Bogdani: Synojme 14 pikë në Euro 2012

9 Gusht 2011, 12:46Sport TEMA

Sulmuesi kryesor i Kombëtares flet për ndeshjen miqësore kundër Malit të Zi dhe objektivat në eliminatoret e Europianit

Bogdani, të mërkurën do të zhvillojmë një miqësore me Malin e Zi, në prag të ndeshjes kundër Francës. Në ndeshje e fundit zyrtare kemi humbur me Bonsnjën, vazhdojmë të mbetemi entuziastë?


Kjo është një ndeshje miqësore me Malin e Zi, për të cilën trajneri ka thirrur atë grup lojtarësh që mendon se do të përballojnë dhe ndeshjen zyrtare me Francën dhe me Luksemburgun. Kjo ndeshje miqësore do ta na shërbejë shumë për të përgatitur atë kundër Francës, pas dy javësh. Megjithatë, ne në çdo ndeshje kemi synuar të luajmë sa më mirë. Edhe kundër Malit të Zi synojmë të marrim rezultat pozitiv. Edhe pse është një ndeshje miqësore ne do të hymë në fushë për ta fituar atë.

Duke parë edhe statistikat me kundërshtarin, i kemi fituar të dyja ndeshje me Malin e Zi, të parën, të luajtur në vitin 1946, me rezultatin e thellë 5-0, ndërsa të dytën, 1-0, në maj të vitit 2010, me golin e Hamdi Salihit. Në shortin e eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, Mali i Zi ndodhej në vazon e dytë, ndërsa ne në të katërtën. A kemi realisht shanse për të fituar me malazezët?


Unë mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të përsëritur fitoren e vitit të kaluar. Mali i Zi ka një ekip shumë të mirë. Është duke bërë një paraqitje shumë të mirë në eliminatoret e Kampionatit Europian, ku renditet në vendin e dytë pas Anglisë, por me pikë të barabarta në grupin e tyre. Megjithatë, kjo është një ndeshje miqësore, dhe ne synojmë të paraqitemi sa më mirë. Franca është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Unë them, se ai takim do të përgatitet mirë, nëse ekipi do të luajë mirë me Malin e Zi dhe lojtarët do të japin maksimumin.

Erjon, Mali i Zi është së bashku me Anglinë, një nga dy skuadrat e para në grupin e vet eliminator të Kampionatit Europian. Skuadra të tjera të rajonit, përfshirë edhe Slloveninë, kundërshtaren tonë në “Brazil 2014” kanë pasur një kulm të tyre, duke u përfaqësuar në Botërorë dhe Europianë. Po Shqipëria, a është gati dhe kur do të ketë momentin e saj?


Për këtë Europian, disa nga ekipet ballkanike po bëjnë një paraqitje të mirë. Janë duke punuar mirë edhe me brezat e rinj. Me ekipet kombëtare janë grumbulluar lojtarë që janë formuar shumë mirë me klubet e tyre. E theksoj, këtë fakt, pasi ne si Shqipëri na mungon. Duhet punuar shumë me brezin e ri në vendin tonë, nga moshat e reje, te Shpresat dhe për të ardhur deri në ekipin Kombëtar. Ekipi Kombëtar nuk duhet dhuruar, por duhet të punojnë shumë për të ardhur në përfaqësuese. Për të marrë një fanellë, ata duhet të luajnë shumë mirë në ekipet e tyre, të gjejnë ekipe që të kenë mundësi të luajnë në nivele të larta, e më pas të vinë në ekipin Kombëtar që të luajnë sa më mirë.

Erion, mund të ndikojë humbja me Bosnjën në ecurinë e ndeshjeve të mbetura në eliminatoret e Europianit?


Nuk diskutohet se humbja me Bosnjën, sikur na e preu shpresën. Ne vinim nga një ndeshje e mirë me Bjellorusinë, dhe në rast se do të kishim marrë një rezultat pozitiv me Bosnjën, gjithçka do të fliste për ne dhe ne do të jepnim maksimumin tonë. Megjithatë, çdo ndeshje ka historinë e saj. Tani jemi duke u përgatitur seriozisht për ndeshjen me Malin e Zi, që është një ekip shumë i fortë dhe më pas me Francën, që të gjithë lojtarët kanë dëshirë të luajnë mirë dhe të japin maksimumin. Në Shqipëri kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira para publikut tonë. Janë dy ndeshje në të cilat duhet të luajmë shumë mirë dhe të mobilizohemi.

Kur janë luajtur gjashtë ndeshje dhe kanë mbetur edhe katër të tjera nga kualifikueset e Euro 2012-s, a ka ndonjë objektiv të ri Kombëtarja jonë?


Objektivi i Kombëtares ka qenë që në çdo ndeshje të japë maksimumin. Tani na kanë ngelur edhe katër ndeshje. Dëshirojmë ta mbyllim grupin me një rekord pikësh. Do të luftojmë të marrim sa më shumë pikë. Pavarësisht se luajmë me Francën dhe me Luksemburgun, ne dëshirojmë t’u marrim pikë të plota të dyjave. Si ekip Kombëtar synojmë të paktën të marrim 14 pikë në grup, dhe të bëjmë një ndeshje dinjitoze me Rumaninë në Shqipëri.

Jeni golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në eliminatoret e kampionateve botërore, me 7 gola në 19 ndeshje. Para pak javësh u hodh edhe shorti i Botërorit, ku Kombëtarja jonë do të përballet me Norvegjinë, Slloveninë, Zvicrën, Qipron dhe Islandën. Ne kemi luajtur me të gjitha këto skuadra, ndërkohë që në ndeshjen e fundit me Slloveninë humbëm 2-1 në një miqësore të zhvilluar në Tiranë. Cili është mendimi juaj për grupin tonë në “Brazil 2014”?


Kam mendim se është një grup ku të gjitha ekipet kanë shanse të barabarta. Pavarësisht se kemi humbur me Slloveninë 2-1, dua të them se ekipi shqiptar zhvilloi një ndeshje të mirë dhe humbi me një gol në minutat shtesë. Mund të kishte dalë shumë mirë barazim, apo të kishim fituar edhe ne, pasi patëm më shumë raste. Ndaj të gjitha ekipeve që na kanë rënë në shortin e Kampionatit Botëror, Shqipëria mund të pretendojë ndaj çdo ekipi për fitore, të paktën për të marrë tri pikët në Tiranë. Kjo pasi në “Qemal Stafa” kemi luajtur me skuadra shumë më të forta dhe kemi bërë ndeshje të mira dhe duke marrë pikë. Për mendimin tim, duhet të mobilizohemi kur luajmë jashtë Shqipërisë, pasi kur luajmë në Tiranë jemi shumë të fortë, ndërsa jashtë sikur kemi druajtje, nisur nga unë i pari. Nëse do ta heqim atë, atëherë ne do të jemi me të vërtetë pretendentë. Shqipëria kur luan me ekipe të nivelit tonë, apo pak më të forta në letër, kemi vështirësi. Duhet të luajmë si në ndeshjen kundër Bjellorusinë, që për mendimin tim ka qenë ndër më të mirat në grup. Nëse luajmë në atë mënyrë, unë them se ndaj çdo ekipi ne mund të marrim tri pikë./albania-sport.com/

1 komente në “Bogdani: Synojme 14 pikë në Euro 2012”

  1. raimondi says:

    Ik ore aman –Shqiperia s’ka trajnere –Ai trajner eshte kot fare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje