Sindroma e pamundësisë së mandatit të tretë

17 Shtator 2011, 21:39Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

 

Në historinë 24 vjeçare të demokracisë së brishtë shqiptare (gjatë periudhave 1920-24 dhe 1991-2011), asnjë parti nuk ka mundur ta qeverisë vendin për tre mandate legjislativë rrjesht. Madje, vetëm njëra ka arritur të largohet nga pushteti me zgjedhje të mbajtura në kushte normale, pasi ka qeverisur për dy mandate të plotë njëri pas tjetrit (PS-ja pas mandateve 1997-2001 dhe 2001-05). Partia Popullore, e udhëhequr nga Ahmet Zogu, u largua nga pushteti pas një rebelimi të udhëhequr nga Fan Noli në qershor 1924; Partia Socialiste, e udhëhequr nga Fatos Nano, u largua nga pushteti në 1992 pas zgjedhjeve të parakohshme të shkaktuara nga protesta të mëdha popullore; Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha, u largua nga pushteti në 1997 pas zgjedhjeve të parakohshme të shkaktuara nga protesta akoma më të mëdha popullore. U provua edhe në 2004-ën të ndërpritej mandati qeverisës i PS-së me protestat e quajtura “Nano ik!”, por u deshën zgjedhjet normale të korrikut 2005 që të ndërrohej pushteti.

Dhe siç e kam theksuar dhe në shumë shkrime të mëparshme, ndërrimi i pushtetit në 2005-ën nuk erdhi si rrjedhojë e një alternative më të mirë që po ofronte opozita e atëhershme – ai ndodhi për shkak të luftës brenda llojit në gjirin e mazhorancës. Të paktën këtë gjë na thonë shifrat elektorale. Siç kam argumentuar në http://www.respublica.al/artikuj/2011/9/5/kontroll-faktesh-ceshtja-morale-e-lubonjes, në vitin 2005, koalicioni opozitar (i udhëhequr nga Berisha) nuk mori më shumë se 43% të votës popullore. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2001, koalicioni i udhëhequr prej tij, kishte marrë rreth 37% të votave në shkallë vendi. Por në atë kohë, Partia Demokrate e Pollos, nëpërmjet trukut të emrit dhe logos shumë të ngjashme me të PD-së, mori rreth 6% të votave në zgjedhje. Pra, po t`i mbledhim votat e Berishës me të Pollos, mund të themi se “mëma” dhe “bija” morën së bashku rreth 43% të votës popullore në vitin 2001.

Duke ndjekur logjikën e një opozite që po ofronte një alternativë më të mirë në 2005-ën, i binte që pesha elektorale e koalicionit të udhëhequr prej Berishës të rritej në krahasim me 2001-shin, kur opozita ende luftonte me bomba molotov. Dhe përveç rritjes prej ofertës së re, koalicioni i Berishës duhej të kishte edhe një rritje mekanike. Kjo, sepse atij iu bashkua partia 6-përqindëshe e Pollos.

Por nuk ndodhi ashtu siç logjika e tezës së “ofertës së re” na sugjeron. Koalicioni i udhëhequr nga Berisha nuk ndoqi dot as rritjen me ritme më të mëdha të popullsisë veriore, rezervuarit më të madh të votave për PD-në. Po si arriti Berisha të vinte në pushtet, kur koalicioni i udhëhequr prej tij nuk kishte marrë më shumë se 43% të votës popullore? Thjesht prej përçarjes së të majtës! Në çdo zonë zgjedhore, koalicioni i Berishës kishte nga një kandidat të vetëm përballë 6 kandidatëve të majtë. Dhe ndarja e votave mes këtyre të fundit “u fali” kandidatëve të Berishës mandatin e deputetit në të paktën 18 zona…

Është shkruajtur e është thënë shumë për shkaqet që sollën përçarjen e mazhorancës në mandatin 2001-05, por, për rikujtesë, mund të them se ajo erdhi si rezultat i përplasjeve mes njerzve me ambicie të forta personale brenda saj. Dhe pyetja është nëse edhe mazhoranca e sotme po ndjek të njëjtën rrugë. E shtruar ndryshe, kjo pyetje mund të bëhet kështu: “A do të bëhet mazhoranca aktuale viktimë e sindromës së  pamundësisë së qeverisjes së vendin për tre mandate legjislativë rrjesht?”

