Ogreni: Të qënit kunat i Kol Ballës, kosto e lartë për mua

5 Prill 2011, 16:04Lifestyle TEMA

100 ditët e qëndrimit të tij në reality-show-n e njohur “Big Brother” kanë qenë të mbushura me ngjarje nga më të ndryshmet. Marrëdhënie shoqërore që forcoheshin e diku thyheshin…, më tej ish-miq që shndërroheshin në kundërshtarët (Alma) e tij…, ditë të bukura dhe sfida të fituara që e përzgjidhnin si lider të javës…, debate që u shtuan edhe më ditëve të fundit…, e mbi të gjitha një histori dashurie, që u duk se nisi me mëdyshje, por që në fakt duket se ka rezultuar në një marrëdhënie të fortë e shumë të rëndësishme për të. Ogren Balluku, djaloshi simpatik që ishte shumë pranë fitores së edicionit të katërt të “Big Brother”, pohon se e ka ditur që nuk do të ishte fitues i këtij reality-show për shumë arsye. Një, në mos më e rëndësishmja, të qenit kunat i Sokol Ballës, drejtuesit të emisionit “Top Story”, në televizionin Top Channel, do t’i jepte jo pak paragjykim fitores së tij. Në këtë intervistë për gazetën “Mapo”, Ogreni rithekson edhe njëherë ashtu si edhe në natën finale të spektaklit, se “target-grupi që përfaqëson është ende në minorancë”. E sigurisht që nuk është aspak dakord me fituesen dhe atë çfarë përfaqëson Ermela. Por ndër të tjera, Ogreni konfirmon në këtë rrëfim, lidhjen e rëndësishme që ka nisur në shtëpi me Nedën, të cilën shpreson ta shijojë e zhvillojë edhe më shumë tashmë larg vëzhgimit të kamerave!

Ogren, tashmë që jeni jashtë shtëpisë së Big Brother, jeni njohur edhe me opinionet pozitive apo negative që janë krijuar për ty. Keni parë disa tituj gazetash, një imitim në “Portokalli”. Cila ka qenë gjëja që nuk ju ka pëlqyer në gjithë këtë mozaik?

Megjithëse janë ditët e para të kthimit në realitet, ndjesitë që kam marrë nga reagimet e njerëzve janë goxha pozitive. Përsa u përket gazetave, dihet që shumë gjëra bëhen për qëllim publiciteti. Personazhe të veçantë që kërkojnë vëmendjen që nuk kanë, shpesh herë detyrohen të thonë gjëra të pavërteta. Një “ vërejtje “ miqësore për “Portokallinë”, aktori imitues duhet të ishte më i gjatë (qesh) .

Kur dolët nga shtëpia u shprehët se ju përfaqësoni një minorancë dhe kjo është arsyeja që nuk fituat. Në natën e finales dhe gjatë 100 ditëve sa e keni dëshiruar fitoren dhe sa keni qenë të sigurt që nuk do ta fitonit?

E kam shprehur dhe herë të tjera, që për arsye të caktuara e dija që nuk do mundesha kurrë të fitoja atë format. Gjithsesi, ky fakt nuk më ka penguar të shprehja gjithë potencialin tim deri natën finale. Nuk është gabim, që një njeri të jetë i ndërgjegjshëm se cilit target-grupi i përket. Duke parë finalizimin e emisionit, me keqardhje kuptova që ky target-grupi është ende në minorancë, por nuk pret shpresën, gjithsesi, që një ditë të jetë target vendimmarrës.

Emri i kunatit tuaj, gazetarit të njohur Sokol Balla, mendon se ju ka prishur punë? Mendon se është një arsye e fortë që ju nuk fituat?

Ky është një paragjykim i pastër dhe në Shqipëri këto ndodhin rëndom. Sigurisht që në fund e gjitha kjo histori u kthye në një kosto të lartë për mua.

Cili është mendimi juaj për fituesen e Big Brother, Ermelën?

