Basha, një fushatë kundër vetes dhe rivalëve në PD

27 Prill 2011, 23:22Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, ka futur debatin për fushatën në një rrugë pa krye, duke e spostuar tek debati mbi pasqyrimin e fushatës, ndërsa po ngjall polemika brenda PD lidhur me  përpjekjen e tij për të inkriminuar rivalët brenda PD-së si njerëz që i prishin imazhin e fushatës. Nëse qëndrimi i Berishës larg fushatës, me arsyetimin se figura e tij dëmton rezultatin në Tiranë është një status i pranuar nga vetë Berisha, aludimet e tij për rivalët e vet në PD si të lidhur me krimin apo njerëz që prishin imazhin e PD-së, mund të shkaktojnë probleme në të ardhmen.

Dyshimi që ngjall makth në selinë e PD nuk është as shpallja e Berishës fajtor, as shpallja e Bashës përgjegjës, por mbetja e fajit jetim. Duke mbajtur Berishën larg fushatës, është normale të mendosh se PD nuk ka ndërmend të fajësojë atë për humbjen e pritshme në Tiranë. Por problemi qëndron tek fati i mëtejshëm politik i Lulëzim Bashës. Sipas gjithë gjasave, ai po synon të marrë pak vota më shumë se sa rivali i tij në PD Sokol Olldashi dhe të justifikojë po kështu ngritjen e PD me kandidimin e tij. Duke qenë se kjo skemë i lë zgjedhjet brenda PD-së pa përgjegjës konkret, debati për rikthimin e Berishës në fushatë është real.

Nëse i hedh një sy tani fushatës së PD-së në Tiranë, gjysmën e kohës e ka ngrënë debati a duhen transmetuar kasetat e montuara të Lulëzim Bashës a jo? I gjithë stafi i tij teknik, i cili ka bllokuar gjithë debatet televizive, është bërë avokat i madh i transmetimit të kasetave të montuara. Asnjë debat tjetër për alternativat e qeverisjes së Tiranës nuk kanë ngrënë kaq shumë kohë dhe hapësirë se sa ka ngrënë kohë debati dhe vendosmëria e Lulëzim Bashës për të qenë ilegal në këtë fushatë dhe për të mos lejuar medien të ndjekë fushatën e tij. Kjo në të vërtetë rrëzon gjithë imazhin dhe premtimet e tij për transparencë në qeverisje. Shembulli më i keq dhe fakti më i zi kundër tij është prodhuar nga vetë stafi i tij. Ky staf dhe vetë Basha po këmbëngulin për mungesë transparence të garantuar me ligj në fushatë dhe po premtojnë transparencë pa ligj pas fushate. Të futur në këtë spirale, ata janë duke bërë dhe gabimin e dytë. Edhe pse Basha është jurist, duket se nuk i ka parë mirë ligjet e shtetit shqiptar. Në ligjin shqiptar për radiotelevizionin thuhet qartë se emisionet e lajmeve janë produkte gazetareske dhe në përmbajtjen e tyre ndalohet reklama e fshehtë apo e drejtpërdrejtë. Reklamë e hapur në mes të emisionit të lajmeve janë reklamat e zakonshme, ndërsa reklamë e fshehtë quhen kronikat- reklamë që i bëhen dikujt, siç mund të jetë lavdërimi i ndonjë biznesi apo ndonjë politikani me porosi. Transmetimi i kasetave të montuara është reklamë indirekte dhe është e dënueshme me ligjin për radiotelevizionin në Shqipëri. Këmbëngulja e Bashës për shkelje të ligjit është leksioni i dytë i hidhur që i jep elektoratit të Tiranës lidhur me arbitraritetin dhe mungesën e respektit për ligjin.

Duke mbushur fushatën me debate të tilla, Basha ndërkohë ka nxjerrë në një pozicion më të favorshëm se sa e meriton Edi Ramën, i cili arrin deri atje sa ta çojë dhe në Kolegj Zgjedhor çështjen e ndalimit të kasetave të montuara në fushatë, duke marrë flamurin e transparencës dhe zbatimit të ligjit dhe kjo falë gafës skandaloze të Bashës dhe stafit të tij.

