Kanë kaluar shtatë vjet që nga largimi i holandezit Edgar Davids nga Juventusi, por lidhja e tij me këtë klub dhe me tifozët, vazhdon që të mbetet e fortë. Kujtimi i tij është ende i freskët tek Juventusi, njeriu me syze, shembulli më i mirë i agresivitetit në fushë, i quajtur ndryshe edhe pitbull. “Nëse do të ishte Davids…”, vazhdohet të dëgjohet ende nga tifozët e zhgënjyer të Juventusit me ekipin aktual. Me Juventusin, holandezi luajti nga viti 1997 deri në 2004 dhe arriti që të fitonte dy kampionate dhe tre superkupa. Tashmë ai është 38 vjeç, por forma fizike e tij është ende e shkëlqyer. Nuk mund të rrijë pa futbollin e luajtur. Në vitin 2008, i dha lamtumirën futbollit të luajtur, pas rikthimit tek Ajaksi. Por, këtë verë vendosi të rikthehej sërish dhe të luante për ekipin e kategorisë së dytë angleze, Kristal Palace. “Nëse një lojtar ndihet mirë, ai mund të vazhdojë që të luajë deri në moshën 40-vjeçare”, shprehet holandezi për të përditshmen torineze “Tuttosport”.
Pra, nuk çuditesh të shohësh në fushë një ish-shokun tënd të ekipit, aleks Del Piero, i cili, edhe pse në moshën 36-vjeçare, vazhdon që të luajë dhe të jetë protagonist tek Juventusi?
Për çfarë të habitem! Aleks është një lojtar klasi i kompletuar. Ai është prova se nëse e trajton mirë trupin dhe punon shumë, mund të arrish që të luash deri në moshën 41-42 vjeçare. Më shumë se sa fizik, problemi mund të jetë mental. Por, Del Piero ka një marsh më shumë edhe në këtë aspekt.
Po lë të kuptohesh që ti kontratën e Del Pieros do ta firmosje që para disa muajsh?
Nuk e noh çështjen. Di të them vetëm që Aleksi është në formë. Dhe uroj që ta admiroj akoma duke luajtur për Juventusin.
Ju, tek Juventusi mbërritët në vitin 1997, pasi u përzutë nga Milani. Si u pritët tek Juventusi?
Del Piero, por edhe lojtarët e tjerë, bënë që të ndihesha një prej tyre menjëherë. E kaluara ime tek Milani nuk kishte efekt tek asnjë. Unë nga ana tjetër isha më shumë se i kënaqur, pasi kisha mundësinë që të tregoja aftësitë e mija tek një tjetër klub i madh.
Vështirësia aktuale e Juventusit shton nostalgjinë e tifozëve. Por, si ishte Juventusi “tënd”?
Me dy fjalë: familje fituese.
Mund ta shpjegosh?
Në fushë e ndihmonim të gjithë njëri-tjetrin. Dhe të gjithë e kishin të qartë në mëndje se, të qëndroje tek Juventusi, do të thoshte të fitoje.
Përveç Ligës së Kampioneve, që e humbët në disa finale, ju keni pasur kënaqësi të shumta si bardhezi. Cilëni vini para të gjithave?
Nëse duhet të zgjedh një, mund të them titullin e parë kampion. Ai titull i fituar në vitin ‘1998 mbetet një emocion unik. E kujtoj ende festën në “Dele Alpi” në ndeshjen e fundit të kampionatit. Stadiumi ishte i mbushur, ndërsa ndjenjat ishin fantastike. Por edhe fitoret e tjera.
Disa herë ju kemi parë në Torino, keni mbajtur marrëdhënie të mira me shoqërinë dhe ish-shokët e ekipit?
Me disa dëgjohem shpesh herë dhe kur vij në Torino, i takoj me dëshirë.
Tifozët e Juventusit çmendeshin për për temperamentin dhe shpirtin fitues që ju kishit. Ju ndërkohë, çfarë vlerësoni nga populli bardhezi?
Më pritën mirë pa më paragjykuar dhe pa më kujtuar të kaluarën time si milanist. Më gjykonin dhe vlerësonin vetëm për mënyrën se si sillesha dhe çfarë bëja në fushë. Dhe për fat, diçka të mirë e kam bërë…
Jeni zgjedhur ndërkohë dhe mes 50 yjeve të Juventusit në stadiumin e ri…
Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë këtë gjë. Në karrierë kam fituar shumë, por ylli është një nga ato gjëra që më bën më shumë krenar. Bëj pjesë në historinë e Juventusit. Kjo është e mrekullueshme.