Lajçak: Berisha përgjegjës për zgjedhjet, ka ende kohë për ndryshime ligjore

22 Mars 2011, 12:29Politika TEMA

I dërguari i BE-së saktëson se ndryshimet duhet të bazohen tek rekomandimet e OSBE –ODIHIR duke anashkaluar ato që kërkojnë ndryshim të Kodit Zgjedhor. Lajçak tha se po sjell edhe mesazhin e konsultuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajçak shpreh shqetësim për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit

Nga Blerina Gjoka

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për krizën shqiptare, Miroslav Lajçak u ka bërë thirrje palëve në Shqipëri të bëjnë ndryshime ligjore në legjislacionin për zgjedhjet duke anashkaluar Kodin zgjedhor. Deklarata, e cila u bë pas takimit me liderët politikë në Tiranë, është i vetmi rekomandim konkret nga Bashkimi Evropian për zgjedhjet, dhe që bën diferencë me qëndrimin e ambasadorit të SHBA dhe atij të OSBE në Tiranë. “Për ne me e rëndësishme është që procesi të jetë transparent dhe me standarde ndërkombëtare… dhe kjo mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen e plotë të gjithë faktorëve politikë. Është e qartë që qeveria është përgjegjëse që të organizojë zgjedhje të lira,” tha i dërguari i BE.

Lajçak kërkoi rivendosjen e dialogut politik, respektimin e institucioneve dhe hetimin e gjithanshëm të 21 janarit për t’i vënë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës.

“Këto janë zgjedhjet tuaja, qeveria juaj, ky është vendi juaj, këto janë partitë tuaja politike dhe është në interes të të gjithëve që zgjedhjen të bëhen të lira. Jemi këtu për të monitoruar procesin nëpërmjet ODIHR dhe për t’ju ofruar çdo lloj ndihme që do ju konsiderohet e nevojshme. Është përgjegjësia juaj të organizoni zgjedhjet të lira, nuk është përgjegjësi e ndërkombëtarëve,” deklaroi Lajçak në konferencën për shtyp në Qendrën e Informimit të BE-së, të organizuar menjëherë pas takimeve me zyrtarët shqiptarë.

I dërguari i Baroneshës Katrin Ashton ka zhvilluar takime të veçanta me presidentin Topi, kryeministrin Berisha, dhe kreun e PS-se Edi Rama.

Të rifillojë dialogu

“Kjo është vizita ime e tretë që nga janari, dhe kjo konfirmon interesin që BE dhe komuniteti ndërkombëtarë kanë për situatën në Shqipëri dhe për ta ndihmuar drejt integrimit. Siç kam thënë më parë, se kam qenë i gatshëm për tu kthyer sërish nëse shikohen përpjekjet të ndershme të aktorëve politikë për tu kthyer sërish axhendës së integrimit në BE. Fakti që nuk kam qenë këtu për 7 javët e mëparshme është se ne nuk kemi parë të shprehur përpjekjen e ndershme të faktorit politik për të nisur një dialog politik. Pozitivja është se nuk ka pasur demonstrata vdekjeprurëse dhe njerëzit nuk po vdesin në rrugë, por nuk është e mjaftueshme për një vend si Shqipëria që inspiron të bëhet kandidate për në BE dhe më pas të integrohet në BE,” tha Lajçak, duke kërkuar që politikanët të jenë më konstruktivë.

Lajçak tha se këto janë edhe mesazhet e qeverisë amerikane.

Më tej ai tha se partitë politike janë përgjegjëse për të ardhmen e vendit.  “Vendi juaj është pranë zgjedhjeve vendore dhe Zonja Ashton vendosi të më dërgojë sërish këtu në Tiranë për t’i kujtuar partive politike përgjegjësitë për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe kam ndërmarrë këtë vizitë për t’i kujtuar Presidentit të Republikës, kryeministrit Berisha dhe kreut të opozitës mbi rëndësinë dhe pritjet që komuniteti ndërkombëtar ka mbi këto zgjedhje. Unë këtu jam përfaqësues i BE-së por do doja t’ju kujtoja se të gjitha aktivitetet tona janë të ndërthura shumë mirë dhe në interesat e SHBA dhe si rezultat jam përçues i ideve të tyre në këtë takim me të gjithë politikanët shqiptarë. Ne mendojmë se është absolutisht e rëndësishme dhe jetësore për Shqipërinë ti rikthehet procesit të integrimit europian dhe kjo është e rëndësishme të kryhet jo vetëm nëpërmjet reformave, por dhe për interes të shtetit shqiptar. Drejtuesit politik duhet të marrin përgjegjësitë për të siguruar progresin në Shqipëri. Vetëm reformat konkrete dhe që mbështeten gjerësisht mund të përshpejtojnë dhe të sigurojnë demokracinë, të përmirësojnë shtetin e së drejtës dhe të çojnë Shqipërinë më afër BE-së.”