Pas dështimit të demonstratës së 21 janarit  dhe protestave të 17-18 majit të këtij viti, duket se opozita ka vendosur që të mos tentojë ndërprerjen e mandatit të dytë të kësaj mazhorance me revolta popullore. Ajo duket se ka vendosur që të bëjë opozitën tradicionale, duke luftuar institucionalisht mazhorancën dhe duke ofruar një alternativë të re qeverisëse deri në zgjedhjet normale të 2013-ës.

Që strategjia e opozitës të ketë sukses, duhet që, ose aksioni i saj të rrisë numrin e zgjedhësve që votojnë për të, ose përçarjet e mazhorancës të pakësojnë numrin e votuesve të kësaj të fundit, ose të ndodhin të dyja këto gjëra njëkohësisht.

Krahasimi i votave të 2005-ës, kur PS-ja ishte në pushtet, me ato të 2009-ës dhe 2011-ës, kur PS ishte në opozitë, tregon se ardhja e Edi Ramës në krye të saj është shoqëruar me rritjen e përkrahjes elektorale për koalicionin e tij rreth 3 herë më tepër se sa do ta shpjegonte vetëm rritja natyrale e popullsisë nga 2005-sa në 2011. (Shih  artikullin tim “Qeveri teknike para zgjedhjeve të 2013-ës?” në http://www.respublica.al/opinion/2011/9/2/qeveri-teknike-para-zgjedhjeve-te-2013-es). Kjo trajektore elektorale e opozitës sugjeron se ndoshta ajo i ka ezauruar mundësitë për një rritje me të njëjtat ritme në vitin 2013. Gjasat janë që, në qoftë se nuk zgjerohet, koalicioni opozitar të përfitojë vetëm nga rritja natyrale e popullsisë – pra, të marrë rreth 740 mijë vota. Ndërkohë, koalicioni aktual qeverisës, në qoftë se nuk përçahet dhe duke ndjekur rritjen natyrale të popullsisë, mund të arrijë në rreth 830 mijë vota (Shënim: këtu po presupozojmë se mënyra sesi votohet dhe numërohet nuk do të ndryshojë shumë edhe pas reformës së pritshme elektorale).

Përmbledhur në dy fjalë, me paragrafin e mësipërm dua të them se gjasat më të mëdha janë që mazhoranca të dështojë në marrjen e mandatit të tretë jo prej rritjes së ndjeshme të përkrajes elektorale për opozitën, por prej ndarjes së votave të elektoratit të vet. Siç i ndodhi mazhorancës së 2005-ës…

Disa shenja të para të përsëritjes së sindromës: Bamir Topi, ish-nënkryetar i PD-së, duket se do të krijojë një parti të djathtë tradicionale pas ikjes nga Presidenca; Kreshnik Spahiu, ish-përfaqësues i PD-së në KQZ, duket se do të krijojë një parti të djathtë kombëtariste; Shpëtim Idrizi, aktualisht në mazhorancë, pothuaj ka deklaruar se partia që ai udhëheq (e cila mori 64 mijë vota në zgjedhjet e fundit) ka parësore kauzën çame dhe dytësore aleancën me njërin apo tjetrin krah të politikës shqiptare; përplasjet Basha-Topalli e Basha-Olldashi po bëhen më të forta; etj., etj…

 

*respublica.al

11 komente në “Sindroma e pamundësisë së mandatit të tretë”

  1. fatjon says:

    Kur u bene 24 vjet merr zaloshnja shqiperia me 1992 e filloi kapitalizem_demokrcine zyrtarisht kete 19-20 vjet demokraci.

    1. xha veli says:

      ke edhe kater vjetet para ZOGUT NDAJ ME I VEMENDESHEM

  2. enverhoxha says:

    zoti fatjon,,,,,ka futur dhe vitet 20 -24,,,pra plus 4 vjet qe bejne 24,me i vemendshem

  3. K.Sero says:

    Tani dihet kjo more Zaloshnja, erdhi koha qe uthulla ka cpuar enen e vet ,pasoja eshte : rjedhja e uthulles ka filluar.

  4. cam i beses says:

    sali ka.. dhe pd skane fituar ndonjehere zgjedhje pervec 92.te gjitha te tjerat i ka fituar me pislleqe dhe ne 2005 ja la nano me duart e tij

  5. kadiu says:

    po keto 24 vjet nuk jane demokraci po jane anarshi more zoteri
    .

