Hipokrizia e atyre që flasin për qytetin

17 Mars 2011, 22:00Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Dje kish dy debate në mbrëmje, dhe në të dy debatet diskutohej pak a shumë për profilin e lartë politik të Edi Ramës që po rikandidon për Bashkinë e Tiranës. Kritikët e tij, ku siç është bërë zakon shpiken me shumicë në këto debate, thonë se Rama meriton më shumë se sa kryetar bashkie dhe nuk duhet të kandidojë, pasi kjo është një garë për qytetin. Për Lulëzim Bashën nuk thuhej gati asnjë fjalë, sikur nuk ekzistonte.

I gjithë ky debat mbart në vetvete një hipokrizi të madhe për qytetin. Është hipokrizi t’i thuash Tiranës se kryebashkiaku që ke votuar tri herë, herën e katërt nuk do të mendojë për ty, por për politikën. Por më hipokrizi është që të nxjerrësh në garë një ministër mbi të cilin rëndojnë katër vrasje politike dhe që po përpiqet të përdorë këtë proces elektoral për të bërë fakt të kryer mungesën e përgjegjësisë së tij mbi krimin politik në bulevard. Pra, kritikët e kandidimit të Ramës e quajnë mëkat kandidimin e tij pasi sipas tyre është figurë e lartë politike, ndërsa kandidimin e Lulëzim Bashës që përveçse është profil tërësisht politik, po kandidon për tu garantuar politikisht, nuk e zënë në gojë. Çfarë garancish ka një Tiranë me Lulëzim Bashën që nuk e ka me Edi Ramën për tu qeverisur më mirë? Ende pa filluar fushata elektorale ai po merret me shpërnguljen e votuesve nga Bathorja në Tiranë me shpresë t’i ngushtohet diferenca. Ende pa nisur fushata ai po merret me banda të Ku Klus Klanit që po djegin shtëpi romësh për të hapur tokë për ndërtimet e tyre, në shkëmbim të mbështetjes që do t’i japin si kandidat. Ende pa filluar fushata ai po përdor policinë për të frikësuar militantët e opozitës nëpër lagje të Tiranës që të bëjnë kujdes më 8 maj. Pra, ende pa filluar fushata ne kemi një kandidat që po mendon vetëm politikisht për Tiranën, për të përmbysur apo për të ngushtuar sa më shumë diferencën me rivalin përmes ndryshimit të gjeografisë politike të kryeqytetit, përmes sjelljes së shtetasve të Kosovës që kanë shtetësi shqiptare për të votuar, përmes regjistrimit të banorëve të Bathores në Laprakë, Don Bosko apo Shkollë e Bashkaur dhe për të frikësuar militantët e opozitës.  Kur këta kritikë kanë shqetësim real për qytetin, përse nuk lobojnë për ndonjë profil teknik nga shumica? Gjergj Bojaxhiun e përdorin për të prerë tela dhe për të shembur shtëpi duke e lavdëruar si teknicien, por kur vjen puna për “qytetin” përdorin një figurinë politike, që mendon se kryeqyteti do t’i falë katër të vdekur për t’i shpëtuar lëkurën.

Unë jam dakord që Edi Rama është një figurë me profil të lartë politik dhe do të jetë shumë shpejt kryeministër i vendit, por rrethanat e jashtëzakonshme politike që prodhoi manipulimi i zgjedhjeve të shkuara dhe klima e rëndë që po i krijohet lirisë në këtë vend, kërkon doemos betejë politike për të ndëshkuar politikisht Berishën dhe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja.  Berisha jo vetëm që e ka konsideruar këtë fushatë një betejë politike, por ka përzgjedhur jo pak, por tri figura të rëndësishme politike për tri qytete, në Vlorë, Durrës dhe Tiranë. Nuk besoj se Kollozi në Vlorë, Xhaferi në Durrës apo Basha në Tiranë, po lënë qeverinë dhe parlamentin se u dhimbset qyteti, por po i lënë ato për të bërë betejë politike.

