Koha e Ngecjes

4 Korrik 2011, 22:05Blog TEMA

Nga Blerim Shala

Mbase edhe ky është një rast i veçantë. Dhe sërish ne, si Kosovë, jemi në pyetje. Kishim qenë shumë të veçantë. Si po duket.

Brukseli zyrtar na bëri me dije, qysh në fillim të korrikut, që Raporti i Progresit për Kosovën, i cili pritet të publikohet më 12 tetor (2011), nuk do të jetë i mirë, apo, që në të do të raportohet për një progres të kufizuar.

Ky paralajmërim i hershëm i Brukselit ka si justifikim për vetveten dhe për Kosovën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat u mbajtën në harkun kohor dhjetor (2010) – janar (2011), përveç tjerash, edhe me inkurajimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të tij në Prishtinë.

Nuk keni bërë më shumë, apo, aq sa duhet, ose, aq sa pritet prej jush, sepse nuk keni pasur kohë të mjaftueshme. Ky është pak a shumë shpjegimi që u dëgjua këto ditë prej Brukselit dhe i cili, me siguri, do të shumëfishohet në javët dhe muajt e ardhshëm.

Kosova, gjithsesi, do ta ketë Raportin më të keq të Progresit në rajon dhe, gjithashtu, më të keqin që prej se Brukseli përgatit këtë analizë njëvjeçare për ne.

Dhe kjo, pra, sepse kemi mbajtur zgjedhje dhe nuk kemi pasur kohë.

Po pse i bëmë ne zgjedhjet në dhjetorin e vitit të shkuar? A na ka lënë kujtesa fare, apo çfarë ka ndodhur me ne?

Zgjedhjet u organizuan në vjeshtën e vonë të vitit të kaluar, sepse kështu vendosi Hashim Thaçi, Kryeministri i Kosovës, me mbështetjen e të gjithë faktorëve relevantë ndërkombëtarë që i vunë të gjitha “bastet” mbi të (Thaçin), sepse Qeveria e atëhershme PDK-LDK ishte në shpërbërje e sipër, sepse kishim krizë të thellë politike dhe institucionale, sepse PTK nuk mund të privatizohej me të shpejtë (e paratë i duheshin shumë Qeverisë së Kosovës), sepse llogaritej që Thaçi dhe PDK do ta marrin një mandat të fuqishëm dhe të qartë, i cili do t’i mundësonte atij t’i kryente të gjitha detyrat e mbetura shtëpiake dhe ndërkombëtare.

Asgjë prej këtyre pritjeve nuk është përmbushur.

Zgjedhjet u mbajtën ashtu, me të shpejtë, pa përgatitjet e duhura, në rrethanat e njohura për të gjithë, edhe për shkak që Hashim Thaçi pohonte që nuk ka legjitimitetin e duhur për të hyrë në bisedimet me Beogradin, apo, që Qeveria e tij është në pakicë (nuk e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës) dhe që një konfirmim i legjitimitetit nga qytetarët e Kosovës, është kusht pa të cilin nuk bën për të dialoguar me përfaqësuesit e Serbisë.

As kjo pritje nuk është jetësuar.

Pra, e përbashkëta e argumenteve pro-zgjedhjeve ishte që gjendja në Kosovë është problematike, të thuash në të gjitha aspektet e mundshme, që nuk ka mekanizma (lexo: institucione) adekuate për t’i adresuar ato dhe që zgjidhja e vetme gjendet te zgjedhjet e reja.

Shtatë muaj më vonë, po na thuhet pra, që gjendja në Kosovë nuk është e mirë, që kemi telashe gati në të gjitha fushat e mundshme (raportet ndërkombëtare që mbërritën në ndërkohë në Prishtinë janë gjithsesi më negativet e disa viteve të mbrama), që Raporti i Progresit do të jetë i tillë çfarë është situata në Kosovë, sepse, nuk kemi pasur kohë mjaft, e kohë nuk kemi pasur sepse i kemi mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme!

Po shihet, pra, që ka rënë poshtë, ka dështuar plotësisht një strategji (nëse mund të përdoret këtu e gjora fjalë strategji) e përbashkët e Hashim Thaçit dhe e përfaqësuevse kryesorë perëndimorë në Prishtinë (dhe gjetiu), që me votën e qytetarëve, me vullnetin e tyre, të bëhet një pushtet qendror shumë më i mirë, i cili do t’i kryejë të gjitha ato detyra të cilat kishin mbetur pengje të një koalicioni “të madh” PDK-LDK, i cili nuk ka funksionuar asnjëherë si duhet.

Qasja e Perëndimit, në shqyrtimin e ngecjeve dhe prapakthimeve të shumta të Kosovës, pra do të jetë fajësimi i kohës (së ngratë) dhe, tërthorazi, i zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kooperativiteti i Prishtinës në dialogun me Beogradin mundet, po nuk është e thënë të na shpërblehet në trajtë të “Strategjisë për liberalizimin e vizave”, e cila, ju kujtojmë, sipas Kryeministrit Thaçi dhe Ministrit Rexhepi, është dashtë të vijë tek ne më 15 shtator të vitit të kaluar.

Ndërkohë, Qeveria ka nisur të godasë Kuvendin e Kosovës (nëpërmjet deklaratave të ministrave të saj), për ngecjen në miratimin e ligjeve, edhe pse dihet fare mirë që Kuvendi (i shkretë), po i voton të gjitha draft-ligjet e reja dhe ndryshimet e ligjeve ekzistuese me një shpejtësi marramendëse. Qeveria po kërkon fajtorin edhe tek autoritetet komunale për çështjen e akomodimit të të riatdhesuarve, temë kjo me rëndësi kapitale për marrjen e “strategjisë”.

Dhe kështu me radhë.

Po me gjasë, Brukseli ia ka qëlluar kur ka nënvizuar që mungesa kryesore në Kosovë (mbi të gjitha të tjerat, e ne kemi mungesa me bollëk) është koha.

Kohën nuk e kemi më aleat, sepse ne nuk i kemi punët mirë me te. Autoritetet institucionale të Kosovës njëmend nuk kanë kohë të merren me problemet e Kosovës. Janë të zënë me të vetat. Brukseli zyrtar e ka një kohë për Kosovën, por edhe ajo shfrytëzohet me pengesa të mëdha, sepse pesëshja që nuk ka njohur nuk do që BE, si i tillë, të merret fare me Kosovën.

Probleme ka sa të duash, e ne e harxhuam, e për më shumë madje, e kompromituam vitin e kaluar atë opsionin e fundit që përdoret në këto raste: zgjedhjet.

Rëndom, tash e sa vjet, pa marrë parasysh se kush ishte në krye të Qeverisë, paralajmërohej që vjeshta është stinë kur dalin në dritë problemet e shumta sociale dhe ekonomike. Verën e kemi për pushime. Kemi kohë sa të duash. E pastaj, vijnë telashet.

Koha e bën të veten. Apo jo. Për të gjithë ne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje