Ku ndodhet Kosova pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese me të cilën ajo e shpalli Pacollin jokushtuetues? Ajo, pa ekzagjerime, ndodhet në buzë të humnerës, me një mal problemesh që e presin. E sidomos Kosova po përballet me një realitet të rëndë politikë, me një sërë akuzash të gjithfarshme ndërkombëtare dhe me një mal problemesh të brendshme. Ajo para opinionit botëror është shndërruar në subjekt akuzash, dilemash, paqartësish, pasigurish, e të cilat, adresë e kanë klasën politike. Kjo e ka bërë pamjen e saj mjaft të trishtë. Për me ndihmu këtë, tashmë kemi edhe një element plotësues, një president të ardhur në krye të vendit në mënyrë jokushtuetuese. Dhe një krizë institucionale, me një qeveri pa legjitimet të plotë.
E përkundër kësaj amullie politike, alternativat e shëndosha s’duken në sipërfaqe. Aftësitë e lidershipit politik dhe inteligjencies me tejkalu këtë gjendje, as që duken në horizont. Kosova vazhdon një avaz politik të vetëkënaqësisë dhe vetëmjaftueshmërisë. Ndërkaq, në anën tjetër, asaj çdo ditë e më tepër i shtohen problemet, të cilat nuk i vinë nga jashtë, por nga brenda, pikërisht nga institucionet që janë të thirrura të bëjnë zgjidhje, pra nga institucionet e Kosovës, nga partitë dhe gjitha të ndihmuar nga një elitë që bënë jetë infantile.
E megjithatë, nga kjo gjendje e mjerë, e cila e ka katandisur Kosovën në mjerim të skajshëm, dikush duhet skuqet, dikush duhet japë llogari, dikush duhet të turpërohet, e mbi të gjitha, dikush duhet të marrë përgjegjësi. Në këtë rast, përgjegjësia bie normalisht mbi mazhorancën, konkretisht mbi shefin e qeverisë, i cili, në asnjë moment nuk do të duhej të fuste Kosovën në këtë gjendje duke zgjedhur një president në mënyrë jo-kushtetuese, pa konsensus as brenda partisë së tij, e le më me spektrin e gjerë politikë.
Pacolli erdhi jo natyrshëm, erdhi ashtu siç vijnë jo presidentet, por klandestinët politike, me një grusht votash të fituara brenda një koalicioni me një grumbull partish. Dhe paturpësisht, yrysh u vërsul pas postit të parit të vendit, duke e ditur mirë se nuk përfaqëson unitetin e vendit. Madje, s’ka ndodhur ndonjëherë në politikën e re të Kosovës të ketë pasur një refuzim kaq sistematik e kaq të fuqishëm për një figurë politike si për Pacollin. Ai ishte i kontestueshëm thuajse nga çdo kush.
Tani ai u vu përballë sfidës më të rënde, e për mua, përballë sfidës më të rëndë ndodhet një mazhorancë e brishtë, e cila shkeli Kushtetutën vetëm e vetëm për të ardhur në krye të vendit. Një mazhorancë që po dëshmon katërçipërisht se nuk ka vizion për shtet, por vetëm për pushtet.
Pacolli tani po shkon si jo-kushtetues, ngase të tillë e shpalli zgjedhjen e tij Gjykata Kushtetuese, i vetmi institucion në Kosovë që po tregon gatishmëri dhe përkushtim të veprimit në mënyrë të pavarur. Kjo gjykatë ka dëshmuar pavarësi dhe guxim. E me ketë vendim, Gjykata e dha një leksion të vërtetë demokracie, një shpresë se filizat e lirisë, e pavarësisë institucionale, kanë fillu me lëshu rrënjë në shtetin e ri. Mirëpo shkuarja e tij Kosovës i le një hije të zezë, një damkë që gjatë do t’i rrijë në turpin e saj të njomë. Ai do të duhej të jep dorëheqje (të cilën do të duhej ta bënte si akt të fundit moral siç bëri Presidenti Sejdiu), mirëpo me këtë nuk shlyhet kjo damkë. Ndërkaq, ky akt duhej me vetëdijesu sidomos partinë që ruan shumicën në parlament, që pa yrysh të marrin pushtetin.