Në këto rrethana e vetmja gjë pa lidhje është të debatosh për rrezikun e betejës politike nga opozita në zgjedhjet vendore. Betejën politike e bëri Berisha, jo vetëm me krizën politike dyvjeçare, por dhe me përpjekjen për t’i përdorur zgjedhjet si një shans për eliminimin historik të opozitës. Tani unë e kuptoj që Bashës i ka ikur zëri dhe figura nga kandidati përballë tij, por beteja politike i ka këto risqe. I vetmi argument që është në favor të kritikëve të betejës politike mbetet fakti që Basha është kandidaturë e dobët për shkak të problemit që ka me vrasjet në Tiranë dhe historinë e mungesës së personalitetit politik që ka rrezatuar deri më sot, si një politikan i dalë nga fustani i familjes Berisha. Shumë militantë të PD-së po ashtu njohin dhe anën e tij të errët, betejën e fëlliqur që Basha ka bërë në vitin 2007 kundër një kandidature po politike në Bashkinë e Tiranës, Sokol Olldashi, me shpresë se do ta eliminonte politikisht. Është emblematike se si në zonën ku Basha ishte deputet, PD fitoi minibashkinë dhe votat e partisë dhe humbi thellë vetëm votat për Olldashin. Mungesa e personalitetit që ai rrezaton, kulisat që ai mendon se janë të rëndësishme për karrierë, servilizmi që ai mendon se është rruga e sigurt për të ecur, janë tipare të cilat atij ja njeh PD dhe për këtë ja bën ajo gjyqin. Tirana e njeh atë si një ushtar politik të Berishës, dhe nuk është faji i opozitës që Berisha zgjedh edhe betejë politike, edhe me një ushtar të vdekur. Ky qytet ndoshta meritonte një betejë me figura të reja teknicienësh apo administratorësh, por ky është një luks që e prodhon një politikë normale dhe jo një  krizë politike si kjo që ne kemi nëpër këmbë. Ja qaj hallin Lulëzim Bashës që do mbetet rrugëve pas 8 Majit, por nuk është për t’i qarë hallin Tiranës që ka shansin të shpëtoj këtë radhe prej betejës politike për të mos rënë në duart e çakejve të pushtetit që po presin të zënë dhe cepat bosh të barakave të romëve për të vazhduar zaptimin e kryeqytetit. Ata që derdhin lot krokodili për Tiranën, është mirë t’i ruajnë për Bashën. Ai është në ditë të këqija, por jo më të këqijat e tij. Ato pas kësaj do të vijnë.

10 komente në “Hipokrizia e atyre që flasin për qytetin”

  1. Falcon says:

    duket se Berisha po mundohet ta eliminoje kete Bashen pasi tani eshte leter e djegur..duke e futur ne kete gare ku berisha e di qe humbja eshte e sigurt ai ja arrin qellimit..mund te kete dhe kontradita te tjera midis tyre ,si ato me azem hajdarin

  2. Dino USA says:

    Nje analize qe eshte e qarte si pasqyra.Kushdo qe e lexon,mendon se eshte ndihme e madhe per voten qe do jap.

  3. Gramozi says:

    —O MERO…Basha..Oldashi..Sala jane njerez qe po te mos jene politikan dhe mos te kene para
    ————Nuk u hedh njeri qurret se jane njerez pa karakter,tipik servil dhe pabese…
    —Kurse me ty o Mero gjithe populli ka qef ta pi nje kafe dhe pa leke te jesh ti..po–
    vetem nje stilolaps te kesh se ti i qendis gjerat sic i ndihen populli…

  4. saimir says:

