E dalë nga zarfi i ambasadorit Cristopher Dell, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, edhe më tej vazhdon të mbetet personi me misterioz i vendit. Që nga 7 prilli kur edhe u vendos të kandidohet si presidente e “Katërshes magjike”, Jahjaga në opinionin kosovar doli si “ajsberg”, duke e shfaqur vetëm fytyrën, por jo edhe bagazhin e saj.
Dikush tha se është e Rahovecit, tjetri e Gjakovës, disa të tjerë se është nga Prishtina, ndërsa mediet e Tiranës e nxorën atë me prejardhje nga Tropoja. Madje qytetarët e kësaj krahine, thanë se i janë gëzuar faktit që Atifetja, një kushërirë e tyre, është bërë presidente e Kosovës.
Të gjithë filluan të flasin për të, përveç vetë Atifetes. Ajo që dihet botërisht është fakti se ka qenë police, madje kryepolice kosovare me gradën e gjeneralmajorit. Në vikipedia nuk u tha shumë, ndërsa në faceebook u shfaqën vetëm dy foto, një me ish-presidentin Xhorxh Bush dhe tjetra me sekretaren e Shtetit, Hilary Clinton. Edhe faqja e Presidencës është e varfër për CV-në e të parës së shtetit.
Nga bashkëpunëtorët e saj dhe ish-kolegët e studimeve, “Zëri” mësoi që Atifetja ka qenë një studente mesatare, e cila nuk është dalluar nga të tjerët, edhe pse në grupin e saj të studimeve ka pasur studentë të dalluar, që tashmë janë sistemuar në institucionet e Kosovës, ndërsa ka prej tyre që janë edhe ambasadorë.
Si gjenerata e studimeve të vitit 1993, ish-kolegu i studimeve, që nuk pranoi të identifikohet, tha se është befasuar kur ka dëgjuar lajmin se Atifetja është bërë presidente.
“Të gjitha i kisha menduar, por që Atifetja të bëhet presidente, s’ma ka marrë mendja”, tha ai.
Kush është Atifetja?
E lindur më 20 prill 1975 në Gjakovë, presidentja e Kosovës shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet në Fakultetin Juridik i kreu në Prishtinë. Në medie u tha po ashtu, se Atifete Jahjaga është vajza e Brahim Bajram Agës nga fshati Rashkofc i Gjakovës. Familja e saj, siç u mor vesh, në vitin 1912 nga fshati Tetaj i krahinës Nikë Mërturit të Tropojës ka dalë në malësi të Gjakovës.
E diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Prishtinës në vitin 2000, ajo zgjodhi jetën me regjim, duke u inkuadruan në policinë e Kosovës. Fillimisht si përkthyese, por së shpejti kreu atë kursin e përshpejtuar të gjeneratave të para dhe veshi uniformën e Policisë (atëbotë SHPK). Sipas disa kolegëve të saj shumë shpejt ajo nga policja e thjeshtë është avancuar në gradën major, siç thonë, për shkak të nevojave të përfaqësimit gjinor në stafin menaxhues të Policisë dhe ishte angazhuar në Departamentin e Trajnimeve.
Aftësia e saj në stilin “hiq e mos këput” dhe mirë të gjithë, “e sidomos me miqtë nga Dragodani” iu shpagua duke u ngritur shpejt e pa bujë në shkallët e hierarkisë policore. Ata që e njohin nuk i habit qëndrimi që po vazhdon të mbajë, larg opinionit dhe medies, duke mbetur enigmë për opinionin që me të drejtë dëshiron të dijë kush është presidentja. Me natyrën që ka dhe me faktin se përvojën e parë politike e ka postin e kryetares së shtetit, nuk pritet tjetër. E tillë ka qenë edhe në Polici, thonë disa nga ish-kolegët e saj.
Ata shprehin bindje se, me sa e njohin, në mandatin e saj Kosova nuk do të ketë një presidente që, në rast nevoje, do t’i presë gjërat dhe të vendosë vetë.