Kur fushata të mbarojë javën tjetër dhe ne të bëjmë një përmbledhje të asaj çfarë kemi debatuar, do të rezultojë se gjatë gjithë muajit kemi përgjuar dhe kemi debatuar kush e dha dhe kush nuk e dha kasetën e Bashës, dhe a mori lek për atë që e dha apo mori ndonjë privilegj tjetër. E gjithë kjo duket se ka fyer rëndë PD dhe strukturat e saj, të cilat po përdoren si figurantë në një fushatë të montuar, të cilët duhet të bëjnë prova para stafit të Bashës për tu regjistruar në kasetë.

Sali Berisha, i zbuari i madh nga kjo fushatë, po sillet nëpër komunat e Shqipërisë duke premtuar arra, gështenja, shegë e lajthia, me një nervozizëm që i lexohet qartë në fytyrë për mbajtjen larg fushatës së Tiranës. Kjo është fushata e parë në historinë e tij politike, që ai ka pranuar të poshtërohet nga partia e vet. Në një situatë të ngjashme ka qenë pak a shumë në vitin 2001, kur njerëzit e tij në parti provuan Ritvan Boden si kryeministër të mundshëm nëse fitonin, pasi kishin turp t’i përfaqësonte Berisha. Pas 2001, kjo është ngjarja më e rëndë politike për të, e cila në të vërtetë i ka hequr dhe thelbin e debatit fushatës për Tiranën.

Debati i dytë që po ngjallet brenda PD-së është përpjekja e Bashës për të kriminalizuar rivalët e tij në PD. Ai po përpiqet që përveç imazhit të Berishës të distancohet nga imazhi i Olldashit si “krah i armatosur” në PD, dhe duke ua prezantuar nën zë këtë dhe diplomatëve të huaj në Tiranë, të cilët ndoshta dhe kanë filluar ta besojnë. Pra, deri tani Basha po ecën me parimin e pastrimit të vetes duke bërë pis gjithkënd, përfshi Berishën dhe Olldashin me objektiv të vetëm arritjen e fitores. Pyetja është se kush do ta marrë përgjegjësinë nëse ai humbet, imazhi i tij, fushata e tij qesharake, apo fajtorët që ai ka gjetur dhe po i poshtëron gjatë fushatës?

20 komente në “Basha, një fushatë kundër vetes dhe rivalëve në PD”

  1. Epirioti says:

    Z. Beze! Analizat e ketyre diteve do duket te kota pas 8 majit keu te marrim vesh strategjine e radhes dhe te re, djallezore te Berishes. Ka shume momente ne boshlleqet e ligjit, qe nga pranimi i kandidaturave per Tiranen, ne vendime te paligjshme 4 me 3 ne KQZ. Sipas tradites, Rama do fitoj bindshem ne Tirane, kjo edhe fale ngjarjes se fresket te 21 janarit dhe efektit psikologjik qe mbart. Mirepo ti e di shume mire se Sala eshte hilanjoz i paskrrupullt. Ai nuk do njoh rezultatin ne Tirane me logjiken qe ai pranon vetem ligjet dhe vetem ato, te cilat ne kete rast jane te mangeta dhe do i japin atij mundesine per mosdekretimin e Rames nga KQZ si kryetar bashkie, duke e lene ate vakant edhe per dy vite te ardhshme. Sigurisht starategjia e re do fus ne loje edhe parlamentin me ngritjen e nje komisioni per plotesime ligjore te boshlleqeve, i cili do zgjase po dy vite. Po ashtu, duke perfituar nga kriza ekonomike Sala do ofroje ndihme sociale bujare per simpatizante te PS-se, duke ua mbyllur gojen, dhe sigurisht do kercenoj ne moscenimin e rendit kushtetues, per te parandaluar demonstrata. Nuk duhet te jemi naiv dhe mos ta kuptojme se nje konglomerat interesash te cuditshme, te cilat Saliu i shfrytezon maksimalisht, kane bere qe Sala dhe qeveria e tij e cuditshme te kene mbeshtetjen e perendimit dhe te ShBA-ve.
    Sala nuk do njohe zgjedhjet, dhe arsyeja banale do jete sepse atij iu mohua e drejta per t’i manipuluar ato.

