Pastore dhe Ganso: merkatua e verës së Çelsit pritet të vërtitet pikërisht rreth këtyre dy lojtarëve. Siç bën me dije “Mirror”, dy lojtarët e mësipërm janë të preferuarit e teknikut Karlo Ançeloti, i cili ka vendosur që të rinovojë ekipin, i cili prej disa sezonesh nuk kishte pësuar ndryshime të shumta. I preferuari kryesor është argjentinasi i Palermos, Pastore, të cilin, presidenti i klubit siçilian ka thënë se do ta shesë vetëm për 70 milionë euro. Çelsi shpreson për një zbritje dhe kërkon që ta marrë atë për gjysmën e shifrës që kërkon Zamparini. Për Ganson, ashtu si dhe në rastin e Pastores, çështja është e komplikuar. Sulmuesi 20-vjeçar brazilian shihet si një prej talenteve më të mëdhenj në qarkullim dhe për këtë arsye, për të kanë shfaqur një interesim të madh shumë klube evropiane. Milani dhe Interi prej kohësh janë futur në një betejë mes tyre për lojtarin, por edhe dy ekipet e Mançesterit, Junaited dhe Siti. Megjithatë, siç bëjnë me dije mediat britanike, Çelsi duket se është në avantazh për të marrë lojtarin brazilian.