I ndarë dhe nga qeverisja

19 Prill 2011, 22:10Editorial TEMA

Nga Enton Palushi

Lajmi se gruaja dhe vajza e një politikani në SHBA shkonin me të njëjtin adoleshent ishte ndër më të lexuarit e më të komentuarit në sajtin online të gazetës Tema. Gruaja që joshte adoleshentin me lojëra elektronike për të bërë seks, u dënua me 13 vite burg, vajza e saj pritet të ndëshkohet më pak. Burri i saj kërkoi menjëherë divorcin. Por kush ishte ky politikan amerikan? Një zyrtar i thjeshtë në një njësi vendore në SHBA. Në vendin tonë nuk do guxonte kush t’i thoshte politikan. Ndoshta edhe për faktin se politika është përçmuar kaq shumë si profesion. Kjo nuk dihet me saktësi, por të bie në sy që kandidati demokrat për Tiranën i drejtohet kundërshtarit duke thënë se ai po merret me beteja politike, sikur kjo të jetë një gjë e keqe. Sido që të preferojë ta quajë veten Basha, politikan a administrator, nuk do ketë kurrë në një garë elektorale një njeri me kaq shumë “mëkate” mbi shpinë. Ato nisin që tek dyshimet për lidhjet e të shoqes me ish- firmën piramidale VEFA, tek puna e dyshimtë në Kosovë, tek përgatitja e dosjeve për ish- luftëtarët e UÇK, tek investigimi për Shtëpinë e Verdhë në Burrel e vijojnë me kthimin në Shqipëri me abuzimet stratosferike me rrugën Durrës- Kukës, vrasja e katër protestuesve në bulevard e përfundojnë tek pakti për ujërat me Greqinë, lënia e nënshtetësisë nga e shoqja etj. Të gjitha këto mëkate, e sidomos fakti që Basha shikohet si një kandidat pa personalitet e individualitet, kanë bërë që Basha të dalë në fushatë i vetëm, i shkëputur nga Partia Demokratike. Në këtë mënyrë Basha është i shkëputur dhe nga qeveria. Por për më keq, ai duket se është i shkëputur edhe nga qeverisja.

Edhe për qeverisjen po ndodh si në rastin e shembjes së Piramidës. Pasi testoi opinionin publik dhe pa që prishja e piramidës ishte një minus i madh në fushatën e tij, ai vendosi të shprehej kundër këtij veprimi. Në të paktën dy intervista televizive ai është shprehur se është kundër prishjes, por edhe pro ndërtimit të një parlamenti të ri. Ndryshimi i këtij qëndrimi është kushtëzuar nga një testim fare i shpejtë i opinionit publik.

Po ashtu, po të shohësh fushatën e Bashës, sheh se në qendër të saj janë punësimi, çmimet e larta dhe biznesi i vogël. Sidomos dy të parat janë shumë të rëndësishme për fushatën e tij. Edhe në këtë rast, mjafton një testim i lehtë për të parë se ato janë problemet më të rënda të shoqërisë shqiptare. Madje Banka Botërore paralajmëroi se çmimet e rritura mund të kthehen në një problem për ekonominë shqiptare. Për papunësinë nuk ka nevojë për asnjë koment.

Në këtë mënyrë Basha po vepron i ndarë në fushatë edhe nga qeverisja, kur gjithkush priste që ai të merrte diçka nga meritat e qeverisjes, për t’i vendosur në ballë të fushatës së tij. Nuk ndodh kështu dhe Basha po vepron si një rishtar, që nuk ka qeverisur më përpara. Kjo është shumë e vërtetë kur dihet se punësimi dhe çmimet e larta janë një çështje kryesore e qeverisjes qendrore. Po ashtu edhe çështja e biznesit të vogël është problem i qeverisjes qendrore. Të gjithë e dimë se premtimi i rritjes dhe fuqizimit të biznesit të vogël ishte një kalë beteje i kryeministrit Berisha kur ri-erdhi në pushtet në vitin 2005. Sot nuk flet kush për këtë gjë.

Kryeministri Sali Berisha në mitingjet e tij nuk flet kurrë për punësimin. Zëvendësi i tij, Meta, i cili po ashtu bëri premtime bombastike për punësimin, nuk e zë në gojë atë çështje. Fjalimet e Berishës në këtë fushatë janë copy/paste dhe vijnë sipas kësaj radhe: në fillim thuhet se janë bërë nja dy rikonstruksione shkollash, më pas Berisha përmend Rrugën e Kombit, rritjen e pagave, dhe pjesa e fundit i kushtohet vetëm kundërshtarit, me sulme kryesisht për sloganin. Si mund të mos flasë kryeministri për punësimin apo për rritjen e fuqisë blerëse, që janë dy tregues të ecurisë së vendit?

Por një pyetje të lind në fund, përse Basha flet në fushatë për çështje për të cilat duhej të fliste kryeministri dhe përse nuk rimerr asnjë nga meritat e tij si anëtar i një kabineti që ka sjellë mrekullinë ekonomike në vend? Sepse mendon se njerëzit do konfuzohen me këtë punën e kompetencave dhe përgjegjësive, siç ndodh në rastin e ujit të pijshëm, kur Basha, edhe pse ka drejtuar një dikaster që e ka pasur përgjegjësi të veten furnizimin me ujë, sulmon bashkinë e Tiranës. “Nëse nuk i bind dot, të paktën bëji konfuzë,” kështu thoshte Herri Truman, ish- presidenti amerikan. Ndoshta i hyn në punë Bashës.

2 komente në “I ndarë dhe nga qeverisja”

  1. beso says:

    Te besh fushate optimiste ne kohe krize do melçi bualli,qe i jane firuar dhe Berishes;mosha po ben te sajen,dhe ishallah na ndihmon ne kete drejtim.Nuke kuptoj se ç’hynte gruaja dhe vajza e nje nenpunesi amerikan ne fushaten e zymte dhe monotone te Bashes,ku ngritja e dy bukeve(njera e blere ne Kamez dhe tjetra ne Tirane)ishin nje skeç tragjikomik i gjetur pa fantazine me elementare.

  2. reformatori says:

    Pergjithsisht, edhe ne spotet e tij, Basha duket si nje alien i ardhur nga kozmosi!
    Ai ka vendosur te garoje i vetem, dmth pa qeverine, sepse qeveria ne fakt ka deshtuar ne te gjitha pikat ku ai premton sukses, si psh punesimi, ulja e cmimeve, ulja e taksave-qe nuk jane ulur por jane rritur e keshtu me rradhe!
    Berisha nga ana tjeter perdor fabulen e eres se mishit te pjekur: se pari sukseset ekonomike te vendit paraqiten si suksese ekskluzive te Qeverise! Dhe pastaj i thuhet popullit : e pe mishin qe u poq, i more edhe ere? tani kete do ta ha une!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje