E ardhmja e mesfushorit të Milanit, Andrea Pirlo, mund të jetë e ndarë mes Çelsit dhe Mançester Sitit. Të paktën kështu bën me dije “Daily Mirror”. Sipas kësaj të fundit, Pirlo mund të përfundojë në një prej këtyre dy ekipeve, duke parë që kontrata e tij me Milanin përfundon në fund të sezonit dhe deti më tani nuk ka pasur asnjë përpjekje për rinovim. Kohët e fundit është folur për një interesim të Juventusit për mesfushorin 32-vjeçar, por Anglia besohet se me shumë mundësi do të jetë destinacioni i tij i mundshëm. Tek Çelsi, Pirlo do të mund të gjendte një njohje të vjetër të tij, teknikun Karlo Ançeloti, i cili arriti që ta transformonte atë në një nga mesfushorët më të mirë në botë. Ndërkohë, tek Siti ai mund të bëhej një nga yjet e super paguar të projektit ambicioz të sheikut Mansur. Tashmë zgjedhja i takon Pirlos. Ajo që duket e sigurtë, është fakti që ai do të largohet nga Milani, ku gjatë këtij sezoni ka luajtur shumë pak, për shkak të dëmtimeve të tij.