    1. fule says:

      Po qe dhe drejt kesaj qe thua ti mund te shkoje. Me nje fjale ta fusi PS-ne dhe opoziten pas 8 Majit ne nje beteje per te dekretuar fitoren e bashkise se tiranes nderkohe qe kualicioni Sali+Ilir+Fatmir vazhdon shkaterrimin.

  2. Epirioti says:

    Me fal! Z. Baze e jo Beze. Lapsus prej verteti, e jo si ai qe ngaterron Bangladeshin me Antarktiken.

    1. ermeli says:

      O MERO BAZE RAMA KA RA HUMBJA ESHT E PASHMANGSHME UN JAM NI SOCJALIST PO ATO LEK QE MI DHAN DO VOTOJ BASHN YYYY EDHE SA KA SI MUA ME MIJA

      1. plaku says:

        I dashur ermeli,
        Nuk e di ne se te kuptova drejt, por ne se ke marre leke per voten, d.m.th. se je i shitur dhe PS nuk ka nevoje per ty dhe voten tende.

        1. shezo says:

          O ermel, shko o i shkrete dhe meso te shkruash shqip,pastaj te shesesh voten, ti qe nuk di te votosh.Jam i sigurt qe nuk di shqip dhe keto rreshta ti ka shkruar ndonje komshi.

      2. DD1 says:

        Rama dhe nese humb zgjedhjet nuk humb gje. Ti qe shet voten eshte njesoj sikur ke shit motren oooo analfabet

  3. nicolla disha says:

    Sali Berisha, nuk eshte kushtetuta e Rrepulikes se Shqiperise, por eshte populli qe me vote do te jape verdiktin e vet pro Edi Rames. Nderkombetaret po monitorojne me vemendje situaten e 8 majit. Berisha nuk ka te drejte qe te dekretoje Ramen si kryetare te bashkise, por vota e popullit dekreton Ramen me vote pro.

  4. nicolla disha says:

    Ja shikojeni kete vidio ne you tube.
    Falori i S. Berishes, I. Metes dhe A. Imamit (Ndalohet nen 18 vjec

  5. nicolla disha says:

    Ja shikojeni kete vidio ne you tube.
    Fjalori i S. Berishes, I. Metes dhe A. Imamit (Ndalohet nen 18 vjec…..

  6. neser eshte vone says:

    Qe nje thenie te jete e vertete duhet te plotesoje disa kushte, si:
    – te jete e mbeshtetur ne fakte,
    – te jete e mbeshtetur ne argumenta bindese,
    – t’i rezistoje proves se realitetit
    dhe disa te tjera si keto qe quhen “kriteret e se vertetes”
    Thjeshte fakti qe dicka thuhet nga Mero Baze nuk eshte nje nga keto kritere dhe ne vetevete nuk mjafton per ta bere dicka te vertete. Me fjale te tjera jo cdo gje qe thote Z. Baze eshte e vertete.
    psh: “Sipas gjithë gjasave, ai (Lulzim Basha) po synon të marrë pak vota më shumë se sa rivali i tij në PD Sokol Olldashi dhe të justifikojë po kështu ngritjen e PD me kandidimin e tij.”
    Basha mund te fitoje, mund te humbe me thelle apo me ngusht se Olldashi, pak rendesi ka. Kete do ta marrim vesh me 8 maj. Por te thuash se Basha ka hyre ne zgjedhje me te vetmin qellim per te fituar pak me shume vota se kandidati paraardhes i PD-se eshte… ah po, eshte opinion. Eshte opinioni i Zotit Baze.
    Kam pershtypjen se Mero Baze e ka humbur aftesine per te qene objektiv. Dhe qe te rrime shtrember por te flasim drejte kjo nuk ka ndodhur aspak per faj te tij. Pasi i eshte dhunuar e drejta e shprehjes dhe pasi eshte dhunuar edhe ai vete fizikisht (ka patur mbeshtetjen time morale dhe simaptine time per guximin e treguar) kam frike se Zoti Baze aplikon teorine “miku i armikut tim eshte armiku im”. Natyrisht eshte e drejta e tij.
    Me respekt
    Neser eshte vone

  7. benikuksiani says:

    basha spo perpiqet qe ti hedhe fajin as berishes dhe as olldashit,qe shihet si “krah i armatosur” ne PD.ai thjesaht po ben fushaten e tij duke marre si cdo merite ashtu edhe cdo pergjegjesi vete.zoti basha nuk eshte duke pergatitura asnje lloj skenari,sic deklaroni ju zoti baze,duke u perpjekur ti jape nje vizion te ri PD duke marre me shume vota se rivali i tij Olldashi.ky eshte mendimi im i sinqerte

  8. plaku says:

    Zoti Baze ju thoni :

    “Sali Berisha, i zbuari i madh nga kjo fushatë, po sillet nëpër komunat e Shqipërisë duke premtuar arra, gështenja, shegë e lajthia, …..

