Galiani kërkon të shpëtojë futbollin italian me dy renditje

11 Mars 2011, 13:02Sport TEMA

Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, është duke kërkuar një mënyrë që të shpëtojë futbollin italian nga dështimi total në Europë, duke qenë se që nga sezoni 2012/2013, në Ligën e Kampioneve do të marrin pjesë vetëm tre ekipe italiane, nga katër që ka qenë deri më tani. Galiani pritet që t’i propozojë një ide UEFA-s, me anë të së cilës kërkon që të ketë dy renditje, një për Ligën e Europës dhe një tjetër për Ligën e Kampioneve. “Bëhet fjalë për dy kompeticione të ndryshme dhe nuk ka arsye përse të bëhet një renditje e përbashkët. Mendoj se duhet që të ndiqet shembulli për vlerësimin e kombëtareve, të cilat bëhen një nga UEFA dhe një nga FIFA”, ka thënë Galiani. Nëse miratohet propozimi i tij, atëherë Italia do të shpëtonte vendin e katër në Ligën e Kampioneve, por do të humbiste një vend në Ligën e Europës. Dhe kjo duket se nuk i pëlqen një pjese të njerëzve të futbollit italian, si përshembull presidentit të Palermos, Zamparini. “E kuptoj Galianin që nuk do të humbasë një kompeticion kaq të rëndësishëm. E vërteta është që e meritojmë, pasi në Europë jemi të skaduar. Duhet të kemi kurajën që ta pranojmë të vërtetën. Pastaj, mendoj se vende si Anglia, Spanja dhe Gjermani, nuk do ta pranojnë këtë ide”, ka thënë Zamparini. Futbolli italian është duke kaluar një prej krizave më të thella në historinë e vet, duke filluar që nga të rinjtë, klubet dhe kombëtarja. Në këtë sezon, me përjashtim të Napolit, të gjitha ekipet e tjera italiane u eliminuan që në grup në Ligën e Europës. Napoli i ndoqi pasi doli nga grupi, duke qenë se u eliminua nga ana e spanjollëve të Vilarealit. Edhe në Ligën e Kampioneve gjërat nuk shkuar mirë për ekipet italiane. Sampdoria u eliminua që në paraeleminatore. Milani dhe Roma ndërkohë, në grupe bënë paraqitje shumë të këqija, duke u mundur nga ekipe edhe më modeste se ato dhe duke përfunduar në vend të dytë. Paraqitja ishte më zhgënjyese në 1/8-at e këtij kompeticion, pasi u eliminuan nga dy ekipe, që kur u hodh shorti, u cilësuan si një fat për to. Milani u eliminua nga një ekip mesatar në Angli, Totenhem, të cilit në dy ndeshje nuk arriti t’i shënonte asnjë gol, ndërsa Roma u eliminua nga ukrainasit e Shaktarit, që pakëkush mendonte se do të kalonte grupin, jo më të eliminonte Romën dhe tashmë të ketë mundësinë që të diskutojë çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. E vetmja shpresë në Ligën e Kampioneve tashmë ka mbetur Interi, që do ta ketë shumë të vështirë kualifikimin, duke qenë se ndeshjen e parë në Milano me Bajernin e humbi. Por, ajo që i shqetëson më shumë italianët është e ardhmja, e cila nuk është shumë optimiste. Futbolli italian po nxjerrë shumë pak lojtarë të talentuar dhe italianët ende vazhdojnë që të konsiderojnë si talentin e tyre më të madh Antonio Kasanon, i cili ka 15 vjet që thërritet i tillë, duke mos u bërë dot kampion. Për më tepër, ekipet italiane janë edhe në një krizë ekonomike dhe mundësitë e tyre për të blerë lojtarë cilësorë janë të pakta. Shumë specialistë të futbollit italian, duke nisur që nga ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi, mendojnë se “Kalçiopoli” e ka sjellë futbollin italian në këtë pikë. Sipas tyre, shkatërrimi i një prej ekipeve më të forta në Europë dhe zbritja në Serinë B, pra e Juventusit, bëri që kampionatit italian t’i ikte cilësia dhe të dominohej nga vetëm një ekip, Interi. Pavarësisht të gjithave këtyre, italianët duhet të mendojnë seriozisht që futbolli italian të ringrihet dhe të konkurrojë denjësisht në Europë, ashtu siç ka bërë gjithmonë.

Lini një Përgjigje