Sipas Lajçak parakushtet për të arritur progres janë:

1- Rifillimi i menjëhershëm i dialogut ndërmjet politikanëve dhe institucioneve, 2- Të respektoni institucionet e vendit

3- Të ndërtohet në mënyrë të shpejtë dhe efikase besimi ndërmjet parlamentit, politikanëve dhe qytetarëve.

Ai gjithashtu sheh si një kusht të fortë për ecjen përpara hetimin e plote e të shpejtë të 21 janarit. “Për të qenë më specifik nga autoritetet shqiptare kërkohet: Mbështetje e plotë e hetimeve pavarura, gjithpërfshirëse dhe të shpejta të ngjarjeve të 21 janarit për të vënë para drejtësisë të gjitha shkeljet penale. Komisioni i posaçëm parlamentar të përfundojë hetimet dhe t’i çojë gjetjet në prokurori”, tha ai.

Lajçak shprehu shqetësim edhe për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit dhe vonesat në zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Ja ku mund të ndërhyhet sipas BE

I dërguari i BE-së Lajçak kërkoi dje një zbatim korrekt të kodit zgjedhor në fuqi, pasi siç pranoi ai nuk ka kohë për ta ndryshuar. Për të plotësuar kushtet për integrim në BE dhe marrjen e përgjigjes pozitive për kërkesën e statusit kandidat Lajçak tha se “presim punë serioze për axhendën e reformave, sidomos në 12 pikat që janë caktuar nga opinioni i KE.

Nga pikat më të rëndësishme janë:

1- Përmirësimi i rregullores së parlamentit, mbi bazën e praktikave më të mira parlamentare.

2- Sigurimi i një procesi të ndershëm e të shpejtë të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, i cili është ngadalësuar shumë. 3- Fillimi i një reforme të gjerë zgjedhore duke përfshirë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe zbatimet e rekomandimet e ODIHR.

Më tej ai shtoi se “presim një bashkëpunim më të mirë të opozitës e qeverisë që të plotësohen kushtet e tjera në interes si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, mbrojtja e të drejtave të minoritetit, etj. Integrimi i BE mbështetet nga pjesa më e madhe e popullsisë tuaj dhe BE në këtë kuadër është i angazhuar që të bashkëpunojë dhe mbështesë qeverinë në realizimin e kësaj objektivi. Ajo çka presim është një proces gjithëpërfshirës, i cili bën të mundur zbatimin e reformave që do çojnë Shqipërinë drejt BE. Këto janë pritjet e BE për Shqipërinë. Nuk kemi thënë asgjë të re, janë gjëra që janë përsëritur, por presim që të shikojmë ndryshime. Kam përshtypjen se kam qenë mjaft i qartë në takimet me të gjithë partnerët që kam takuar paraditen e sotme dhe shpresojmë që së shpejti të mund të shohim tregues të veprimeve të qenësishme nga ata.”

– Duhet të eliminohet përfshirja e partive  politike në përzgjedhjen e gjyqtarëve që shqyrtojnë ankimimet zgjedhore.

– Duhet të ndryshohen dispozitat në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë zgjedhore, për të shprehur qartësisht dhe pa dykuptimshmëri kushtet e nevojshme për përsëritje zgjedhjesh.

– Duhet menduar për përfshirjen e mekanizmave që mund t’i japin zgjedhësve si individë të drejtën e ankimit në rast të shkeljes së të drejtave të tyre zgjedhore.

– Kodi Zgjedhor mund të ndryshohet në mënyrë që dispozitat për financim publik të fushatave zgjedhore të mos i japin avantazh disproporcional dhe të padrejtë partive parlamentare.

– Vëmendje duhet t’i kushtohet ndryshimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor që kanë të

bëjnë me financimin e fushatës, të cilat duhet të parashikojnë deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës dhe për të specifikuar kriteret, sipas të cilave KQZ-ja mund të bëjë vetë verifikime të raporteve financiare të subjekteve  zgjedhore.

– Ndërkohë që duhet ruajtur transparenca dhe përfshirja e formimit dhe funksionimit të administratës së zgjedhjeve, Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet me qëllim që të eliminohet çdo lloj mundësie për abuzim apo bllokim të procesit nga partitë politike. Në veçanti, duhet të ketë mekanizma të efektshme për të plotësuar vendet vakante në administratën zgjedhore, në rast se partitë nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë emërime brenda afateve të caktuara. Kur duhet, këto mekanizma duhet të zbatohen menjëherë.

– Banka e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile duhet të pastrohet më tej dhe të përditësohet me qëllim që të përmirësohet cilësia e listave të zgjedhësve. Për këtë qëllim, rekomandohet që të forcohen dhe të ruhen kapacitetet e duhura administrative. Si shumica parlamentare, ashtu dhe opozita duhet të konsultohen në këtë proces, për të siguruar transparencë, për të trajtuar mangësitë që mbeten dhe për të parandaluar që regjistrimi civil dhe regjistrimi i zgjedhësve të bëhen përsëri një çështje politike dhe fushate.

