pastaj edhe karburantet, vijnë nga jashtë. Situata e karburanteve është edhe më e rëndë, duke parë edhe situatën politike në botën arabe, e cila është prodhuesi kryesor i naftës dhe prej javësh të tëra është e përfshirë në trazira të armatosura. Për pasoja, çmimet e karburanteve kanë kapur shifra rekord dhe pritet që të vazhdojnë me këtë ritëm.
Abuzimet e tregtarëve
Sikur të mos mjaftonte vetëm rritja e çmimeve, qytetarët duhet të përballen edhe me abuzimet e tregtarëve. Këta të fundit, në mjaft raste i ngrenë çmimet sipas dëshirës së tyre. Por, më i rëndë është edhe fakti që ata abuzojnë edhe me peshën e ushqimeve. Kjo gjë vazhdon prej vitesh në fakt dhe deri më tani, nuk është marrë asnjë masë parandaluese. Qytetarët prej kohësh e denoncojnë këtë fakt, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhët.
Pasojat
Nëse rritja vazhdon me këtë ritëm, pasojat mund të jenë shumë të rënda. Duke parë që aktualisht në Shqipëri ka dhe një krizë politike, ajo mund të përzjehet edhe me krizën që ka prekur xhepat e shqiptarëve. Kjo do të ndikonte në ashpërsimin e situatës dhe në konflikte sociale. Por, pasojat pritet që të jenë serioze në të gjithë botën në fakt. Vetëm pak ditë më parë, ministri francez i bujqësisë, Bruno Lemer, tha se rritja e çmimeve mund të çojë në shpërthimin e protestave të ashpra në të gjitha anët e globit. Drejtuesi i Bankës Botërore, Robert Zoellick thotë rritja drastike e çmimeve të ushqimeve ka shkaktuar kalimin e 44 milion njerëzve në varfëri të tejskajshme. Zoellick tha se indeksi i çmimeve të ushqimeve të Bankës Botërore është 3% më poshtë se pika kulminante e arritur në vitin 2008, ku plasën trazirat për ushqim në disa vende anembanë botës. Ai tha se ndërsa çmimi i produkteve ushqimore nuk ishte burimi kryesor i trazirave në Afrikën Veriore, kjo çështje ishte një faktor përkeqësues. Çmimi i grurit është rritur me 20% në krahasim me tremujorin e kaluar, ndërsa çmimi i misrit është rritur me 12%.
Deri më tani, qeveria shqiptare e ka kaluar në heshtje rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. Nuk është bërë e ditur asnjë masë parandaluese dhe për më tepër, institucionet financiare në vend, siç është Banka e Shqipërisë, kanë bërë me dije se situata nuk është shumë e rëndë. Për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, situata nuk përbën shqetësim, parë në aspektin afatgjatë, pasi skenarët flasin për një qëndrueshmëri të çmimeve. “Ecuria e çmimeve të konsumit në të ardhmen pritet të jetë nën presionin e rritjes së çmimeve në tregjet botërore, por, në mungesë të efekteve të raundit të dytë, ndikimi i tyre pritet të jetë kalimtar”, deklaroi guvernatori i BSH-së pak ditë më parë, gjatë prezantimit të të dhënave për muajin janar mbi rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore. Por, ekspertë të tjerë të ekonomisë, si ish-guvernatori Cani, nuk e shohin me aq shumë optimizëm situatën, sa guvernatori Fullani. Sipas tyre, rritja do të vijojë dhe do të godasë rëndë qytetarët shqiptarë prandaj dhe duhen marrë masa parandaluese.
E ardhmja
Krizat ndonjëherë ndikojnë edhe pozitivisht. Duke parë që pjesa më e madhe e produkteve ushqimore, por edhe frutat dhe zarzavatet vijnë nga jashtë, ndoshta ka ardhur koha që të kthehet vëmendja dhe t’i jepet përparësi prodhimit vendas, sidomos bujqësisë. Nëse prodhimi i frutave dhe zarzavateve në vend do të ishte në një nivel të mirë, çmimi i tyre në tregun shqiptar nuk do të kishte pësuar këtë rritje. Suvencionet dhe lehtësirat që mund të krijonte qeveria në këtë rast, do të ishin të domosdoshme, në mënyrë që bujqësia shqiptare të ringjallet dhe të jetë e aftë që të plotësojë nevojat e qytetarëve.
