Mbi 40 organizata shqiptaro- amerikane: Jemi të shqetësuar për situatën në Shqipëri

29 Mars 2011, 18:14Politika TEMA

Mbi 40 organizata të diasporës shqiptaro amerikane i janë bashkuar një deklarate mbi incidentet e dhunshme të kohëve të fundit dhe degradimin e vazhdueshëm të klimës politike brenda institucioneve të Shqipërisë. Më poshtë deklarata e plotë dhe organizatat që e kanë nënshkruar:

Duke e konsideruar Diasporën shqiptare në SHBA si pjesë integrale e kombit shqiptar, si dhe duke vlerësuar sakrificat dhe vendosmërinë e saj në mbështetjen e çështjes kombëtare, ndjehemi të detyruar të shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me situatën aktuale politike në Shqipëri. Populli shqiptar ka dëshmuar masivisht se e do lirinë dhe kërkon me ngulm të mbrojë vlerat demokratike, duke i skalitur ato në Kushtetutën e Shqipërisë.  Shqipëria ka shënuar përparime në rrugën e saj drejt instalimit të një demokracie funksionale, ka patur rritje të vazhdueshme ekonomike, një monedhë të qëndrueshme si dhe vazhdon të sigurojë standarte në rritje jetese për qytetarët, megjithë zhvillimet e fundit negative në ekonominë dhe financën globale. Shqiptarët kanë përqafuar me bindje të plotë progresin e shpejtuar drejt proceseve integruese në Bashkimin Europian, si dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve historike e strategjike me Shtetet e Bashkuara nëpërmjet forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy popujve tanë. Megjithë këto arritje, nuk mund të injorojmë korrupsionin masiv i cili dobëson institucionet shtetërore, minon demokracinë, ndikon negativisht në shoqëri dhe pengon përparimin e Shqipërisë drejt integrimit Europian.

Incidentet e fundit në Tiranë ishin pa dyshim tragjike dhe legjitimojnë shqetësimin tonë të thellë në lidhje me degradimin e zgjatur të klimës politike midis palëve. Është me rëndësi kritike që të kryhet një hetim i plotë, gjithëpërfshirës, i pavarur dhe profesional i ngjarjeve para, gjatë dhe pas dhunës së 21 janarit. Ky hetim duhet të jetë i paanshëm, nuk duhet të ndikohet nga ndërhyrje politike të asnjë lloji si dhe duhet të vërtetojë rrjedhën e ngjarjeve dhe fajtorët. Ne e përshëndesim ndihmën e specialistëve ndërkombëtarë në zhvillimin e këtij hetimi. Zbardhja e fakteve dhe gjykimi i shpejtë dhe i paanshëm në zbatim të ligjeve ekzistuese të Shqipërisë do të kontribuonte në uljen e tensioneve politike dhe do të krijonte një klimë më të përshtatshme për të rivendosur besimin e qytetarëve tek institucionet. Udhëheqësit politikë duhet të respektojnë dhe të promovojnë mbarëvajtjen e institucioneve të pavarura të krijuara në bazë të kushtetutës. Të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht pozicionit shoqëror, bindjeve apo pozitave politike duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë përpara ligjit.

Qytetarët shqiptarë u kanë besuar mandatin përfaqësuesve të tyre politikë, për të siguruar mbarëvajtjen e sistemit politik dhe përparimin e kombit shqiptar. Udhëheqësit politikë shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen se zgjidhja e çështjeve të tyre të brendshme apo e mosmarrëveshjeve ndërpartiake është mbi të gjitha përgjegjësi e aktorëve të brendshëm dhe jo e faktorit ndërkombëtar. Të gjithë shqiptarët dëshirojnë që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të marrin përgjegjësitë e tyre për mbarëvajtjen e Shqipërisë dhe t’u demonstrojnë qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare që janë partnerë të besueshëm. Udhëheqësit politikë duhet gjithashtu të ulin tonet e retorikës politike dhe të ndërpresin akuzat publike të paprovuara duke rikthyer qytetarinë në dialogun politik. Më tej, ata duhet t’u sigurojnë shqiptarëve se e kanë prioritet zhvillimin e vendit në përputhje me aspiratat thelbësore të popullit shqiptar.