– Vëmendje duhet t’i kushtohet rregullimit të sistemit aktual të përpilimit të listave të zgjedhësve për grupe të veçanta zgjedhësish, në mënyrë që këta zgjedhës të mos përballen me rrezikun e privimit të votës për shkak të mungesës së efiçencës apo keqfunksionimit të administratës së institucionit, ku ata do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

– Duhet hequr kufizimi që qytetarët të mund të nënshkruajnë vetëm në mbështetje vetëm të një partie apo kandidati. Qytetarët duhet të kenë mundësinë të nënshkruajnë për cilëndo parti ose person të cilit zgjedhin t’i mbështesin të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.

– Vëmendje mund t’i kushtohet heqjes së kërkesës që zgjedhësit të mund t’i depozitojnë nënshkrimet mbështetëse vetëm përpara një noteri apo në KQZ. Në vend të kësaj, personat që nënshkruajnë në mbështetje të një partie apo kandidati duhet t’i japin informacion të mjaftueshëm personal një përfaqësuesi të autorizuar të partisë ose kandidatit në mënyrë që të mund të identifikohen dhe kontaktohen, nëse lind nevoja për verifikim të mëtejshëm.

– Duhet të forcohen mekanizmat institucionale me qëllim që të monitorojnë keqpërdorimin e mundshëm të burimeve administrative për qëllime fushate, si dhe përdorimin e aktiviteteve zyrtare për fushatë, dhe që të vendosin përgjegjësit e këtyre akteve përpara përgjegjësisë.

– Vëmendje mund t’i kushtohet përfshirjes së mbulimit të të gjitha veprimtarive të qeverisë gjatë një fushate zgjedhore në kohën që i është caktuar partisë së cilës i përket kreu i institucionit që organizon veprimtarinë, me qëllim që të shmangen interpretime kundërshtuese për atë nëse një veprimtari qeveritare ka apo nuk ka lidhje me fushatën. Më e pakta, neni 84.2 b i Kodit Zgjedhor duhet të ndryshohet për të dhënë një përkufizim të qartë në lidhje me “veprimtaritë qeveritare, që lidhen me fushatën zgjedhore”.

– Vëmendje i duhet kushtuar faktit që përpara se KQZ-ja të mbledhë rezultatet nga zonat zgjedhore, ky Komision të zhvillojë hetimet e veta administrative në lidhje me votimin dhe numërimin e votave bazuar në konstatimet e KQV-ve, KZAZ-ve dhe grupeve të numërimit. Duhet të rishikohet Neni 123 i Kodit Zgjedhor në mënyrë që votat që  numërohen pas një hetimi administrativ të KQZ-së të përfshihen në Tabela Përmbledhëse

të Rezultateve.

– Shpallja e pavlefshme e rezultateve nga një ose më shumë se një qendra votimi nuk duhet të lidhet vetëm me ndikimin që mund të ketë kjo në ndarjen e mandatave. Shkelje të rënda të mundshme të ligjit ose arsye të tjera që tregojnë se rezultati është cenuar rëndë, duhet të jenë arsye të mjaftueshme për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në qendra votimi dhe për të lejuar një rinumërim të mundshëm.

3 komente në “Lajçak: Berisha përgjegjës për zgjedhjet, ka ende kohë për ndryshime ligjore”

  1. raimondi says:

    Kjo pike ketu ka shume rendesi per opoziten :
    “……. Duhet të ndryshohen dispozitat në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë zgjedhore, për të shprehur qartësisht dhe pa dykuptimshmëri kushtet e nevojshme për përsëritje zgjedhjesh…”.

    Pra , opozita te ndryshoje dispozitat ligjore ne lidhje me perseritjen e zgjedhjeve ne ato vende qe ajo e mendon se i jane vjedhur votat ———–Kjo eshte pike kyce

    Qe te krijosh hapesiren ligjore per peseritje te zgjedhjeve ose rinumerim te votave atje ku opozita e mendon qe ja kane vjedhur votat

    —- Dhe , shume bukur ka folur ky i EU,. Cdo gje varet nga ne ketu, jo nga EU

    Urdhero opoozite ! Vepro e lufto me mend e me protesta per mbrojtjen e te drejtave te tua te neperkembura ……

  2. Vllazeni says:

    Ore, nga e mësuat fjalën “inspiron”? I thuhet “aspiron”, meqë doni ta huazoni nga anglishtja.
    Inspiron, dmth frymëzon të tjerët. Ç’farë thoni? Shqipëria po frymëzon të tjerët për t’u futur në BE?
    Nuk ka nevojë. Shqipëria është e fundit për ta bërë për vete atë punë.
    Albania aspires të join EU, not inspires to join EU. Është rrënja e fjalës “aspiratë=aspiration”
    Shqip i bie: ka dëshirë, synon.
    Ose mos u merrni fare me përkthim. Ka google translate, e përkthen ajo me nja 30% gabim e jo 50/50 si ju.

    1. beso says:

      aspira vjen nga italishtja-thith ose terheq drejt vetes.Aspira aria libera(thith ajer te lire)ose aspirapolvere(fshese me korrent qe vjen nga thithes pluhuri..).kot e thashe,per gallate.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje