Drejtori i kompanisë “Siguria”, Rrahim Pacolli, shumë shpejt do ta marrë “timonin” e Aleancës Kosova e Re (AKR), duke e pasuar kështu kushëririn e tij të afërt, ish-presidentin, Behgjet Pacolli.
Brenda pak ditësh, AKR-ja do të mbajë kongresin e jashtëzakonshëm të partisë, ku ai do të emërohet ushtrues i detyrës së kryetarit, ndërsa struktura tjetër e partisë nuk do të ndërrojë fare.
“Shumë shpejt, ndoshta brenda tri-katër ditëve, do ta kemi kongresin e jashtëzakonshëm. Në fakt do të mblidhet Këshill i Përgjithshëm i AKR-së edhe Rrahim Pacolli do të emërohet ushtrues i detyrës së presidentit të partisë”, ka bërë të ditur një burim i gazetës brenda AKR-së.
Rrahim Pacolli, në opinion njihet si drejtor i kompanisë së themeluar nga djali i axhës së tij, Behgjet Pacolli, por mes tjerash është përfshirë goxha shumë edhe në politikë.
Nëpër vite, Rrahimi ka pasur takime të shumta me liderë të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe kryeministri i Shqipërisë, Salih Berisha, me të cilin thuhet se është mik i mirë. Për ta dëshmuar këtë, në zyrën e tij Rrahim Pacolli mban një foto të përbashkët me kryeministrin nga Tropoja.
Sidoqoftë involvimi më i madh i tij ka qenë në politikën kosovare, duke u marrë me organizimin e AKR-së, por edhe përfshirjen e saj në institucione.
Sipas burimeve të gazetës, ai madje është person kyç në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërmjet Behgjet Pacollit dhe Hashim Thaçit. Sipas burimeve, mësohet se Rrahim Pacolli ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm edhe në arritjen e marrëveshjes për koalicion ndërmjet PDK-së e AKR-së.
“Rrahim Pacolli e Hashim Thaçi janë miq të mirë. Në të gjitha marrëveshjet që janë bërë deri më sot ndërmjet AKR-së dhe PDK-së, Rrahimi ka qenë prezent. Ai ka qenë kyç gjatë negociatave që e sollën Behxhet Pacollin në postin e presidentit të Kosovës”, thotë burimi, duke shtuar se kur ka qenë Rrahim Pacolli sekretar organizativ i AKR-së, kjo parti ka pasur trembëdhjetë ulëse në Kuvend të Kosovës, ndërsa në zgjedhjet e fundit mezi ka kaluar pragun zgjedhor.
Përveç punës në biznes si dhe në politikë, ka qenë e pamundur të merret vesh më shumë rreth CV-së së Rrahim Pacollit.
Gazeta të premten ka bërë përpjekje gjatë tërë ditës që të kontaktojë me Rrahim Pacollin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Megjithatë, mbajtja e një kongresi të jashtëzakonshëm të AKR-së është mohuar nga drejtuesit aktualë të kësaj partie.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, i ka thënë “Zërit” se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. “Njëherë për njëherë nuk do të ketë Kuvend zgjedhor brendapartiak. Ne në parti nuk kemi vendosur për ndonjë kuvend apo kongres të jashtëzakonshëm”, thotë Makolli.
Aleanca Kosova e Re është themeluar në mars të vitit 2006. Në zgjedhjet e para parlamentare ka arritur që të renditet si partia e tretë më e madhe në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, në zgjedhjet e fundit kjo parti ka rënë dukshëm, krahasuar me votat që kishte marrë më parë.
“Zeri”