Sa kanë ndryshuar çmimet sipas tregjeve, në lekë
Vaji- Ishte 210 lekë, është bërë 250 lekë
Orizi- Ishte 160 lekë, është bërë 180 lekë
Kripa- Ishte 250 lekë, është bërë 350 lek
Makarona- Ishte 70 lekë, është bërë 80 lekë
Mielli- Ishte 150 lekë, është bërë 160 lekë
Sheqeri- Ishte 90 lekë, është bërë 150 lek
Buka- Ishte 70 lekë, është bërë 80-90 lekë
Frutat
Mollët- Ishin 70 lekë, janë bërë 130 lekë
Limonët- Ishin 90 lekë, janë bërë 130 lekë
Kivit- Ishin 100 lekë, janë bërë 120 lekë
Perimet
Domatet- Ishin 170 lekë, janë bërë 180 lekë
Patatet- Ishin 50 lekë, janë bërë 90 lekë
Brokolit- Ishin 150 lekë, janë bërë 170 lekë
Lulelakrat- Ishin 150 lekë, janë bërë 200 lekë
Qepët- Ishin 50 lekë, janë bërë 100 lekë
Ullinjtë- Ishin 200 lekë, janë bërë 300 lekë
Sa kanë ndryshuar çmimet sipas INSTAT, në përqindje
Vaji është rritur me 4.6%
Buka është rritur me 1.6%
Sheqeri është rritur me 2.5%
Mishi është rritur 03.%
Frutat janë rritur me 0.4%
Zarzavatet janë rritur me 4.0%
Pijet alkoolike dhe duhani janë rritur me 5.8%
Gazi i lëngshëm është rritur 2.3%
Vox Pop
Anila Hysa
Çmimet janë rritur shumë, nuk e di se si do shkojnë më tej, por uroj të mos rriten, sepse nuk i përballojmë dot. Shitësit i rrisin produktet, pas nuk ka kush t’i kontrollojë dhe ata me këtë rast përfitojnë.
Pëllumb Dervishi
Çmimet janë çmendur. Fajin për këtë e kanë të dyja palët, edhe shteti, edhe tregtarët. Shteti nuk i kontrollon dhe ata i rrisin çmimet sipas qejfit.
Albana Sulko
Çmimet çdo ditë edhe më shumë po rriten. Dal për të bërë pazarin dhe nuk e kuptoj kur me mbarojnë lekët, ndërsa produktet që kam blerë janë shumë pak. Qeveria duhet të ndërhyjë qe çmimet mos të vazhdojnë të rriten akoma, se po vazhduan të rriten me këtë ritëm që kanë filluar, nuk e dimë si do t’ia dalim.
Zenepe Musa
Për çmimet më mirë mos na pyet, se nuk dimë çfarë do bëjmë, pasi edhe ato pak lekë që marrim nga pensioni, nuk na mjaftojnë dhe nuk na dalin më për asnjë gjë.
Megi Lulo
Mendoj se këtu çmimet varen nga humori i shitësit. Çdo ditë ka ndryshime çmimesh dhe për të njëjtët artikuj mund te gjesh çmime të ndryshme në vende të ndryshme, është absurde!
Kujtim Lile
Çdo ditë e më shumë çmimet po rriten. Tregtarët përfitojnë nga rasti dhe një fjalë që dëgjojnë për rritjen e çmimeve në botë, direkt i rrisin çmimet edhe këtu.
Vjollca Subashi
Nuk e di si do ia dalim me këto çmime të larta dhe me rroga të ulëta. Shitësit abuzojnë, ndërsa shteti nuk ndërhyn për situatën e krijuar.
Blerina
Çmimet kanë shkuar në qiell, çdo ditë rriten dhe nuk dihet nëse do të ndalen.
Bardhi Alia
Çmimet po i përshtaten tregut ndërkombëtar, sepse ne, më shumë importojmë se sa prodhojmë vetë.
Qamil Çerpja
Çmimet janë shumë të shtrenjta. Tregtarët i rrisin si të duan dhe shteti nuk ndërhyn.
Sanije Qëndro
Çmimet kanë shkuar ku nuk mban më. Shikojmë që përditë rriten. Nuk e di si do ja dal me këto çmime te shtrenjta dhe me një pension qesharak. Dua të them që edhe tregtarët abuzojnë pa masë me çmimet.
Rovena Begolli
Çmimet është normale që do rriten, pasi vendi ynë importon shumë produkte që janë të shportës. Kjo bën që edhe kur çmimet të rriten jashtë vendit, të rriten edhe në vendin tone. Pastaj, nuk duhet të harrojmë se këtu tregtarët abuzojnë shumë me çmimet pa rritje në botë, e jo me rritje pastaj që abuzojnë. Ndërsa shteti nuk ndërhyn fare me politikat e tij për ekonomin e vendit.
Ali Gjoka
Më këto çmime nuk e dimë çfarë të blejmë, se na mbarojnë lekët për shumë pak produkte. Tregtarët abuzojnë me çmimet, ndërsa shteti nuk ndërhyn.
Shkëlqim Cani: Shqiptarët duhet të përgatiten për një vit të vështirë
Flet ish- guvernatori i Bankës së Shqipërisë
Si e shihni trendin e rritjes së çmimeve në Shqipëri?
Çmimet, sidomos të artikujve ushqimorë dhe të nënprodukteve të naftës, janë rritur ndjeshëm dhe nga sa duket, trendi i rritjes së tyre do të vijojë përgjatë gjithë vitit 2011. Këtu dominojnë grupe të caktuara mallrash, që kryesisht janë të nevojave të ashtuquajtura jetike për popullsinë, si drithërat e të gjitha llojeve (buka si artikulli më i ndjeshëm dhe me goditje të rënda për shtresat më të dobëta të shoqërisë shqiptare), nafta dhe gjithë grupi i lëndëve djegëse (me ndikime këto në rritje të çmimeve të të gjithë mallrave të tjera, në ngrohje-ftohje dhe në transport), veshmbathje etj.
Me keqardhje më duhet të shprehem dhe të paralajmëroj se qeveria dhe institucionet përkatëse e kanë marrë me shumë lehtësi dhe me indiferentizmin klasik, që i ka karakterizuar gjithë këto vitet e fundit, edhe këtë ndodhi që do përshkallëzohet. Dihet që çmimet e ushqimeve dhe të nënprodukteve të naftës prekin dhe kanë pasoja relativisht të rënda për shtresat më të varfra të shoqërisë, ose në rastin shqiptar, cenojnë jetesën e mbi gjysmës së popullsisë.
Kjo rritje shkaktohet nga faktorët e jashtëm, duke parë se edhe në botë ka pasur rritje apo ka edhe faktorë të brendshëm?
Këtu ka një përzierje faktorësh, që fillojnë me ata të jashtëm, pasi ka patur rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por që rëndesën apo dëmin më të madh e kanë nga faktorë të brendshëm. Ka shumë kohë që është paralajmëruar rritja e çmimeve të ushqimeve në tregjet botërore. Po kështu, edhe të lëndëve djegëse. Qeveria jonë nuk ka marrë as edhe një masë efektive (me përjashtim të ndonjë deklamimi populist spekulativ apo mosrritjes së çmimit të energjisë elektrike për efekte elektorale dhe në mënyrën më të gabuar të mundshme). Është i pjekur mendimi që kemi një qeveri jo më pa vizion, që t’ju paraprijë fenomeneve e ngjarjeve, por pa mendim e veprim, edhe kur ngjarja është prezente në jetën ekonomike të vendit dhe të shtetasve.
Ekziston bindja dhe madje në disa raste është vërtetuar se tregtarët abuzojnë me çmimet, por edhe në peshën e ushqimeve. Sa e vërtetë është kjo?
Kjo tashmë është e vërtetuar prej dy dekadash, pa ndonjë rast përjashtimor në kujtesën time. Deri diku, edhe mund të quhet e pranuar. Por, shtetasit për këtë kanë votuar qeverinë, për t’i mbrojtur nga spekulimi. Qeveria, me institucionet e saj përgjegjëse përkatëse, nuk bën tjetër veçse sehirxhiun.
Në fakt, ajo vepron në të kundërtën. E korruptuar dhe me kapjen e shtetit, ajo i mbron spekulantët dhe monopolet e krijuara në pjesën dërrmuese nga vetë qeveritarët. Spekulimet e tregtarëve janë shumë herë më të pakta nga ato të qeveritarëve tanë në rritjen e frikshme të çmimeve të ilaçeve, të energjisë e spekulimit me faturimet (qeveria me cinizëm bën sehir radhët e gjata të ankuesve, kur vetë ka bërë privatizimin e gabuar dhe ende ka në pronësi ¼ e CEZ-it), të bukës dhe të gjithë artikujve ushqimorë, të të gjithë nënprodukteve të naftës, e deri të gjitha komisionet bankare. Nëse ka mbetur ndonjë artikull a shërbim që nuk është rritur ende, do të rritet së shpejti, pasi pas tyre qëndrojnë interesat e zyrtarëve të lartë, që nxisin rritjen spekulative të çmimeve të mallrave e shërbimeve.