    Z.Baze !Nje artikull i thjeshte por me domethenie te madhe.Jam plotesisht dakort me linjen qe keni zgjedhur per te pershkruar portretet e dy kanidateve per kryebashkiak te shqiperise.Do te doja te shtoja qe edhe sikur Sala (fenomeni,pasi si njeri nuk ekziston)ti vije perballe z.Rama nuk do te gjente dot derman,pavaresisht se shquhet si vegel e makinacioneve me çudiberese ne kete vend.Edhe sikur kete fushate t’ia sponsorizonte hibridi “Mik” i tij nuk do ti bente derman.Tirana pavaresisht feudalizmit te Sali Berishes e do e do ta perkrahi gjithmone qyteterimin pasi rrenjet i ka tek ky qyteterim e jo tek 007 qe me çdo kusht kerkojne shkaterimin e shqiperise per interesa te padroneve qe edhe perse nje popull i quan “Vrases” i mbrojne ! Te lexojme Ty se je realist e objektiv,e tek shkrimet T’uaja gjejme shpresen per liri,qyteteri,vllazeri pavaresisht se recetat e ‘miqve” jane qe ne te afrojme dhe kafshet qe jane ne pushtet se keshtu mund te zhvillohet nje shoqeri,kjo e ilustruar edhe me fakte !Sa per Bashen nuk e le fenomeni pa post ,ku pavaresisht kandidimit ai vendin e ministrit do ta leri bosh ,e ministrine qe drejtonte Basha do ta drejtoje perseri ai duke patur dy funksione ate te kandidatit e ate te kryepolicit.E shkuara eshte e hidhur per ne pasi nje fenomen si Sala ka treguar qe baza e jetes se tij eshte makinacioni e qe tashme duke patur si propabilitet edhe teorine kineze ” qe nje mendje eshte hiç mendje ,e dy mendje jane gjysem” ,ai mund te gjeje edhe mbeshtetje te majmuneve qe na paraqiten si ufo.

  5. beso says:

    z.Baze,ke pare ndonje ndeshje te shitur futbolli?Une kam pare nje,ku duheshin lene 3 gola per te bere kater;pra ndeshja qe pafilluar duhej te mbaronte 4 me 3.Isha i vogel per te mu neveritur futbolli.ndersa ne kohet e sotme me eshte neveritur fare;natyrisht flas per futbollin e sotem evropian,se ai shqiptar eshte bathorizuar krejt.Futja e Rames ne garen lokale per mua mbetet zgjedhje e gabuar,porai i di vete punet e tij.E di çfare?Lili Basha po i kalon parashikimet;mund dhe te fitoje;mos u çudit!Me eshte neveritur kaq shume Luli Basha,sa ajo ndeshja e shitur qe duhej te mbaronte 4 me 3!Po humbi Luli kthehet minister,se nuk bie me poshte nga aq;thone qe eshte aq imençur sa e mund Lek Plepin ne batutat qe e bejne per te qeshur Saliun.Ju keni frike se Luli,plastelina qe merr formen e gishtave,do ngelet ne rruge pas 8 majit;qenkeni lodhur kot me fantazine tuaj!Rrezik do fitoje;ka lufte qe s’e fiton Luli?!Nese Lale Krosi i sherbente Zogjit,sot eshte Zogji qe vdes ti sherbeje Lale Krosit!Saliu di ç’ben;une s’e njoh,por kamidene qe edhe kur fleaive nen jastek skema rrugedaljesh politike;kujt i pelqente politika iu peshtir nga keto maskiaralleqe,siç mu peshtir mua futbolli kur ndeshja dihej qe do mbaronte 4 me 3.Ja keshtu po ble Saliu maskarallekun e vet politik,dhe masakren e 21 janarit,duke ngritur ringun sikur kjo do jete beteja finale.Do hidhen para nga qielli;do mbulohet Tirana me dollare te felliqur kontrabande;me ne fund do votohet si ne Kolumbi.Tregon Garsia Markez,qe njehere ne pazar e ndaloi nje grua dhe po i kerkonte 60 mije pezos,sepse kur kishte votuar,e ksihte ngaterruar kandidatin me Garsia Markezin,dhe ia kish dhene voten atij qe s’e kishte paguar.Garsia Markez nuk kish kandiduar fare,por ngjante me tipin e politikes.E kuptoj qe ketu,qe Berisha ben te tille politike;ke pak ç’te zgjedhesh.Une nuk di sesi do shpetojme nga kjo KUJE qe na kagjetur,por eshte keshtu.Me ne fund me bej nje nder,se nuk arrij t’ia them Lulit para surratit,se jam larg;thuaji nga une qe eshte nje tip i peshtire!

