Kapet në Tiranë i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Shkodër (HISTORIA E KRIMIT)

18 Mars 2011, 08:24Politika TEMA

UPDATE- Arrestohet në Tiranë Admir Tafili, i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër. Ai u arrestua nga forcat RENEA. Në mëngjes në fshatin Grudë të Shkodrës është vrarë Gjovalin dhe Tonin Pjetrushi, 31 dhe 25 vjeç. Sapo policia ka dëgjuar emrat e tyre, ka qenë e lehtë për të vendosur të parën pistë hetimi: atë të gjakmarrjes. Ata janë vëllezërit e Prel Pjetrushit, ish- shef i krimeve të rënda në Shkodër. Po si është historia më pak fjalë?

Policia organizon para dhjetë vitesh një aksion në Shkodër për të arrestuar Bahri Tafilin, i cili kërkohej për vrasjen e Skënder Gecit. Në aksionin e policisë mbetet i vrarë ish- drejtori i policisë, Arben Zylyftari dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili. Policia arrestoi dy djemtë e Bahriut, fillimisht Gencin dhe më vonë Admirin, duke i akuzuar për vrasjen e ish- drejtuesit të policisë. Por këta të fundit gjithmonë kanë pretenduar se nuk e kanë vrarë ata Zylyftarin, por Prel Pjetrushi. Të dy djemtë akuzojnë Pjetrushin edhe për vrasjen e babait. Madje përpara se të arrestohej, Admiri i organizon një atentat të dështuar Prel Pjetrushit. Ky i fundit shkon në Amerikë për t’i shpëtuar rrezikut, kurse Admiri përfundon në pranga.

Por në vitin 2010 Admiri merr leje nga burgu dhe arratiset. Admiri zhduket, por policia dyshon se ai qëndron pas vrasjes së dy vëllezërve sot. Ai është një nga kontingjentet më të rrezikshëm të krimit në vend. Për më tepër u zbulua se kërkesën për leje për Tafilin e kishte bërë kryetari i Bashkis së Shkodrës, Lorenc Luka. Ky i fundit tha se i ishte falsifikuar firma.

Por të bën përshtypje edhe lirimi me leje nga burgu i këtyre elementëve. Para pak ditësh u vra në Shkodër Astrit Kurmemaj, i cili kishte marrë leje disaditore nga burgu. Edhe ai ishte një personazh i njohur i botës së krimit.

Lini një Përgjigje