Pas Xhiorxhio Kielinit, Juventusi ka pësuar një tjetër goditje të rëndë për ndeshjen e rëndësishme të së dielës kundër Romës. Kapiteni Alesandro Del Piero është dëmtuar dhe me shumë mundësi nuk do të luajë ndaj verdhekuqve. Mediat italiane bëjnë me dije se sulmuesi 36-vjeçar ka pësuar një tërheqje në kofshën e majtë. Megjithatë, fakti nëse do të luajë apo jo ndaj Romës Del Piero, pritet që të mësohet gjatë ditës së nesërme, pas rezonancës magnetike. Nëse Del Piero nuk do të luajë kundër Romës, për Juventusin ndeshja do të bëhet akoma më e vështirë, duke qenë se numri 10 I bardhezinjve është I vetmi lojtar që mund t’i japë cilësi ekipit këtë sezon dhe për më tepër që në ndeshjet e fundit ka shkëlqyer. Tashmë atlternativat e Del Nerit në sulm, nëse Del Piero nuk do të jetë I gatshëm për ndeshjen e së dielës, janë vetëm dy, Alesandro Matri dhe Luka Toni. Ndërkohë, dje është konfirmuar edhe kohëzgjatja e dëmtimit të mbrojtësit Xhirxhio Kielini. Ky i fundit do t’u mungojë bardhezinjve përgjatë gjithë këtij muaji. Me gjithë këto lajme jo shumë të mira, detyra e Juventusit për të arritur vendin e katërt bëhet akoma dhe më e vështirë.