A janë reale shifrat e INSTAT-it për rritjen e çmimeve?
Është thuajse e pamundur që një individ të zëvendësojë një institucion në matjen e inflacionit. Por, nëse do të bënit një sondazh me këtë pyetje në publikun e gjerë, besoj do ta kishit të vështirë të gjenit ndokënd të mendonte se çmimet kanë vazhduar të mbeten konstante, siç rreket të na mbushë mendjen INSTAT dhe Banka e Shqipërisë.
INSTAT, por dhe Banka e Shqipërisë, në jo pak raste kanë manipuluar shifrat në tregues të ndryshëm të ekonomisë në kohëra të qeta, kështu që, nuk ka pse të mos manipulojnë sivjet, që është vit elektoral dhe qeverisë i duhen suksese fiktive. Për më tepër, janë zgjedhjet dhe për Këshillin e Bankës së Shqipërisë dhe atyre ju duhen suksese fiktive po ashtu. Pra, zarari i mashtrimit me inflacionin u kthehet në “qar” të gjitha këtyre palëve, kuptohet, në dëm të shtetasve dhe ekonomisë.
Guvernatori Fullani ka deklaruar se çmimet janë rritur, por inflacioni nuk do të pësojë rritje, si mund të ndodhë kjo?
Nuk e di saktësisht çfarë ka thënë guvernatori, por, duke përjashtuar ndonjë kombinim te veçantë, kjo shprehje nuk është e saktë, ose më saktë, është e gabuar. Sipas gjykimit tim, jo vetëm që janë rritur, por do të rriten edhe më tej çmimet, për pasojë edhe inflacioni. Dhe për më tepër, shqiptarët duhet të përgatiten për këtë fakt. Patjetër xhepat e tyre këtë vit do të zbrazen më shpejt dhe do të marrin gjithnjë e më pak mallra e shërbime me të njëjtën sasi parash. Shqiptarët më mirë mendoj të përgatiten për një vit edhe më të vështirë, sesa të gënjehen nga fjalimet boshe, që nuk të ushqejnë.
A ka marrë qeveria masat e nevojshme dhe nëse jo, cilat janë masat që duhen marrë për të parandaluar rritjen e ndjeshme të çmimeve?
Qeveria nuk i ka marrë masat. Me ndonjë përjashtim të rrallë, prej disa vitesh, është edhe vetë shkaktare e rritjes së çmimeve. Shkaqet dhe për pasojë edhe masat e marra, duhej të ishin të lidhura me parashikueshmëri më të mirë të fenomeneve, plane kontigjence e masa parandaluese, ulje të defiçiteve e borxheve publike, moslejimi i spekulimit dhe i monopoleve, lufta reale anti-korrupsion, orientimi i bujkut dhe i bujqesise etj. Pra, qeveria mund dhe duhej të kishte vepruar si në planin afatshkurtër, ashtu dhe në atë më afatmesëm. Do të ishte e tepërt të parashtroja edhe të tjera, kur qeverisë i mungon dëshira për të dëgjuar e për të vepruar. Fondet që qeveria ka vënë në buxhetin e vitit 2011 për bujqësinë, janë sa për të hequr glasat e korbave nga zona e rëndësisë së veçantë të godinave të kësaj qeverie.
Mendoni se rritja e çmimeve do të vijojë për një kohë të gjatë apo është një periudhë kalimtare?
Mendoj që efektet negative në ekonominë shqiptare, përfshirë dhe rritjen e çmimeve, do te vijojnë të paktën dhe për këtë vit dhe shkaku kryesor është neglizhenca vrastare e kësaj qeverie të papërgjegjshme.
Comments are closed.
Shikoni more statistikat e Instatit. Kur vijne ne pushtet keta monstra nuk lane institucion pa bastarduar
Eshte rasti me i mire per fshataresine bujqesine e blegtoret shqiptare qe te kthejne syte te fillojne punet,,, besoj se duhet te kene dhe mbeshtetje dhe investive nga pushteti lokal/vendore dhe nga bankat etj qe te fillojne e te punojne tokat e shkretetura qe i kane lene ne meshire te zotit,,,Ne besoj prodhojme shume pak per tregun e vendit,nuk mbahet shtepia me mjell hua,,cmimet do ngrihen e kjo eshte me se e arsyeshme se popullsia ne bote rritet dhe kerkesat per ushqim dhe nafte rriten dhe toka aq sa ishte eshte nguk zmadhohet dot,,prandaj le te fillojme te punojme tokat qe i kemi lene te shkreta,,