Nga Dardan Braun
Sa e pashë atë maratonomakun nga Etiopia, në kampionatin botëror të atletikës, thashë se mos ishte kamera e fshehtë. Më pas, nuk m’u nda nga mendja ajo fabula e dashit, të cilit pritej t’i binin ato. Astari i bardhë mbi ngjyrën natyrale të arapit maratonomak, fekste si lavjerrës herdhet e etiopianit. Doli i treti!
Aaa, e po maratona është garë e gjatë, njëlloj si politika dhe maratonomaku, fiks si ai që na qeveris. Sidomos tani, pasi ai krimineli Asanzh zbuloi para botës hauret e Avgjisë edhe në një zgiqe vend si ky yni. Plehu i ketyre haureve pasuron dhe imunizon më tej, të gjithë ate skotë zyrtarësh që, nën shembullin e të parit të tyre nga mali, nguten të hane inat edhe me peshkaqenin, kush e kush qëndron më shumë në det. Pasuria mbi varfëri kutërbon. Nëse durohet, sigurisht.
Lidhi mor ato ushkure, heej, mbreti qenka lakuriq! Kaq pati thënë ai fëmija, dhe njerëzia u ndërgjegjësua dhe pa me syrin e së vërtetës atë ç’ka fshihej pas demagogjisë, hipokrizisë, shifrave dhe premtimeve të gënjeshtërta të atij qe sundonte. “Jemi të dytët pas Gjermanisë”, thotë maratonomaku ynë qeveritar. Por, kësaj radhe, “fëmija naiv” del që është hiç më pak se vetë kryemjeshtri i punëve të kësaj bote. Kësaj radhe, shikuam atë që e kemi ditur me kohë, pikërisht se si funksionon kuzhina-shtet, nga e cila bota, por edhe Shqipëria jonë euro-atlantike, pret me përgjërim atë ushqim të shëndetshëm që mëkëmb dhe forcon trupin e saj paralitik në palestrën e demokracisë. E gjithë kjo, si për të kuptuar se maratona e integrimit kërkon trup të shëndetshëm dhe, nëse vërtete dëshiron t’i futesh e ta çosh deri në fund, pikësëpari lër duhanin e korrupsionit, lër drogën e kriminalitetit, lër edhe ngërdheshjet para pasqyrës së informalitetit dhe tiranisë së frikës që synon të ngjallësh, njëlloj, në mos edhe më shumë si ai i dikurshmi, me të cilin ti synon të barabitesh dëshpërimisht, qoftë edhe duke e mallkuar e sharë me rrënjë e me degë. Dhe kush? Lakuriqi i natës, i së njëjtës degë.
Ik, se të gjitha këto nuk kanë të bëjnë fare me maratonën integruese! Të gjitha këto, më së shumti, të mundësojnë një vrapim krokodili, në shembullin e të cilit, ti zotëri politikan e qeveritar, brenda një çasti të vetëm, mjaft që të të vije rasti, shndërrohesh në pasunar, me karshillekun më poshtërues që i bën presë tënde, votuesit dhe kundërvotuesit tënd, po aq, në mos më shumë shqiptar se ti, që flet në emër të tij, në emrin tim.
Bretku po i binte, por Etiopiani maratonomak vazhdonte garën. Tani nuk dyshoja se mos po shihja ndonjë sekuencë me kamera të fshehtë. Tundu-shkundu, herdhet e tij kishin mbuluar ekranet e gjithë botës. Ai stoik, qëndrestar, siç thotë maratonomaku ynë. Së paku, astarin ta kish patur me ngjyrë të kuqe, si flamuri ynë, apo qoftë edhe të zezë, si shqiponja jonë. “Eh tu thaftë goja, të shitoftë zana dhe të qaftë nana”, shkumbëzon maratonomaku ynë. Ato i kemi për vete, eej, i thonë shtet njëshekullor, “..pton ti që shkruan editoriale apo jo”? Nuk ka herdhe të përdhosë burrërine tonë prej cubash bjeshke, nuk ka bir kumbulle të cënojë ndershmërine tonë, nuk ka çokollatë amerikane apo etiopiane të na nxijë faqen tonë!