Për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme vendore të 8 majit, është thelbësore që qytetarët shqiptarë të marrin parasysh spektrin e plotë të zhvillimeve gjeopolitike rajonale. Është e një rëndësie parësore që populli shqiptar dhe udhëheqësit e tij të zgjedhur të vazhdojnë të hedhin hapa përpara për të mbrojtur dhe ruajtur aspiratat e të gjithë shqiptarëve, të forcojnë procesin demokratik, si dhe të zhvillojnë zgjedhje të hapura, transparente dhe të lira të cilat të lejojnë përfshirjen e të gjitha grupeve brenda spektrit politik. Në vazhdimësi, palët politike duhet të respektojnë procesin zgjedhor dhe të angazhohen në një debat të civilizuar e konstruktiv, i cili do të evidentonte idetë e palëve mbi të ardhmen e kombit shqiptar dhe rolin e shqiptarëve në rajon dhe në Bashkimin Europian.Të gjitha palët duhet të bëjnë të mundur që këto zgjedhje të zhvillohen me standartet më të larta në mënyrë që të fillojë rivendosja e besimit të publikut tek procesi demokratik.

Është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë që partitë politike të rifillojnë menjëherë një dialog politik aktiv dhe konstruktiv, si dhe të rifokusohen drejt përparimit të Shqipërisë. Përqëndrimi tek mosmarrëveshjet për çështje të kaluara në dëm të zgjidhjeve për ardhmërinë e vendit nuk është produktiv. Sado e rëndësishme qoftë lufta politike për udhëheqësit partiakë, nuk mund të ketë asgjë më të rëndësishme se sa interesi kombëtar. Për këtë arsye, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të reflektojnë, të rikalibrojnë qëndrimin e tyre dhe t’i shërbejnë interesit të qytetarëve. Kjo thirrje rezonon dëshirat e qytetarëve shqiptarë, bashkësisë ndërkombëtare dhe Diasporës shqiptaro-amerikane.

Akademia Shqiptaro Amerikane

Albanian American Association Ana e Malit

Albanian American Chamber of Commerce

Albanian American Community Association

Albanian American Community Center Hasan Prishtina CT

Albanian American Cultural Foundation

Albanian American Islamic Center of Queens

Albanian American Society “Mother Teresa”

Albanian American Society Foundation

Albanian American Women’s Org. For Hope & Peace

Albanian Childrens Fund

Albanian Cultural Center

Albanian Yellow Pages

APEN – Albanian American Professionals & Entrepreneurs Network

Bashkimi Kombetar

Democratic League of Dardania

Fondacioni Dom Simon Filipaj

Fondi Humanitare Malesia

Forumi Shqiptaro Amerikan per Demokraci

Illyrian Partnership

Jetim Jam

Levizja Atdheu na Bashkon

Lidhja e Intelektualve Shqiptaro-Amerikan Michigan

Lukaj Foundation

Massachusetts Albanian American Society “Besa”

Mother Teresa Civic Center Inc.

National Albanian American Council

Plave Guci Foundation

Shestani Group

Shoqata Atdhetare “KRAJA”

Shoqata Dede Gjo’ Luli Association

Shoqata e Atlantikut

Shoqata e Jetimit Shqiptaro Amerikane

Shoqata Humanitare Shqiptare Amerikane Philadelphia

Shoqata Kosova

Shoqata Kulturore “Nene Tereza” Waterbury CT

Shoqata Malesia e Madhe – Michigan

The Albanians.com

The Martin and Mirash Ivanaj Foundation

The Society Of Albanian-American Writers

Ulqin-Kraj-Ana e Malit  – Chicago

United Albanians

1 komente në “Mbi 40 organizata shqiptaro- amerikane: Jemi të shqetësuar për situatën në Shqipëri”

  1. Burimas City says:

    sido te jesh jo 40 organizata shqiptaro-amerikane por dhe me shume te jesh,qeverise shqiptare nuk i futet kurre gjemb ne kembe,se gomarin e nxjer nga balta vetem i zoti dhe jo te tjeret ,se po shkojne goxha vite dhe ja kemi pire lengun si amerikes ashtu dhe europes…….ne fakt na kane derguar goxha ndihma po ku jane se nuk mbetet nje dite pa delegacione vendi yne dhe i hane ato qe dergojne gjoja si ndihme por popullin tone…….prandaj ka lindur ajo thenia…obalo te hengert tenja e ke te keqen nga brenda……..tani ju bashkangjit dhe e ke te keqen dhe nga ata qe te ferkojne kurizin dhe te fusin gishtin nga mbrapa………prandaj te dashura organizata ju shume mire e keni ju falenderoj por dhe fjalen e popullit qe; derri do vetem plumb ballit. pershendetje nga larg

Comments are closed.

Lini një Përgjigje