Duke folur për karrierën e saj në uniformë ata thonë se majat e Policisë Atifetja i ka arritur në prill të vitit 2006 duke marrë gradën gjeneralmajor dhe pozitën ndihmëse e zëvendëskomesarit (në atë kohë Sheremet Ahmeti) për Polici Kufitare. Aty nuk ka qëndruar gjatë dhe një vit më vonë, më 2007, caktohet në pozitën ndihmëse e zëvendëskomesatit për Administratë dhe Burime Humane. Prej aty, prej shkurtit të vitit 2009 me gradën gjeneralmajor ishte zëvendëse e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Këto burime thonë se është duke ndjekur studimet posdiplomike në Fakultetin Juridik në Prishtinë, ndërsa bashkë me një grup oficerësh të Policisë ka ndjekur edhe studimet në Fakultetin e Kriminalistikës dhe Sigurisë të Universitetit të Sarajevës, që ishte organizuar vite më parë në Prishtinë, por nuk e ka kryer.
Në vitin 2008 ka qëndruar për rreth dy muaj e gjysmë në një trajnim specialistik të FBI-së në SHBA. Gjithashtu, si disa oficerë të tjerë të lartë policorë, ka kryer dy nivelet e trajnimeve në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë në Garmisch-Partenkirchen të Gjermanisë. Ndërkohë, herë pas here, ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare për çështje të sigurisë.
Atifetja është e martuar me Astrit Kuçin dhe nuk ka fëmijë. Ndërsa nga të dhënat që ajo ka publikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, thotë se nuk posedon më shume se 2 mijë euro në bankë, nuk ka banesë të vetën në Prishtinë, ndërsa posedon një veturë në vlerë rreth 6 mijë euro.
Edhe Evropa e befasuar
Emërimi i presidentes Jahjaga ka ngjallur reagime edhe në Parlamentin e Evropës. Madje disa nga ligjvënësit evropianë kanë pyetur të tjerët se a di kush gjë, se kush është presidentja e Kosovës. Të tjerët kanë rrudhur krahët, duke thënë se krejt çka dinë është ajo që kanë dëgjuar kur është zgjedhur presidente.
Disa nga europarlamentarët kanë kërkuar informacione shtesë për bagazhin e presidentes kosovare, ndërsa disa ligjvënës të tjerë, pavarësisht misteriozitetit, kanë shprehur admirim që kjo presidente ka evituar ngërçin politik në Kosovës. Doris Pack, euproparlamentare gjermane, ka thënë se për presidenten e Kosovës është vendosur nga tre burra të vendit dhe nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë.
Derisa nga Presidenca ka qenë e pamundur të merret zyrtarisht informacion për presidenten Jahjaga, është analisti Avni Zogiani ai që konsideron se presidentja është e paprofil politik, prandaj edhe nuk del në opinion.
Ai thotë se nuk është arsyeja që Jahjaga dëshiron vetvetiu të mbetet “mister” për opinion, por është fakti se ajo nuk ka çka të thotë, sepse nuk ka identitet politik me të cilin mund të deklarohet. Po ashtu ai tha se si një police e rryer, është “gatuar’ të jetë e “heshtur” dhe të jetë jashtë politikës.
Sipas Zogianit, Jahjaga është e vetëdijshme se si ka ardhur në krye të shtetit, prandaj është e dëgjueshme ndaj atyre që e kanë emëruar, sepse, sipas tij, “ashtu siç ka dalë nga zarfi, edhe hyn në zarf”.
Gjithashtu Zogiani, që njihet si kritikuesi më i zëshëm i ndërkombëtarëve, tha se me këtë mënyrë, emërimi i detyrueshëm i personave në institucione ka vënë në rrezik edhe identitetin kombëtar, sepse lufta është kthyer në konflikt dhe dalëngadalë vlera në antivlerë./zëri/