“Lere mor ça thotë Asanzhi, at kisha për ta hedh n’gjyq, por e fala vetë”. Shiko ato që thonë zyrtarisht, jo privatisht, diplomatët. “Marrdhaniet tona janë të shkëlqyyyyra”. Ec e merre vesh kët milet. E bukura është se na erdhi keq, kur pasardhësit të Widhersit, ambasadorit më të shkëlqyer qe ka patur ndonjëherë Amerika në Shqiperi, pra këtij Arvizusë i “shpëtoi” një vërejtje publike, se medemek “ne shqiptarët jemi tepër tolerantë ndaj korrupsionit”. Jo or jo, tha shumë pak, krahasuar me atë që di dhe mendon ai, me atë qe di dhe mendoj edhe unë e ti. Por me kë flet, thuaj!
Realisht, gjithësa thuhet apo del nga wikileaks, është thënë dhe thuhet në çdo zyrë shteti apo kafene mileti. Në gazeta dhe ndër gazetarë, të guximshëm ose jo, ky informacion është buka e përditshme. Aq shumë jemi mësuar me këtë bukë të helmatisur, sa që nuk na bën përshtypjë asgjë. Sidomos, kur edhe ndonjërit që i bie kokës pa mëdyshje, i tregojmë edhe vendin me grushta bodygardësh nafte. Dhe drejtësia hesht.
Ish thënë dikur se dhembja është mbrojta e parë që organizmi ushtron ndaj sëmundjes. Ku? Në librat e mjekësisë. Uh, ç’na the. Këtë e thonë edhe gazetat, këtë e dimë edhe ne, mjekët e politikës. Kur nuk ndjen dhembje, ka dy mundësi: ose je i shëndetshëm, ose je i mbaruar. Nëse korrupsionin, kriminalitetin, klientelizmin, hipokrizinë, vjedhjen e votës, vrasjen e protestës, arrogancën e pushtetit ndaj gazetarëve, me produkt pasuritë e tundshme e të patundshme të qeveritarëve i quajmë shëndet, atëhere nuk na mbetet veçse të themi rroftë Gadafi dhe Mubaraku!
Sigurisht që jo, të gjithë jemi me Obamën! Ti bërtet me shumë se të gjithë, maratonomaku ynë, arap i demokracisë? Shi për këto që thua ti, rrjedhjet e Asanzh Xhuljanit, qofshin edhe si herdhet e Etiopianit, na dhanë një kod. Një kod se si të kuptojmë gjuhën e ambasëadorëve. Një kod se si duhet të kuptojmë edhe tundje-shkundjet e qeveritarëve tanë, që pushtetin e kuptojnë vetëm si mundësi për të zhvatur. Një fjalor, se si duhet të përkthejmë edhe në vetë nga shqipja në shqip, mjaft që derrit të mos vazhdojmë t’i thërrasim dajë.
Ashtu, në hallin e vet, në sfidën e vet, ndër më fisniket që njerëzimi ka shijuar me sy që prej lashtësisë, arapi i maratonës vazhdonte të vraponte. Ajo që unë, tifoz i Arapit të Viçidolit, pyes, është se, kur do t’i vijë fundi maratonës sonë zvarranike, e cila na ka katandisur me ato nëpër këmbë në sytë e gjithë botës. Po po, me ato që Kryeministri ynë s’e ka për gjë t’ia vërë në lule të ballit kujtdo që nuk i thotë se “është vetëm ai që i ngjit shkallët tre e nga tre, është vetëm ai që ia kalon edhe kinezit mbi murin kinez, është ai që ia merr në kthesë edhe peshkut në det, është ai që kundërshtarin e asgjëson njëlloj si të ishte piranë Amazone”. Aferim Gadaf, Arap i Malcisë. Kur do të gjesh derman? Zoti të ndihtë!