E kam shprehur dhe gjatë kohës kur kam qenë në shtëpi. Për mendimin tim fitorja nuk duhet të ishte e saj. Jam i mendimit që fituesi duhet të kishte karakteristika të tjera. E kam perceptuar BB si krahasim vlerash dhe botëkuptimesh, e në fund duhej patjetër të fitonin vlerat e vërteta që shoqëria jonë duhej të përkrahte dhe vlerësonte realisht.

Ju vetë çfarë fituat nga ky Big Brother? Cili është zhgënjimi më i madh që keni pasur gjatë kohës që ishit në shtëpi?

Eksperiencë e rëndësishme, e cila më konfirmoi bindjen mbi disa karakteristika të miat specifike, të cilat më ndihmuan patjetër për të përballuar me sukses çfarëdo lloj situate brenda asaj shtëpie. Nuk mund të flasim për zhgënjim, sepse është term që nuk i përket aventurës sime në BB, mirëpo mund të them që një nga momentet më të vështira ishte eliminimi i parakohshëm i Nedës.

Lidhja me Nedën ka qenë tepër e komentuar nga banorët, por edhe jashtë shtëpisë. Ka pasur dyshime se ka qenë një dashuri e njëanshme. Si e konsideron aktualisht Nedën në jetën tënde?

Një marrëdhënie lind dhe zhvillohet kur ndjenja është reciproke, në qoftë se nuk do ishte mes nesh, nuk do kishte lindur kurrë asgjë. Mendoj që sot nuk ka më njeri që dyshon mbi vërtetësinë e kësaj marrëdhënieje. Unë dhe Neda kemi nisur një histori të vërtetë dhe të rëndësishme dashurie në shtëpi dhe do vazhdojmë ta ushqejmë, shijojmë e jetojmë dhe jashtë.

Cila është gjëja që ju tërhoqi më shumë prej saj?

Që orët e para të aventurës sonë, ne patëm një afinitet të çuditshëm, gjë e cila më intrigoi dhe më tërhoqi tej mase. Duke u njohur në vazhdim me njëri-tjetrin, zbulova shumë cilësi të saj, që vlerësova deri në pikën që të filloja dhe të ndjeja për të .

Çfarë e forcoi më shumë marrëdhënien tuaj?

Unë dhe Neda kemi pasur një marrëdhënie shumë dinamike në fillimet tona dhe pikërisht kapërcimi i të gjitha dyshimeve dhe arsyeve, që mund të na pengonin të ishim bashkë (përsa i përkiste njerëzve tanë të afërt jashtë), ishte momenti që unë e ajo u lidhëm më fort dhe përfundimisht me njëri-tjetrin.

Përse gjithë banorët ju kundërvunë juve dhe lidhjes suaj me Nedën?

Arsyeja e vërtetë është se të gjithë ata kuptuan potencialin që ne kishim dhe u ndjenë të kërcënuar nga konkurrenca e fortë që hasnin.

Ogren, gjatë kohës që keni qenë në shtëpi jeni paragjykuar shpesh edhe për shkak të mbiemrit tuaj. Ju duket e drejtë kjo gjë?

Brenda shtëpisë nuk e kam ndjerë këtë paragjykim, ndërsa përsa i përket opinionit të jashtëm, kam lexuar opinione sporadike paragjykuese, të cilat më duken absurde për faktin se familja ime është e persekutuar politikisht nga regjimi komunist dhe në të njëjtën kohë jemi një ndër familjet më të respektuara në Shqipëri.

A prisni që të ndryshojë gjë në jetën tuaj tashmë pas pjesëmarrjes në “Big Brother”?

Krahas faktit që tanimë kam një marrëdhënie shumë të rëndësishme në jetën time, ndryshimet e tjera përsa i përket pritshmërive të mia, do më duhet t’i zbuloj gjatë ditëve në vazhdim. Jam i bindur që do jenë të shumta dhe patjetër pozitive. MAPO

Lini një Përgjigje