Duket se do të ketë një derbi të Italisë mes Juventusit dhe Interit për sulmuesin malazez, Mirko Vuçiniç. Juventusi është shumë më pranë sulmuesit të Romës, por tashmë në lojë ka hyrë edhe Interi, që kërkon t’u prishë punë bardhezinjve. Në fakt, drejtuesit e Juventusit si objektiv kryesor kanë sulmuesin e Atletiko Madrid, Serxhio Aguero. Për këtë të fundit, bardhezinjtë kanë bërë një ofertë prej 35 milionë euro, ndërkohë që Atletiko kërkon 40 milionë. Duke qenë se në lojë për sulmuesin argjentinas ka hyrë edhe Çelsi, drejtuesit e Juventuesit kanë hyrë në negociata edhe me sulmuesin malazez. Madje, mediat italiane bëjnë me dije se tashmë torinezët kanë arritur një marrëveshje me menaxherin e lojtarit. Juventusi do t’i ofrojë 3.5 milionë euro në sezon Vuçiniç, ndërsa Romës pritet që t’i paguajë 5 milionë euro dhe t’i japë sulmuesin Kualjarela. Ndërkohë, Interi ka gati 8 milionë euro dhe portierin Viviano, në mënyrë që të marrë malazezin. Por, Roma duket se nuk e pëlqen këtë ofertë, duke qenë se e ka përqendruar gjithë vëmëndjen tek portieri i Ajaksit, Stekelenburg. Kartoni i Vuçiniç vlerësohet 18 milionë euro.