Nëse kujtesa jonë kombëtare është e brishtë, supozimet se pushtimi shekullor otoman është shkaku i saj dhe shkaku i mungesës së historisë bie, po të sjellim ndërmend që shqiptarët nuk shquheshin për kujtesë shembullore atëherë, as shquhen në kohën e re.
Mbasi pushtoi periudhën e komunizmit, paqartësia e historisë sonë vazhdon e shtrihet si një mjegull deri në ditët e demokracisë sonë.
Edhe sot, ashtu si më parë, ngjarjet e mëdha të së shkuarës zakonisht nuk luajnë rolin që duhet në marrjen e vendimeve popullore po kaq të mëdha, si pararendëse perceptimesh, qe korrigjojne gabimet e mëdha, sepse ne jemi një popull që harrojmë. Ashtu si studentët para provimeve nuk kujtojnë prej ankthit njohuritë e marra nga leximet, njerëzit shpërqendrohen pikërisht në orën e fatit të tyre, që është momenti i dhënies pushtet pushtetarëve, harrojnë të zezat qe ju ka sjelle politika pikërisht në ditën e zgjedhjeve.
Ajo që duhej dhe duhet korrigjuar patjetër, harresa, shfaqet me shumice pikërisht gjate furisë së premtimeve publike, ne fushata elektorale, sipas një inercie të rrezikshme. Pushteti te ne ka një përvojë të papërballueshme jo vetëm në premtimet publike, por edhe në mashtrimet civile; mungesa e integritetit pushtetar është bërë diçka e zakonshme, si e zakonshme eshte bere qenia e lypësave ne semafore . Politikanët gënjejnë sa të duan, sipas një logjike të thjeshtë: Ata grijnë e shijnë në një vend ku jo mashtrimi, por as fyerja dhe shpifja nuk përbën më një mëkat, sepse njerëzit durojne, pranojne, e ne fund, harrojnë.
Prandaj rrallë gjen te ne politikanë që të kenë të dukshme vrasjen e ndërgjegjes për mashtrimet publike që bëjnë. Njerëzve ju pelqen t’i genjejne! Shpifjet primitive janë sot si aurora të zeza të personaliteteve të tyre, por qytetaret nuk shqetesohen dhe aq. Pas mashtrimeve publike, hedhja baltë kundërshtarëve është diçka më e rëndësishme se kundërshtitë për shumicen e tyre: shumë prej tyre, madje, rutinën e shpifjeve e kanë të domosdoshme si ajrin: Të jesh njeri me pushtet dhe të mos shash e te mos shpifesh, supozohet si dëm gjenetik, ashtu si kujtesa e mirë gjendet një hap larg herezisë.
(Kujtesa e mire është një pasqyrë ku shfaqen mëkatet e politikanëve shqiptarë; sharjet dhe shpifjet ngjajnë aq më të dobishme për ta, sa më shumë zbehin qartësinë e tyre).
Mungesa e integritetit të njerëzve që bëjnë politikë, është një dhimbje e re mbi dhimbjen e vjetër të paqartësisë së gjërave, që sjell vec te tjerave edhe mungesa e kujtesës. Kjo dhimbje vërteton se si magjia e pushtetit është shpërdoruar te ne, ndërsa pushteti ju besohet duarve të pista, moralit të paqenë. Njerëzit nganjëherë reagojnë, por reagojnë spontanisht ndaj ndotjes së moralit dhe zgjedhjeve gabim që vetë ata bëjnë, sepse harrojnë shumë shpejt dhe besojnë shumë kollaj. Njerëzit harrojnë zinë dhe tragjeditë e së shkuarës, po aq mjerisht sa edhe ngazëllehen prej sukseseve të paqena.
Si në një varkë mes stuhisë, besimi i shpirt-thjeshtëve shkon nga fryn era e pushtetit dhe furia e mashtrimit. Shqiptarët harruan dhe harrojnë ‘97-n përballë lavdisë së NATO-s; harruan dhe harrojnë vrasjet e shpeshta të njerëzve, përballë liberalizimit të vizave, harruan dhe po harrojnë makthin e 21 janarit, përballë zhvillimit të paqenë dhe bumit turistik që beson dhe shpreson ose bën sikur beson dhe shpreson Kryeministri i vendit. Për shkak të harresës, Gërdeci i frikshëm, si një fantazmë e trazuar, që sillet vërdallë në gërmadhat publike të kujtimeve, sfidohet sot nga shkëlqimi i trishtë i shifrave ekonomike, që as vetë ata që i thonë, i besojnë…
Politika është çështje integriteti dhe ndershmëria fillon pikërisht te shifrat dhe mbaron te mashtrimi me to. Duke kuptuar kujtesën e brishtë të popullit të vet, qeveria kërkon të imponojë fshirje magjike të urisë popullore me shifrat që reklamon në daljet publike, për t’i shtuar shenjtëri misionit të saj, që nuk është thjesht mashtrimi, por sundimi… Euforia e pushtetit është një fuqi po aq e rrezikshme, sa është edhe babëzia e tij: Pushteti synon të ndryshojë perceptimet e njerëzve me ndihmën e iluzionit; kjo do të thotë të kërkosh t’u ndryshosh ngjyrën e qiellit njerëzve që harrojnë. Tek shpifin e shajnë me autoritetin e mediokritetit dhe rastësisë meskine që i ka nxjerrë ata në skenë, pushteti që shpif dhe hedh baltë, ndodh që ia dalin.
Por kur asgjë nuk vërtetohet dhe balta e hedhur për tjetrin bie mbi fytyrat e tyre, pushtetarët buzëqeshin si aktorë tragjedish dhe shpirtrat e tyre rrëzëllejnë prej hakmarrjes së ardhshme për të ardhmen e tjetrit: “Ne jemi këtu, votues të mjerë. Ju keni nevojë për ne, njëlloj si ne dimë të fitojmë dhe vjedhim votat tuaja edhe kur gënjejmë, edhe kur shtypim, edhe kur mohojmë, edhe kur rrezatojmë neveri. Sepse kjo është një botë, dhe kjo është një ekzistencë shumë e qartë për mungesën kolektive të ndjeshmërisë dhe ndershmërisë: Kjo është një turme që harron!”.
Malokeve ska qene nevoja por ne te tjereve na ka bere te gjitheve nga nje gjilpere qe te harojme cna ka bere dhe perdite po na i leron.