E çfarë të thuhet për dalldisjen e disa mediave pas tij, për dalldisjen e një institucioni universitar në Shqipëri? Kjo dalldisje pas tij që u pa në Tirane dhe aty këtu në disa media me standarde të ulëta etike e profesionale ne Tiranë e Prishtinë, është për keqardhje. Megjithatë, përballë një presidenti që siç e thash këto dite, e rrëmbeu pushtetin, doli Gjykata Kushtetuese qe tregoi se megjithatë në Kosovë ka ndërgjegje të mirëfilltë shtetërore. Ky është një lajm i mire, pas një sërë lajmesh aspak të këndshme, të mos themi tmerrësisht negative që e përfshinë Kosovën dhe sidomos klasën e saj politike. Kjo është je dëshmi e mirë dhe e besueshme se megjithatë në Kosove ka sens e ndërgjegje të mirëfilltë shtetërore.
Në këtë agoni që ndodhemi, shihet se kërkohet vetëdijësim shoqëror e kombëtar, një vetëdije se shteti nuk bëhet me yrysh, me çalamani, por me njerëz të ditur, që e dinë çfarë është shteti, e mbi të gjitha, si ndërtohet shteti.
Para disa ditësh shkrova se kauza për Kosovën europiane me Pacollin president nuk mbrohet. Ai s’është figurë unifikuese, siç e parasheh Kushtetuta. Ai nuk gëzon mbështetje në elektorat. Të dhënat tregojnë se ai me një grumbull partish fitoi pak më shumë se 7 përqind. Andaj, kalkulimet me bërë një president si ky nuk i di askush përveç ai që i ka bërë. Tash, Kosova sërish është pa president. Asaj i duhet një figurë unifikuese, një figurë që bëhet shëmbëllim i inteligjencies, e vlerave të dëshmuara perëndimore. Kosovës i duhet një figurë reprezentuese që sheh ka perëndimi, e jo lindja. Një gabim tjetër, Kosovën e hedh në skëterrë.
Comments are closed.
Ju Kosovaret vetem nje problem keni per te arritur ne majat me te larta te suksesit:Te hiqni Pacollin!
Gjykata Kushtetuese ne Kosove eshte i vetmi institucion i pavaruar ne te dyja anet e kufirit.
Dua te rendis tri gjera qe me rane ne sy,zoti Ndue Ukaj
1.Ju e ballafaqoni gjendjen politike ne Kosove me opinionin boteror per te .A nuk do te ishte me e udhes ta benit me taksapaguesin kosovar?Kjo qe po them eshte nje perditshmeri e turpshme edhe e Tiranes zyrtare qe i devijon opinionit vendas per te konfirmuar ne te dy kahet e kufirit tone legjitimitet te cunguar.Jane qytetaret shqiptare e kosovare qe paguajne te sherbehen e jo opinioni boteror.
2.Hija apo damka nuk u ngelet kosovareve;Pacolli nuk ishte zgjedhje e tyre.Damken e kane ata qe e zgjodhen dhe vete Pacolli.Kjo ikje vetem pastron,kthjellon dhe detyron “fair play”ne politike.Per mua do te sherbeje per shendoshjen e gjendjes,jo si thoni Ju.
3.Eshte edhe per mua si qytetare shqiptare impresionante e frymezues qendrimi e akti i Gjykates Kushtetuese te Kosoves ne respekt te plote te ligjit;per mua kjo perben kontribut fondamental ne sherbim te shtetit te se drejtes per Kosoven.Uroj vetem qe kjo fryme te vije sa me shpejt ketu ku na mungon ne trjte te dhimbshme.
Ju uroj pune te mbare e informim me te detajuar qe te mbaje ne qender QYTETARIN.