  6. landi says:

    e keqja eshte se berisha nuk ka opozite perballe prandaj ai do ta marre mandatin e trete opozita e rames eshte nje estrade e shemtuar

  7. katarakti says:

    Ia ke futur fare kot o Zaloshnja. Arsyetimet e tua do te sihin te vlefshme per nje vend si Amerika, Franca, Greqia apo Serbia. Por jo per Shqiperine. Ne Shqiperi nuk vendos zgjedhesi se kush do ta qeverise, por qeverite mafjoze, hajdute dhe kriminele. Mendon vertet vetem nje çast se Berisha do te largohet me zgjedhje te lira nga pushteti. Pa i vjedhur, manipuluar dhe grabitur ato?! Nuk te mjaftoi 2009 dhe 9 maji?! E vetmja mundesi qe ai te zbrese vete nga kali, eshte qe t’ia leje pushtetin nje te besuari te tij. Qe populli te merret me te riun dhe te harroje zullumet e Berishes dhe familjes se tij. Ndryshe Berisha e le pushtetin ose i detyruar nga Zoti, me vdekje natyrale ose nga nje vdekje “jonatyrale”.

  8. albani says:

    Z. Zaloshnja! I lexoj shkrimet tuaja. Jeni analist i mire, por i beni analizat pa hanxhiun. Kjo do te thote se i beni analizat tuaja ne te “thate” dhe jo te mbeshtetura ne te verteten shqiptare. As PS, as PD dhe as LSI nuk kane marre sasine e votave qe jepni ju. Ato jane vota te blera’ vota “sikur” te PS, PD apo LSI. Ju duhet te dini se per sa kohe Sali Berisha do te jete kryeminister apo kryetar i PD ai do te “fitoje”
    (vjedhe) votat ne te gjithas rastet qe vijojne: Naten apo diten, me votime me gogla apo votime elektronike, me kod te ri apo me kod te vjeter, me koalicion apo vetem, me Komision Qendror te Zgjedghjeve te ri apo me kete qe eshte, me kete Kolegj Zgjedhor apo me Kolegj te ri, me ndihmen e “nderkombetareve” apo pa ndihmen e tyre, me Ilir Meten ne qqeveri apo jasht qeverise, me Z. Topi kryetar te nje partije te re te djashte, apo pa Z. Topi, me kryetarin e grupit te vezhguesve te OSBE/ODHIR-it Z. Grossruck apo pa te. Thjesht, populli “voton” (blen voten), ju numeroni votat. Nese ne analixden tuaj, ne vend qe te thoni qe PD fitoi … vota, apo PS humbi kaq vota, thoni: PD bleu … vota dhe PS nuk arriti te blinte … vota. Pra, Z. Zaloshnja, pa evidence te sakte, nuk dalin fakte te sakta dhe te verteta. Megjithate ju shkruani, se nuk ju pengon njeri te shkruani!

  9. fieraku4u says:

    Ooooooo Zaloshnja ja ke futur kot fare or mik, po Saliu do rri ne pushtet edhe per mandatin e trete, dhe te katertin, dhe te pestin, e tje.. a e di pse…?? Sepse ky njeri nuk njef votimin e lire, nuk njeh demokraci, nuk njeh asgje nga keto gjera elementare. Ku njeri me emrin Sali njef vetem dhunen, bandat kriminale, vjedhjet, vrasjet, terrorin, etj… Saliu nuk i ka fituar asnjeher zgjedhjet me ndershmeri, por gjithmon i ka grabitur votat, i ka vjedhur votat. KJO DO TE ISHTE ANALIZA ME E QARTE…

  10. Tteta says:

    Z ,Zaloshnja ben mire qe ben analiza, por ne Shqiperi llogarite nuk dalin kurre mire.Eshte e vertete qe PD ka fituar vetem ne 92 dhe ne te gjitha votimet e tjera ka bere nje mije marifete aq sa i dinin edhe te huajt (me kuti picash) per ti marre me dhune a me para zgjedhjet. Prandaj dhe tek ne eshte kaq i larte korrupsioni dhe vjedhja, aresyeja eshte mungesa totale e ndershmerise ne perballjen me verdiktin e popullit.Tashme kjo eshte bere metode pune dhe une nuk e di se si do te shkulet ndonjehere.Mendoj se do te na duhet me shume pune e vullnet per te shkulur te keqen qe ka zene vendin ,sec u desh ne hapat e pare te vendosjes se demokracise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje