Bjellorusët: Shqipëria luajti si e droguar!

28 Mars 2011, 09:25Sport TEMA

Gazetari bjellorus i “Pressball”, i mahnitur nga performanca e jashtëzakonshme e kuqezinjve tanë.

Ekipi kombëtar bjellorus u shfaq në Tiranë si një kirurg, që punon në këtë fushë, por i teket një ditë të bëjë një ndërhyrje kirurgjikale të improvizuar, pa anestezi. Më saktë, referuar asaj që ngjau në ndeshjen më delikate të sezonit, me Shqipërinë, ky krahasim ka këtë qasje: 90 minuta lojë në tym, pa pyetur aspak se në rolin e pacientit në këtë rast ishin të gjithë tifozët e ekipit kombëtar bjellorus.

Një humbje plotësisht e merituar, ku rezultati për vendësit mund të ishte më i thellë, e cila na çiftëzon me shqiptarët në vendin e dytë. Me të cilët duket se do ta vazhdojmë betejën edhe në distancë, pas dy përplasjeve direkte, për të shpresuar tek kualifikimi në Grupin D.

Deri në momentin e shënimit të golit nga Shqipëria, ne nuk bëmë dot thuajse asnjë kombinim, nuk u lejuam të kalojmë përtej qendrës së fushës, nuk u dhamë në mënyrë absolute asnjë kënaqësi tifozëve bjellorusë. Që prisnin shumë nga kombëtarja e tyre në këtë “stacion” të fazës kualifikuese për “Euro 2012”.

Një ndeshje pranverore, si kohë, por që nuk ishte aspak e tillë për lojën e të besuarve të trajnerit Bernd Shtange. Kemi shpëtuar vërtet paq në Tiranë, por jo nga humbja, sepse mund të kishim pësuar një “qese me gola”, nëse portieri Veremko nuk do të ishte i vetmi trim në luftë. Pritjet e tij gati të pabesueshme e shndërruan atë në një hero, që më në fund, pas 62 minutash rezistencë, u dorëzua.

Në Tiranë pamë një vrimë të madhe në ekipin tonë kombëtar. Kaq shumë gabime në një ndeshje të Bjellorusisë nuk i kishim parë më parë. Ndoshta kjo erdhi edhe nga presioni i shfrenuar i shqiptarëve, të cilët u shfaqën si të çmendur.

Ata luanin “ping pong” me topin, por edhe me lojtarët tanë, çka të krijonte përshtypjen se shqiptarët ishin droguar për këtë ndeshje. Në të njëjtën linjë u shfaq edhe tifozëria vendëse, një armë plus për shqiptarët, kur luajnë në shtëpi, të cilët krijuan koreografi rrënqethëse për Bjellorusinë.

Re të trasha tymi e mbuluan stadiumin që pa filluar ndeshja, duke paralajmëruar në këtë mënyrë një mbrëmje ferri për ekipin tonë. Me këtë gjuhë foli edhe kapitulli i lojës, ku shqiptarët derdheshin tërë tërbim, gjatë 90 minutave, në portën tonë.

Trajneri Shtange pati një “telegram” të çuditshëm për tifozët bjellorusë, përsëri, pas ndeshjes në Tiranë, kur kërkoi të justifikohej: “Europianët janë më mirë në pranverë, sepse janë në aktivitet, ndërsa neve nuk na shkon fort për shtat kjo periudhë.

Ngushëllimi mund të gjendet pas kësaj disfate në Tiranë, sepse pasojat janë të gjitha të ndreqshme, nëse kualifikueset e mbetura vlerësohen dhe trajtohen si finale”.

Fjalë normale këto, të një trajneri, që pa kundërshtarin e vet të kontrollonte gjithçka, por ajo që s’mund të fshihet, as justifikohet nga mungesat e shumta që patëm në Tiranë, është fakti kokëfortë: Në fushën e lojës ishim vetëm skllevër të shqiptarëve, ndërsa ata luajtën si të droguar, plot tërbim./sportishqiptar/

1 komente në “Bjellorusët: Shqipëria luajti si e droguar!”

  1. hajriu says:

    Mese e sakt,si kjo ndeshje rralle se mund te shohim me. Suksese

Comments are closed.

Lini një Përgjigje