    Zoti Baze, me falni por keni harruar “ULLINJTE”.

    1. anab says:

      na fakt mire e keni jo si rama qe premton se do te bej lulishte,parqe,rruge,etje tj dhe ajo qer ben eshte lek te xhepi dhe betonizim i vendit

  9. Blue Sky says:

    hahahhah mor plak berisha nuk eshte i zbuari por si gjithemone protagonist kudo qe shkon. luli eshte drejtuesi i tiranes kurse saliu eshte bobi i shqiperise

    1. plaku says:

      i dashur Blue Sky,
      Desha te te prezantoja me nje mikun tend :
      http://www.youtube.com/watch?v=4aM5rEjpUt8&feature=youtu.be

  10. england says:

    Po e vertete eshte ajo qe thote ky qe identifikohet me ngjyren e partise ne pushtet!
    por vetem pjesa qe e quan Lulin si drejtues,ose si urdherues te vrasjeve te qytetareve
    te vet,atyre qe tani po i kerkon voten
    Ndersa ai tjetri qe rri mes boleve,i thone k.. dhe jo bobi

  11. Jeniceri says:

    Po cfar te shkruash o Mero kur lexojme ca konkluzine partiake dhe aspak me personat qe kandidojne nuk dua te mbur Ramen si njeri dhe politikan iperkryer se edhe ai ka te metat e tij por vetem fakti qe luli i saliut vrau 4 qytetar ne mes te bulevardit dhe deri tani nuk mban asnje perghegjesi politike dhe te pakten falje familjeve te viktimave cfar mund te presesh neser nga kynjeri qe sot kerkon bashkin dhe neser qeverin?Prandaj ky njeri qe bashke me saliun kercenuan opoziten me fjalorin me banal dhe tani kane veshur lekuren e qengjit po kush mund tu besoj?

  12. Alban Dega says:

    A MUND TE KALOHET NJE ELEFANT NEPER NJE VRIME GJILPERE!?

    – Per Toke bre Luli se po ia kalon edhe Padrinos tend!

    – Nga Alban Dega, Nju Jork

    Ti’a hedhish fajin lapsusit te nje noteri te Hollandes, nje shtet me histori shteterore te mirfillte demokratike mbi 400 vjecare, ne nje akt noterial pasurie me vlere prej 450 000 Gulden eshte njesoj si te kalosh nje elefant ose nje balene nepermjet nje vrime gjilpere.
    Si mund te ngaterrohet nje pasaporte ngjyre kafe e erret e Shqiperise, me nje pasaporte blu te erret te SHBA-se!? E ku ne Hollande, vendi model per rreptesine dhe rigorozitetin shteteror e bankar!?
    Rrene, mashtrim, genjeshter me te trashe se kjo e Lulezim Bashes dhe telalles se tij nuk kam lexuar kurre ne jeten time… Kurre!
    Kam vetem nje keshille per Lulezim Bashen: Genje per Toke e jo per Qiell ore Luli se ti me Padrinon tend Berishen po e degjeneroni edhe vete genjeshtren. Po e beni te skuqet edhe Nastradinin.
    Per Toke Luli per Toke se po ia kalon edhe Padrinos tend, qe nuk nxjerr fjale nga goja pa rre! E kemi boll nje Saladin! Dy jane teper!

  13. anab says:

    nje here te rrafen ne lokal se flet shume dhe nuk ruan etiken gazetareske,por te inkriminosh padrejtesisht njerez qe na kane sjelle liberalizimin e vizave si z.Basha eshte njje paturpesi dhe sjo qe mendoj eshte qe nje fushate me paqesore si kjo nuk eshte pare ndonjehere,urime basha dhe me fitore

Comments are closed.

Lini një Përgjigje