    1. hajduti says:

      e goditur beso,,nga anlia do vije per te votuar se skam votuar ndonjehere ne shqiperi…

  6. LORA says:

    Jam seriozisht e shqetesuar per garancite,qe ende nuk i shoh gjekundi,e respektimit te vullnetit te njerzve.Deri tash me duket se po ftohen njerzit per ne thertore e jo ne ushtrimin e sovranitetit te tyre;me duket se eshte shume me keq se ne zgjedhjet e 2009-es.Sa per hipokrizine e atyre qe i kane bere vetem deme Tiranes sime te dashur,nuk shoh arsye per tu shqetesuar.Eshte ,prej 10 vjetesh,e qarte qe kjo race bastardesh i ka shpallur lufte qytqtarise e normalitetit. Garantimi i vullnetit te njerzve,e vetem ky, i nxjerr fare zbuluar si plehra qe jane.

  7. saranda2001 says:

    Mero respekt per korrektesen dhe vertetesine e problemeve,je nder te paktet qe pavarsisht se vjen nga shtresa e varfer e shoqerise(ashtu si edhe une)nuk e shet dinjitetin tend dhe familjes tende per para.Te urroj gjithe te mirat sinqerisht.

  8. bbb says:

    i pashe te dy debatet edh tek TCh edhe tek Klan sot pasdite. Hipokriza e disa “komentatoreve” ishte aq e peshtire saqe mu ngaterruan zorret e barkut kur thonin se Basha eshte njeri qe punon me projekte(!?) Nje nder te te shpifurit nga ket “komentatore” ishte ARTUR ZHEJI

  9. Frederik says:

    Edi Rama duhet te rikandidoje ne kryeqytet per nje fitore politike te sigurt ndaj Berishes , pasi humbja ne Tirane me planet ogurzeza berishiane te manipulimit , do te thote qe ne zgjedhjet e pergjithshme me pushtetin vendor ne favor te pozites do te jete thuajse e pamundur te kontrollohet apo verifikohet manipulimi duke i shkaktuar nje humbje te sigurt opozites ne zgjedhjet e pergjithshme. Kryeqyteti ka vleren e tij te fitores , te pakrahasueshme me asnje nga qytetet e tjera .
    Kontrata e fitores do te jete si nje kontrate politike , e cila do te vazhdoje me tej me perfaqesimin e tij, Edi Rames ne kuvend dhe hapjen e vendit te kryetarit per nje kandidat tjeter socialist duke krijuar mundesi te medha perkrahjeje per nje rifitore te mundshme te kryeqytetit nga ana e opozites.
    Lufta politike sot nuk eshte thjesht ndermjet partise socialiste dhe opozitaret e tjere ndaj partise demokratike me bashkepunetoret e saj, lufta e sotme politike duhet te konsiderohet si lufta ndermjet te rese dhe se vjetres , si lufta ndermjet mbijeteses dhe progresit ndaj politikes asimiluese dhe shitese te interesave kombetare te kryera nga partia ne pushtet , eshte lufta ndermjet zbatimit te ligjit ndaj korrupsionit galopant qeveritar , eshte lufta per nje qeverisjeje normale per popullin ndaj mafies ne pushtet. Prandaj vendosja e Edi Rames si kandidat i opozites socialiste eshte nje nevoje e domosdoshme dhe ashtu si e analizon me besueshmeri dhe realitet z. Baze eshte nevoja e nje fitoreje politike ndaj regjimit berishian.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje